[AlbClub] Prag lufte, prandaj ky kryeministër ?!
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Wed, 28 May 2008 08:03:33 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club,gmane.spam.detected |
|---|---|
| Message-ID | <003301c8c088$963b40d0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Prag lufte, prandaj ky kryeministër?!
[Gazeta Shqiptare, 25.5.2008]
Shtimi edhe i "heqjes së imunitetit", në ndryshimet e Kushtetutës, është një
"colpo di grazia" (goditje për të vdekur me siguri...), që po përgatitet për
jetën politike demokratike shqiptare. Shqipëria po bëhet një shtet me
kufizime drastike të lirisë dhe demokracisë, që shkojnë kundra principeve
bazë të ndërtimit të shtetit modern. Ne i njohim mirë mendësitë dhe
praktikat e promotorit shqiptar të këtyre ndryshimeve, kryeministrit aktual
Sali Berisha-ato i njohin edhe miqtë e huaj të Shqipërisë. Ajo që na ka
çuditur, ajo që nuk po arrijmë ta shpjegojmë, ta kuptojmë, është paradoksi i
qëndrimit të shumë miqve të huaj të Shqipërisë. Ata në kor po i mbështesin
këto ndryshime, madje edhe po shtyjnë me shumë insistim për kryerjen e tyre.
Merakosemi se mos jemi para ndonjë rreziku që ne nuk e dimë, e që miqtë tanë
të huaj kanë informacion-këtë gjejmë si të vetmin justifikim të këtij
paradoksi.
I vetmi problem real dhe urgjent që kishte vendi ynë me Kushtetutën e tij,
ishte zhdukja e megadushkut: vjedhja e deputetëve nga njëra parti, njëri
kryetar, me mashtrim zgjedhor. Zgjidhja e problemit ishte shumë e thjeshtë:
në sistemin ekzistues zgjedhor, në atë me të cilin u votua në vitin 2005, të
bëhej vetëm një ndryshim: zgjedhësi të kishte vetëm një votë, të përbashkët,
për partinë dhe kandidatin. Por nuk u bë kjo, por u bë transformimi tërësor
i Kushtetutës.
* * *
Ndryshimet e kushtetutës janë bërë me llogaritje për t'i shtuar pa masë
pushtetin një njeriu të vetëm: kryeministrit/kryetarit të partisë së
shumicës. Rritja e pushtetit të tij po bëhet jo në mënyrë të natyrshme, jo
si rezultat i ndryshimit për mirë të mendësive të shqiptarëve, por po bëhet
me ngut, me dhunë dhe me mashtrim-e kush po e miraton pa, deputetët e
megadushkut, ai produkt i mashtrimit.
E gjitha po realizohet në dëm të Lirisë dhe Demokracisë, në dëm të
institucioneve të tjera të shtetit: i janë nënshtruar një personi,
kryeministrit, të gjitha pushtetet e vendit: legjislativi, gjyqësori dhe
ekzekutivi.
Me heqjen e imunitetit, ndryshim ky që pritet të bëhet, plotësohet dhënia e
fuqive të jashtëzakonshme kryeministrit: ai do të ketë në dorë jo vetëm
institucionet veç e veç, por edhe çdo punonjës të tyre veç e veç. Kjo sepse
Kushtetuta "e re" e përfunduar, do t'ia lehtësojë mbylljen e gojës së çdo
zyrtari veç e veç, konkretisht të çdo deputeti veç e veç, duke i mbajtur mbi
kokë shpatën e sistemit të degjeneruar të drejtësisë shqiptare. Çdo
kryeministër shqiptar deri sot, e ka pasur në xhep sistemin e drejtësisë, e
aq më tepër do ta ketë, kur t'u hiqet imuniteti edhe punonjësve të lartë të
drejtësisë.
Të tilla kufizime të lirisë dhe të demokracisë, kemi parë të bëhen, në
vendet jodiktatoriale, vetëm në raste gjendjeje të jashtëzakonshme (si luftë
etj.). Nuk kemi parë asnjë kushtetutë demokratike, që në kushtet normale të
jetë e tillë, si e bënë këtë tonën. Madje, edhe sikur këto ndryshime të
kaloheshin në kapitullin "Masa të Jashtëzakonshme" (nenet 170-175 të
Kushtetutës sonë), prapë nuk do të ishim të qetë, sepse do të na dukeshin
pak si shumë, edhe për gjendjen e jashtëzakonshme.
* * *
Kryeministri ynë, aktuali apo dhe çdo tjetër pas tij, sipas kushtetutës së
"re", na duket se po bëhet si një Hitler apo si një Stalin. E pra, miqtë
tanë perëndimorë i njohin mirë rreziqet që i sjell një i tillë, çdo vendi,
edhe një vendi të vogël si yni.
Ata, miqtë tanë perëndimorë, njohin mirë edhe promotorin e këtyre
ndryshimeve, z. Berisha, atë që sot është kryeministër, e që ishte dje
kryetari i plotfuqishëm i shtetit (presidenti), kur e rrënoi Shqipërinë
tërësisht në vitin 1997, kur na çoi "12 vjet" mbrapa me pranimin në NATO e
në BE, kur edhe jetën na e shpëtuan po miqtë tanë perëndimorë. Po si ka
mundësi që nuk e kundërshtojnë z. Berisha, kur ai deklaron publikisht;
"perëndimi më beson"?! A mos do të besohej edhe Enver Hoxha po të ngjallej,
dhe të fuste në stafin e vet çdo lloj arrivisti që do të gjente rrugës, nga
ata që i ngjiten çdo lloj pushteti?!
Shumë miq tanë perëndimorë kanë përkrahur të gjitha ndryshimet kushtetuese
të kryeministrit tonë, si dhe të udhëheqësit të opozitës z. Edi Rama. Madje
po këmbëngulin me të madhe që të bëhet edhe "heqja e imunitetit".
Fillimisht kujtuam se e gjithë kjo është një lajthitje personale e një
ambasadori. Por jo, po këmbëngulin të gjithë-në fakt, akoma nuk kemi
dëgjuar konstitucionalistë, apo ekspertë të shkencave politike, por mbase
dhe ata do të ndjehen. E këtu me "të gjithë", nënkuptojmë miqtë e huaj
politikanë mjaft të lartë, tregtarë e biznesmenë, kryetarë fondacionesh
ndihmash, deri dhe turistë të zakonshëm. Të gjithë këta po e ndjejnë "për
detyrë" të na këshillojnë për ndryshimet, "të heqim imunitetin" e të tjera
si këto, krejt jashtë kontekstit të momentit që i sjell në kontakt me
Shqipërinë,
Jemi si të trullosur: nuk po kuptojmë se ç'po ngjet!
Mundohemi të sqarojmë dhe të shpjegojmë kontradiktat që lindin në mes kësaj
përkrahjeje të ndryshimeve të Kushtetutës "nga të gjithë perëndimorët", dhe
principeve të ndërtimit të një shteti të lirë dhe demokratik.
Me "principe të ndërtimit të një shteti", e kemi fjalën për ato principe që
janë promovuar me zjarr, gjatë gjithë tranzicionit, por edhe para tij, nga
të gjithë miqtë tanë të huaj, nga po ato vende mike perëndimore. Këto
principe janë promovuar që me shprehjen e paharrueshme si "Freedom works"
("Liria i rregullon gjërat automatikisht"), e thënë nga sekretari i shtetit
(SHBA) Xhejms Bejker (James Baker) gjatë vizitës së tij në Tiranë, më
22.6.1991; e deri tek shprehja "imuniteti parlamentar nuk është privilegj i
deputetëve", e thënë nga ekspertët e Komisionit të Venecias më datë
20.3.2006 (italiani Sergio Bartole dhe gjermani Ceorg Nolte); këto sa për të
përmendur dy thënie në data ekstreme të një periudhe 17 vjeçare.
I vetmi shpjegim që arrijmë të gjejmë logjikisht për këtë paradoks, është sa
vijon: duhet të ketë një rrezik imediat që na kanoset ne këtu në Shqipëri.
Këtë rrezik ne nuk e dimë konkretisht cili është, por miqtë tanë të huaj,
duket se e dinë, dhe prandaj miratojnë, këshillojnë dhe këmbëngulin në këto
kufizime të Lirisë dhe Demokracisë.
Gjithsesi, rruga më e drejtë do të ishte të shpjegohej publikisht ky rrezik,
edhe nga miqtë tanë të huaj-fundja të mos jepen detaje, por ama të flitet së
paku në përgjithësi.
Mosshpjegimi i situatës reale, krijon çoroditje qoftë doktrinare, qoftë dhe
zhgënjim, ku ksenofobia, e shprehur si "anti-amerikanizëm" (si ai që futi
presidenti i vendit Berisha, në vitin 1996-97), apo si "anti-evropianizëm",
është rreziku më i madh. Këto janë rreziqe, për kombin tonë, që asnjë
shqiptar patriot nuk i dëshiron.
Me një shpjegim të rrezikut, me një shpjegim qartë e pa ngutje të tij, do t'i
kurseheshin shoqërisë sonë shumë përpjekje, ankthe dhe energji mendore e
shpirtërore, që ka kohë që po bëhen me bindjen e plotë se po i kundërvihemi
një të keqeje të madhe.
Bashkim Kopliku
25.5.2008
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
__________ Information from ESET NOD32 Antivirus, version of virus signature
database 3137 (20080527) __________
The message was checked by ESET NOD32 Antivirus.
http://www.eset.com
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club