[AlbClub] Planet urbanistike, jo bllokuese, po r nxitëse të zhvillimit

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <02e401c7fe69$33b3a1a0$7301a8c0__45115.88069513$1190634724$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***





Planet urbanistike, jo bllokuese, por nxitëse të zhvillimit
[Gazeta shqiptare, 24.9.2007]

Së fundi ishte kryetari i Bashkisë Tiranë, që rihodhi idenë e "bllokimit të 
çdo zhvillimi urban, derisa të ketë përfunduar plani urbanistik" (Gazeta 
Shqiptare, "Vizioni im për Tiranën ", datë 18.9.2007).  Por, kjo idea e 
bllokimit të biznesit, derisa një zyrtar shtetëror të ketë mbaruar 
 "shkresat" e veta (planet urbanistike, në këtë rast), është shumë e vjetër. 
Jemi ndeshur me të që në hapat e para të Shqipërisë postkomuniste, e 
fatkeqësisht është një sëmundje nga e cila akoma vazhdon të vuajë, si 
administrata shtetërore, si dhe mendimi "akademik"-ani se ky bllokim i 
kushton ekonomisë sonë miliarda dollarë; ani se ky bllokim është veçse në 
letër, se në praktikë bllokohen të ndershmit, dhe rriten shkeljet 
urbanistike dhe korrupsioni.  Duhet bërë e kundërta: planet urbanistike 
duhet të bëhen shpejt që të jenë nxitëse të zhvillimit, qoftë dhe me koston 
e thjeshtimit të tyre fare.

Në fillimet e viteve '90, filloi trysnia (presioni) i privatëve për të 
ndërtuar.  Liria, tregu i lirë, u dha mundësi njerëzve për t'u bërë me para, 
dhe investimi i parë i tyre qe tek ndërtimi i banesave, dyqaneve dhe 
bizneseve të vogla.  Qeverisësit, qofshin qendrorë, qofshin lokalë, kishin 
dy qëndrime të ndryshme.  Njëri grup ishte për bërje planesh të detajuara 
urbanistike, me hollësitë më "akademike" që mund të mendohet; grupi tjetër 
ishte për të bërë plane të përgjithshme, të thjeshta e të shpejta, lehtë të 
zbatueshme, dhe që në të ardhmen mund të detajoheshin e të përmirësoheshin 
dora dorës.


Prisni të mbarojmë njëherë planet

Ata të grupit që donin plane të detajuara urbanistike, kërkonin të kishin në 
dispozicion vite të tëra kohe, dhjetëra vite, gjatë të cilave, ekonomia, 
zhvillimi do të duhej të rrinin në pritje.  "Le të akumulojnë privatët mjete 
financiare, e vetëm pasi zyrtarët e shtetit të kenë përfunduar planet, 
atëherë privatët do të mund të ndërtojnë", ishte arsyetimi që përsëritnin 
rëndom.

Planet komplikoheshin deri në çmenduri.  Në to kërkonin të përfshinin deri 
studime të formave të banesave, të pamjeve tri dimensionale, të 
kanalizimeve, të llogaritjeve të imta të zhvillimit të ardhshëm etj. etj., 
duke u futur në përcaktime fantastiko-shkencore, me "studime urbanistike 
rajonale, mjedisore, të masterplaneve, të planeve rregulluese të 
përgjithshme, të studimeve urbanistike në fazën e projektidesë, të projektit 
teknik dhe projektit të zbatimit, mbitokësore e nëntokësore, të 
infrastrukturës inxhinierike, të normave, kushteve teknike" etj., që veçse 
konsumonin e konsumojnë letër, por praktikisht nuk kanë sjellë e nuk sjellin 
asnjë efekt në terren, e që deri sot nuk i ka zbatuar njeri, askund tek 
ne-me siguri as edhe në shumë vende më të zhvilluara.

Këto "akademizma" janë shkruar edhe në ligjet përkatëse-është e "lehtë" të 
shkruash ligje, por është vështirë t'i zbatosh ato, bile nganjëherë edhe e 
pamundur.  Dukej sikur kërkesat ligjore ndaj këtyre planeve, fryheshin e 
komplikoheshin qëllimisht, që mos të bëheshin dot kurrë, ose që të ishin aq 
të pazbatueshme, sa që pastaj të mbetej në dorë të nëpunësit "zemërmirë" që 
të bënte lëshimet (shkeljet!) përkatëse të tyre, që lejet e ndërtimit "të 
kalonin".

Këto lloj planesh do të ishin edhe me të meta, sepse ishte e pamundur të 
parashikoje në detaje zhvillimin urbanistik, kur mungonin studime të 
drejtimeve të zhvillimit të vendit, kur edhe po të ishin ato studime, të 
dhënat bazë ishin të pasakta.  As sot nuk janë shumë më mirë këto plane: nuk 
u japin dot besueshmëri as kredencialet "franceze, holandeze, apo dhe 
amerikane" të specialistëve që mëtohej se do të merren me to-specialistët, 
ku ta gjejnë, para duan.
Duhet theksuar se në fillimet e viteve '90, edhe fondet shtetërore për të 
paguar specialistët për të bërë këto plane mungonin: GDP (prodhimi i 
brendshëm bruto) i vendit ishte diku tek 250 dollarë për person (nga rreth $ 
3100 që është sot)-jo se nuk mungojnë fondet edhe sot, xhanëm.

E ç'është më e keqja, çdo përpjekje për të bllokuar zhvillimin, "qoftë me 
plane", veçse prodhon korrupsion e moszbatim as të vetë planeve, dhe as të 
asnjë norme minimale urbanistike.  Trysnia e kërkesës për zhvillim 
(ndërtim), ishte, dhe është aq e madhe, sa nuk ka qeverisje që ta 
përballojë, aq më pak një qeverisje shqiptare.  Rezultati ishte, është dhe 
edhe do të jetë moszbatimi i asnjë norme urbanistike, sepse akademizmi nuk 
lë variant të thjeshtuar për zbatim.

Personalitetet e këtij grupi të planeve të detajuara, ishin shpesh njerëz që 
vinin nga karriera akademike, universitare, apo zyrash me "dy vetë".  Atyre 
u mungonte fare përvoja në drejtim-administrim, përvoja në praktikë, u 
mungonte njohja e reagimit shqiptar ndaj rregullit dhe ligjit-nuk donin ta 
kuptonin se nuk do t'ua varte njeri akademizmave të tyre.  Ata përpiqeshin 
të gjenin "instrumente ligjore efikase lidhur me administrimin e territorit", 
pa dashur ta kuptojnë se në stadin e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, 
ishte krejtësisht e pamundur të gjendeshin të tilla që të funksiononin, 
sidomos me ato planet e tyre të pazbatueshme.  Trysnia e kërkesës për 
zhvillim (ndërtim), ishte, dhe është, aq e madhe, sa nuk ka qeverisje që ta 
bllokojë dot, aq më pak një qeverisje shqiptare.  Privatët, ndërtuesit, 
gjithmonë duan zhvillim, duan të investojnë sa më shpejt, që dhe të rritin 
fitimet e tyre sa më shpejt.  Por, këto personalitete vazhdonin të jetonin 
në maninë e tyre të së përkryerës-apo bënin sikur?!

Naiviteti i "akademikëve" u shfrytëzua me marifet, nga një shumicë të 
korruptuarish, që e nuhatën se kjo "prisni të mbarojmë njëherë planet", do 
të ishte një dështim i plotë, por nga ana tjetër, edhe një minierë ari për 
ata.  Trysnia për ndërtim filloi të shpërthejë në formën korruptive dhe të 
mos zbatimit të asnjë lloj ligji, të asnjë lloj rregulli dhe principi 
urbanistik.  Jo vetëm që nuk u bënë kurrë "ato planet e përkryera", por 
filluan të mos bëhen dot as orientimet më minimale urbanistike.

Rezultati shihet kudo: rrugët, rrugicat dhe trotuaret e ngushtuara në kulm; 
ndërtesa ngjitur me njëra tjetrën; mungesë tërësore e shesheve të 
gjelbëruara, hapësirave, sheshe për lojëra, parkimeve etj..  Nuk besoj të 
ketë vend në Evropë (mbase as në Botë), ku të jetë ndërtuar më keq sesa në 
Shqipëri!

Dhe më e keqja është se akoma vazhdohet po me këto mendësi, edhe sot pas 16 
vjetësh.


Plane të thjeshta e të shpejta

Grupi tjetër i qeverisjes, ishte ai që kërkonte që planet urbanistike të 
ishin aq të thjeshta, aq të përgjithshme, sa të mund të bëheshin shpejt, e ç'është 
më kryesorja: të kishin shanse sa më të mëdha që të zbatoheshin lehtë.  Ata 
e dinin se nuk mund të ndalej trysnia për zhvillim e privatëve, duke u thënë 
"pritni ca vjet sa të bëj unë planet" (dhe nuk duhej ndalur!); ata e dinin 
se shpëtimi i dëmeve urbanistike, mund të bëhej vetëm duke e devijuar 
drejtimin e goditjes së kësaj trysnie: "po, bëjeni ndërtimin që doni, 
menjëherë, pa pritur, por ama jo këtu ku thoni ju, por aty, pak më tutje-aty 
ku e lejonin ato planet e thjeshta".

Ky "grupi i planeve të shpejta", i jepte më shumë rëndësi planeve rajonale, 
si p.sh. ai i zhvillimit të gjithë hapësirës Tiranë-Durrës, e mbase dhe asaj 
të Elbasanit e Fushë-Krujës, sesa detajimit të planeve të qyteteve të 
veçanta.  Ata kërkonin plane të përgjithshme, orientuese, duke mos mëtuar të 
hynin në detaje, por vetëm të saktësoheshin drejtimet kryesore të ecjes 
urbanistike.  Këto plane të përgjithshme duheshin lënë të hapur për ndryshim 
e detajim në të ardhmen.  Ato duhet të ishin plane që kryheshin brenda pak 
muajve, dhe me kosto sa më të ulët.  Pra, kriteri kryesor duhet të ishte që 
të paraprinin zhvillimin e vendit.  Futja në detaje do të kërkonte zgjatje 
eksponenciale të kohës së realizimit të tyre, duke bërë kështu të dështonte 
që në nisje, çdo lloj plani.

Në këtë "grupin e planeve të shpejta" bënin pjesë kryesisht intelektualë nga 
"baza", që kishin eksperiencë dhe njohje në detaje të zanateve të tyre, por 
edhe të drejtim-administrimit, por, ç'është më e rëndësishmja, kishin njohje 
të natyrës së popullit tonë.  Ata ishin inxhinierë e ekonomistë nga 
ndërmarrjet, nga zyrat e projektimit, mjekë, mësues, agronomë, gazetarë etj. 
Ata e dinin mirë se "jo çdo gjë që fluturon hahet".  Ky grup 
personalitetesh, fatkeqësisht mbeti në minorancë, si në qeverisjet e PD-së, 
si dhe në ato të PS-së.

Atyre iu kundërvu dhe grupi i "akademistëve", por kryesisht një grupi i 
tretë, ai i qeveritarëve e nëpunësve shtetërorë të prirur thjeshtë nga 
korrupsioni, të cilët shihnin se ky grupi "i planeve të thjeshta e të 
shpejta", synonte ta lehtësonte shtetin, ta bënte transparent, duke e 
zhveshur nga detyra që nuk i kryente dot, për t'i dhënë mundësi të 
përqendrohej e të kryente një minimum të domosdoshëm detyrash.  Por kjo gjë, 
do të thoshte që mos të ishte më nëpunësi shtetëror që "kishte në dorë ta 
jepte lejen, ose jo", por të ishte vetë plani i thjeshtë i përgjithshëm, dhe 
studimi pjesor që bënin vetë privatët.  Kjo heqje e pushtetit nga duart e 
nëpunësit shtetëror, është bllokimi më efikas i korrupsionit-e prandaj dhe 
ka kaq armiq.

Edhe sot, për të shpëtuar "mushkëritë e kryeqytetit", "kodrat e Tiranes", 
"Parkun Kombëtar të Dajtit", "ekosistemin" etj., që vërtetë janë probleme të 
mëdha për të ardhmen e Tiranës, nuk do kërkuar "bllokimi i zhvillimit deri 
sa të bëhen planet", siç kërkoi kryetari i Bashkisë, por duhen bërë planet 
"menjëherë", duke caktuar në radhë të parë ku do të ndërtohet (duke caktuar 
kështu vendet ku të shfryhet trysnia për ndërtim ), dhe pastaj të 
përcaktohet edhe se ku nuk duhet të ndërtohet (gjë që siç thamë, është më e 
lehtë të realizohet, sepse tashmë ka një vend ku të shfryhet trysnia).

Pra, nuk duhet krijimi "i një Bordi Kombëtar për Tiranën, për të mos lejuar 
zhvillimin e mbrapshtë të metropolit", siç dëgjuam të propozojë kryetarin e 
Bashkisë Tiranë-e kujt ia propozon pa, kryeministrit tonë që mezi pret ta 
bëjë një gjë të tillë: të gjejë shkak për t'i vërë në radhë si lypsarë të 
gjithë ndërtuesit.  Jo, duhet krijimi i një "Bordi Kombëtar" që të detyrojë 
përfundimin e menjëhershëm të planeve urbanistike të përgjithshme, të 
thjeshta, të zbatueshme, që biznesi të çlirohet nga bllokimi i politikës dhe 
i korrupsionit, që urbanistika të zbatohet edhe në Shqipëri, si në gjithë 
botën e përparuar.  E kjo jo vetëm për Tiranën, por kudo-nuk mund të 
bllokohet zhvillimi në asnjë qytet (as në Tiranë, e as në Vlore), në asnjë 
komunë (as në "komunat periferike të Tiranës", as në Farkë, e as në 
Rrazhbull etj.).  Qeveria nuk duhet të bllokojë gjë fare, as dhe pushtetet 
lokale, por të gjithë dhe secili duhet të shtyjnë që planet urbanistike të 
përfundojnë në afate minimale.  Përndryshe do të vazhdojë katrahura 
urbanistike aktuale, e veçse se do të dëgjojmë qeveritarë lokalë e qendrorë, 
që veçse do të qahen për "shkatërrimin total", "impotencën e shtetit" 
etj.-sikur ata nuk kanë fare përgjegjësi për paaftësinë për të gjetur mënyra 
që ecin, edhe me ne shqipot-dhe do të dëgjojmë prapë analistë e 
intelektualë, por edhe popullin tjetër, veçse të qahen për korrupsionin 
galopant që s'dihet se nga na paska pllakosur.

Bashkim Kopliku
20.9.2007


Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.