[AlbClub] Fwd: Mbi deklaratat e PD-se dhe gazetareve mbi bosin e TopMedias

GH <[email protected]> Fri, 30 May 2008 14:21:08 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***

Zonja Bogdani,



shumëkush e vuri në dukje relativisht herët me të drejtë, se fshehja e  
faktit të ekzistencës së viktimës së dytë në aksidentin e shkaktuar  
siç duket nda D.H. përbënte një shkelje të detyrimit vullnetar të  
medies për të informuar në mënyrë objektive për atë çfarë ndodh dhe ju  
bëni vetëm mirë që e përkrahni këtë qëndrim. Për mua personalisht ka  
një paralele midis shpërthimit të Gërdecit dhe vdekjes së të ndjerës,  
pasi viktimat e të dyja rasteve duket ta kenë humbur jetën për shkak  
të arrogancës se kastës së lartë shqiptare, për të zbërthyer bomba  
atomike në rrëzë të kryeqytetit për përfitime ekonomike; pikërisht  
atje ku zhvillimet demografike progresive janë të njëhershme për  
kontinentin tonë, apo për të provuar kapjen e shpejtësisë së dritës me  
mjetet më të shpejta motorike të kohës pikërisht duke e shpuar  
diametralisht sa zhurmshëm natën aq edhe marrëzisht shpejtë qytetin  
vetë, ku si rregull do të duhej të ishin duke fjetur jo më pak se nja  
800.000 vetë.

Heshtja e medies (apo një pjese të saj) në lidhje me viktimën e dytë  
korrupton në mënyrë fatale imazhin e saj, besueshmëria në të cilin  
prej kohësh e ka humbur shumë më herët dhe nga ky proces nuk më duket  
se del dot ndonjë i fituar. Media në Republikën e Shqipërisë është e  
lirë, por nuk është e pavarur dhe kjo është një e keqe me të cilën do  
të duhet të jetojmë në qoftë se jo gjithnjë, të paktën për një kohë  
ende shumë të gjatë.

Për sa i përket organizimit të ceremonisë së varrimit të të ndjerit  
D.H. ndoshta mund të thuhet, se kjo kompani televizive private si një  
lloj cirku që është për nga natyra e vet, mund t’i lejojë vetes  
çfarëdolloj aventure, dhe vendosja e arkivolit të presidentit të saj  
nëpër ambientet e kompanisë, apo varrimi i tmerrshëm i organizuar për  
të ndjerin mund të thuhet se është pjesë e të tërës çka bën kompania  
vetë. Pra joshja e sa më shumë teleshikuesve nëpërmjet transmetimit të  
emisioneve televizive sa më spektakolare dhe shitja ndërkohë e sa më  
shumë letre higjenike apo çfarëdolloj produkti tjetër nëpërmjet  
raklameve që transmeton. Në këtë kuptim arkivoli me kufomën e të  
ndjerit duke u keqpërdorur si mjet publiçiar i shërbente thjeshtë  
interesave të të ndjerit në prag të trashëgimit të tyre nga  
pasardhësit e tij dhe këtu procesi fitimprurës nuk mund të ndërpritet  
asnjëherë. Në rastin e viktimes së dytë mua do të me dukej e padrejtë  
që kufoma e saj të përdorej për qëllime komerciale për hir të  
interesave të të tretëve në rast se viktima vetë nuk kishte dhënë gjë  
pëlqimin e saj më herët për diçka të tillë, gjë që ka pak gjasa ta  
ketë bërë. Si rregull ambientet e punëdhënësit mund të shërbejnë si  
vend për kryerje homazhesh në rastet e vdekjes së të punësuarve gjatë  
kryerjes së funksioneve të tyre profesionale, që lidhen drejtpërdrejtë  
ose me punëdhënësin vetë ose me karakterin e punës të të vdekurit.  
Gazetari A i punësuar nga gazeta B vdes gjatë rrugës së shërbimit për  
gazetën C. Atëherë si selia e gazetës B ashtu edhe selia e gazetës C  
mund të shërbenin për të pritur ngushëllimet e për të ndjerin A. Siç  
duket e ndjera nuk ka qenë në atë udhëtim fatal për qëllime të lidhura  
drejtpërdrejtë me profesionin e saj.

Por nuk është kjo ajo që më shqetëson aq shumë në ndërhyrjen tuaj, se  
sa formulimi juaj ndërsa tërhiqni konkluzione morale kur i referoheni  
të ndjerit:

„...i cili vdiq duke eksperimentuar me shpejtesira astronomike, ndersa  
hargalisej me te dashuren ne mes te nates ne maje te Ferrarit,  
ndërkohe qe gruaja me 4 kalamajte e prisnin ne shtepi (fenomen aspak i  
pazakonte mes rrethit te mender elites se Tiranes)„



Unë nuk e di mirë se ku duhet të filloj protestën time, pasi në këtë  
formulim janë të përqendruar me një koncentrim të jashtëzakonshëm të  
gjitha klishetë e përfytyrimit të gruas ballkanase në raport me jetën  
nokturne të burrave të atij rajoni, të cilat kanë shërbyer si nje  
forcë centrifugale mjaft efikase, për t’i flakur ata pastaj aq larg në  
krahët e kujdoqoftë gruaje protestante përtej alpeve me apo pa  
mustaqe. Megjithatë po i bie për shkurt duke shprehur dyshimin tim të  
thellë nëse vërtetë gruaja e të ndjerit ka qenë duke e pritur natën  
burrin harrakat zabërhanist ferrarist (këtë nuk e dimë), nëse e ndjera  
ka qënë e dashura e tij dhe nëse ka qenë, ndoshta për momentin nuk ka  
qenë në makinë me cilësinë e të dashurës, që edhe po të ketë qenë  
kështu, ç’rëndësi do të duhej të kishte kjo (nuk është se u mbajtëm  
gjë pishën) (duheshim gjë?).



Problemi i dytë që kam unë me ndërhyrjen tuaj është në zgjedhjen e  
formulimit tuaj:



„Une i kuptoj nje pjese te tyre, ata te Top Medias (te cilet perbenin  
shumicen ne grupin e nenshkruesve) qe ne menyre servile do ti mbajne  
anen padronit qe i mbajti per vite me buke, po me cudisin emrat e  
shume te tjereve, qe...“



„i mbajti me bukë“ është një cilësim relativisht pexhorativ kur është  
fjala për të treguar marrëdhënie pune midis punëdhënësit dhe  
punëmarrësit dhe pavarësisht se sa e varur është media në Shqipëri nga  
interesat e grupeve politike apo ekonomike, sot do të ishte një fyerje  
për profesionin e gazetarit sikur atyre marrëdhëniet e zakonshme të  
punës  t’u viheshin në dukje në këtë formë.



Mua më duket se ka edhe njw problem (ose nuk i njihni faktet) kur  
shkruani:



„ Megjithate asnjeri nuk pyeti apo komentoi, si arriti ky njeri vetem  
ne 7 vjet te ngrinte nga hici nje kompani te tille mediatike super  
gjigande e moderne, me pajisje nga me te sofistikuarat e te mbante te  
punesuar me rroga teper kompetitive 800 punonjes? Nga erdhen parate  
per nje investim dhe sukses te tille?



Me sa di unë dhe me sa ka raportuar media rregullisht kompania TC dhe  
LoriKafe janë kontrolluar në mënyre të përsëritur nga organet tatimore  
shqiptare, madje edhe Kuvendi i Shqipërisë aprovoi përpara një viti  
një ligj të veçantë për mundësinë e kontrollimit relativisht të rreptë  
dhe zgjerimit të kufijve për aplikimin e gjobave për kundravajtje  
administrative nga ana e kompanive private në Shqipëri duke ndryshuar  
në mënyrë të njëhershme për eksperiencat reformatore në të gjitha  
vendet e lindjes edhe mënyrën e ekzekutimit të tyre përpara vërtetimit  
të faktit juridik të fajësisë së shkelësit të presupozuar. Madje  
prezumimi i fajit përpara vërtetimit të tij në rrugë gjyqësore me një  
vendim të formës së prerë i pruri kokëçarje jo pak të vogla qeverisë  
Berisha 2 me komunitetin e tezeve evropiane që monitojnë me demek  
reformat atje.



Me që jemi në këtë teme unë do të doja të shtoja, se ajo që më vrau  
syrin në këtë histori është reagimi i pakët institucional në kuadrin e  
zbatimit të detyrimeve ligjore brenda kufijve të ushtrimit të  
kompetencave lëndore. Qytetari i zakonshëm i Tiranës përveç drogës  
televizive që në rastin e vdekjes së të ndjerit D.H. ato ditë e mori  
me mbidozë, ka akoma të drejtën e informimit nga ana e institucioneve  
të shtetit, se sa të sigurta janë rrugët e Tiranës? Se si ishte e  
mundur që një i i sëmurë psikik (?) apo nën influencën e alkolit (?)  
apo nën influencën e lëndëve narkotike (?), apo për çfarëdo lloj arsye  
tjetër kryen një aksident aq të rrezikshëm duke i marrë jetën një  
viktime tjetër. Autopsia? Shkaqet e vdekjes? Roli i viktimës së dytë?  
Gjendja teknike e automjetit? E rrugës? Cila është perspektiva e  
sigurisë se trafikut rrugor në Shqipëri? Cila është vlera e jetës së  
njeriut në raport me një copë hekurishte? Pra si ka mundësi që edhe në  
një rast të tillë elitat politike ja dolën dot të grupohen për t’u  
sharë nga llogoret e tyre pa e ndjerë aspak të nevojshme të shprehen  
për zgjidhjen e një problemi veçanërisht të rrezikshëm për jetën e të  
tjerëve.



Flm. dhe tw fala



GH

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club