[AlbClub] Që ndonjërit të mos i bëjnë m endjen dhallë

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]> Sat, 28 Jun 2008 08:25:37 +0200
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <014801c8d8e7$cda6e110$0401a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Replikë:
Që ndonjërit të mos i bëjnë mendjen dhallë
[Durrësi Bulevard, 28.6.2008]

Në respekt të gazetës "Bulevard" dhe të lexuesve të saj, më duhet t'i 
përgjigjem edhe një "letre në redaksi", si ajo e botuar më 13.6.2008, me 
titull "Skadenca e dhallës e z. Bashkim Kopliku", me autor "Arbër Hasa".

Po i përgjigjem atij farë shkrimi, sepse ka në të nja dy-tri gjëra që ia 
vlen të saktësohen, që të mos mund t'i bëjnë mendjen dhallë, ndonjë lexuesi 
që nuk ka qenë në Durrës, rreth viteve 90 (ky shkruesi i Letrës, nuk është 
se nuk i di të vërtetat, por mashtron), apo ndonjërit që nuk e njeh gjuhën 
shqipe (siç duket qartë që nuk e njeh shkruesi në fjalë).

Nuk ka asnjë vlerë t'u përgjigjesh direkt, "sharjeve politike" që i 
shërbejnë Shkruesit veç për t'i treguar qeverisë, se ai i ka vënë gjoksin 
mbrojtjes së saj nga "armiku".  Mediokriteti i "analizave" të tija në 
politikë (jo "në politik", siç e shkruan ai!), nuk përbën asnjë rrezik t'i 
bëjë mendjen dhallë ndokujt-veçse dëshmojnë nivelin e Shkruesit.

Po filloj ndreqjet, sipas renditjes së gabimeve në Letër, e jo sipas 
rëndësisë së tyre.


Edhe kur komunizmi më ktheu në punëtor, nuk isha mekanik

Shkruesi shkruan: "mekaniku i Uzinës së Televizorëve, z. Bashkim Kopliku".

Mashtron Shkruesi.  Nuk kam punuar kurrë mekanik në URT (Uzina e 
Radiotelevizoreve Durrës), megjithëse e respektoja shumë këtë profesion, dhe 
studioja edhe mekanikën.

Kam qenë kryeinxhinieri i URT-së, kur më 1 gusht 1991, kalova në postin e 
Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Durrësit.  Isha zgjedhur kryeinxhinier 
nga kolektivi, më 1 qershor 1990.  Në URT, që nga viti 1970, deri në vitin 
1991, kam punuar në disa drejtime.

Kryesisht kam punuar si inxhinier elektronik.  Por jam marrë shumë me 
ekonominë, duke punuar praktikisht si një "ekonomist", me studime, 
planifikime, por edhe me udhëheqjen e ndonjë temë diplome të ndonjë studenti 
të ekonomikut.  Kam punuar edhe si përkthyes, jo vetëm në pesë gjuhët e 
huaja në të cilat lexoja rregullisht, por edhe në shumë gjuhë të tjera, në 
të cilat futesha "nga halli", me analogjira e me mundime.  Zyrtarisht kam 
pasur vetëm pozicionet që vijojnë: "kryeinxhinier", "shef i byrosë teknike", 
"shef laboratori", "shef i cilësisë", "inxhinier i thjeshtë", por edhe 
"punëtor".  Sqaroj se edhe si punëtor, nuk kam punuar si mekanik, por si 
elektronik.

Kur punoja si punëtor, viti 1975-6, kisha mbi 9 vjet inxhinier.  Por, partia 
komuniste (e Punës) nuk pyeti, e më dënoi "me edukim në gjirin e klasës 
punëtore", për gabime "politike", sepse "nuk kisha ushtruar luftën e klasave 
në familjen time"-shpëtova për një çikë, nga burgu apo nga internimi! 
Nejse, kjo është një histori që shumë qytetarë të Durrësit, tashmë e dinë 
mirë, dhe mund t'ia shpjegojnë Shkruesit.  Desha vetëm t'i kujtoj Shkruesit, 
se në atë kohë që unë isha dënuar, z. Sali Berisha ishte sekretar i Partisë 
Komuniste, pra në anën e dënuesve të mi.


"Dhalli", dhe jo "dhalla"

Shkruesi shkruan: "emri dhallë [...] gjinia femërore".  Shkruesi mendon se e 
kam shkruar gabim fjalën "dhalli" në shkrimi tim me titull "Të huajt, 
centralet bërthamore dhe dhalli".

Ia fut kot Shkruesi.  Sipas drejtshkrimit të standardizuar të shqipes, të 
vendosur në vitin 1972, duhet të shkruhet ashtu siç e kam shkruar unë, 
"dhalli" dhe jo "dhalla".

Me që ra fjala, mua do të më pëlqen të ishte standardizuar shkrimi "dhalla". 
Por, e kam justifikuar standardizimin (normimin), me një synim të 
përgjithshëm të gjuhëtarëve të vitit 1972, për t'i zëvendësuar me gjininë 
mashkullore, shumë nga format e emrave që diku janë përdorur dhe në gjininë 
asnjanëse, si p.sh. "mjaltë-mjalti", "gjalpë-gjalpi", "djathë-djathi", 
"ujë-uji", prandaj duket kanë vendosur edhe "dhallë-dhalli".  Në këtë 
konkluzion kam arritur nga leximet e librave të gramatikës së gjuhës shqipe, 
por mbase është më e thellë se kaq arsyeja e këtij standardizimi.

Gjuhëtari Eqerem Çabej, në "Studimet" e tija etimologjike, fjalës "dhallë" i 
dedikon nja tri faqe (nga faqe 7 deri faqe10 të vëllimit të IV).  Ai 
shpjegon se fjala "dhallë" përdoret në dialekte dhe të folme të ndryshme të 
Shqipërisë, në shumë forma, dhe në të tria gjinitë, mashkullore, femërore 
dhe asnjanëse, "dhalli", "dhalla" "dhallt" etj.  Po kështu shpjegon dhe 
Gustav Mayer në "Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe" etj.  Vite para 
1972-shit, duket se Çabej parapëlqente formën "dhalla".  Po nuk po e zgjas 
më unë, për t'i lënë radhën ndonjë specialisti të mirëfilltë të gjuhës 
shqipe.

Mbase ndonjë gjuhëtar durrsak, gjen kohën e na jep sqarime më të thella, në 
Bulevard, për arsyet gjuhësore të standardizimit në formën "dhalli", dhe jo 
"dhalla"!

Por kujdes lexues, mos lejoni t'jua bëjnë mendjen dhallë diskutimet e 
mediokërve, jo më për të tjerat, por as për gjuhën-si ky Shkruesi, që kopjon 
një fjalë nga një libër që duket se i ka qëlluar ta shfletojë, e pastaj bën 
ekspertin e gjuhës, pavarësisht se edhe kur guxon të shkruajë për publikun, 
e mbush shkrimin e vet me gabime trashanike edhe në drejtshkrim: në "çdo 
pesë fjalë, ka një gabim drejtshkrimor", nga ato që nuk i lejohen t'i bëjë 
as edhe një fëmijë i klasës së dytë fillore.


Duhet zbatuar ligji kudo

Ne shqiptarët kemi shumë nevojë të ngulisim në mendësitë tona, zbatimin e 
ligjit, rregullave etj., të pranuara e që janë në fuqi, edhe kur ato nuk na 
pëlqejnë.  E ligji, apo rregulli, për drejtshkrimin e sotëm, fatkeqësisht ka 
mbetur po ai i vitit 1972, e dua s'dua unë, më duhet ta zbatoj, pavarësisht 
se është i kohës së komunizmit.

Unë kam shumë kritika për këtë gjuhë standard që kemi sot, bile disa nga 
kritikat e mia i kam hedhur në disa shkrime të botuara.  Por, për principet 
që shpjegova më lart, detyrohem ta zbatoj këtë gjuhë standard që kemi, deri 
sa autoritetet përkatëse ta ndryshojnë atë.

Ne të PD-së, demokratët e para berishizmit, pra të para shkatërrimit të 
vendit në 1997, u patëm munduar të bëjmë diçka për përmirësimin edhe të 
gjuhës standard (organizuam takime gjuhëtarësh, simpoziume etj.), por nuk 
arritëm dot.

Nuk arritën të bëjnë përmirësime të standardit të 1972-shit, as socialistët 
që i la në pushtet për 8-vjet, babëzia për pushtet personal e z. Berisha. (I 
nderuari lexues, nuk e kam vetëm për shaka, imitimin e Zhvejkut të Jarosllav 
Hashek).

Nuk shpresoj se do ta ndreqë gjuhën standard berishizmi, sepse z. Berisha 
është i zënë me problemet e ruajtjes së pushtetit personal, pa u ndaluar 
para asgjëje: as para blerjes së votave me pasurinë tonë, duke u paguar 
votat me faljen e tokën sonë grabitësve të saj ("informalëve"); as para 
ndryshimit të Kushtetutës, që ta kthejë veten në një biçim kryeministri 
diktator; as para shitjes së Shqipërisë për investime të rrezikshme për ne, 
si puna e centraleve bërthamore; as para dëmtimit të pronarëve të tokave me 
dumpingun e çmimit të tokave, duke hedhur në treg tokë "shtetërore" me "1 
Euro"; as para mbytjes së biznesit me tatime dhe taksa klienteliste 
(cronyism) dhe arbitrare, duke gënjyer botën se gjoja i ka ulur ato, etj. 
etj.

Kohë më të mira do të vijnë, edhe për gjuhën shqipe standard, por edhe për 
shumë aspekte të tjera të jetës sonë, të shqiptarëve.


Bashkim Kopliku
13.6.2008

Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 223663
Mob: +355 682200590
E-mail: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both  addresses! 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club