[AlbClub] Elektriku, më shtrenjtë me çmim të ulur

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <017c01c7e15f$9998f730$0401a8c0__8674.70679008893$1187440066$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Elektriku, më shtrenjtë me çmim të ulur
[Gazeta Shqiptare, 18.8.2007]

Janë sulur "të gjithë" që ta mbajnë të ulur çmimin e energjisë elektrike, 
pavarësisht se të gjithë e dinë se energjinë KESH-i po e blen me çmim më të 
lartë sesa po e shet.  Kryesisht dëgjohen thirrje populiste, por jo logjikë 
ekonomike.  Elektrikun, prapë se prapë po ne do ta paguajmë të gjithin, por 
ama do të na bjerë më shtrenjtë po të na e "shesin me çmim të ulur".  Çmimi 
duhet të përcaktohet nga tregu, dhe jo nga shteti, apo nga partia që do të 
mbajë pushtetin duke blerë votat me çmimet e subvencionuara.

Çmimi i elektrikut tek ne është i subvencionuar.  Edhe sikur KESH t'u marrë 
paratë të gjithë klientëve të vet, me këtë çmim që shet energjinë, del prapë 
se prapë, me humbje.  Që ky biznes të mbijetojë, duhet që shteti t'i japë 
para, pra ta subvencionojë.

Ja një llogaritje e thjeshtë.  E zëmë se KESH shpenzon në ditë 100 milionë 
lekë për të blerë elektrik, kurse nga shitja merr 80 milionë lekë.  I bie që 
çdo ditë KESH të ketë mangut në arkën e vet, 20 milionë lekë (100-80=20). 
Këto lekë KESH-it do t'ia japë shteti, pra këto lekë do të merren nga 
buxheti i shtetit, pra nga ajo arka ku mbahen paratë tona, ato që shteti na 
i merr me taksat, tatimet, dhe me ca mënyra të tjera.  Në gjuhën ekonomike, 
këto "20 milionë lekë" quhen subvencionim.

Çmimi i shitjes së elektrikut, duhet ngritur deri në atë masë sa KESH të mos 
ketë nevojë për subvencione, që të mund të ekzistojë si biznes në vete.  Kjo 
nënkupton që KESH-i edhe të sigurojë një fitim normal-nuk ekziston dot një 
biznes pa fitim.  Këto janë rregullat e lojës së tregut, e sa herë që 
prishen ato, ekonomia ka humbje.

Po ja që po bëjmë një "vetë goditje", me zgjidhjet populiste që pranojmë. 
Nxjerrin në televizion pensionistë, por edhe familje me të ardhura të ulëta, 
që ankojnë se edhe 7 lekë/kWh (7 lekë për një kilovator), çmimi i elektrikut 
është i papërballueshëm për ta.  Vërtetë që të vjen keq, kur krahason 
shpenzimet për elektrikun, prej "3000" lekë në muaj (!), me të ardhurat e 
tyre mujore prej "10 000" lekë në muaj.  E shoqëria jonë duhet t'i ndihmojë 
ata, por jo vetëm për "3000" lekët e elektrikut, por edhe për "7000 lekët" e 
të tjerave (ne themi, p.sh. t'u japë asistencë).  Por rruga e ndihmës nuk 
është fare mbajtja e çmimit të energjisë në nivelin 7 lekë/kWh (në fakt 8, 4 
lekë, se paguajmë edhe 1,4 lekë TVSH).  Nuk janë zgjidhje që ecin, as 
artificat që dëgjohen, për çmime të ndryshme, "me dy nivele", sipas 
konsumit.

Të gjitha këto zgjidhje, japin deformime në të gjithë ekonominë: deformohet 
çmimi, i cili është një nga parametrat kryesorë ndaj të cilit reagon 
ekonomia e tregut të lirë.  Këto deformime krijojnë humbje ekonomike 
marramendëse, që bëjnë që kjo ndërhyrje e ashpër e shtetit, të na kushtojnë 
shumë shtrenjtë.  Kini parasysh vetëm një fakt: jemi vend me mungesa të 
mëdha të elektrikut, dhe të gjithëve na "bie më lirë" të ngrohemi me 
elektrik!  Vetëm nëse çmimi i elektrikut do të shkojë në vlerën e vet, vetëm 
atëherë elektriku do të përdoret me nikoqirllëk-nuk do të bëjmë më absurdin 
që të përdorim një gjë që në fakt është më e shtrenjtë, në vend të tjetrës 
që është më e lirë.

KESH ka propozuar (dhe kryeministri e përkrahu nga Shkodra) që çmimi do t'u 
bëka 14,4 lekë/kWh (çmimi bazë 12 lekë, plus TVSH 2,4 lekë, baras 14,4 lekë) 
për sasinë mbi 400 kWh në muaj.  Çmimi për deri në 400 kWh në muaj, do t'u 
bëka 8,7 lekë/kWh (7,3 lekë, plus TVSH 1,46 lekë, baras 8, 7 lekë), pra 5,7 
lekë/kWh më lirë për"400 kWh-ët" e para.  Është një nga skemat e pagesës që 
përdoren edhe në perëndim, por të gjitha këto ndërhyrje të shtetit, që të 
jenë eficiente kërkojnë një nëpunës shtetëror eficient dhe të pakorruptuar: 
tamam atë që ne na mungon fare, dhe edhe për këtë shkak, këto lloj skemash 
tek ne janë një dështim i plotë.

Sa e sa abuzime do bëhen, nëse prapë do të kthehemi tek kjo "skema me çmimin 
me dy nivele", tek ajo që e patëm deri para ca muajve.  Ja njëri nga 
abuzimet-pak me shaka.  E zëmë se një komshi i varfër, do të shpenzojë vetëm 
100 kWh në muaj (fillon të kursejë).  Ai i nxjerr dy tela komshiut "të 
 pasur", dhe i pasuri furnizohet pjesërisht me energji nga shtëpia e të 
varfrit, së paku sa për kondicionerin e tij e edhe ndonjë gjë tjetër.  Në 
fund të muajit, i varfri ka blerë nga KESH-i 400 kWh, nga të cilat ka 
shpenzuar për vete 100 kWh, kurse i ka rishitur të pasurit 300 kWh me 5 
lekë/kWh më shtrenjtë seç e paguan tek KESH-i.  Edhe i pasuri, i ka blerë 
këto 300 kWh, me 0.7 lek/kWh më lirë sesa e blen nga KESH-dhe edhe i "bën 
një nder komshiut", që edhe kjo ka vlerën e vet!  Kështu, i varfri "fiton" 
çdo muaj nga 1 500 lekë (5 lekë/kWh, herë 300 kWh/muaj, baras 1 500 
lekë/muaj).  Natyrisht, kjo që shpjeguam, rrallë përdoret praktikisht, por 
shërben për të kuptuar mekanizmin e kryerjes së abuzimeve më serioze, si ato 
që lindin kur qeveria u ul çmimin konsumatorëve të mëdhenj (prodhues çeliku, 
apo të tjera lubira energjetike), atyre që janë të lidhur me të.

Ne shqiptarët kemi mjaft eksperiencat tona skandaloze, me këto çmimet e 
subvencionuara, dhe prapë i kthehemi po këtyre rrugëve të mbrapshta. 
Kujtoni çmimin e subvencionuar të vajgurit për "ngrohjen e popullsisë", që 
shitej 30 lekë/litri, kur nafta ishte 60 lekë/litri: pjesa më e madhe e 
vajgurit shitesh në të zezë për automjetet (pra jo për ngrohje), me çmim 
pothuaj sa të naftës, por, ç'ishte dhe më e keqja, duke i shkatërruar jo 
vetëm automjetet, por edhe duke e shkatërruar edhe moralin e popullit tone 
trim e të korruptuar.  Po kështu, kujtoni skandalin më të freskët, atë të 
subvencionimit të naftës për bujqësinë: "e gjitha" u rishit me çmimin e 
tregut.

Pavarësisht se mendimi ekonomik thotë se çmimet e subvencionuara kanë efekte 
negative në ekonominë shqiptare, prapë ne ka rrezik ta bëjmë.  Kjo vjen 
ngaqë mendimi i mafjes politike thotë se ka efekte shumë pozitive në 
sigurimin e votave të elektoratit: partitë po e përdorin çmimin e 
subvencionuar të elektrikut, për të blerë votat e këtij populli të shkretë 
që beson tek populizmi.  Po bëjnë po të njëjtën gjë që bënë berishistët kur 
blenë votat e informalëve (më 3 korrik 2005), duke u premtuar se do t'ua 
shesin (legalizojnë) tokat e grabitura, me çmim 10 deri 50 herë më të lirë 
se ai i tregut.

E përsërisim: ata që do ta paguajnë më tepër, nuk janë as politikanët, as 
kryeministra qofshin, por secili prej nesh, pra populli.

Kur do të fillojmë t'i diskutojmë hallet tona me laps në dorë, pra me mend?!


Bashkim Kopliku
15.8.2007
Bashkim Kopliku
Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

www.AlbClub.com
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.