[AlbClub] Deklarata e Varesise
shkelzen gashi <[email protected]> Tue, 19 Feb 2008 00:59:51 -0800 (PST)
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List ***
Tjetrazi
Deklarata e Varësisë
Shkëlzen Gashi
Më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës votoi që Kosova
do të jetë shtet i pavarur dhe demokratik. Pra, jo që
Kosova të jetë shtet sovran dhe i pavarur. Të paktën
kështu thotë Deklarata, të cilën Kryeministri i
Kosovës, Hashim Thaçi, e lexoi para deputetëve të
Kuvendit të Kosovës, të transmetuar nga televizioni
publik RTK. Kështu thuhet edhe në Deklaratën për
Pavarësinë e Kosovës, të botuar në gazetën Koha Ditore
(Koha Ditore, 18 shkurt 2008, faqe 3). Mirëpo, kështu
nuk thotë teksti i Deklaratës për Pavarësinë e
Kosovës, të botuar në ueb faqen e Kuvendit të Kosovës.
Në vijim të kësaj, është me rëndësi që të përmendet
fakti se pasi që Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi,
përfundoi së lexuari Deklaratën për Pavarësinë e
Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup
Krasniqi, tha se Kosova tash është shtet i pavarur dhe
sovran, por një gjë të tillë nuk e tha Kryeministri i
Kosovës, i cili e lexoi tekstin e Deklaratës për
Pavarësinë e Kosovës. Si rrjedhojë, nuk është e
rëndësishme se çfarë ka thënë Jakup Krasniqi, por
çfarë ka lexuar Hashim Thaçi dhe çfarë kanë nënshkruar
deputetët e Kuvendit të Kosovës. Prandaj, mbase do të
ishte mirë që të bëhet publik teksti i deklaratës
origjinale të nënshkruar nga deputetët e Kuvendit të
Kosovës. Në të vërtetë, edhe sikur Deklarata për
Pavarësinë e Kosovës të thotë se e shpallë Kosovën
shtet sovran dhe të pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon
asgjë, po qe se më poshtë merret për bazë Propozimi i
Martti Ahtisaarit dhe Rezoluta 1244.
Sidoqoftë, po qe se lexohet me vëmendje Deklarata për
Pavarësinë e Kosovës, atëherë, janë një varg arsyesh
që e bëjnë evident faktin se teksti i kësaj deklarate
është shkruar nga përfaqësues të bashkësisë
ndërkombëtare. Në këtë deklaratë, përmenden vitet e
konfliktit dhe dhunës në Kosovë, por nuk përmendet
askund lufta çlirimtare. Tutje, në këtë deklaratë
thuhet se kjo shpallje është në pajtueshmëri të plotë
me Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e
Statusit të Kosovës, të hartuar nga i Dërguari Special
i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari. Por, në këtë
propozim nuk thuhet askund se Kosova do të jetë shtet
sovran dhe i pavarur në përputhje me vullnetin e
popullit të saj. Për më shumë, ky propozim as që i hap
Kosovës rrugën për pavarësi, por parasheh lënien e saj
në mënyrë fort të sofistikuar nën sovranitetin e
Serbisë.
Deklarata për Pavarësinë e Kosovës mirëpret
mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare,
por nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara
në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 për të zbatuar
përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 dhe
Planit të Martti Ahtisaarit. Çështë e vërteta,
Kosova ka nevojë për prani ushtarake dhe civile
ndërkombëtare në Kosovë, të atillë çfarë është në
Shqipëri, Maqedoni e rajon, por duhet të ndryshojë ana
formale-juridike e saj, që do të thotë duhet të
kundërshtohet Prania Civile Ndërkombëtare në bazë të
Rezolutës 1244 dhe Prania Ushtarake Ndërkombëtare në
bazë të Marrëveshjes së Kumanovës. Pra, duhet të ketë
nënshkrim të marrëveshjes ndërkombëtare në mes të
Kosovës dhe trupave të huaja, marrëveshje e cila do
ti përcaktonte të drejtat dhe detyrimet e palëve,
Kosovës dhe NATO-s, e që ndërkombëtarisht quhet SOFA
(Status of Forces Agreement).
Mbi të gjitha, Deklarata për Pavarësinë e Kosovës
afirmon në mënyrë të qartë se Kosova në të gjitha këto
çështje, do të veprojë në pajtueshmëri në parimet e së
drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të
Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën
1244 (1999). Sikundër dihet, Rezoluta 1244 e garanton
sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së, e
cila nuk ekziston më, por ekziston Serbia. E, neni 60
i Kartës për krijimin e Unionit Serbi-Mali i Zi thotë
se në rast të shpërbërjes së këtij unioni, Serbia do
të jetë trashëgimtare e Rezolutës 1244 dhe të gjitha
dokumenteve ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Kosovën.
Pra, Rezoluta 1244, siç e tha, edhe Sekretari i
Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, pas
shpalljes së Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës,
është edhe më tutje kornizë juridike për Kosovën.
Në fund të Deklaratës për Pavarësinë e Kosovës, thuhet
se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në
këtë deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë
përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. Kjo do të thotë se
Kosova kërkon nga shtetet sovrane dhe të pavarura ta
mbështesin këtë deklaratë, e cila deklaratë e merr për
bazë jo vetëm Propozimin Gjithëpërfshirës për
Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, të hartuar nga i
Dërguarit Special i Kombeve të Bashkuara, Martti
Ahtisaari, por edhe Rezolutën 1244. Kjo do të thotë se
shumë shtete do ta njohin, siç tha Ministri i Punëve
të Jashtme të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier,
Kosovën demokratike e shumetnike të bazuar në sundimin
e ligjit. Por, edhe nëse Kosova njihet si shtet sovran
dhe i pavarur, prapëseprapë nuk ndryshon asgjë, po qe
se më poshtë kërkohet të zbatohet Propozimi i Martti
Ahtisaarit, i cili e ndanë Kosovën në baza etnike e
fetare dhe kërkon instalimin e misionit të BE-së për
ta sunduar Kosovën dhe kërkohet zbatimi i Rezolutës
1244.
Krejt për fund, duhet thënë edhe një herë se shteti
nuk krijohet me shpallje e njohje, por, sikundër e
thotë Robert Baditner në mendimet e tij për
shpërbërjen e Jugosllavisë, krijimi apo moskrijimi i
një shteti është çështje e faktit në terren. Për
ilustrim, Palestina njihet si shtet nga më shumë se
114 shtete dhe, veç kësaj, më 15 dhjetor 1988,
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka
miratuar rezolutën 43/177, e cila e njeh shtetin e ri
të Palestinës (për më tepër shih: The Creation of the
State of Palestine by Francis A. Boyle, European
Journal of International Law), por, dihet shumë mirë
se sa është shtet Palestina.
____________________________________________________________________________________
Be a better friend, newshound, and
know-it-all with Yahoo! Mobile. Try it now. http://mobile.yahoo.com/;_ylt=Ahu06i62sR8HDtDypao8Wcj9tAcJ
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club