[AlbClub] Kosovën, antikomunistët ia kthyen shqiptarëve

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Fri, 29 Feb 2008 07:33:04 +0100
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <002001c87a9d$03de65e0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Kosovën, antikomunistët ia kthyen shqiptarëve
[Gazeta Shqiptare, 29.02.2008]


Kosova tashmë ka disa ditë e pavarur e njohur, e njohur praktikisht nga e 
gjithë bota përparimtare.  Një gëzim i madh për shqiptarët kudo ku janë. 
Ditët kalojnë, dhe vendin e gëzimit po e zë meraku për të ardhmen.  E pra, 
për të ardhmen duhet të nxjerrim mësim nga e kaluara.  Pjesa më e errët e së 
kaluarës, rezulton periudha e komunizmit.  Ai dhe sot përpiqet të na bëjë 
keq, pavarësisht se duket se ka vdekur.  Komunizmi mundohet të jetë në tavë, 
sidomos në Kosovë.  Shihen falsifikimet e historisë, në futjen me "lezet" të 
idesë së çmendur se për pavarësinë e Kosovës, qenkan përpjekur prej vitesh 
edhe ata, enveristët.  E pra Kosova, gjatë 100 vjetëve, i është kthyer dy 
herë shqiptarëve, nga antikomunistë të betuar, dhe një herë i është dhënë 
serbëve, nga komunistët.


Kosova nën serbët gjatë viteve 1913-1941

Gjatë fundit të shekullit të XIX, serbët arritën të bëjnë një kufizim të 
territorit të Kosovës, duke zhdukur popullsinë shqiptare nga pjesë të tëra 
të saj.  Kështu p.sh., në zonën e Nishit, Leskovacit e Kurshumlisë, në vitin 
1879 (fill pas Kongresit të Berlinit) kishte afër një milion shqiptarë, dhe 
në prag të luftës së dytë botërore, nuk kishin mbetur veçse disa mijëra 
shqiptarë. Kjo zonë sot nuk është më brenda kufijve të Kosovës.

Absurdi i historisë qe se pikërisht kosovarët, që kishin kontribuar aq shumë 
në krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, sidomos që nga 1878 e deri në 
vitin 1912, u lanë jashtë Shqipërisë, nën zgjedhën e serbëve.  Territori që 
ka sot Kosova, hyri nën varësinë e serbëve nga viti 1913.

Kosova kaloi praktikisht në duar të shqiptarëve, nga antikomunistët 
(pavarësisht se ishin fashistë, pra një e keqe tjetër!), në prill të vitit 
1941.  Kosova kishte parë tmerr nga serbët, gjatë 28 vjetëve para vitit 
1941: vrasje; grabitje të pronës, të qindra mijëra hektarëve tokë, dhe 
ndarje e tyre në mbi 60 mijë familjeve kolonësh jo shqiptarë, serbë etj.; 
shpërngulje e mbi 300 mijë vetave shqiptarë, jashtë Kosovës e jashtë 
Maqedonisë perëndimore etj. .  Edhe në prillin e vitit 1941, para se të 
dorëzoheshin tek gjermanët dhe italianët, ushtria serbe vrau me qindra 
ushtarë shqiptarë të mobilizuar në atë ushtri.


Kosova e pavarur nga serbet, gjatë viteve 1941-44

Për Kosovën ishin vite të pavarësisë nga serbët, vitet 1941-44.  Për 
kosovarët, Italia fashiste, apo Gjermania naziste, ishin një e keqe 
kalimtare, sepse me mbarimin e luftës, ato do të shkonin në shtëpi të vet, 
dhe Kosova do të mbetesh krejt e shqiptarëve.

Nuk ka vend në këtë shkrim, për të analizuar Kosovën e periudhës 1941-44. 
Vetëm po kujtojmë dy-tri fakte, që pastaj politikanët të thellohen më tej. 
Në atë kohë u rihapën shkolla shqipe kudo në Kosovë (serbët i kishin mbyllur 
pothuaj të gjitha), u vendos administrata shqiptare me gjuhën shqipe, shkuan 
arsimtarë e zyrtarë nga Shqipëria në Kosovë etj.


Kosova prapë nën serbët, gjatë viteve 1945-1999

Kosova iu dha serbëve, sepse kështu i leverdiste Enver Hoxhës me gjithë 
lukuninë e tij, në vitin 1945.  E jo vetëm kaq, por gjatë viteve 1945-6, në 
Kosovë u vranë me dhjetëra mijëra shqiptarë nga serbët, me ndihmën e ngushtë 
të komunistëve nga Shqipëria.  Brigadat partizane nga Shqipëria, çarmatosën 
në mirëbesim patriotët kosovarë, që serbët nuk i mposhtnin dot.  Pastaj po 
këto brigada partizane nga Shqipëria, patriotët kosovarë që çarmatosën, ua 
lanë në dorë serbëve, që t'i vrisnin dhe t'i masakronin sipas qejfit.

Partizanët nga Shqipëria, e dinin mirë se po i tradhtonin kosovarët: është 
përrallë ai shpjegimi me "naivitetin idiot" të partizanëve, se gjoja nuk ua 
paska marrë mendja se "miqtë e tyre serbë", do t'i vrisnin e masakronin 
bashkëkombësit e tyre që ata ua çarmatosën.  Jo, nuk ishin "naivë" 
partizanët tanë: bile dihet se një pjesë e kosovarëve që u pushkatuan nga 
serbët, ishin dërguar të lidhur që nga Shqipëria, me urdhër direkt të "baca" 
Enverit dhe të tijve.

Që të kuptohet se "shitja e Kosovës" ishte e vetëdijshme, dhe se çdo gjë 
bëhej me urdhër të Enver Hoxhës, mjaftojnë të kujtohen ca qëndrime konkrete 
të tij.  Kështu, në Konferencën e Paqes në Paris (gusht 1946), Enveri 
deklaronte: "Ne nuk kemi pretendime ndaj aleatit tonë, Jugosllavisë" (le ta 
mbajnë Kosovën-sh.i.).  Në dhjetor të vitit 1946, në plenumin e 
jashtëzakonshëm të KQP (Komiteti Qendror i Partisë), po ai: "A është në 
interesin tonë që ne ta kërkojmë Kosovën?! [...] Kjo nuk është punë 
progresive për t'u bërë [...] përkundrazi ne duhet të bëjmë që të sigurojmë 
që kosovarët të vëllazërohen me jugosllavët".  Atij dhe të tijve u 
leverdiste t'ia jepnin Kosovën Titos me të tijtë, sepse kështu siguronin 
kolltukët e pushtetit.  Bile do ta jepnin të gjithë Shqipërinë, nëse do t'u 
duhej për të ruajtur pushtetin e tyre.  Ishin luftërat klanore brenda 
komunisteve (Stalin-Tito), që e shpëtuan Shqipërinë nga serbët, që nuk u bë 
pjesë e Jugosllavisë, si "republika e shtatë" e saj.

Serbët komunistë bënë përpjekje për vrasjen e shqiptarizmës, që është 
pastrimi etnik më i rrezikshëm.  Kjo vrasje e shpirtit dhe mendjes 
shqiptare, u bë e stërholluar dhe e vazhdueshme, deri nga 1980 (35 vjet me 
radhë).  Kosovarëve iu bë një lavazh truri që nuk është se ishte pa 
rezultat.  Në shtëpitë e tyre filluan të vendosen fotografitë e Titos, e 
kryekomunistit të serbëve.

Në Shqipëri bëhej një lavazh truri për të zhdukur Kosovën nga tradita 
kombëtare.  Komunizmi filloi të mbjellë urrejtje në Shqipëri kundër 
kosovarëve, saqë rinia e viteve 50-60, shihte tek kosovarët "kriminelët 
bashkëpunëtorë të nazistëve".  Deri dhe figurat kosovare të rilindjes 
kombëtare, si Hasan Prishtina etj., u mbajtën fshehur nga historiografia 
komuniste, deri nga fillimi i viteve '60.

Pastaj, kosovarët u shfrytëzuan si mish për top për të ruajtur kolltukët e 
enveristëve, nga "brenda tokës jugosllave".  Filloi të futet përdhunisht 
edhe fotografia e Enverit në shtëpitë e kosovarëve.  Dhuna ishte psikike. 
Vërshuan nga Tirana për në Prishtinë, skalione të tëra shkrimtarësh, 
artistësh, profesorësh etj.  Pas fasadës së kulturës, universitetit, bëhej 
futja "klandestine" e veprave të Enverit, e literaturës komuniste, që 
shërbente për të krijuar idenë se "Enveri vdes për Kosovën".  E gjithë një 
makinë propagandistike gjigante i shërbente mbjelljes së kësaj gënjeshtre.

Ndërkohë bëheshin edhe krime direkt: funksiononte marrëveshja 
Shqipëri-Jugosllavi, e kthimit të të arratisurve.  Titistët i kthenin në 
Shqipëri shqiptarët, dhe enveristët i pushkatonin; enveristët i kthenin në 
Jugosllavi, kosovarë e serbë, e titistët i rrasnin në burgje.  E pastaj, të 
dy palët e hapnin lajmin, qëllimisht që të mbillej frikë.

Titon e zëvendësoi një i çmendur, Millosheviçi, i cili me egërsinë e tij, i 
zgjoi kosovarët nga dremitja titiste.  Pas vitit 1980, rifilloi përpjekja e 
tyre e madhe, për t'u shkëputur nga serbët.  Dolën udhëheqësit legjendarë të 
Kosovës, si Rugova me të tijtë, Thaçi e të tjerët e UÇK-së, që e udhëhoqën 
popullin në një rezistencë e luftë legjendare për liri, për pavarësi.  Ishte 
pikërisht shtypja dhe genocidi i Millosheviçit me komunistët e tjerë të tij, 
që përcaktoi shkatërrimin e tij, duke e bërë Kosovën të pavarur.


Kosova prapë e pavarur nga Serbët, vit 1999 e prapa

Kosova u çlirua nga amerikanët në veçanti, dhe nga Perëndimi në përgjithësi. 
Ishin amerikanët, italianët, anglezët, gjermanët, francezët etj., të gjithë 
antikomunistë të betuar, që bombarduan e shkatërruan ushtrinë dhe shtetin e 
Millosheviçit.  Kosovën ia kthyen shqiptarëve antikomunistët.

Uria enveriste për protagonizëm në pavarësinë e Kosovës, u shfaq deri në 
pështirosje, këto ditë të festimeve të pavarësisë.  Masmedia u thye nga një 
shumicë shqiptarësh që kanë damkën e pashlyer të hierarkëve të komunizmit. 
Shumë nga ata, sot janë kamufluar si antikomunistë.  Nuk e kemi fjalën vetëm 
për të bijtë dhe nipat e hierarkëve komunistë shqiptarë, që këto 17 vjet nuk 
kanë reshtur rrezatimin e enverizmit, sidomos në Kosovë; nuk e kemi fjalën 
as vetëm për anëtarët e dikurshëm të hierarkisë komuniste, që sot mbajnë 
fjalime e japin intervista për Kosovën, kur kanë vepra, të shkruara vetëm 
pak vite para, ku himnizojnë tradhtarin e Kosovës; nuk e kemi fjalën as 
vetëm për ata kosovarë që qenkan përshkuar nëpër shtëpinë e tradhtarit 
(Enverit), para se të shkonin në UÇK-në (Ushtria Çlirimtare e Kosovës) që 
luftonte për Kosovën.  E kemi fjalën për të gjithë këta së bashku, që 
përfaqësojnë "velin tonë komunist të sotëm".

Çdo kosovar duhet tashmë ta dijë mirë, se nuk mund të rrinë bashkë Kosova e 
pavarur, me enverizmin, aq më tepër tani që miqtë tanë të deklaruar, janë të 
gjithë antikomunistë.

Edhe serbët duhet të kuptojnë se zgjidhja më e mirë për bashkëjetesën e tyre 
me të tjerët në këtë botë, është kjo që "u kry": pakicat serbe në Kosovë, të 
ecin së bashku me shqiptarët drejt lirisë që vjen nga Perëndimi.  E kaluara 
nuk duhet harruar, që gabimet mos të përsëriten.

Bashkim Kopliku
24.2.2008


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 2908 (20080228) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club