[AlbClub] Politika e djathtë e arsimit

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <03f801c80c9c$dd191860$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Politika e djathtë e arsimit
[Gazeta Shqiptare, 12.10.2007]

Ministri më i djathtë i qeverisë aktuale, na rezulton të jetë Genc Pollo, që 
drejton MASH (Ministria e Arsimit dhe Shkencës).  Kontrasti i tij bëhet edhe 
më i madh, sepse në shumë sektorë të tjerë, ministrat veçse vetëquhen "të 
djathtë", sepse teoritë dhe praktikat i kanë krejt të majta.  Natyrisht 
mbetet mjaft për të bërë që MASH të kthehet në një ministri të një shteti të 
tregut të lirë, në një "ministri të djathtë".

Në MASH, reforma kryesore e djathtë e këtyre dy vjetëve, ishte liberalizimi 
i prodhimit dhe shpërndarjes së librit shkollor (Reforma e Librit Shkollor). 
Ky liberalizim u zbatua me eficiencë nga stafi i ministrisë i kryesuar nga 
ministri Pollo.

Rrëmuja e shpërndarjes së librit në ditët e para të shkollës, pati shkaqe që 
nuk janë aq lehtë të mënjanueshme: u turrën menjëherë qindra mijëra blerës 
në një rrjet shitjeje të librit shkollor, të papërgatitur për të përballuar 
një pik të tillë.

Mbase do gjetur një mekanizëm që të shtyjë blerësit e librave që t'u 
drejtohen dyqaneve për blerjen e librave, sa më herët.  E kemi fjalën për 
shtytje ekonomike, si p.sh.: t'u shiten librat 10% më lirë, atyre që i 
blejnë herët, p.sh. deri "dy javë" përpara fillimit të shkollës.  Natyrisht, 
kjo ulje e çmimit, fillimisht duhet të paguhet nga buxheti i shtetit, i 
arsimit.  Për organizimin teknik të kësaj ulje çmimi, mund të merret 
shembull nga kompensimi i çmimit të disa ilaçeve të disa sëmundjeve-ka një 
eksperiencë të gjatë nga farmacitë.

Por le të ndalojmë në tri çështje të tjera, që i quajmë shumë të rëndësishme 
për reformën në arsim.


Jo çmime tavan

Duhet të hiqen "çmimet tavan" për librat (çmimet e referencës), që aplikohet 
deri sot, gjoja për politika sociale, që "libri mos të dalka aq i shtrenjtë". 
Heqja fare e çmimeve tavan, do të zgjeronte konkurrencën në fushën e çmimeve 
(price competition).  Çmimi tavan është thjeshtë një reminishencë etatiste 
(statiste), që futet si një çiban, në reformën e librit shkollor, që është 
krejtësisht e bazuar në principet e tregut të lirë.

Le të vendosë tregu për çmimet, dhe jo BOMIT ("Bordi i Miratimit të 
 Teksteve").  Mos të kemi merak se "do të dalin librat e shtrenjtë".  Jo, 
është tregu më i drejtë se bordet, shumë më i aftë se profesorët e 
specialistët e tyre, edhe në përcaktimin e "së shtrenjtës" dhe e "së lirës". 
Bile, mos të çuditemi që heqja e çmimit tavan, në ndonjë rast do të 
shoqërohet me uljen, dhe jo me rritjen e çmimit!

Vendosja e çmimeve tavan, godet direkt cilësinë e librit: i vë kufi cilësisë 
së librit. Prodhuesit e librit (autorët dhe shtëpitë botuese) detyrohen të 
bëjnë kompromise në kurriz të cilësisë së librit, vetëm e vetëm "që t'u dalë 
poshtë çmimit tavan".  E pra, cilësia e librit është ajo që luan rolin 
kryesor në arsimim-le t'ia lëmë tregut ta caktojë deri ku mban cilësi të 
mirë, dhe jo vendimeve të centralizuara të BOMIT.  Më mirë të lihet një 
shkollë pa u ndërtuar, sesa të nxirren libra me cilësi të ulët.

Nëse MASH do t'u futet politikave sociale, për "shtresat në nevojë" etj., 
këtë duhet ta bëjë jo duke ulur nivelin e librit në përgjithësi, për të 
gjithë.  Për shtresat e popullsisë që ka në synim t'i përkrahë, MASH duhet 
thjeshtë të paguajë një pjesë të çmimit të librit, çmimit që ka përcaktuar 
tregu, dhe jo BOMIT.  Gjejmë rastin të theksojmë se do shumë kujdes me këto 
"politikat sociale", sepse zelli i tepruar për to, jo vetëm që rëndon në 
xhepat e shqiptarëve, por shpesh bën që pas këtyre politikave, të fshihen 
për përfitime "korruptive".


MASH, As pronare e as administruese e shkollave

MASH duhet që të heqë dorë urgjentisht nga roli i pronares apo i 
administrueses (menaxhueses) së të gjitha institucioneve arsimore shtetërore 
(publike).  Ato t'ua kalojë bashkive, komunave dhe qarqeve, ose autoriteteve 
të pavarura (për universitetet publike etj.).  Edhe investimet për 
institucionet e reja, apo për rikonstruksionet, duhet t'u kalohen, me gjithë 
fondet përkatëse, pushteteve lokale, si dhe autoriteteve të universiteteve.

MASH dhe drejtoritë e saja rajonale, si dhe çdo strukturë tjetër e saj, 
duhet të merret vetëm me politikat arsimore, me mbikëqyrjen e cilësisë së 
mësimdhënies, me plotësimin e vazhdueshëm të kërkesave të licencës së 
shkollës, si dhe me vlerësimin me anë të provimeve shtetërore (si ai i 
maturës etj.).  Natyrisht MASH duhet të merret edhe me zhvillimin e rrjetit 
arsimor në vend, por ama nga pozicione të politikëbërësit-por jo të 
menaxhueses direkt, pra jo në nivel mikro.

Mbase drejtoritë rajonale të MASH, duhet të quhen "inspektorate", që të 
theksohet funksioni i kontrollit, dhe jo ai i "drejtimit" të shkollave, që 
tashmë nuk duhet të jetë më funksion i MASH.  Konkretisht, asnjë hallkë e 
varur direkt nga MASH, nuk duhet të merret me emërimet e mësuesve, me 
prokurimet për ndërtimin e shkollave etj.  Të gjitha këto funksione duhet t'i 
kalohen pushtetit lokal dhe autoriteteve të pavarura të universiteteve: 
pranë këtyre të funid, duhet të jenë "drejtoritë" qendrore të institucioneve 
arsimore publike.


Privatet dhe shtetëroret,  njësoj

Institucionet arsimore private (jopublike) dhe shtetërore (publike) duhet të 
trajtohen krejt njësoj nga MASH.  E këtu kemi parasysh të gjitha, si 
shkollat 9-vjeçare, si gjimnazet, si universitetet etj.  Kontrollet për 
kurikulat (programet mësimore), për cilësinë e mësimdhënies, për kushtet e 
jetës në to, duhet të bëhen njësoj për to, pavarësisht kush është pronari, 
shteti apo privati.

Ka ardhur koha t'u kërkohet licencë edhe shkollave publike, njësoj siç i 
kërkohet çdo shkolle jopublike, licencë për të fituar të drejtën e 
funksionimit.  Në licencë përcaktohen shumë kërkesa që duhet të kryejë 
shkolla, ku do të rreshtonim madhësinë e klasave, laboratorëve, numrin e 
nxënësve për klasë, kushtet higjieno-sanitare etj.  Për analogji, do të 
thoshim se siç kërkohet leje ndërtimi për të bërë një investim publik 
(p.sh., rrugë, mbikalim etj.) që kryhet nga qeveria, po ashtu duhet kërkuar 
licencë edhe për shkollën publike, pavarësisht se atë e hap "qeveria".

Bashkim Kopliku
11.10.2007


Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: [email protected] 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.