[AlbClub] Me sa para po privatizohet ARMO?
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Wed, 18 Jun 2008 09:16:21 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <006301c8d113$3bc725b0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Me sa para po privatizohet ARMO?
[Sot, 18.6.2008]
Më së fundi, pas më shumë se 10 vjet sorollatjesh, shyqyr që po privatizohet
ARMO ("Albanian Refining and Marketing of Oil"), bile na bëhet shumë qejfi
që po e marrka në firmë amerikane. Por, nuk po marrim vesh me sa euro po
privatizohet. Informacionet që depërtojnë murin e jotransparencës së
qeverisë aktuale, janë të çuditshme: njëri thotë u shit me 125 milionë euro
të "paguara në dorë"; tjetri thotë se i bie të jetë shitur me shumë më pak
sepse pagesa nuk do t'u bëka menjëherë e gjitha, por do t'u bëka "me 4 këste
për katër vjet" e shoqëruar me "10 vjet siguri monopoli në tregun shqiptar"
dhe me "ulje të disa detyrimeve për t'i paguar tatim-taksa shtetit shqiptar".
Prapë po bie erë e keqe nga kjo qeverisje! Tragjikja është se nuk del njeri
të japë përgjigje në publik: janë të gjithë rehat, të fshehur pas porosisë
së kryeministrit "mos m'i luani mediat". Në fakt, porosia, për t'u kuptuar
më mirë, do të duhej të shprehej si vijon: "masmediat le të lehin, qeveria
ecën e bën ç't'i teket". Por edhe më tragjikja është se shqiptarët pak
tunden nga vendi, ani se mbase po ju përlajnë sy për sy, pronën e
përbashkët.
Së pari, duhet të shpjegojmë shkurt vlerën në kohë të parasë (time value of
money). Nuk është njësoj, si të paguhen 125 milionë euro sot në dorë, me si
të paguhen pas disa vjetësh. Ta thjeshtojmë pak. Nëse merr sot në dorë 100
pare (këtu paret mund të jenë miliona euro etj.), dhe i jep me interes
vjetor p.sh. 20 % në vit, pas një viti ke 120 pare (100 paret që fute në
fillim të vitit, plus 20 pare interesi i fundit të vitit). Pra, që të jenë
baras të dy mënyrat e pagesës, ajo me paratë sot në dorë, me atë me paratë
pas një viti, duhet që paratë ose të jenë 100 sot, ose 120 pas një viti. Me
terma ekonomikë, thuhet se vlera e aktualizuar (PV, present value) e 120
pareve pas një viti, është 100 pare.
Pra, është mashtrim të thuash se e ke shitur 125 milionë euro, nëse pagesa
nuk bëhet sot. Që të krahasohen me njëra tjetrën, pagesa të bëra me mënyra
të ndryshme, duhet llogaritur për to PV-ja (Present value, apo vlera e
aktualizuar, që shpjeguam më lart).
Ja një shembull i thjeshtë. Nëse kemi dy firma që ofrojnë privatizimin e
ARMO, me mënyrat e pagesës që vijojnë, cila është duke na e paguar më shumë?
Firma e parë ofron 125 milionë euro, të paguara me 4 këste, me nga 31,25
milionë euro në çdo fund viti. Firma e dytë ofron 100 milionë euro, të
paguara të gjitha që sot. Natyrisht, përgjigjen nuk mund ta japim pa
llogaritur paraprakisht PV-në për secilën firmë.
Llogaritja e PV-së nuk është aq e lehtë të bëhet, sepse duhet përcaktuar si
interesi i investimit të parave në Shqipëri, si dhe siguria e firmës që i
mbetet borxh shtetit shqiptar (ajo që paguan me këste). Ne nuk po i hyjmë
këtu diskutimit të "interesit vjetër", sepse është shumë kompleks, por po ju
sjellim, sa për një ide, se sa i bije PV-ja, duke e marrë interesin 20% në
vit. Për firmën e parë (ajo që paguante 125 milionë për 4 vjet), rezulton
se PV është rreth 81 milionë euro, kurse për firmën e dytë është 100 milionë
euro (ajo që i paguan të gjitha menjëherë). Natyrisht, pas kësaj, secili do
të thoshte se firma e parë ka ofruar çmim 24 % më të lartë se firma e dytë,
prandaj është më e leverdishme kjo e dyta. Të na falin ata lexues që nuk
merren me ekonominë, por ja kështu janë, të bezdisshme këto llogaritjet
ekonomike, por ama, me një të rënë lapsi (apo kompjuteri), i kursen këtij
populli të vuajtur nja 20 milionë euro, që nuk janë pak, apo jo.
Nuk është vetëm pagesa e privatizimit. Ka rëndësi edhe nëse vërtetë i është
dhënë "10 vjet" e drejtë që ARMO e privatizuar të ketë monopolin e
përpunimit të naftës në Shqipëri. Sa na kushton dhënia e këtij monopoli?
Sa milionë euro paguajmë ne shqiptarët, si efekt i këtij monopoli. Mund të
vazhdonim edhe me përfoljet e tjera, si ato për lehtësitë fiskale etj.
Të gjitha këto "të tjerat", janë kosto, që ekonomikisht i duhen zbritur asaj
PV-së së pagesës, asaj që llogaritëm më lart. Por ama kujdes se mos na
shkon në zero ajo PV-ja, apo edhe më keq, shkon në një shifër negative, çka
do të thotë se i paguajmë ne asaj firmës që privatizoi ARMON, e jo ajo ne-që
mos e thëntë Zoti. Por nuk po e zgjasim më, njëherë për njëherë, se mbase
ndodh çudia: denjon qeverisja të sqarojë popullin e vet, "trim dhe krenar".
Nuk e dimë fare se ç'thotë "Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, ngritur me
urdhër të Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nr.126, datë
21.02.2008". Nuk e dimë se ç'thotë "PATTON BOGGS, kompania e njohur
amerikane ligjore", që paskësh qenë "në rolin e konsulentit të Qeverisë
Shqiptare në këtë privatizim". Nuk e dimë se ç'thotë ministri i
(mos)privatizimeve, z. Ruli. Dimë vetëm që kryeministri mburret e ulërin
gjithë ditën e ditës, për "privatizimin" më të suksesshëm, si për çdo gjë që
bën keq qeverisja që drejton ai.
A do të arrijë opinioni shqiptar, të detyrojë qeverisjen e vet, që të dalë e
të japë shpjegime, duke filluar me Kuvendin, që duhet të ishte roja e parave
tona?! Apo dhe kjo çështje do të mbulohet me diversione tip "grupesh
armiqësore" të Partisë Komuniste, apo "grupe të Presidentit Topi" të Partisë
Berishiste.
Bashkim Kopliku
17.6.2008
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club