[AlbClub] Ristrukturimi i Shpërndarjes, mospri vatizim
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <02d601c7e7d8$e67a10a0$0501a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Ristrukturimi i Shpërndarjes, mosprivatizim [Gazeta Shqiptare, 25.8.2007] Po ndjejmë prapë shtyrjen e privatizimit të Shpërndarjes, pjesës së KESH (Korporata Elektroenergjetike) që na sjell energjinë elektrike në shtëpitë e bizneset tona, të premtuar për t'u kryer brenda vitit 2007. Prapë po dëgjohen zëra për nevojën e ristrukturimit të saj, sepse përndryshe nuk e bleka njeri kështu siç është. Së fundi dëgjuam se qenkan paguar nja 1 milionë euro, që një firmë amerikane të ndihmojë në ristrukturimin e pastaj privatizimin e Shpërndarjes. Merakosemi sepse ka që në 1994, tash 13 vjet, që dëgjojmë këtë mani ristrukturimi, që veçse ka shërbyer për ta mbajtur shtetërore Shpërndarjen e elektrikut (por edhe të tërë KESH), ani se qenia e tij shtetëror, është arsyeja e vetme që mbesim akoma pa drita. Qeverisja duhet të marrë vendim të prerë që të kalohet menjëherë në procedurat e privatizimit, pa vazhduar më absurdin e ristrukturimeve, jo vetëm për Shpërndarjen, por edhe për Burimet. Në teorinë e privatizimeve, trajtohet edhe ristrukturimi para privatizimit, krahas privatizimit para ristrukturimit, duke ia lënë ristrukturimin ta bëjë pronari privat. Debati akademik është pa fund. Që në vitin 1992, kur filluam privatizimet e para të ndërmarrjeve, debatohesh shumë, paguheshin para shumë për ristrukturime, e asgjë nuk privatizohej. Shpëtuam nga ristrukturimo-mania, vetëm kur fitoi krahu i PD-së, që e kishte kuptuar prej kohësh se nuk kishte kuptim të ristrukturoje në kushtet shqiptare. Kështu atëherë kaluam direkt në privatizimin e qindra e mijëra ndërmarrjeve, pa pritur ristrukturimet. Kjo punë vazhdoi deri nga 1995, moment kur krahu pro ristrukturimit, fitoi prapë brenda PD-së, dhe privatizimi u ngadalësua. Ristrukturimo-mania vazhdoi edhe gjatë 8 vjetëve të pushtetit të së majtës socialiste, dhe po vazhdon prapë sot, në pushtetin e së majtës berishiste. Rezultati i ristrukturimo-manisë është mosprivatizimi, apo privatizimet me shpejtësinë e breshkës. Në kushtet e një mentaliteti korruptiv dhe moskokëçarës të nëpunësit shtetëror shqiptar, bien poshtë të gjitha teoritë e ristrukturimit para privatizimit. Këtyre teorive, tek ne u mungon baza: njeriu që do të kryejë këto ristrukturime, pra i mungon nëpunësi shtetëror i ndërgjegjshëm dhe jo i korruptuar. Në fakt, edhe në shumë shtete me nëpunës më të mirë se tanët, kjo skema ristrukturim pastaj privatizim, ka dështuar. Por po i lëmë akademizmat, duke mbetur tek fakti se në kushtet shqiptare kjo skemë është shkatërrimtare. Por le të ndalojmë konkretisht tek privatizimi i rrjetit të shpërndarjes (Shpërndarja), që është ai sektor i KESH-it, që shpie energjinë elektrike në shtëpitë dhe bizneset tona, duke e marrë nga Transmetimi, nga linjat e tensionit të lartë dhe nënstacionet e mëdha të sistemit. Transmetimi vetë, e merr energjinë nga prodhimi vendas (Burimet), ose nga importi. Pra KESH-i ka tre sektorë kryesorë: Burimet, Transmetimin dhe Shpërndarjen. Prova më skandaloze e mosprivatizimit duke u fshehur pas ristrukturimit, është vetë KESH. Ka "15 vjet" që përshkohen me dhjetëra specialistë "ristrukturues", që nga ata të Bankës Botërore, e deri tek italianët e ENEL, e tani ca amerikanë të USAID, e asgjë e hairit nuk bëhet. Por, nuk janë specialistët e huaj fajtorët kryesorë të manisë shqiptare të ristrukturimit. Jo, fajtorët kryesorë janë qeveritë shqiptare që kanë zgjedhur ristrukturimin, sepse specialistët e huaj i vinë shpesh pas avazit qeverisë.. Duhet që qeveria të orientojë privatizimin e menjëhershëm. Shpërndarja mund të privatizohet menjëherë, duke u filluar me disa variante: qoftë me privatizimin e gjithë Shpërndarjes së Shqipërisë nga një firmë e vetme (shembulli i Maqedonisë, ku një firmë austriake privatizoi në vitin 2006 të gjithë Shpërndarjen); qoftë dhe duke e ndarë Shpërndarjen, "copëzuar", që të mund të privatizohet edhe nga disa firma. Ne do të rekomandonim fort këtë variantin e dytë, pra ndarjen e Shpërndarjes në zona apo rajone të pavarura, dhe privatizimin e shkëputur të pjesëve të Shpërndarjes. Bile do të theksonim "copëzim të Shpërndarjes" deri në pjesët më të vogla të mundshme teknikisht. Ndarja e Shpërndarjes në pjesë të vogla, do të lehtësonte hyrjen e investitorëve në privatizim: është tjetër të gjesh investitor që privatizon të gjithë Shpërndarjen e Shqipërisë, dhe tjetër të gjesh, p.sh., investitor që privatizon shpërndarjen vetëm të Skraparit, apo vetëm të Durrësit. Me ndarjen e Shpërndarjes në pjesë të vogla, do të rritesh mundësia që në privatizim të marrin pjesë edhe firma shqiptare-mos të kemi maninë e investitorit strategjik të huaj, sepse ka shumë firma shqiptare që mund ta bënin mjaft mirë këtë punë. Bile, për vështirësinë që ka shpërndarja, me mendësitë e kultivuara tash sa vjet, që elektrikun mund të mos ta paguash, mbase firmat shqiptare mund të kishin avantazhe: ata e dinë mbase më mirë, se si detyrohet ky milet të "rrahë paratë", më letrarishte: të detyrohet të paguajë faturat, edhe me dhunë. Sidoqoftë, duhet të fillojnë menjëherë tenderimet, që praktika të tregojë se cili variant do të ecë më mirë-kryesorja është të privatizohet, që të kemi drita, e mos të vazhdojmë të humbim me miliona euro çdo ditë. Bashkim Kopliku 23.8.2007 Phone: +355 (0)52 23663 Mobile: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: [email protected] www.AlbClub.com