[AlbClub] Fw: Hetim edhe për mos-hetimin

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <008501c7df09$4968c090$0401a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Hetim edhe për mos-hetimin
[Gazeta Shqiptare, 15.8.2007]

Shyqyr që po bëhen hetime dhe ndalime të vrasësve të nëpunësve të shtetit, 
gjatë vitit 1997, vrasjeve në Cërrik, në Vlorë, në Urën Vajgurore etj.  Por 
hetimi duhet zgjeruar edhe për mos-hetimin deri tani, gjatë gjithë këtyre 10 
vjetëve.  Ky "hetimi i mos-hetimit" duhet nisur nga fajtorët nëpunës të 
shtetit, nga ata më të vegjlit.  Të mos të humbet kohë tani për tani, me të 
mëdhenjtë, me politikanët e të tjerët me imunitete, sepse ky Kuvend i 
mbron-do të vijë koha dhe për ta.


dËnimi i fajtorËve, baza e shtetit ligjor

Fajtorët janë pothuaj njësoj, si ata që vranë (vrasësit), si ata nëpunës që 
fshehën vrasësit (mbrojtësit e vrasësve) duke mos i hetuar tash 10 vjet. 
Hetimi duhet të jetë paralelisht, si për vrasësit, si edhe për mbrojtësit e 
tyre, ata nëpunës të shtetit, që i lanë të lirë vrasësit.  Zbulimi i këtyre 
të fundit, merr prioritet për të ardhmen e shoqërisë sonë.

Që të arrijmë të bëjmë shtetin ligjor, është shumë e rëndësishme të zbulohen 
nga shteti ynë aktual, nëpunësit e tij që janë fajtorë për moszbulimin e 
vrasësve të '97-s.  Zbulimi e dënimi i tyre, do të ishte një mësim për të 
gjithë nëpunësit e tashëm e të ardhshëm të shtetit shqiptar.  Njeriu mëson 
më shumë nga pësimi.  Pësimi mbetet në memorien kolektive e influencon 
direkt ne sjelljen e secilit.  Do të ngulitej edhe tek shqiptari, se nëse 
nuk zbaton ligjin, herët a vonë do ta pësosh.

Nëse shteti ynë do të vazhdojë të mos dënojë "nëpunësit që nuk kryejnë 
detyrën", do të jenë fare pa efekt fjalët moralizuese për "kryerje të 
detyrës me nder", "duke zbatuar ligjin" etj.  Nëpunësit do të mbanin akoma 
mesazhin aktual: "kije mirë me shefin, me politikën, se nuk të gjen gjë".

Ishte më e lehtë të gjendeshin vrasësit para disa vjetësh: ngjarjet ishin më 
të freskëta.  Mundësitë shtetërore u patën krijuar me kohë.  Shqipëria u 
stabilizua pas ngjarjeve të 1997-s, e sidomos pas atyre të 1998-s (puçi 
Berisha).  U dha një përkrahje e madhe ndërkombëtare për stabilitet, bile 
edhe duke prurë këtu ushtritë e policitë e huaja, ato që na i nxorën 
gështenjat nga zjarri.  U krijua një lloj Kuvendi nga zgjedhjet e 29.6.97, u 
sajua një qeveri.  E deri në korrik 2005, vendi ynë ka bërë edhe dy herë të 
tjera zgjedhje, ka pasur qeveri, kuvende, presidentë, polici, hetuesi, 
gjykata etj..  Në këto institucione ka pasur individë që janë fajtorë për 
mos-hetim.  Mos të lejojmë që të fshihen ata, pas "fajit kolektiv", pas 
dënimit "të fenomenit" e të tjera dokrra të tilla.


SË pari tË vegjlit

Taktikisht, hetimi i mos-hetimit duhet filluar nga "më të vegjlit fare". 
Ata të vegjlit janë hetueset e thjeshtë, oficerët e thjeshtë të policisë 
(kolegët e atyre që sot po zbulojnë), oficerët e thjeshtë të SHIK-ut, të 
gjithë ata që kishin në detyrat e tyre funksionale për të kryer hetimin 
kundër vrasësve, dhe nuk e kanë bërë.  Nga këta pastaj të ngjitemi lart, tek 
më të mëdhenjtë, tek shefat-politikanët, ata që krijuan "atmosferën 
 vrastare", t'i lëmë për më vonë.

Mos të ngatërrohemi fillimisht me të mëdhenjtë, sepse do t'i shtynim të jenë 
më aktivë në sabotimin e hetimit të të vegjëlve.  Nga ana tjetër, goditja 
fillimisht e të vegjëlve, veç e veç e rast pas rasti, është më e lehtë, 
sepse të vegjlit individualisht janë më të dobët.  Një nga një, bëhen 
dhjetëra të vegjëlve të goditur, gjë që kontribuon që të zhduket raca e 
atyre pisave që bëhen me zell veglat e të mëdhenjve.  Pa të vegjlit, ata të 
mëdhenjtë janë si peshku pa ujë.

Nuk ka asnjë ligj që u lejon nëpunësve të vegjël, të mos kryejnë një detyrë 
të tillë, siç është zbulimi i vrasësve.

Nuk ka asnjë ligj që i lejon të vegjlit t'u binden "urdhrave të eprorëve", 
apo të "politikës", që të mos t'i bëjnë hetimet përkatëse për vrasje.

Prandaj, nuk kanë asnjë vlerë justifikimet si, "nuk më lanë të punoj" këta 
apo ata.  Përgjegjësia është personale, e personit të ngarkuar direkt me 
detyrat përkatëse.

Pra, dënimi i të vegjëlve mund të bëhet i shkëputur, pa pasur nevojë të 
dënohen fillimisht urdhëruesit.


UrdhËruesit e mos-hetimit

Menjëherë pas dënimit të disa fajtorëve të vegjël, duhet vazhduar me hetimin 
e urdhëruesve, e atyre që firmosën për të mbyllur hetimet.  Edhe këtu, nuk e 
kemi fjalën për politikanët e të tjerë me imunitete.  Jo, e kemi fjalën për 
eprorët e të vegjëlve, ata që urdhëruan mbylljen e çështjes, qoftë se gjoja 
"po humbet kohë kot", apo se nuk ia vlen "sepse kështu ishte koha", apo 
"sepse "i dyshuari për fajtor, është me pozitë të lartë" etj.

E këto urdhërues janë shumica pa imunitete deputetësh, gjykatësish etj., pra 
mund t'i nënshtrohen hetimit pa nevojën e heqjes së imunitetit.


PolitikanËt

Mos ta përziejmë tani hetimin me politikanët tip Nano, Berisha etj.  Jo, të 
mbarohet njëherë me fajtorët pa imunitet, e pastaj nuk kanë nga venë të 
imunizuarit-ky Kuvend nuk është i përjetshëm, edhe dy vjet jetë ka.  Duke 
bërë zap fajtorët pa imunitet, pastaj u mblidhet laku edhe atyre me 
imunitete, duke arritur edhe në rihapjen e dosjeve të shkaktarëve politikë, 
si të vrasjeve, si dhe të moszbardhjes së '97-s.  I gjithë ky proces që 
shpjeguam, do t'u hapte sytë edhe votuesve në zgjedhjet që vijnë.

Ka njerëz që mendojnë se rihapja e dosjeve të '97, pikërisht tani, nga 
qeveria bëhet për të hequr mendjen nga problemet aktuale, si kriza 
energjetike dhe krizat e tjera social-ekonomike.  Më tej, ata mendojnë se 
duhen gjetur shkaktarët politikë të ngjarjeve, pastaj të dilet në vrasjet 
konkrete.

Ka të vërteta në këto mëtime, por problemi i 97-s është aq i madh, sa nuk ka 
asnjë justifikim për të "mos u rihapur", pavarësisht motiveve, momentit apo 
mënyrës.  Mos të pengojmë punën e nisur, duke i çorientuar ata që po kryejnë 
hetimet-çdo fajtor që dënohet, është një gur në kalanë e dënimit të të 
gjithë fajtorëve.

Natyrisht, që të garantohen standardet e lirisë, duhet të kërkohet që në 
hetim të përfshihen institucionet e shtetit sipas ligjit, por ama pa penguar 
hetimin aktual, që shpresohet se po jep rezultate.

Presidenti Topi, bën mirë ta mbajë në vëzhgim institucional të gjithë këtë 
proces të rihapjes së dosjeve të '97-s.  Jemi para rrezikut që i gjithë ky 
proces të kthehet në një flakë kashte: të dënohen nja dy-tre vrasës, dhe 
kaq!


Bashkim Kopliku
11.8.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

www.AlbClub.com
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.