[AlbClub] Tregti pa afishim çmimesh
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <003101c7f697$f6dc0f20$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Tregti pa afishim çmimesh [Gazeta Shqiptare, 14.9.2007] Në shumicën e dyqaneve shqiptare, mallrat vazhdojnë të jenë pa çmime të afishuara. Kjo është sëmundje e vjetër, që në fillimet e viteve '90, kur u rrëzua komunizmi-në komunizëm kishte me qindra herë më pak mallra e dyqane, e prandaj ajo periudhë nuk mund të merret si shembull i mirë. Mos afishimi i çmimeve nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar, as në SHBA (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), as në BE (Bashkimi Evropian), as edhe në ndonjë vend ballkanik jo anëtar i BE, dhe as në vendet e zhvilluara aziatike-ato që i kemi parë me sytë tanë. Afishimi i çmimeve është bazë për mirëfunksionimin e konkurrencës, është një "ulës i çmimit". Qeveria, me pak dëshirë, mund t'i detyrojë shitësit që të afishojnë çmimet. Përse nuk e bën? Sepse nuk e ka mendjen për të rregulluar punët e Shqipërisë, por vetëm për të mbajtur me çdo kusht pushtetin e vet: rëndësia e afishimit të çmimeve, kuptohet pak nga populli, e si rezultat influencon pak në votat e zgjedhjeve. Një ndër kushtet bazë të mirëfunksionimit të tregut, është ekzistenca e shumë ofruesve (shitësve: në këtë shkrim, edhe në kuptimin e pronarëve të bizneseve), e natyrisht edhe e shumë kërkuesve (blerësve) të mallrave të ofruar. Për shumë mallra, tek ne tashmë është siguruar ky kusht-bile nganjëherë me tepri, sepse ke ngjitur fare, të njëjtat dyqane, të njëjtat pika furnizimi me karburant etj. Por nejse, nuk ka ndonjë të keqe të madhe që janë, derisa u del për të mbijetuar. Kur ka shumë shitës, ata bëjnë garë të vërtetë me njëri-tjetrin: kush të shesë më shumë, gjë që i detyron edhe të ulin çmimet, që të joshin sa më shumë blerës. Kjo sepse për të njëjtin mall, me të njëjtën cilësi, me të njëjtin pozicion dyqani etj., është pikërisht çmimi, ai që përcakton sasinë e shitur. Por që çmimi të luajë rolin e vet, kërkesa e parë është që të merret vesh lehtë sesa është. Por kur shitësi nuk afishon çmimin, ai i vështirëson blerësit procesin e përzgjedhjes së çmimit, gjë që pengon zhvillimin e garës në mes shitësve, gjë që shpie në mbajtjen lart të çmimeve. Shumë shitës, kur i pyet sa kushton, të përgjigjen, pasi të masin me sy: "bën 100, por për ty 80". Ka të tjerë që thjeshtë të japin çmimin, pa bërë sikur po ta ulin. Por ka edhe që mezi të përgjigjen, që ti të turpërohesh e të vendosësh të blesh, pa arritur të krahasosh çmimet. Të gjithë këtyre shitësve, po guxove t'u kujtosh se ka një ligj që i detyron të afishojnë çmimet, të shohin me inat dhe të përgjigjen: "dyqani është imi, po deshe blej, po deshe ik". Ka edhe blerës që kur shohin dyqan pa çmime të afishuara, dalin jashtë, sepse ndjejnë erën e mashtrimit. Por këta blerës janë akoma shumë pak, prandaj nuk mjafton vetëm bojkoti i tyre, që shitësit të detyrohen afishojnë çmimet. Prandaj duhet patjetër ndërhyrja e shtetit. Natyrisht që ka organe të shtetit, që janë përgjegjës që të afishohen çmimet. Ka edhe persona përgjegjës në çdo qytet e fshat, persona që u dihet emri dhe mbiemri, e që janë fajtorë që nuk i detyrojnë shitësit në zonën e tyre, që të afishojnë çmimet. Pra ka nëpunës të shtetit që janë fajtorë direkt sepse nuk zbatojnë ligjin, nuk kryejnë detyrat e tyre funksionale. Natyrisht që ka edhe prokurorë, me emër e mbiemër, që duhet të hapnin procese kundër nëpunësve shtetërorë që nuk zbatojnë ligjin, e këtë duhet ta bënin kryesisht, pa nevojë që dikush t'u bëjë kallëzime në prokurori. Askush nuk lëviz të kryej detyrat e tij funksionale. Ka vite, së paku që në vitin 1995, që ka dalë ligji i parë për mbrojtjen e konsumatorit, në të cilin kemi pasë përfshirë detyrimin e afishimit të çmimeve, bile duke përcaktuar edhe detyrimet që të jepen të dhëna të qarta jo vetëm për çmimin po e po, por edhe për cilësitë e mallit, bile me detyrimin që të jenë edhe në gjuhën shqipe etj. (ligji nr.8044, datë 7.12.1995 "Për Konkurrencën"). Por po i lëmë të tjerat, dhe po përqendrohemi vetëm tek afishimi i çmimit. Fatkeqësisht tek ne ka shumë që u duket gjë e parëndësishme ky afishimi i çmimeve, sepse paska me mijëra gjëra më të rëndësishme që duhet të bëjë kjo qeveri, si p.sh. dritat, uji, punësimi etj. E kanë gabim, sepse çdo zyrtar i shtetit duhet të kryej detyrat e veta, sepse nuk është se të gjithë merren me "ato kryesoret". Ka shumë nëpunës që marrin rrogën, nga paratë tona, pikërisht e vetëm që të na rregullojnë këtë "gjënë jo kryesore": detyrimin e shitësve për të afishuar çmimet-e këta nëpunës nuk janë pak. Në vendet e zhvilluara, ku afishohen çmimet, ka shumë qytetarë që e dinë rëndësinë e afishimit të çmimeve, dhe prandaj në ato vende, çmimet afishohen. Atje u kërkojnë llogari qeverisë së tyre, edhe për këtë gjë "jo kryesore"-e prandaj thonë se çdo popull ka qeverinë që meriton. Tifozët e qeverisjes aktuale, do të thonë se "pa afishim çmimesh" ka qenë edhe në kohën e socialistëve-sikur nuk e dimë këtë të gjithë, e sikur nuk e thamë dhe ne që në fillim! Po sa e keqe kjo mania e justifikimit të mosecjes së vendit: të kujton ato krahasimet komuniste të vitit 1989, me vitin 1939! E pra nuk do asnjë para, asnjë investim, për të afishuar çmimet, do vetëm të duash të ndihmosh vendin tënd. Sa mirë do të ishte nëse ne shqipot do të bëheshim "të këqij" me nëpunësit e shtetit, me qeverinë, dhe pastaj edhe me vetë shitësit (pronarët), duke u kërkuar zbatimin e ligjit?! Së paku ta mbajmë mend në zgjedhjet që do të vinë, se kjo qeveri nuk ka çarë kokën as që të afishohen çmimet e mallrave në dyqane. Bashkim Kopliku 11.9.2007 Bashkim Kopliku Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]>