[AlbClub] KUAZI-HISTORIA: MBURRJA, HESHTJA DHE EKZALTIMI (Express)
Uran Krasniqi <[email protected]> Fri, 30 May 2008 15:37:53 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List *** KUAZI-HISTORIA: MBURRJA, HESHTJA DHE EKZALTIMI Uran Krasniqi Mbarimi i luftës më 1999 veç shumë të tjerash u kthye edhe në pistë gjigante të shpërfaqjes së fenomeneve të reja në shoqërinë e shqiptarëve të Kosovës. Do të merrem veç me dy prej tyre, që kanë të bëjnë me një komunitet të veçantë, dhe siç do të shihet me njërën pakëz më sipërfaqësisht e me tjetren pakëz më në detale: mburrjen dhe heshtjen. Mburrjen për luftën, e prodhuar me të madhe prej të shumtëve paslufte dhe heshtjen për luftën, e kultivuar me të madhe prej të shumtëve paslufte. Si dymbëdhjetëvjeçar vigjilent në periudhën e luftës në Kosovë në vitet 1998-99, për aq sa më kanë rrokur shqisat, ia kam dalë të regjistroj në kokë goxha mirë vakitë e kohës. Dhe si pasojë e kësaj në vazhdimësi e kualifikoj absurde atë, kur shpeshherë ballafaqohem me turlifarë mburrjeje për të dhe kur shpeshherë njoftohem me turlifarë heshtjeje për të. Të dyja këto e kanë një emrues të përbashkët, duke mbajtur për pronarë disa njerëz, të cilët prej perspektivës së sotme, gjakojnë marrëzisht bërjen e një fotografie ndryshe për vetën e tyre, në zhvillimet e asaj kohe të ligë në Kosovë, disa qoftë vetëm me fjalë goje e disa edhe përmes ndonjë editimi në letër. Shikuar nga ky prizëm, libri i dalë në shitje tash së voni me autor Baton Haxhiun për luftën në Kosovë, posedon në vete të dyja komponentet: mburrje për ditët e vështira të qitura në letër në netë pa serbë përreth, të cilat kanë të bëjnë për pozicionet që autori ka zënë në raport me ngjarjet në Kosovë gjatë asaj kohe, por edhe heshtje interesante dhe përpjekje për nxjerrje me fytyrë prej një sendi shumë me rëndësi që do të shihet në vijim. Fare nuk dallon prej frekuencave të trajtimit edhe reagimi i Veton Surroit përkitazi me të njëjtin libër. Që të dy këta kishin marrë më 1999 edhe çmime për gazetarë nga federata botërore të gazetarisë. Por kësisoji janë edhe ekzaltimet e ca të tjerëve të sendërtuara mrekullisht bukur prej këndit, në lidhje me përplasjet e këtyre dyve. Prej fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet e ushtrisë dhe policisë së ish-RFJ-së më 24 mars 1999 e deri më 12 qershor të po të njëjtit vit, asnjë prej gazetarëve shqiptarë të Kosovës s’e ka plasuar asnjë lajm për tek ndonjë medium çfaredoqoftë ai në lidhje me atë se çfarë ka qenë duke ngjarë në Prishtinë. Kaq. Më pastaj pas 12 qershorit më askush s’dëgjonte lajme… Lajmi kryesor kishte marrë dhenë: forcat e Millosheviqit po lëshonin Kosovën. Baton, një dështim të tillë e kërkova në librin tënd por nuk e gjeta. E kërkova por “nukaka” as në reagimin tënd Veton, dhe a e di pse “nukaka”?, sepse as ti s’e ke bërë një gjë të tillë edhe pse i ke jetuar ato ditë mu në Prishtinë, ndaj ke heshtur qëllimisht rreth kësaj çështjeje. Nuk e kam gjetur ani pse e kam kërkuar edhe nëpër rrugëtimet tuaja profesionale për 9 vjet radhazi pas luftës: Blerim (Shala), Ibrahim (Rexhepi), Migjen (Kelmendi), Afërdita (Saraçini), Muhamet (Mavraj), Sylejman (Shaqiri), Milaim (Zeka) Rexhep (Hoti), Margarita (Kadriu), Muharrem (Nitaj), Bajrush (Morina) e shumë të tjerë, të mos u përmendi emrat tash të gjithëve, ngase jeni shumë që shiteni për “bossa” në gazetarinë e sotme në Kosovë, shumë që vetën e merrni për seriozisht dhe mendoni se përbëni elitën e një komuniteti, shumë që vetës i lejoni komoditetin t’i shikoni të tjerët prej së larti. S’do t’iu përmendja kurrë një gjë të tillë, vetëm në rast se gjatë asaj kohe do të ishit në ndonjë qeli burgu sikur Halil Matoshi, në gjeneratë me Artan Mustafën në ndonjë shkollë të mesme apo sikur ta kishit nisur gazetarinë në korrik a gusht të vitit 1999. Për më vonë mos të flasim. Dështimi i kryerjes së punës prej gazetari në kohë të çrregullt, rrjedhimisht s’ka edhe si të mos paraqet rënie prej disa provimeve në gazetari: guximit, përgjegjësisë, etikës etj. Kësaj kategorie të gazetarëve nuk mund t’u besohet asnjë ligjeratë profesionale e tipit: “gazetari duhet të jetë në luftë…”, “detyrë e gazetarit në luftë është…”, “pra, siç e thamë gazetari në luftë…”. Asgjë e tyre në lidhje me raportimet e gazetarit nga një vend që gjendet në luftë nuk guxon nga marrësi të kuptohet përnjëmend. Ngase këta s’janë kurrëgjë tjetër përveç gazetarë dezertorë që për tre muaj ditë s’kanë qenë në gjendje ta gjejnë qoftë veç një moment për plasimin e një lajmi nga terreni. Pra kanë dështuar në këtë kontekst dhe atë kohë tërë komuniteti i gazetarëve nga Prishtina. E kanë lënë kryeqytetin në kohën më të rëndë të tij, në terr total informativ, pa bërë asnjë sakrificë për profesionin e tyre. Në rregull, thuhet që shpirti është i ëmbël, ama një gjë të tillë duhet ta dinë paraprakisht të gjithë ata që vendosin t’i futen zanatit të gazetarisë. Apo të merret parasysh ajo çfarë thuhet prej atyre “bossëve” vetëm në rast se e pranojnë më herët vetë ata se janë në koordinata me atë hoxhën qe ka thënë: bëj çka të them unë, por mos bëj çfarë bëj unë. Kur e përmenda më lart etikën, s’kam se si të mënjanoj edhe atë se si një dobësi e tillë nuk është e drejtë të heshtet, e as të ngarendet që të infektohen edhe të tjerët për të mos e hapur gojën. Për çudi diçka e tillë edhe haset te libri i Haxhiut, reagimi i Surroit dhe e të tjerëve. Nuk është në rregull që për nëntë vjet një problem i tillë ka bërë gjumë të rehatshëm duke çuar jetë si i virgjër. Ndryshe për sa i përket atij libri, për fat të keq historia është duke u shkruar me teprica dhe mungesa. Jashtë realitetit. Për sherr çdo gjë e konstruktuar në atë formë po mbetet në kohë. Dihet që historia (nga Greq. ἱστορία, historia-shënim, tregim, rrëfim) është shkencë shoqërore e cila merret me të kaluarën, e njerëzimit, të tashmen, dhe përmes këtyre të dyjave studion të ardhmen. Por kjo shkencë që njihet edhe si mësuesja e njerëzimit, nuk duhet të ndërtohet me mospërfillje, anashkalime dhe ikje prej fakteve, ngase atëherë nuk është më histori. Është e kundërta e saj: kuazi-histori. Për çudi në këtë kohë po ekzistojnë mekanizma rreth përndjekjes së njerëzve me shpirt në gjuhë, thuajse ngjashëm sikur në kohën e vuajtjeve të hebrenjëve në Gjermaninë naziste. Ama në rast se një ditë historia e vërtetë përballet me ato të disa autorëve, atëherë do të bëhen përallë me tupan këto të fundit, bashkë me to do të bëhet shaka edhe me neve. Dhe një gjë e tillë ngjet për faktin e thjeshtë: ajo është ndryshe. _________________________________________________________________ Explore the seven wonders of the world http://search.msn.com/results.aspx?q=7+wonders+world&mkt=en-US&form=QBRE ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club