[AlbClub] Robërimi i ri i fshatarit
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <005b01c7f47f$b8d502a0$1601a8c0@rega> |
*** AlbClub Discussion List *** Robërimi i ri i fshatarit [Gazeta Shqiptare, 11.9.2007] Po dëgjojmë se shteti do t'u sekuestrojë tokën pronarëve, sepse nuk e punuakan siç i pëlqen kryeministrit; pastaj zbutet, dhe thuhet se do t'u vërë taksa më të larta atyre që e punojnë më pak tokën, dhe më të ulëta, atyre që e punojnë më shumë tokën. E pastaj seç flitet për disa rimbursime pjesore tatimesh për fshatarët, jo "6%", e jo aq e kaq për qind, kur fshatarët deri tani nuk kanë paguar fare tatime! Nuk merr vesh njeri se ç'po bëhet. Por një gjë është e sigurt: shteti po përgatitet t'i përzihet fshatarit në punët e tija, ose me premtime proteksioniste, ose me kërcënime sekuestrimesh e detyrimesh të bëjë punë "angari", ose dhe ngatërresa të tjera, që veçse synojnë ta robërojnë prapë fshatarin, si në komunizëm. Kjo po bëhet duke kaluar në etatizëm, në përzierjen me tepri të shtetit në vendimet individuale te fshatarit. Duke njohur mirë raste të ngjashme, kemi shumë frikë se qëllimi përfundimtar është robërimi i fshatarit, për t'i marrë votën. dëm ekonomik Fshati do të dëmtohet ekonomikisht. Mundohemi të gjejmë ndonjë material racional, qoftë me shkrim, apo fundja dhe me zë, por nuk ka burrë të gjejë gjë, në këtë qeverisje rrëmujë dhe të mbyllur, prandaj dhe nuk mund të bëjmë llogaritje me shifra. Nejse, një gjë mund ta themi me siguri: etatizmi në bujqësi, qoftë dhe me shprehjen e tij populiste, të proteksionizmit, do të sillte ekonomikisht dëme të mëdha. Dëmet e këtyre doktrinave, janë shumë fish më të mëdha, në vendet ku ka nëpunës shtetërorë të korruptuar, dhe të paaftë, siç është rasti i vendit tonë. Ne kemi një eksperiencë të gjatë dështimesh, sa herë është tentuar të hyhet në skema proteksionizmi, që me subvencionimet për farërat; për mbjellje të kësaj apo asaj bime; të traktorëve të subvencionuar; të ndërtimit me para "japoneze" apo të huaja, "të serave"; e deri tek shitja e karburantit me çmim të subvencionuar. Dikush po flet prapë për subvencionin e bizneseve vetëm "në fëmijërinë e tyre" (infant industry protection), sa të nisin, se pastaj subvencioni do t'u heqka sepse biznesi do të vazhduaka me këmbët e veta. Por kjo është provuar sa e sa herë tek ne, dhe ka rezultuar, në shumicën e rasteve, se pas ndërprerjes së subvencionit, është ndërprerë menjëherë dhe aktiviteti që duhet të kishte kaluar me sukses "fëmijërinë e tij": fëmija i subvencionit shqiptar ka vdekur, sapo është shkëputet nga reanimacioni proteksionist-kjo është provë se gjithë paratë e subvencionit kanë shkuar kot. Paratë po shpenzohen pa eficencë Është e sigurt se subvencionimi i fshatarëve të veçantë, qoftë për veprime të tyre sipas udhëzimeve të pushtetarëve, qoftë edhe konkretisht "për mos lënien djerrë të tokës" (subvencionim për punimin e saj), është joeficient për sa i përket harxhimit të parave të buxhetit, pra të parave tona, "të popullit". Do të ishte shumë më mirë që këto para, të shkonin po në ndihmë të fshatit, por drejtë grupimeve, drejtë bashkësive e "jo tek persona të veçantë", pra jo të përfundojnë në xhepat e fshatarëve me emra konkretë. Paratë duhet të jepen për një rreth apo për një krahinë, apo për një grup fshatrash, apo fundja edhe për një fshat. Konkretisht, ato "100 milionë euro të vitit 2007" që përmendin qeveritarët se po shpenzohen për subvencionime, për fshatarë të përzgjedhur, sipas listave me emra e mbiemra, mos të shpenzohen për ta individ për individ, por të shpenzohen për investime të përgjithshme. Këto investime të përgjithshme, mund të jenë ndërtimi e riparimi i rrugëve që lidhin fshatrat me qytetin, apo me qendrat ku mund të shiten prodhimet e tyre, apo dhe shtëpitë dhe arat e fshatarëve mes tyre; apo, edhe të shpenzohen për sistemimin apo ndërtimin e impianteve ujitëse apo kulluese. Fundja të shpenzohen edhe për të subvencionuar ndërtimin e ujësjellësve e kanalizimeve, për të luftuar sëmundje që prekin zona të tëra, apo dhe insektet që prishin bimët në një zonë të madhe, si sulmi i karkalecave etj. etj. Korrupsion Nëse paratë do t'u shpërndahen fshatarëve individ për individ, në rastin më të mirë, do të përfundonte një pjesë e mirë e tyre, në xhepat e rrjetit të nëpunësve shtetërorë që caktojnë (përzgjedhin) se cili fshatar e merr "subvencionimin" dhe cili jo. Këta nëpunës, menjëherë do të vendosnin ryshfetin e tyre, të cilin duhet ta paguajë fshatari që të mund të marrë paratë e subvencionit. Shpresa se "me vendosjen e kritereve", zgjidhet problemi që paratë të shkojnë direkt tek ai që i plotëson kriteret, është naivitet, ose hipokrizi. Shteti në fshat, duhet të përqendrohet individualisht, vetëm tek ata individë që nuk mbijetojnë dot pa ndihmën sociale (pa asistencën)-e këtë të përpiqet ta bëjë mirë, se ka edhe këtu, me mijëra raste abuzimi, qoftë për marrje ndihme të pamerituar, qoftë për mosdhënien e saj atij që e ka të nevojshme. Me të tjerat individ për individ, duhet të merret automatikisht tregu i lirë, konkurrenca. Shtypje politike Korrupsioni kryesor, shtypja, robërim, që fshihen pas gjithë kësaj loje me fshatin, është ai politik. Kryeministri duket se ka projektuar një blerje të re masive të votës, apo një rrëmbim me dhunë të saj-dikush thotë se kjo është si reaksion i "fushatës drejt fshatit" që po ndërmerr z. Rama, kryetari i opozitës. Mbase! E rëndësishme është se po tentohet që fshatit t'i merret liria që kishte fituar këto 16 vjet, liria nga detyrimi që për çdo gjë t'i shtrinte dorën sundimtarëve politikë në fuqi. Fshatari mori tokën, dhe u bë pronar individual i lirë, u ribë me blegtori, frutikulturë etj. Ai tani mund ta shesë, ta blejë, ta dhurojë, ta punojë, mos ta punojë tokën e tij, sipas leverdisë së tij, pa ndërhyrjen e politikanëve. Fshatari shpëtoi nga kooperativa, nga tufëzimi i detyruar, nga organizata e partisë komuniste, nga sigurimi, nga shteti, duke filluar në vitin 1991, me ligjet për tokën (ligji 7501 etj.). Tani kryeministri aktual do ta robërojë përsëri, ta kthejë prapë në një vasal të partisë në fuqi, siç ishte në komunizëm. Nuk e kemi fjalën që fshatari të mos paguajë tatime-mbase ka ardhur koha që ai të paguajë tatime si çdo biznes tjetër-por detyrimet e tij ndaj shtetit, por edhe ndihma që shteti i jep atij, duhet të mos varen nga fakti se e ka emrin Sytki, Sotir, apo Sandër, është me PD-në apo PS-në, apo me asnjërën. Bile tatimet duhet të jenë ose sipas pronës që ka (sa më e madhe toka, aq më i madh tatimi), ose edhe sipas prodhimit (sa më i madh prodhimi, apo fitimi, aq më i madh tatimi), dhe jo e kundërta! Por tatimet, në rastin e kryeministrit aktual, janë thjeshtë një armë për të siguruar kolltukun e vet, e nuk përdoren për qëllimin që kanë ato në Botën demokratike dhe të lirë. Ajo që po përpiqet të bëjë kryeministri aktual, është një formë e re e robërimit të fshatarit, duke e joshur me llafe, duke i thënë po të fal "6%", kur atij do t'i marrësh, sepse deri dje nuk paguante gjë fare. Apo duke i thënë, "po të jap ty kaq, e atij tjetrit aq, apo fare", duke u futur në skema gjoja proteksioniste, por që nuk janë gjë tjetër veçse përdorim (keqpërdorim) i parave të buxhetit, për të blerë votat e fshatarëve, ose për t'i detyruar të votojnë për "për qeverinë", se përndryshe u pritet "vërshimi i parave", apo dhe ju sekuestrohet prona (toka). Procesi i robërimit të fshatit, është në princip po ai që ka nisur me klientelizmin në qytete, në bizneset anë e mbanë Shqipërisë. Mos kujtoni se nuk na vjen radha secilit prej nesh, pavarësisht se nuk jemi fshatarë apo biznesmenë-kujdes! Bashkim Kopliku 6.9.2007