[AlbClub] Google dhe shkeljet urbanistike
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <02a001c7dcf1$e8bf51f0$0401a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Google dhe shkeljet urbanistike
[Gazeta Shqiptare, 11.08.2007]
Edhe interneti mund të ndihmojë në zbulimin e shkeljeve ligjore në Shqipëri.
Hapni internetin, dhe në Google Earth keni çdo pikë të globit në pëllëmbën e
dorës. Kushdo mund të fotografojë territorin, "nga sateliti", pa rrezikuar
ta zhdëpin në dru shkelësit e ligjit që i mbron shteti. Po ju paraqesim
"fotografinë" e një shkelje urbanistike-asaj që bëri bujë para ca ditësh, që
u dha edhe nga Gazeta. Ia vlen të merret si shembull i moszbatimit të
ligjit nga shteti ynë, sepse është fare e dokumentuar, dhe mu në mes të
Tiranës. Shkelja urbanistike është evidente dhe skandaloze, po aq sa është
edhe harbutllëku i shkelësve, që arrijnë të cenojnë edhe personin dhe edhe
banesën e tjetrit. Skandalin e rëndon edhe fakti që kjo shkelje guxon të
bëhet edhe në dëm të një shteti tjetër, Zvicrës, që për më tepër është një
shteti që na ka ndihmuar mjaft. Kjo të bën të dyshosh se shkelësi ka një
mbrojtje të fuqishme, fare "lart".
Po le të shpjegojmë fillimisht situatën nga ana urbanistike.
Ja foto nga sateliti (nga google earth):
Shigjeta tregon themelet e objektit abuziv (OA), një katërkëndësh kënddrejtë
me brinjë rreth 37 dhe 30 m. Objekti në perëndim të OA, është Sky Tower
("17-katëshi"), ai që ka një si rreth sipër (është bari që rrotullohet);
rruga në veri, ajo ku duken automobilat, është rruga e Lanës afër urës tek
bulevardi, rruga "Bajram Curri"; rruga në perëndim është "Dëshmorët e 4
shkurtit""; në lindje, buzë OA, është rruga "Donika Kastrioti". Në veri të
OA, dhe edhe në veri të Sky Tower, janë ndërtesa dhe troje të ambasadës
zvicerane.
Në një shtet ligjor, vetëm një shkelje e ligjit, do të mjaftonte që ndërtimi
mos të bëhej. Ja një e tillë: distanca e OA nga Sky Tower. Kjo distancë
është vetëm nja 6-8 metra. Në këtë distancë nuk mund të bëhet as edhe një
ndërtesë njëkatëshe, meqë Sky tower është 17 katesh. Kjo rezulton direkt
nga kërkesat e ligjit të urbanistikës, ku thuhet se edhe një ndërtesë
njëkatëshe të ndërtohet, ajo duhet të jetë së paku 27 metra larg Sky Tower
(ligji nr.8405, datë 17.9.1998, Për Urbanistikën, dhe VKM Nr 722, dt.
1911.1998, "Rregullorja e Urbanistikës"). Por kjo OA thuhet se është nisur
për një objekt 16-katesh. Sipas ligjit, në sheshin e OA, mund të ndërtohet
vetëm nëse OA zhvendoset, duke u shtyrë së paku 27 metra larg nga Sky Tower,
nëse do të bëhet ndërtim njëkatësh; së paku 28 m, nëse do të bëhet
trekatësh; e kështu me radhë, me 29 m apo së paku 30 m, nëse do të bëhet
pesëkatësh apo përkatësisht shtatëkatësh. Në asnjë mënyrë, nuk mund të
ndërtohet një ndërtesë e lartë në truallin e OA, sepse nuk e lejojnë normat
urbanistike në fuqi.
Ndërtimi i Sky Tower pat rënë në sy, edhe sepse ishte ndërtimi i parë i asaj
madhësie në Tiranë, dhe edhe sepse ishte ngjitur me selinë e Bankës
Botërore, e sa herë vinin drejtues të lartë të saj, u tregohej me mburrje,
si arritje e biznesit privat shqiptar. Bëheshin biseda me të huajt edhe për
urbanistikën në përgjithësi, të lidhura edhe me problemet që po lindnin,
edhe rreth Sky Tower. Ai pat përfunduar si karabina aty nga viti 1997, dhe
pas një viti, në 1998 u miratua ligji i ri urbanistik, që zmadhonte
hapësirat urbanistike, duke synuar t'u jepte frymëmarrje qyteteve tona.
Ligji i ri, indirekt penalizonte pronarët e trojeve pranë ndërtesave qe
ishin bërë tashme me ligjin e vjetër urbanistik.
"Në të gjithë Botën lindin probleme me ligjin e ri të urbanistikës, sidomos
në shtetet që nuk kanë pasur zbatuar ligje, ose kanë pasur ligje të këqija.
Që të përfitojë i gjithë qyteti, duhen rritur distancat urbanistike, e kjo
natyrisht penalizon disa pronarë trojesh. Distancat në mes ndërtesave,
hapësirat urbanistike e të tjera rregulla të tilla, duhet të zbatohen nga
shteti, kryesisht, bile edhe kur bien dakord kufitarët për t'i shkelur ato.
Kjo sepse hapësirat urbanistike janë pronë e të gjithë qytetarëve, jo vetëm
e pronarëve të trojeve." Këto ishin mendimet unanime të specialistëve të
huaj me të cilët bisedonim në Bankën Botërore. Një rast konkret ishte
"penalizimi" i kufitarëve të Sky Tower, që detyroheshin t'i largoheshin atij
me ndërtimet e tyre të ardhshme, sepse tashmë Sky Tower ishte ndërtuar.
Diku nga viti 1999, gjithsesi pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për
Urbanistikën, pat filluar përpjekja antiligjore për të ndërtuar objektin
abuziv (OA) që shpjeguam më lart.
Por ligjet në Shqipërinë tonë, në "99%" të rasteve mbeten në letër, nuk i
zbaton njeri. Për rrjedhojë, kush po pyeste për Sky Tower-ka me qindra e
mijëra shembuj kur ta ndërtojnë ndërtesën para dritares, në kundërshtim me
çdo ligj!. Ka vite me gjyqe, me policira ndërtimore, me bashki e
kryeministra, e prapë se prapë nuk po e zgjidh ky shtet problemin e OA,
sepse herë "ndërhyn Nano" (kryeministri paraardhës i Berishës), e herë
ndërhyn ky apo ai, dhe veç drejtësi nuk jepet. Tek ne nuk pyet njeri për
ligjin, por "si e ke me kryeministrin e të tijtë". Nëse e ke mirë me ta,
atëherë bëj ç'të duash sepse nuk të gjen gjë.
Ky ndërtim, OA, shkel çdo distancë urbanistike edhe me objektet e tjera, por
nuk po merremi më me shqipot, sepse ata i rregullon kollaj ajo lidhja me
kryeministrin, por po merremi me ambasadën zvicerane. Ajo është ngjitur
fare, e një ndërtesë e saj, nuk ka as 5 metra nga OA. Natyrisht, distancat
ligjore nga trualli dhe ndërtimet e ardhshme të ambasadës zvicerane, i
nënshtrohen po atij ligji shqiptar: 6 metër kur dy ndërtesa njëkatëshe janë
përball, dhe me radhë 9, 13,5; 18; 20; 23; 24; 26; 27; 28; 29 dhe 30 metra
për ndërtesat dymbëdhjetëkatëshe.
Këtë skandalin e fundit, me keqtrajtimin e fotografit të zviceranëve, duke
hyrë me dhunë disa vetë në pronën e tjetrit, për më tepër i "dokumentuar"
nga regjistrimi i kamerave të sigurisë së Sky Tower (shih Gazeta Shqiptare e
datës 6.8.2007), zor se mund ta kalonte kollaj një njeri pa lidhje të
forta-aq më tepër që ministri i ri i rendit deklaron çdo moment se do të
zbatojë veçse ligjin. Kush do të jetë ai i interesuari për këtë ndërtim
abuziv, kaq i fortë sa edhe ministri të detyrohet të thyej ligjin, duke u
lënë të vetëve, policisë, që të kuptojnë se nuk duhet të veprojnë, nuk duhet
të përzihen?! Ne themi se të gjithë këtë e shpjegon vetëm një lidhje e
fortë me kryeministrin-mbase ndonjë gazetar investigativ edhe e zbulon
konkretisht, si e qysh.
A thua do të detyrohet kësaj here, të zbatojë ligjin kryeministri, meqë
bëhet fjalë për të huaj, për zviceranët?! Apo nuk do ta zbatojë prapë, duke
bërë atë që ka bërë shpesh, ku kryesorja nga bëmat e tij mbetet ajo e
1996-97-s, kur filloi të mos ua varte as amerikanëve dhe as evropianëve,
deri sa u shkatërrua vendi, dhe edhe vetë atë, presidentin e kohës, u
detyruan ta heqin me përdhuni nga posti.
Nuk i parashikojmë dot veprimet e kryeministrit aktual, sepse ai është i
paparashikueshëm. Nuk mund ta parashikosh, kur ai nuk respekton asnjë
standard, apo rregull, apo ligji.
Përparimi ynë drejt Evropës, apo ecja mbrapa, shihet në zgjidhjen e rasteve
konkrete, dhe jo në deklaratat pompoze në Bruksel, apo në kryeministri-Bota
po na këqyr!
Bashkim Kopliku
8.08.2007
Bashkimi
Bashkim Kopliku
Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
www.AlbClub.com