[AlbClub] Noterët, çmime të larta dhe fals ifikime
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <00ee01c80afb$24f90df0$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Noterët, çmime të larta dhe falsifikime [Gazeta Shqiptare, 10.10.2007] Tek ne, noteri është një ndër profesionet e vetme private, të cilit i është siguruar që të mos ketë fare konkurrencë në treg, është në pozicion të privilegjuar si esnafët në mesjetë. Tarifat, çmimet e punës së noterit, nuk i përcakton tregu, por organe të centralizuara të qeverisë dhe të noterëve (ministria e drejtësisë, "Këshillit Kombëtar i Noterisë" etj.). Çmimet janë në stratosferë, dhe falsifikimet e noterëve janë sheshit. Ka ardhur koha që të ndryshohet gjendja, duke e liberalizuar krejtësisht punën e noterit tek ne, duke e bërë siç e ka Amerika, Holanda, Danimarka dhe mjaft vende të tjera. Aq më tepër, që ka disa vjet që Komisioni Evropian po shtyn që të derregullohen edhe noterët, që do të thotë, të hiqet rregullimi i çmimeve nga ministria, duke ia lënë në dorë tregut. I bëjmë thirrje Këshillit të Ministrave, t'i liberalizojë tarifat, dhe të dërgojë urgjentisht në Kuvend mendamentin e Ligjit për ta liberalizuar edhe numrin e noterëve-edhe kjo është pjesë e "reformës në drejtësi", jo vetëm "heqja e Sollakut". Noterët e qeverisë Që kur u pat bërë projektligji për noterinë, nga qeveria e PD-së, ajo e vitit 1994, u patën diskutuar të dy variantet: ai i liberalizimit tërësor të shërbimit të noterisë, dhe ai i kontigjentimit, ai ku tarifat dhe numri i noterëve është i caktuar jo nga tregu por nga ministria etj. U vendos kundër liberalizimit, sepse gjoja do të caktoheshin noterët sipas lagjeve, rrugëve, zonave të fshatrave etj., e prandaj nuk u dashkan përzier noterët me njëri tjetrin. Me demek, një klient do të kishte gjithnjë të njëjtin noter, përderisa të banonte në të njëjtën lagje-shkuam e pranuam modelin e Zvicrës, megjithëse ishim "1000 vjet" pas saj, për sa i përket ndërgjegjes së nëpunësve tanë "rregullues të noterëve". Qeveria paraqiti projektligjin me variantin e kontigjentimit, dhe Kuvendi e miratoi po ashtu. "Fitoi përkrahjen e shumicës" varianti kundër liberalizimit, edhe sepse nga Banka Botërore (BB) pati ardhur një këshillë e gabuar: "bëjeni jo të liberalizuar, sepse ashtu e kanë edhe shumica e vendeve të Evropës"-mos u çuditni, se edhe BB gabon! Të gjitha këto "motivet e mosliberalizimit", nuk u realizuan kurrë, dhe as kanë për t'u realizuar ndonjëherë, në një shtet si yni, që është larg një disiplinimi të tillë të aktiviteteve. Pra kurrë nuk do të sigurohet dot që noteri të jetë "një dhe vetëm një", për një grup popullsie të caktuar-ne kemi "17" vjet që nuk po bëjmë dot kartat e identitetit, e jo më të vëmë në rresht miletin, sipas noterëve. Pak vite më pas, filloi edhe në Evropë tendenca drejt liberalizimit, në kundërshtim me parashikimet e asaj kohe të BB. Kështu, në Holandë, që në vitin 1999, shërbimi i noterëve u liberalizua krejtësisht, duke u pasuar edhe me Danimarkën. Por ne shqipot, megjithëse e shohim përditë rezultatin e atij ligji absurd, ka tash 13 vjet që nuk po lëvizim për ta ndryshuar. Tarifa të larta Tarifat (çmimet) e shërbimeve të noterëve janë katastrofike, më të larta se çdo vend i Evropës. Noterët justifikohen duke të treguar "listën e çmimeve të miratuara", sikur ajo listë është bërë nga Zoti i pagabueshëm. Natyrisht që tarifat e larta e kanë arsyen kryesore tek kufizimi i numrit të noterëve, kontigjentimi i tij. Kemi një gjendje oligopoli, apo e thënë më pa mani saktësie: kemi gjendje monopoli. Falsifikime Ky monopolizim i noterëve, ka sjellë që edhe ndërgjegjja e shumicës së tyre të jetë përtokë. Dëgjojmë vazhdimisht ankesa. Dokumente të falsifikuara, ku shihet qartë bashkëpunimi i noterit në zinxhirin korruptiv: klient, avokat, gjykatës. Kemi dëgjuar disa raste, kur viktimat e falsifikimit të noterit, kanë marrë dhe ekspertiza të sektorëve shkencorë të policisë, ku dokumentohet falsifikimi i noterit. Por prapë se prapë, "asnjë" noter nuk është dënuar-ka një "solidaritet" të ndyrë në radhët e drejtësisë sonë, për të mbrojtur kolegun e inkriminuar E kjo gjendje korrupsioni, përmirësohet mjaft, vetëm me një lëvizje: derregullimi i shërbimit të noterëve. Zgjidhja, derregullimi Urgjentisht duhet derregulluar shërbimi i noterëve, mos t'i lihen në dorë Ministrisë të rregullojë çmimet dhe numrin e noterëve, por t'i lihen tregut të lirë. Mjafton që një jurist të vërtetojë se ka aftësitë tekniko-profesionale e morale për t'u bërë noter, dhe i duhet dhënë e drejta të fillojë punë menjëherë, aty ku ai e mendon se do t'i eci biznesi më mirë. Përse u dashka që numri i noterëve të caktohet nga shteti, deri sa ata janë privatë? Përse u dashka që noterët privatë t'i emërojë ministri i drejtësisë, pra qeveria?! A mos do fillojë ky shtet të caktojë edhe numrin e profesionistëve të tjerë privatë, si avokatët, inxhinierët, dentistët, farmacistët, gazetarët, e pastaj edhe të caktojë edhe numrin e dyqaneve, të kafeneve, të restoranteve etj.-hajde monopol, hajde! Nëse noterët do të futen në garën e lirë të tregut, tarifat e tyre do të bien me disa fish, siç bien çmimet e çdo malli tjetër. Ky është efekt i sigurt në kushtet e Shqipërisë, ku as që mund të bëhet fjalë për diskutimet e holla që zhvillohen në qarqet e profesionistëve të Evropës, ku meraku i "cilësisë së shërbimit" zë vendin kryesor. Në Shqipëri mungon çdo lloj kontrolli mbi cilësinë e punës së noterëve-ata falsifikojnë gjithë ditën, e nuk i dënon njeri, e jo më të flitet për "cilësinë e punës së tyre", apo për "asimetrinë e informacionit noter-klient" e të tjera si këto, që në kushtet tona tingëllojnë teori naive. Prandaj në këto kushte, mbetet vetëm konkurrenca që mund të rregullojë diçka. Nga ana tjetër, shteti ynë mund t'u kontrollojë cilësinë privatëve, më mirë sesa nëpunësve që i cakton vetë! Fundja, edhe BE (Bashkimi Evropian) po shtyn ta liberalizojmë shërbimin e noterëve-çfarë pret qeveria që nuk luan vendit, apo justifikohet se nuk ia kanë futur akoma shprehimisht në "Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit", ani se është populli që i ha pasojat. Këshilli i Ministrave, së paku të liberalizojë tarifat, sepse një të drejtë të tillë ia jep shprehimisht Ligji (neni 26 i ligit nr.7829, datë 1.6.1994, "Për Noterinë"). Njëkohësisht, të shpjerë në Kuvend amendamentet përkatëse, ku t'i hiqet e drejta e Ministrisë së Drejtësisë, për të caktuar numrin e noterëve. Bashkim Kopliku 9.10.2007 Bashkim Kopliku Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club