[AlbClub] Kuvend që s'heq dot kryeministrin

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Fri, 23 May 2008 08:15:44 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <004801c8bc9c$cbfdb120$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***





Kuvend që s'heq dot kryeministrin
[Gazeta Shqiptare, 23.5.2008]

Tani, pas ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kuvendi praktikisht 
nuk e heq dot kryeministrin: nuk e shkarkon dot edhe kur ai e ka mbushur 
kupën.  Atij, sigurinë direkte për të mos luajtur vendit, ia ka dhënë 
ndryshimi i nenit kushtetues për "mocionin e mosbesimit'.  Edhe ky ndryshim, 
është përcjellë mediatikisht nga kryeministri aktual, me ulërimat e tija se 
"kështu e ka dhe gjermani".  Vetëm në këtë nen, vërtetë që edhe kushtetuta 
gjermane e ka ashtu, por ama ajo ka shumë të tjera rreth kryeministrit, që 
nuk i ka ashtu siç u bënë këtu në Shqipëri, dhe ajo shoqëria gjermane, ka 
dhe mijëra gjëra të tjera që nuk janë si tek ne shqipot.


* * *

"Mocioni i mosbesimit" është termi që përdoret për të paraqitur rastin kur 
kërkohet shkarkimi i kryeministrit nga deputetë të kuvendit.  Termi 
gjermanisht është "Misstrauensvotum".

Ja si ishte Kushtetuta jonë e 1998-ës:

Neni 105

1.   Në rast se mocioni i mosbesimit i paraqitur nga një e pesta e 
deputetëve miratohet nga shumica e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kuvendi, 
brenda 15 ditëve, zgjedh një Kryeministër tjetër. Në këtë rast Presidenti 
emëron Kryeministrin e ri.

2.   Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i 
Republikës shpërndan Kuvendin.

3.   Votimi i mocionit nuk mund të bëhet pa kaluar 3 ditë nga paraqitja e 
tij.


Ja si e bëri Kushtetuta e 21 prillit 2008:


"Neni 105

1. Një e pesta e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një 
mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një 
Kryeministër të ri.

2. Kuvendi mund të votojë një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit vetëm duke 
zgjedhur me votat e më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij një 
Kryeministër të ri.

3. Presidenti i Republikës dekreton shkarkimin e Kryeministrit në detyrë dhe 
emërimin e Kryeministrit të zgjedhur jo më vonë se 10 ditë nga votimi i 
mocionit në Kuvend.".


E thënë me fjalë më të thjeshta, me kushtetutën "e vjetër" (para 21 prill 
2008), bëhej fillimisht heqja e kryeministrit, dhe pastaj bëheshin përpjekje 
për të zgjedhur një kryeministër tjetër.  Vetëm nëse nuk arrihej dot 
zgjedhja e një kryeministri tjetër, për 15 ditë me radhë, shpërndahej 
kuvendi.  Me kushtetutën "e re", kërkohet të zgjidhet kryeministri i ri, pa 
të hiqet i vjetri.  Theksojmë se në këtë nen, në ndryshim me "mocionin e 
besimit" (neni104), jemi në situata kur kryeministri dëshiron të qëndrojë në 
post, dhe janë disa deputetë që duan ta heqin, pra kundër dëshirës së tij.

Më me hollësi:

Me kushtetutën e vjetër, mjaftonte që së pari, së paku 71 deputetë ta bënin 
mendjen top për shkarkimin e kryeministrit.  Pastaj, pasi të ishte hequr 
kryeministri, jepej kohë 15 ditë që të bëheshin të një mendje së paku 71 
deputetë, për zgjedhjen e kryeministrit të ri.  Praktikisht, mund të duhej 
që ndonjëri nga ata që nuk kishte votuar për shkarkimin, të kalonte gjatë 
atyre 15 ditëve, me ata "të zgjedhjes".  Kjo bëhet e domosdoshme sidomos kur 
"ata të shkarkimit" ishin pak, p.sh.  vetëm 71 deputetë.  Pa atë kalim të 
"atij deputeti shkarkues", rrezikohen të mos bëhen dot 71 deputetë për 
"zgjedhje", dhe Kuvendi shpërndahet.

Por duhet theksuar se praktikisht gjithnjë gjenden deputetë që për 15 dite u 
"mbushet mendja" të kalojnë nga "me kryeministrin e vjetër", në "me 
kryeministrin e ri".  Kini parasysh se ç'shtytje e madhe është për shumë 
deputetë, "rreziku" i "shkuarjes në shtëpi", shumë deputetë do të 
solidarizoheshin me kryeministrin e ri: "vdiq mbreti, rroftë mbreti".

Kushtetuta e re kërkon që "grupimi i shkarkimit" dhe "grupimi i zgjedhjes", 
të formohen njëkohësisht, pra pa u ditur akoma heqja e kryeministrit të 
vjetër: me "mbretin akoma gjallë e të fortë".  Kjo bën që heqja e tij, të 
jetë tashmë shumë e vështirë, madje pothuaj e pamundur.


* * *

Në Gjermani, në vitin 1949, iu kthyen prapë mbrapa kushtetutës së Vaimarit 
(Weimarit) të cilën e pat ndryshuar në vitin 1933 kryeministri Hitler-dihet 
se ç'i punoi ai Gjermanisë dhe botës, edhe në saj të atyre ndryshimeve! 
Nejse, të mbetemi tek ndryshimet demokratike, duke mos u marrë me ndryshimet 
naziste të kushtetutës..  Në vitin 1949, demokratët gjermanë (pas 14 vjetëve 
që kishte qenë në fuqi, vitet 1919-1933), i bënë shumë shtesa dhe ndryshime 
kushtetutës së tyre.  Vërtetë që një nga këto ndryshime ishte ai i "mocionit 
të mosbesimit", që kishte qenë afërsisht siç ishte tek ne para 21 prillit 
2008: ne, në "mocionin e mosbesimit", bëmë një ndryshim të ngjashëm me ta.

Por gjermanët e patën ndryshuar kushtetutën e tyre, sepse në praktikën e 
tyre kishte ndodhur që të hiqeshin shumë shpesh kryeministrat nga parlamenti 
(Bundestag): nga viti 1919 deri në vitin 1933, në gjermani qëndrimi i një 
kryeministri në post ishte mesatarisht më pak se një vit (ishin pasë 
ndërruar 14 herë kryeministrat, në më pak se 14 vjet!).

Nuk ka ngjarë fare tek ne një jetë-shkurtësi e tillë e kryeministrave si në 
Gjermani, këto 10 vjet që vepronte kushtetuta jonë, por përkundrazi, kemi 
pasur kryeministra më jetëgjatë dhe më të fuqishëm seç duhet.  Pra motivet e 
ndryshimit të kushtetutës sonë, nuk janë ato të gjermanëve.

Gjithashtu, forcat dhe të drejtat e institucioneve të tjera gjermane (si 
parlamenti, presidenti, gjykata kushtetuese) mbi kryeministrin, janë shumë 
më të mëdha se të tonave, prandaj dhe kryeministri ynë rezulton shumë më i 
paprekshëm se i tyre.

Tek ne, me shejtanllëk dhe skuthllëk, z. Berisha dhe z. Rama kanë sajuar një 
kryeministër të tmerrshëm për shqiptarët, duke marrë pjesë të shkëputura nga 
kushtetuta të ndryshme të huaja, dhe duke i qepur në një vend të vetëm, në 
Kushtetutën e 21 prill 2008.  Produkti është katastrofik, sidomos për 
mendësitë aktuale shqiptare.

Po miqtë tanë të huaj, përse i përkrahin këto keqësime katastrofike të 
rregullave të jetës politike të vendit?!  Përse ata miqtë tanë të huaj, na 
këshillojnë me insistim që të shkojmë edhe më tej, në forcimin e një 
individi, kryeministrit, duke u hequr imunitetin edhe deputetëve (pushteti 
legjislativ), edhe nëpunësve të pushteteve të lartë të drejtësisë (pushteti 
gjyqësor), pushtete këto që duhet të ishin të ndara nga ekzekutivi, pra nga 
kryeministri?   Për këto do të flasim në shkrimin e radhës.


Bashkim Kopliku
22.5.2008

Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.



__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature 
database 3124 (20080522) __________

The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.

http://www.eset.com 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club