[AlbClub] Pompat funebre, plot komunizëm

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <059f01c80649$dd623800$7301a8c0__22590.9528242939$1191511835$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Pompat funebre, plot komunizëm
[Gazeta Shqiptare, 4.10.2007]

U bënë vite, e sidomos këto dy të fundit, që po bombardohet opinioni publik 
me pompa funebre të tepruara (kapardisje me ceremoni varrimesh).  Këto 
orkestrohen nga pushtetarët dhe edhe nga shoqëria jonë civile, pra nga elita 
jonë.  Është ky një homazh për shumë "personalitete" të superstrukturës së 
komunizmit, nga "bota" e artit, kulturës, e ushtrisë, e jurisprudencës, e 
gazetarisë etj.  Ajo që na shqetëson, është përzgjedhja me shumicë e tyre, 
dhe "harresa" e shumë të tjerëve.  Këta "të harruarit", nuk janë vetëm 
ish-të përndjekurit politikë, por edhe intelektualët e periudhës së 
komunizmit, por jo nga superstruktura e tij, por nga "bota" e mjekësisë, e 
inxhinierisë, e bujqësisë, e të tjera profesioneve e zanateve të nderuara. 
Ndërkohë, e gjithë Bota na bën thirrje të vijmë në vete, të dënojmë 
komunizmin, e jo ta revokojmë atë me nostalgjitë tona mjerane.

Shqiptari tregon nderim për të vdekurin, sidomos në varrimin e tij.  Bile 
tregohet aq proaktiv (aq me iniciativë) në ceremonitë e përmotshme, saqë na 
duket sikur kompenson mungesën e respektit për të gjallët.  Në rastin që po 
analizojmë, këto ceremoni kthehen në instrumente të lakmueshme për 
populistët, si dhe për snobët tanë, ku përshkohet mesazhi politik shumë 
negativ: "lavdi komunizmit".

Gjithsesi, elita jonë nuk ka mundësi të organizojë një pafundësi ceremonish 
të përmotshme, që të mëtojë: "po ua bëjmë nderimin të gjithëve!"  Duhet 
patjetër të bëjë një përzgjedhje.  E fatkeqësisht, përzgjedhja e saj po 
rezulton të jetë në favor të atyre nga ish-superstruktura komuniste, e në 
disfavor të shumë personaliteteve të tjera normale.  Për të qenë më të 
qartë, po themi se nga njëra anë, kemi një ceremoni më se të merituar, si 
p.sh. ajo e këtyre ditëve, për ikjen nga kjo jetë e antikomunistit, At Zef 
Pëllumbi.  Nga ana tjetër, kemi një pafundësi pompash funebre për çdo lloj 
aktori apo aktoreje, shërbëtorë të devotshëm të komunizmit, deri dhe në 
keqpërdorim personal, duke pranuar të vihen si kukulla në organet e larta të 
pushtetit komunist; për çdo lloj ushtaraku që ka qenë instrumental edhe në 
zhdukjen e kolegëve të vet "të kastës", në masakrat e drejtuara  nga vetë 
Enveri; për çdo lloj juristi, që jepte vendime gjyqësore, edhe me pushkatim, 
sipas urdhrave të partisë; apo të çdo lloj gazetari, që ka përçuar me zell e 
vullnet të plotë, mashtrimin proverbial komunist, etj. etj.

Se ç'bën secili prej nesh me të afërmit e tij, kjo ka pak rëndësi për 
shoqërinë tonë.  Por merr rëndësi të madhe, kur nderimet bëhen nga elita 
jonë aktuale, e 2007-s, pra nga autoritetet shtetërore, si dhe nga 
autoritetet e shoqërisë sonë civile, pra nga persona qeveritarë, 
presidencialë, të Kuvendit, politik, e pastaj edhe mediatikë e të tjerë me 
radhë.

A mos duhet bërë një ligj që t'i rregullojë si duhet këto përpjesëtime?! 
Elita jonë nuk po di të orientohet në përzgjedhjet e saj.  Kjo sepse shumica 
e saj vjen nga mjedise komuniste.  P.sh., kryeministrin e kemi ish-sekretar 
partie komuniste, e kështu me radhë mund të bëjmë një listë pafund emrash që 
kanë qenë komunistë, ose kanë punuar fort për ta.  Në këto kushte, mbase do 
të duhej një "këshilltar amerikan", që t'i jepej një pagë jo 40 mijë dollarë 
në muaj (siç i jepej atij për çështjet në SHBA), por nja 10 apo 20 herë më e 
madhe, veçse të kontribuonte për ta shëruar elitën tonë nga infeksioni 
komunist, dhe për të na bërë atë Ligjin që thamë, atë për ceremonitë e 
përmotshme.  Kemi shumë nevojë për ndihmë, sepse populli ynë nuk pati 
ngritjen e duhur, nuk pati qytetarinë e duhur, që ta bëjë vetë operacionin e 
uljes së numrit të ish-komunistëve në elitën e tij, siç e kanë bërë me kohë, 
shumë popuj të tjerë.

Në themel, Ligji duhet të kërkojë të nderohen vetëm ata që me punën e tyre, 
i kanë sjell të mira Shqipërisë, popullit, dhe nuk e kanë dëmtuar më shumë 
duke i shërbyer klikës komuniste në fuqi-pra, mos ta kenë bërë si ajo lopa, 
që derdh qumështin që bën vetë.

Si rregull, antikomunistët e përndjekur janë kandidatët e parë për t'u 
nderuar, sepse jo vetëm që nuk i kanë shërbyer klikës komuniste, por e kanë 
luftuar atë.  Mbetet vetëm për të shqyrtuar kontributin e tyre kompleks për 
të mirën e popullit.  Ato zhvarrimet e rivarrimet e eshtrave të tyre, që 
ishin aq të shpeshta në fillim të viteve '90, e që u kritikonin me qesëndi 
nga nostalgjikët enveristë, duhet të mos harrohen edhe tani.

Edhe personalitetet e periudhës së komunizmit, me ose pa parti, që i kanë 
shërbyer popullit, por ama shumë më pak edhe klikës komuniste, mund të 
nderohen kur vdesin.  Por ama të bëhet bilanci i të mirave dhe i të 
këqijave, duke preferuar, përzgjedhur, ata që kanë treguar një grimcë 
pendimi për sa kanë bërë dikur, para 1990-s.  Të jemi të qartë se vetë qenia 
dikur komunist, është një e metë, dhe jo një virtyt-e themi këtë duke 
përdorur eufemizmin më të skajshëm, sepse nuk duam të fyejmë njeri.  Ajo që 
ngjet rëndomë është se shumë nga ata, të ndjerë apo akoma të gjallë, e 
kaluan edhe periudhën pas 1990-s, me vesin e vjetër, por me shpatën e re 
demokratike, si dikur me shpatën komuniste kundër "shfaqjeve të huaja", 
"kundër armikut të klasës", duke sulmuar me porosi, çdo nuancë "kundër 
kryeministrit aktual", çdo "shkrim historie" jo sipas interesave të shefit 
të ri.

Kur themi se duhet të preferojmë ata që janë penduar publikisht, së paku pas 
rënies së komunizmit, pas 1990-s, nuk e kemi fjalën për ata që kanë marrë 
pjesë në eliminimet fizike të kundërshtarëve dhe shokëve të tyre, por për 
ata që kanë bërë gjëra shumë më të vogla.  P.sh. ata që janë penduar dhe 
kanë treguar publikisht sesi u përdorën "në mbledhjet e kolektivit", si 
"përfaqësues të popullit", për "demaskimet e armiqve të klasës" që deri para 
pak çastesh i kishin miq të ngushtë, apo kolegë; sesi bënë lanet e 
kushërinjtë-deri dhe vëllanë-sepse nuk "ka mbajtur qëndrim të mirë politik"; 
sesi i ndanë gratë "sepse u ishte prishur biografia e prindërve"; apo sesi 
kanë qenë arma e komunizmit për lavazh truri të popullit, me veprat e tyre 
artistike, letrare, me rolet e tyre teatrale apo kinematografike të 
pështira, ku u thureshin lavde "udhëheqësve të ndritur komunistë"; sesi 
shkruan gënjeshtra në gazetat partiake komuniste, dhe pastaj në rrethe të 
ngushta shiteshe si antikomunist ("qengji butë pi nga dy nana").  Duhet të 
dalin e të tregojnë e të pendohen, edhe ata gazetarë që lëpiheshin të 
lumtur, kur instruktori i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, u rrihte 
shpatullat kur ata kishin arritur t'i heqin kokën një qyqari në një 
fotografi (qoftë edhe të një grupi sportistësh) dhe të vinin në vend të saj, 
kokën e Ramizit, udhëheqësit pasardhës të Enverit etj.  E CV-të (biografitë) 
e këtyre që edhe sot vazhdojnë të presin majtas e djathtas gjithë mllef 
gjoja "antikomunist", janë plot me mëkate të tilla "të vogla", të cilat 
duhet t'i tregojnë, e vetëm pastaj të mund të mëtojnë se janë shpëlarë nga 
fajet e kaluara.

Ndofta një kriter i Ligjit do të ishte që të përzgjidhen më tepër nga ata 
ish-komunistë, anëtarë partie apo jo, që nuk i kanë takuar superstrukturës, 
si mjekë, inxhinierë, agronomë, mësues, veterinë etj. nga baza.  Këta 
profesionistë nuk ishin aq të detyruar të zhyteshin në pisllëkun komunist. 
Ndaj tyre komunizmi ishte më pak i vëmendshëm, bile dhe i toleronte edhe të 
mësonin ndonjë gjuhë të huaj, apo të përdornin edhe ndonjë literaturë të 
huaj, sepse ata u duheshin si "teknokratë" (sa me përbuzje e thoshin këtë 
fjale udhëheqësit komunistë!) të përgatitur profesionalisht, sepse ata ishin 
që do t'i shëronin nga sëmundjet edhe vetë ata të elitës komuniste, sepse 
ata ishin që do të projektonin e ndërtonin "veprat" në industri, bujqësi 
etj. që sistemit të tyre t'u siguronte kolltukët, përjetësinë.

Mos të lejojmë që të vdekurit, të dëmtojnë të gjallët.

Bashkim Kopliku
3.10.2007


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]> 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.