[AlbClub] Çmimet na i rriti edhe politika në b ujqësi

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <002501c8032f$2a88be10$7301a8c0__34470.0216236108$1191154631$gmane$org@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***





Çmimet na i rriti edhe politika në bujqësi
[Gazeta Shqiptare, 30.9.2007]

Tek ne, arsyet e rritjes së çmimeve të perimeve, nuk janë vetëm "rritja e 
çmimit të karburanteve në Botë", apo "ndërprerja e elektrikut", e natyrisht 
nuk janë fare "spekulimet e tregtarëve".  Për rritjen e këtyre çmimeve, 
shkaku kryesor janë politikat e gabuara të Ministrisë së Bujqësisë.  Paska 
disa muaj që me shtytjen e kësaj ministrie, shteti paska vendosur një 
embargo "origjinale", ndaj importimit të perimeve: u ka nxjerrë njëmijë e 
një bidate, importuesve të perimeve, gjë që praktikisht e ka bllokuar 
importin.  E ka pikërisht disa muaj që çmimi i perimeve është rritur me nja 
"40%", krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.  Natyrisht, ky 
veprim ka një prapaskenë doktrinash proteksioniste, si dhe një mashtrim 
shqiptar ndaj organizmave ndërkombëtare.  Si shkak, nuk mbetet mbrapa as 
korrupsioni ynë i kudondodhur.


Pengimi i importit rrit Çmimet

Na thonë se ka pasur rreth 2000 persona, tregtarë të vegjël perimesh, që 
përshkonin kufirin, duke importuar perime nga Maqedonia, Turqia etj.  Nuk 
është se janë vënë barriera doganore në kufi, ku të thuhet sheshit: 
"ndalohet importi i perimeve".  Jo, është ndjekur një rrugë skuthash: është 
kërkuar nga këta "2000 tregtarët e vegjël", që ata të pajisen me licenca, të 
regjistrohen për TVSH, të kenë këtë apo atë dokument tjetër, si e si t'ua 
nxijnë jetën.

Por, ishin këto perime nga importi, që na e stabilizonin çmimin në nivelet e 
ulëta të rajonit.  Pengimi i këtij importi, hëm ka ulur sasinë e perimeve të 
importuara, dhe hëm ka rritur koston e tyre.  Si rezultat, është ulur oferta 
me kosto të ulët në tregun tonë, duke e lënë rehat fshatarin tonë.  Ai, 
prodhuesi i vendit, është gjetur përballë me një konkurrencë, nga importi, 
shumë më të dobësuar.   Kjo ka bërë që çmimi i tregut tonë të rritet 
automatikisht.  Çmimet në Shqipëri, janë rritur në krahasim me çmimet në 
vendet fqinje, gjë që nuk ka qenë në këtë masë, para "një viti"

Për qejflinjtë e saktësive shkencore, po futemi në detajet që vijojnë.  E 
para, kurba e kërkesës, për perimet, është elastike: konsumi i tyre ulet, 
nëse rritet çmimi.  E dyta, pengimi i importit ka shkaktuar dy femonomene që 
i përmendëm më lart.  Njëri fenomen është ai i uljes së sasisë së perimeve 
të importit, sepse disa prej tregtarëve kanë ikur nga biznesi i perimeve, 
duke kaluar në aktivitete të tjera.  Fenomeni tjetër është ai i rritjes së 
kostos së perimeve të importuara, si rezultat i shtesës së kostos së 
ryshfeteve, të korrupsionit të doganierëve, ose të nëpunësve që u japin 
licencat.  Me kaq po e mbyllim me saktësinë shkencore, që mos të mërzisim 
shumicën e lexuesve.


Proteksionizmin e paguan populli

Ministri i bujqësisë, apo dhe i financës, mund të  mburren se kanë 
"disiplinuar tregun e importit të perimeve", apo se "kanë rritur të ardhurat 
në buxhet", apo se "po e mbrojnë prodhimin vendas" (kjo nën zë, që mos t'i 
dëgjojë FMN-ja!).  Por ai që po e pëson, është populli, janë konsumatorët e 
perimeve, që janë shumica e shqiptarëve, mbase 80% të tyre (nëse supozojmë 
se prodhuesit e perimeve janë rreth 20% e shqiptarëve).

Avash me ulërimat tona, "të mbrohet prodhimi vendas", pa i bërë përpara 
hesapet me xhepin tonë.  Bile, kjo lloj politike e mbrapshtë, kjo e pengimit 
të importeve, as "prodhimin vendas" nuk është se e mbron, e as fshatarët. 
Ky përfitim momental i fshatarëve (po na i shesin prodhimet e tyre shumë më 
shtrenjtë sesa vjet), do të kthehet në humbje në të ardhmen, edhe për ata. 
Fshatarët, në vend që të përpiqen të gjejnë zgjidhje konkurruese afatgjata, 
keqorientohen nga këto politika populiste afatshkurtra të Ministrisë së 
Bujqësisë.

Të gjitha krahët e politikës shqiptare, me llafe janë angazhuar për 
liberalizim të import-eksporteve, në kuadrin doktrinar së hapjes ndaj 
ekonomisë botërore (openness to the world economy), që bën pjesë në 
principet më të gjera të tregtisë së lirë (free trade), dhe më tej, të 
lirisë dhe demokracisë (liberty and democracy).  Ne kemi nënshkruar disa 
marrëveshje me organizmat ndërkombëtare, për t'iu përmbajtur këtyre 
angazhimeve.  Këto angazhime datojnë që herët, që me qeveritë e PD-së së 
para '97-s, kanë vazhduar me qeveritë socialiste të 1997-2005, dhe edhe me 
qeverinë aktuale josocialiste.  Por, ne vazhdimisht i kemi shkelur këto 
angazhime, sepse në lidershipin tonë, qoftë në maxhorancë, qoftë në opozitë, 
mbizotëron nënvetëdija e ekstremit të majtë, pra ajo komuniste.  Ne u 
nënshtrohemi "nga halli", këtyre angazhimeve, pa e kuptuar se ato janë për 
të mirën e Shqipërisë në përgjithësi, dhe edhe të vetë fshatarëve në 
veçanti.  Kjo është arsyeja sepse qeveritarët tanë nuk i vret aspak 
ndërgjegjja, kur i shkelin këto premtime.


Nuk na e kanë fajin tregtarët

Nënvetëdija jonë komuniste, dallohet qartë në urrejtjen që gjejmë raste ta 
shfaqim çdo moment, kundër privatëve, kundër tregtarëve të perimeve në këtë 
rast.  E vëreni sa janë të prirur shumica jonë që menjëherë të besojnë se 
shkaku i rritjes së çmimeve janë "spekulimet e tregtarëve"-e hanë menjëherë 
diversionin populist që na bëjnë qeveritarët, duke dërguar në mënyrë më 
debile, ca "kontrollorë" të tatimeve tek tregtarët e perimeve-përse xhanëm, 
ç'bëjnë ata atje, përveçse bëhen shkaktarë që çmimet të rriten edhe më tej, 
nga kostoja që i shtojnë ata, tatimorët, me kontrollet e tyre të kota?!  E 
pra, në tregun e perimeve ka me mijëra importues të perimeve, nuk dihet të 
ketë asnjë importues të madh, që të kemi një gjendje monopol apo si monopol, 
ku shteti do të duhej të ndërhynte pa hezitim.  Në kushtet tona të perimeve, 
nuk ka asnjë mundësi të ketë spekulim, pra marrëveshje për çmimet, sepse 
dhjetë shqiptarë e kanë vështirë të merren vesh me njëri tjetrin, e jo më me 
mijëra tregtarë, që merren aktualisht me tregtinë e perimeve.

Dihet se të njëjtin mall dhe me të njëjtën cilësi të tij, secili tregtar, 
dëshiron ta shesë sa më shtrenjtë, por dihet edhe se çdo blerës dëshiron ta 
blejë sa më lirë, prandaj asnjëri s' e ka në dorë ta vendosë çmimin e atij 
malli-çmimin e vendos tregu, pra mijëra transaksione që nuk i nënshtrohen 
dëshirës së "një të miri", apo "një të keqi"-t'i lëmë këto batuta që u ka 
ikur koha.  Këto gjëra i di kushdo që ka përtypur principet elementare të 
ekonomisë së tregut të lirë. Për të gjetur shkaqet e rritjes së çmimeve, 
duhet të dimë se ku t'i kërkojmë.

Mos harrojmë edhe korrupsionin.  Në shumicën e rasteve, këto bllokime të 
importit, nuk kanë shkaqe vetëm doktrinare, por edhe korruptive.  Dëshira e 
nëpunësve të shtetit, për t'i pasur në dorë importuesit, dhe si rezultat për 
të vjelë ndonjë ryshfet prej tyre, nuk do neglizhuar.


Ja si ulen çmimet

Si mund të kemi çmime më të ulëta?  Përgjigjja e përgjithshme është: të kemi 
një ekonomi tregu me sa më pak fërkime dhe pengesa.  Në veçanti për perimet, 
duhet të ndiqet një rrugë më graduale, e më transparente.  Importuesit e 
vegjël, duhet të paguajnë taksa e tatime, por jo t'i nënshtrohen një goditje 
të menjëhershme, në masën me dy-tre fish më shumë se vjet.  Mbase u do lënë 
ca vjet kohë, para se të kalohen në bizneset e mëdha, apo mënyra të tjera 
indirekte, që synojnë rritjen e ngarkesës fiskale për ta.  Edhe dhënia e 
licencave duhet bërë thjesht dhe shpejt, mbi bazën e paraqitjes së një 
minimumi dokumentacioni, pa i sorollatur.  Kjo e fundit do të ulte koston e 
korrupsionit, të cilën prapë se prapë, ne konsumatorët do ta paguajmë, duke 
blerë perimet edhe më shtrenjtë.

Bashkim Kopliku
26.9.2007

Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: [email protected]
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.