[AlbClub] Fw: Çmontimi i qeverisjes, pastaj i municionit

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Wed, 19 Mar 2008 08:04:07 +0100
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <01f101c8898f$72bc4990$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***


Çmontimi i qeverisjes, pastaj i municionit

[Gazeta Shqiptare, 19.3.2008]



Katastrofa e Gërdecit/Vorë detyron të mendojnë dhe më naivët: ka një vazhdimësi mynxyrash, ku të fundit janë Gërdeci, Farka me 16 të vdekur, rrëzimet e skelave me njerëz në ndërtim e në fabrika çimentoje etj.  Mos të vazhdojmë të gënjejmë veten me "fatin e keq", apo me "rastësinë".  Jo, nuk është rastësi, por është ligjshmëri, një pasojë e pritur.  Shkaku kryesor është qeverisja jonë, që me shkatërrimin e Shqipërisë në 1997, e deri sot.  Zgjidhja me rrënjë e mynxyrës që ka gjetur Shqipërinë, është çmontimi i qeverisjes 12 vjeçare të Shqipërisë, i politikës së PD-së aktuale të Sali Berishës, dhe e asaj të PS-së së Fatos Nanos.  Pasojë e kësaj është fakti i rëndomtë që nuk dënohet kurrë as edhe një fajtor direkt, duke mos kontribuar kështu, as sa për sy e faqe, në parandalimin e fatkeqësive të ardhme.



Duhet urgjentisht të çmontohet, të shkarkohet qeveria ekzistuese, dhe të krijohet një qeverie teknike.  Kjo qeveri teknike duhet të kërkojë asistencë të CIA dhe të policive perëndimore për hetimin e ndodhive, që me ato të 1996-s.  Ajo duhet të kërkojë asistencën e forcave të NATO-s për çmontimin e municionit: nuk e bëjmë dot vetë!  Natyrisht, vendi duhet të kalojë në zgjedhje të parakohshme, që të çmontohet dhe e gjithë qeverisja.  Pa u bërë këto operacione, i gjithë vendi është në prag të katastrofave, dhe as të dëmtuarit aktualë, nuk do t'i ndihmojë njeri: e kanë gabim, ata të shkretët, që bërtasin "nuk duam politikë, por duam trupat e të vdekurve, rregullimin e shtëpive": pa rregulluar politikën, nuk do t'i marrin dot ato që i kërkojnë me të drejtë.



Nuk mund të vazhdohet më me këto qeverisje të stilit mafioz: një kryetar partie i plotfuqishëm, që mendon veçse për pushtetin personal (kur do të bëhet kryeministër, apo si të jetë kryetar në opozitë); pas tij një aradhe militantësh të bindur ndaj tij, nga babëzia që kanë për vende pune ku përfitohet personalisht, ku vidhen që nga pagat e pamerituara e deri tek tenderat publikë.  Partitë tona janë përbindësh tejet të centralizuar, e ku mungon krejtësisht Liria.  E gjithë kjo ngrehinë e shtetit, e gjithë kjo klasë politike duhet zëvendësuar me njerëz që duan të bëjnë shtet, një organizëm që është në shërbim të individëve, e që bën atë që secili i vetëm nuk e bën dot: një administratë ku nëpunësit paguhen shumë mirë, por vetëm nga shteti.

 



* * *



Pas çdo fatkeqësie, nuk del asnjë fajtor, por bëhet një paradë post-katastrofë, e kryeministrit, e ministrave dhe e çdo lloj zyrtari tjetër, që pret të dalë në TV që të shihet sesa e do popullin e tij të vuajtur e fatkeq.  Edhe dorëheqja, vjen si një gjë kot: "i shkreti ministër, kot dha dorëheqjen, se nuk kishte asnjë faj".



E pra, nëse nuk vihet gisht tek fajtorët, kemi hapur rrugën për fatkeqësi të tjera, edhe më të mëdha, e jo vetëm në municionin ku notojmë.  Parandalimi i fatkeqësive lidhet direkt edhe me "frikën" e zyrtarëve se mos dënohen për "mos kryerje detyre"-dënimi i kolegëve paraardhës, është precedenti më i nevojshëm për të pasur një administratë të përgjegjshme.  Zyrtarët nuk duhet të mëtojnë poste vetëm për përfitime, por edhe për të kryer detyrën.  E kjo vlen dhe për kryeministrat.



Shteti ynë nuk reagon si shtetet në vende të tjera të botës.  "250 të vrarë e të plagosur në Gërdec/Shqipëri", është njësoj si të ishin "25 mijë vetë në SHBA" (ngaqë SHBA është 100 herë më e madhe), pra "Gërdeci" është e ngjashme me katastrofën në kullat binjake më 11 shtator 2001 në Nju Jork.



Brenda disa minutave nga eksplozioni në Gërdec, shpejtoi të dalë e të na kumtojë kryeministri i radhës, Berisha: "Kanë qenë duke çmontuar disa predha në një depo armatimi, kur ajo ka plasur; vendi i çmontimit duhej të ishte domosdo aty, në Gërdec, sepse aty ishte municioni; se transporti ishte i rrezikshëm....".  Tani, pas disa ditësh, po ky kryeministër, na thotë se vendi ishte zgjedhur gabim, nuk duhej të ishte në Gërdec!  Kryeministri aktual, ç'thotë sot, e mohon nesër-si e durojmë?!  Nuk është thjesht një protagonizëm patologjik i tij, që nuk lë fatkeqësi pa shfrytëzuar, që t'iu thotë shqiptarëve që unë "jam i pari, e i kudo ndodhuri, shpëtimtari".  Jo, është një qëllim mashtrimi mediatik, që fatkeqësisht akoma ka efekt në shumë koka naive.



Zëra na vijnë, se aty në Gërdec kanë ardhur eksplozivë nga e gjithë Shqipëria, jo aq për t'u çmontuar në kuadrin e sigurisë së Shqipërisë, por kryesisht për t'u shitur në tregun e zi, për leverdi të DIKUJT.  Se aty, tek kompania "nga Kalifornia e Amerikës", apo "nga Derviçani i Gjirokastrës", njerëzit punonin pa asnjë rregull të sigurimit teknik, se aty ....  Apo thuhet, ka sabotim antishqiptar?!  I takon zonjës Rama, prokurores, të vërtetojë se ç' janë thashetheme, e ç'është krim në të gjithë këto zëra.  E po ashtu, u takon organeve të policisë dhe të shërbimit informativ të bëjnë detyrën, duke gjetur fajtorët.  Por, të gjithë ata nuk do t'i lërë njeri të kryejnë detyrat e tyre, nëse nuk çmontohet fillimisht kjo qeverisje.



Na kujtohet që kur Shqipëria ishte në pragun e katastrofës (fundi i 1996-s), ishte po ky njeri, kryeministri i sotëm, atëherë presidenti i vendit, që i shtynte shqiptarët të fusnin para në piramida, që i kishte ushqyer po ai vetë, derisa ato u rrëzuan, duke marrë me vete të gjithë shtetin, të gjithë shqiptarët.



Nuk mund të kemi shpresa se do të parandalohen fatkeqësitë tek ne, pa nxjerrë para përgjegjësisë fajtorët e shkatërrimit të Shqipërisë në vitin 1997-çdo fajtor tjetër pas 97-s, duket fare i vogël.  E ata që duhet të ishin në krye të pastrimit, të dënimit të fajtorëve të 97-s e pas saj, janë ata që kanë udhëhequr vendin tash 11 vjet: Berisha-Nano.  Ama sot me Gërdecin, po i afrohemi '97-s.



Tek ne, akoma në fakt të dënon, apo dhe të fal, Partia-formalisht, sa për t'u dukur si të tjerët, dënon gjykata, ndjek prokuroria, e kallëzon qeveria.  Edhe PD, dhe edhe PS, këto 11 vjet, e kanë penguar punën për dënimin e fajtorëve.  Nuk ka asnjë shans të mos kemi më katastrofa, pa u çmontuar këto parti, pa u bërë një pastrim i brendshëm i tyre, që nga kokat e vjetra (ato që ishin në tavë në 1997), e deri poshtë.



E këtë pastrim të politikës sonë, duhet ta bëjmë e ta kërkojmë ne vetë, ne shqiptarët.  Ne besojmë se Shqipëria do të bëhet.  Pamë sesi shumë shqiptarë u vunë në radhë për të dhënë gjak për të lënduarit e Gërdecit: në këtë vend, ka pra njerëz që nuk mendojnë vetëm e vetëm për vete.



Bashkim Kopliku

18.3.2008


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails 
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature database 2953 (20080317) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club