[AlbClub] Bumerangu i vetëheqjes së imuniteti t
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <00ff01c7fa88$35acecd0$7301a8c0__35069.9412673295$1190205928$gmane$org@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Bumerangu i vetëheqjes së imunitetit [Gazeta Shqiptare, 19.9.2007] "T'ia heqë vetes imunitetin, ministri Basha", është kërkesa që po dëgjojmë nga shumë politikanë të opozitës. Kjo kërkesë paraqitet si domosdoshmëri që drejtësia të mund të kryejë detyrat e veta në lidhje me akuzat publike për korrupsionin me "rrugën e Kosovës". Por, edhe në qoftë se kjo kërkesë po bëhet me qëllim të mirë, kjo "vetëheqja e imunitetit" është një bumerang që godet vendin nga niset: qëllimin e mirë me gjithë personat bartës të këtij qëllimi; ai godet bazat e demokracisë, si pavarësia e personit me imunitet (qoftë ministër, deputet etj.), zbatimi i ligjit nga nëpunësit e shtetit etj. Politika jonë duhet të kërkojë zgjidhje pa prekur principet e mirëfunksionimit të demokracisë, sepse në të kundërt, i hap rrugën dëmeve shumë më të rënda sesa vjedhja e disa miliona eurove që po përfliten për Rrugën: rrezikohet kapja e shtetit nga diktatorët. Na merakos kjo kërkesë e "vetëheqjes së imunitetit", edhe sepse na tingëllon si pretekst për diçka tjetër, që nuk lidhet me Rrugën, sepse në rastin konkret, heqja e imunitetit nuk është as domosdoshmëri: Prokuroria mund t'i përfundojë hetimet për akuzat e bëra, dhe Gjykata mund të japë vendimin e saj, për shumë nëpunës të shtetit që duket se kanë shkelur ligjet, qofshin vetëm ata pa imunitet. Gjithsesi, ndërtimi i Rrugës nuk duhet të ngadalësohet për asnjë çast, pavarësisht pisllëqeve të mundshme dhe të zakonshme të zyrtarëve aktualë: rruga duhet përfunduar sa më parë. Imuniteti Nuk duhet kërkuar që një ministër (qoftë dhe çdo funksionar tjetër, xhanëm) t'i heqë vetes imunitetin, sa herë ngrihen akuza për të. Po të ishte kështu, mjafton t'i sajosh një zhurmë mediatike, dhe e zhveshke nga imuniteti çdo person. Po ta mendosh më gjatë, del se për imunitetin e zyrtarëve të shtetit, kemi më shumë nevojë ne, populli, sesa vetë ata. Duke pasur zyrtarë me imunitet, pra të mbrojtur nga ligji, kemi më shumë garanci se ata do t'i kryejnë më mirë detyrat e tyre për ne, "për popullin", po deshëm të përdorim shprehje patetike. Një zyrtar i lartë pa imunitet (ministër, deputet etj.), do të ishte më lehtë i kthyeshëm në një gur shahu në duart e kryeministrit-zyrtar tamam ashtu siç e kanë qejf shumë diktatorët. Prandaj dhe rregullat e lojës demokratike, që jemi detyruar të fusim edhe ne në legjislacionin tonë, u kanë siguruar imunitetin zyrtarëve të lartë të shtetit, e përsërisim: që ata mos të tremben nga diktatorët që mund t'u qëllojë të kenë mbi krye. Edhe një hollësi formale. Me ligjin tonë, nëpunësi me imunitet, nuk ia heq dot vetes imunitetin, sado që të bëjë "trimin", sado që "ta kërkojë vetë". Konkretisht imuniteti i hiqet ministrit vetëm nga Kuvendi, sipas kërkesës së Prokurorisë, dhe jo sipas kërkesës së vetë ministrit. Edhe ky rregull formal, shërben për të garantuar një ministër trim, dhe jo servil të kryeministrit. Nga ana tjetër, nëse ministri dyshohet fort për fajtor, është Kuvendi që duhet t'i heqë imunitetin. Po si i bëhet hallit, kur Kuvendi nuk pranon t'i heqë imunitetin, sepse shumica e tij mbron ministrin fajtor? Edhe po të ndodhte kështu, zgjidhja nuk do kërkuar në improvizime jashtëligjore, si kjo "vetëheqja e imunitetit". Forcat e interesuara për vendosjen e drejtësisë duhet të vazhdojnë përpjekjet e tyre për drejtësi, sipas rregullave të lojës: sqarimi i opinionit publik, sqarimi i deputetëve të ndershëm, protestat publike, kërkesa për zgjedhje të parakohshme që të hiqen ministrat me gjithë kryeministrin etj. etj. Janë naive, por edhe shumë të rrezikshme, këto improvizimet me zgjidhje me thyerje të ligjit, apo ç'është më e keqja, me ndryshime ligjesh, të justifikuara që "i miri" të mund t'i heqë imunitetin "të keqit". Kjo zgjidhja me ndryshimin e ligjeve të imunitetit, u pat kërkuar me insistim nga kryeministri aktual, sapo mori karrigen. Ai dështoi, dhe ligjet nuk u prekën-dështimi i heqjes së imunitetit, qe një shpresë se institucionet tona demokratike nuk janë tashmë dhe aq të dobëta, sepse as z. Berisha nuk i shkatërroi dot. A mos është halli gjetiu, tek heqja njëherë e mirë e imunitetit? A mos ajo që kryeministri nuk arriti dot ballë për ballë, po tenton ta realizojë tani, me këtë lojën që "për inati" të një ministri, opozita të bjerë dakord që të ndryshohen ligjet, që t'u hiqet imuniteti "të gjithëve"?! Kush janë kësaj radhe "gjashtëshja" e opozitës në shërbim të kryeministrit, që përbën kolonën e peste të kryeministrit, tek opozita?! Nejse, kjo është temë për një analizë tjetër. Zbatimi i ligjit Nëpunësi i shtetit është përgjegjës individualisht për shkeljen e ligjeve. Ai duhet të zbatojë ligjin, dhe jo urdhrat antiligjorë të eprorëve të tij. Por, në këtë "çështjen e Rrugës", nxjerr krye edhe një koncept i trashëguar nga regjimet diktatoriale: "nuk kanë faj nëpunësit e shkretë, se i ka urdhëruar ministri, apo kryeministri". Drejtësia do të japë një kontribut të madh, nëse vë para përgjegjësisë, dhe edhe i dënon nëpunësit "e vegjël" që kanë bërë veprime në kundërshtim me ligjin. Do të mbillej frika se "e ha" (dënohesh), po shkele ligjin, sado që ta kesh mbajtur mirë me eprorin. "E frika ruan vreshtat", pra frika do të bënte që të kemi një nëpunës shtetëror që zbaton ligjin. Nëpunësi duhet te ketë më shumë frikë nga moszbatimi i ligjit, sesa nga moszbatimi i urdhrave në kundërshtim me ligjin, të marra nga eprori i tij "me imunitet". Moralistëve, atyre që duan "nëpunës të ndërgjegjshëm jo nga frika", ju themi që të mos merakosen, se pas mësimit nga frika, vjen edhe ndërgjegjja, edukata e respektit për ligjin! E ajo që ka më shumë nevojë urgjente shoqëria jonë aktuale, është pikërisht pasja e nëpunësve që zbatojnë ligjin. E duket se çështja e Rrugës, nga ana juridike është fare e lehtë për t'u zgjidhur. Ato "18 shkeljet" e saj, janë kryer nga nëpunës konkretë, të cilët kanë lënë gjurmë, qoftë "duke vënë firma", qoftë dhe duke vepruar "pa pasur firmat". Legjislacioni ynë nuk ka të shkruar asgjëkund, se "po tha eprori të shkelësh ligjin, shkele". Në këto kushte, drejtësia mund t'i dënojë fajtorët pa imunitet. Fajtorët me imunitet le të dënohen kur t'u vijë radha-theksojmë se dënimi i vartësve të tyre, ua shpejton fundin edhe atyre vetë. Pra, Prokuroria duhet të vazhdojë punën e saj, pa e ndërprerë hetimin, edhe nëse Kuvendi refuzon kërkesën eventuale për heqje imuniteti. Le ta zënë se "i pandehuri me imunitet vrau veten"-që mos qoftë e thënë. Nëse Prokuroria dhe Gjykata, nuk kryejnë detyrat e tyre, "gjoja se nuk punuakan dot pa hequr imunitetet", atëherë formojmë bindjen se ato po nxjerrin bidate të tilla, ose për të justifikuar frikën e tyre nga politika, ose, ç'është dhe më keq, sepse janë të lidhura me krimin politik. Gjithsesi, ndërtimi i Rrugës duhet të vazhdojë pa u influencuar nga hetimet e gjykimet përkatëse, sepse kjo rrugë është me rëndësi shumë të madhe për kombin tonë: llogaritë me firmat që po punojnë, mund të mbyllen në fund të ndërtimit të saj! Bashkim Kopliku 15.9.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]>