[AlbClub] Bëmë baba (mos) të të ngjaj

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <0c7301c7e931$9c704060$0501a8c0__24900.7347076715$1188491216$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Bëmë baba (mos) të të ngjaj
[Gazeta Shqiptare, 28.08.2007]

Blerja e fundit politike e Kryeministrit, ishte emërimi në postin e 
këshilltarit të ministrit të jashtëm të Shqipërisë, e nipit të Mbretit të 
Shqiptarëve, Zogut të parë.  Duket se kjo u krye për të dobësuar të 
djathtën, kandidaturën për deputet të Dashamir Shehit, kryetar i LZHK-së 
(Lëvizja për Zhvillim Kombëtar).  Ne e kemi shpjeguar sesi kryeministri 
aktual e ka zanat të vetin shpartallimin nga brenda të partive të 
kundërshtarëve politikë, prandaj edhe kjo lëvizja e tij e fundit, nuk përbën 
ndonjë surprizë.  Ajo që na pikëllon është sesi edhe trashëgimtarët e 
mbretit të Shqiptarëve, u shitën për interesa meskine, për një post 
këshilltari, qoftë edhe për kthimin jashtë radhe të pronave me vlerë prej 
disa miliona euro: e djathta nuk ka ç'pret më nga ata.  E pra nuk qenka e 
thënë të jetë e vërtetë gjithnjë, fjala e urtë, "Bëmë baba të të 
 ngjaj"-pasardhësit e Zogut të parë, fatkeqësisht nuk i paskan ngjarë babait 
e gjyshit të tyre, gjë që e mbyll përfundimisht ëndrrën e monarkisë 
shqiptare.


Kryeministri

Sapo Kryeministri (z. Berisha) urdhëroi bërjen këshilltar të ministrit të 
jashtëm, të djaloshi pa asnjë lloj eksperience në jetë dhe në punë, nipi i 
mbretit Zog, çdo njeri mendoi: përse?!  Ky nip nuk ka asnjë lloj 
eksperience, nuk ka punuar kurrë, me një fjalë nuk ka asnjë lloj të dhënë 
për të kryer atë detyrë të lartë.  Mbetet si e vetmja arsye, keqpërdorimi 
nga kryeministri ynë aktual, për t'u përdorur për garantimin e pushtetit të 
tij personal-si çdo gjë që bën Ai, xhanëm.

Më konkretisht, qëllimi i Kryeministrit, ai që na vjen ndër mend shpejt e 
shpejt, lidhet me mospranimin e nxjerrjes si kandidat për deputet të 
mazhorancës, të z. Dashamir Shehi.  Kryeministri nuk do në asnjë mënyrë një 
kandidaturë të djathtë, dhe prandaj ose duhet të detyrojë dorëheqjen e z. 
Shehi, ose duhet të dobësojë konkurrencën e tij në garën elektorale.  Dhënia 
e një ofiqi të pamerituar djalit të z. Lekë, synon të zbehë kundërshtimin e 
zogistëve për luftën kryeministrore kundër të djathtës në përgjithësi, dhe 
kundër z. Shehi në veçanti.

Dihet se deri nga 1996-ta, z. Berisha e kishte shfaqur publikisht qenien e 
tij anti-zogist i vendosur, qoftë në deklamimet e tij, qoftë dhe në veprimet 
e tij-për vite të tëra, ai nuk lejoi hyrjen në Shqipëri të familjes së 
mbretit Zog etj.  Më vonë, zhvillimet politike ia kërkuan të ndërrojë 
taktikë.  Por mbeti konsekuent në ruajtjen e kolltukut të vet: qoftë 
nëpërmjet marrjes së vendit të parë si "antikomunisti më i madh i të gjithë 
kohërave", që i rrezikohej nga fama më e madhe e të ndjerit mbretit Zog, 
qoftë dhe duke shkatërruar atë të djathtë që shihte vazhdueshmërinë e 
traditave të veta, tek pasuesit e mbretit, tek i biri dhe tek nipi, dhe jo 
tek një ish-komunist, bile komunist i niveleve të larta, siç është vetë 
kryeministri ynë.


Nipi

Një pasardhës i mbretit Zog, nipi i tij, nuk duhet kurrsesi të bënte 
veprimin prej lëngaraqi, të pranimit të një posti të pamerituar.  Ai duhet 
ta dijë, se fundja nuk është krejt foshnje, se nuk ka se ç'të këshillojë të 
tjerët, kur i duhet pikë së pari, të përfundojë arsimimin e vet, dhe edhe të 
mbledhë eksperiencë në punë të niveleve më të ulëta.  Dorëzimi para joshjeve 
berishiste, tregon se nuk ka marrë fare nga gjyshi i vet.

Mbreti Zog ishte vetëm 17 vjeç kur ishte nënkolonel, në krye të 2000 vetëve 
në mbrojtje të kufijve nga malazezët dhe serbët; ishte në krye të 25 
matjanëve në mbledhjen e pavarësisë në Vlorë, në vitin 1912, krah për krah 
Ismail Qemalit etj.  E pastaj jeta e gjyshit, është e mbushur me përpjekje 
titanike për të çarë në karrierën politike, me përpjekje vetjake, e në të 
mirë të Shqipërisë, por jo një kukull e manipuluar nga një diktator.  Duket 
se nipi i ngjan t' atit, ja pse e themi këtë.


I biri

Sepse zhgënjimin më të madh e ka shkaktuar i biri i mbretit Zog, z. Leka. 
Ai pushoi përpjekjen e tij politike, në momentin që Kryeministri i dha 
pronat që i kishte sekuestruar regjimi komunist.  Z. Leka ishte mjaft 
elokuent, mjaft karizmatik, mjaft i vendosur, kur shpaloste doktrinën e tij 
në shërbim të Shqipërisë; e respektonim, ani se ne, si republikanë, nuk 
ishim dakord me shumë nga zgjidhjet e ofruara nga ai.  Por shumë shqiptarë 
ishin me të, bile në momentet e dëshpërimit mbarëkombëtar të vitit 1997, 
shumë, mbase shumica, i dhanë votën referendumit për monarkinë.  Por lufta e 
tij politike, ishte gjithnjë pak e çuditshme.  Fillimisht krijoi e udhëhoqi 
Legalitetet (disa parti, e disa kryetarë njëkohësisht), LZHK-në  etj., e 
pastaj u tërhoq "e doli mbi palët", deklaroi se ai mbështet edhe të majtën, 
edhe të djathtën etj.  Të gjitha këto, nuk i shpjegonin dot as pasuesit e 
tij të ngushtë, por ia falnin "për hatër të babait të tij".  Tani aksioni i 
tij politik është ndërprerë fare, sapo mori pronat në të gjithë Shqipërinë, 
dhe mijëra metra katrorë mu në mes të Tiranës, duke nxjerrë jashtë Shtëpinë 
e Fëmijëve, kur ndër kohë pronarëve të tjerë nuk ua kthejnë pronat edhe kur 
mbi to ndodhet veç një zyrë koti e qeverisjes!

Tani jemi të bindur përfundimisht, se aksioni i tij politik do të kishte 
pushuar, pavarësisht se cila e majtë do t'i jepte pronat, PD-ja, PS-ja, 
LSI-ja apo çdo tjetër.


Mbarimi i ëndrrës së monarkisë

Me të drejtë lind mendimi: këta njerëz, familjarët e Zogut, e paskan pasur 
të gjithë hallin tek pronat dhe tek karriera e vet, dhe jo tek Shqipëria, jo 
tek e djathta e mbretit Zog, që arriti para 70 vjetësh të bëjë një Shqipëri 
më të tregut të lirë, më të privatizuar seç është sot.  Mbase ka ardhur koha 
të mbyllet përfundimisht varianti shqiptar i monarkisë, duke mbetur me 
mirënjohjen personalisht ndaj mbretit Zog e pasuesve të vet bashkëkohës, për 
të gjitha vitet e përpjekjeve të tyre për të krijuar e forcuar shtetin 
shqiptar, si dhe për rrëzimin e komunizmit, gjatë periudhës 1912-1990.  Nuk 
mund të ketë monarki, pa vijueshmëri tradite familjare, doktrinare, 
patriotike e morale, të vetë pasardhësve, të familjes mbretërore.

Bashkim Kopliku
25.7.2007

Phone: +355 (0)52 23663
Mobile: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

www.AlbClub.com
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.