[AlbClub] Fw: Po ruhet e forcohet "shteti i madh"
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Tue, 17 Jun 2008 07:48:55 +0200
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <002b01c8d03d$dae089b0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Po ruhet e forcohet "shteti i madh"
[Gazeta Shqiptare, 17.6.2008]
Në Shqipëri po ruhet e po forcohet "shteti i madh", i nisur pas vitit 1994,
i shtuar nga socialistët gjatë viteve 1998-2005, dhe i rritur më tej nga
berishizmi, me hipokrizinë e "qeverisë së vogël". Shteti i madh, jo vetëm
që ndërhyn aty ku nuk duhet, por edhe kushton shumë, si nga ana materiale,
si dhe nga ana e dëmit që i bën xhepave tonë, por edhe mendësive të
shoqërisë sonë.
"Shteti i madh" është një term që përdoret kryesisht për shtetet që
ndërhyjnë me tepri në jetën e individit, në vendimet e tij, në biznes, e
kudo, që janë joeficientë dhe të korruptuar ("qeverisje e madhe", Big
government). Shteti i madh shoqërohet rëndom edhe me një burokraci të
madhe (shumë nëpunës). Me këtë të fundit do të merremi sot.
Kemi folur se mënyra më efikase e zvogëlimit të punonjëseve të shtetit,
është privatizimi i thellë i ekonomisë. Por sot do të ndalojmë në nevojën
urgjente të uljes së numrit të punonjësve të shtetit, kështu siç është, pa
pritur privatizimin e reforma të tjera, që po rezulton se tani nuk bëhen më
"si në 1993-94-shin", për disa muaj, por duan disa vjet, bile dhe mbi dhjetë
vjet.
Shumica dërrmuese e punonjëseve të shtetit Shqiptar, nuk bëjnë asnjë punë,
pra marrin pagën kot. Raportet globale të formës "numri i punonjësve të
shtetit/numri i popullsisë", shpesh shpien në opinione të gabuara, sikur
"nuk është se kemi dhe aq shumë punonjës". Kjo sepse detyrat që kryejnë
nëpunësit e shtetit në Shqipëri, ndryshojnë shumë me ato të vendeve me të
cilat bëhen krahasimet-tanët kanë shumë më pak detyra. Konkluzionet janë më
të sakta, nëse bëhet një sondazh i punës që kryejnë nëpunësit konkretë
shqiptarë.
Po të dëgjosh retorikat e kryeministrave, ku kampioni i tyre është z.
Berisha, ka rrezik të të rrehet mendja, se vërtetë po e ulin burokracinë,
por në fakt ndodh e kundërta: po e rrisin. Merrni një zyrë të caktuar, apo
një ndërmarrje të caktuar që e njihni-mos dëgjoni përgjithësimet, apo
këshillat si "mosngatërrimi me hollësira të panevojshme". Do të konstatoni
se në shumicën e rasteve, numri i të punësuarve të shtetit, është rritur
vazhdimisht, apo së paku nuk është ulur në proporcion me liberalizimin e
ekonomisë.
P.sh., në Durrës qarkullojnë fjalët, se numri i punonjësve të administratës
së Portit të Durrësit, është rritur në nja 200 vetë, pas ardhjes së
berishizmit. Flitet se puna në Port do të bëhej rehat, me maksimumi nja 20
vetë. Pra rezulton se 180 vetë janë kot. E mendoni, se flitet se ata kanë
rroga, mbi 50 mijë lekë në muaj: mendoni se kryeministri ynë sillet rrotull
Shqipërisë, duke u mburrur se nga fundi i 2009-ës, në prag të zgjedhjeve, do
t'ua bëjë pagat 40 mijë lekë arsimtarëve që u bie bretku në punë.
Shihni këshillat mbikëqyrëse të SHA shtetërore (shoqëritë aksionare, apo
ndërmarrjet që praktikisht u kanë ndërruar emrin kot). Me qindra njerëz që
marrin shpërblime (apo paga) kot: për pjesëmarrje në këshillat mbikëqyrës
kot. Themi "kot", sepse nëse këto këshilla nuk do të ekzistonin,
praktikisht SHA-të shtetërore më shumë do të fitonin, sesa do të humbnin.
Për ta kuptuar këtë fakt, nuk duhet të lexoni "detyrat e këshillit", që
gjenden të shkruara në ligjin e shoqërive tregtare, apo në ndonjë udhëzim
ministrie. Jo, duhet të ndaloni në një ndërmarrje që e njihni, dhe në
drejtuesin e këshillit, dhe anëtarët e tij. Do të shihni se në shumicën
dërrmuese të rasteve, ata janë ose njerëz kot, ose njerëz që me punën e
tyre, veçse i prishin punë ndërmarrjes. Pra ata, jo vetëm që i marrin
ndërmarrjes paratë kot, por edhe e pengojnë ndërmarrjen shtetërore në punët
e saj, duke futur burokraci, apo duke futur një komponent korruptiv në
aktivitetin e saj-secili anëtar i këshillit, gjëja më e vogël, ka ndonjë të
vetin për ta futur në punë kot.
Ky shtet i përgjysmon nëpunësit e tij fare lehtë: me një urdhër
administrativ. E para, këshillat mbikëqyrëse duhet të kenë një numër
maksimal anëtarësh prej tre-vetësh, dhe shpërblimet t'u përgjysmohen. Kjo
derisa të hiqen fare këshillat, duke ua deleguar detyrat e tyre, pa asnjë
shpërblim, nëpunësve të dikastereve përkatëse, ose të pushtetit lokal nga
varen SHA-të përkatëse. Kopjimi mekanik i këshillave mbikëqyrëse nga vende
të huaja me një kulturë pune dhe pavarësie të nëpunësit, krejt larg
realitetit shqiptar, ka qenë baza e gafës së krijimit të tyre.
Pastaj, në çdo zyrë shtetërore ku ka disa vetë, puna duhet të bëhet me
gjysmën e personave, dhe ku ka vetëm një person, të bashkohen zyrat që të
krijohen zyra me më shumë se një person, që të mund të hiqen gjysma. Mos të
frikësohemi, sepse asgjë nuk do të keqësohet në efikasitetin e shtetit,
përkundrazi, do të rritet eficienca: do të kryhet e njëjta punë, me kosto më
të ulët.
E gjithë kjo burokraci ushqehet nga nepotizmi, nga klientelizmi: shihni se
ata që futen në punë të shtetit, të gjithë kanë një lidhje: ose janë
kushërinjtë e këtij apo atij, ose janë dhe "që e kanë ndihmuar gjatë
zgjedhjeve, këtë apo atë". Keni dëgjuar se është futur ai/ajo sepse e bën
mirë atë punë? Kurrë, ose në raste shumë të rralla.
E këta parazitë infektojnë të gjithë shoqërinë me dembelizmin e tyre: të
gjithë synojnë të zënë një vend të rehatshëm në shtetin e madh, në vend që t'i
drejtoheshin sektorit privat, ku punohet realisht. Kjo tërheqje drejt
shtetit, është shtuar tani me premtimet e me rritjet të pagave shumë më të
mëdha sesa rritja e ekonomisë, që po bën kryeministri aktual, e që do t'i
shtojë në prag të zgjedhjeve të 2009, pa e çarë kokën për pasojat
shkatërruese, ku inflacioni është i pari-se mos i paguan ai pagat.
Rritja e pagave të shtetit, po i krijon edhe një dumping sektorit privat
(rritje artificiale të tregut të pagave), gjë që faktikisht po bën që të
grabitet privatja, dhe të kanalizohet tek shtetërorja. Lukunia e nëpunësve
të shtetit, është instrumenti i grabitjes së privatit, me tatime-taksa
arbitrare, e me gjithfarë pengesash.
E keqja e madhe, është se kur krijohet shteti i madh, atëherë është shumë
zor ta zvogëlosh: ai, shteti, burokracia, bëhet një përbindësh që është
shumë i zorshëm të zvogëlohet. E gjithë ushtria e parazitëve të punësuar në
shtet, do të bëjnë një rezistencë të madhe për të mbajtur vendin e punës:
kështu ka ndodhur dhe në vende më të përparuara se ne. Nëpunësit e shtetit
janë, si rregull, militantët më kokëbosh të partisë në pushtet, qoftë
socialistja, qoftë berishistja.
Ajo forcë politike që do të arrijë të mposhtë përbindëshin "shteti i madh",
do t'i ketë bërë një nder të madh vendit tonë-e keqja është se akoma nuk po
e shohim gjëkundi një forcë të tillë: po na mbyt populizmi.
Bashkim Kopliku
15.6.2008
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club