[AlbClub] Regjistrat e sigurimit dhe dosjet e gjalla

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <021201c81082$34d200b0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Regjistrat e sigurimit dhe dosjet e gjalla
[Gazeta Shqiptare, 17.10.2007]

Prapë po flitet për hapjen e dosjeve të komunizmit, me gjithë se e dimë 
tashmë, se ato dosje nuk ekzistojnë më, në kuptimin që shumë prej tyre ose 
janë djegur, ose janë falsifikuar.  Kërkesa që të hapet një gjë që e 
manipuluar nga pisllëqet, na duket ose si naivitet, ose si një dëshirë për 
ta tërhequr akoma pas hunde shoqërinë aktuale shqiptare, me komunizmin, 
qoftë nëpërmjet produktit të tij, dosjeve të sigurimit; qoftë dhe nëpërmjet 
produktit post-komunist të tij: zhdukjes selektive (me përzgjedhje) të 
dosjeve.  Nuk duhet të lejohet që jeta shqiptarëve të sotëm, të komandohet 
akoma nga e kaluara.

Por, nëse insistohet që të merremi me spiunllëqet e kaluara, se s' bën, 
atëherë së paku të bazohemi në dy gjërat që janë prekur më pak nga komunizmi 
dhe nga post-komunizmi.  Këto janë, regjistrat e sigurimit (një listë 
njerëzish që kanë nënshkruar që të jenë spiunë) dhe "dosjet e gjalla" 
(kujtesa e njerëzve që e kanë jetuar kohën e komunizmit, dhe që kanë fakte, 
dinë se ç'ka bërë vaki).  Këto dosjet e gjalla, janë më të besueshmet.  Ato 
mund të "flasin", sidomos në kushtet e shtypit të lirë, që tashmë është një 
pasuri kombëtare shqiptare.  Ama, paralelisht duhet të dënohen shpifësit, 
gjë që paraqet vështirësi, sepse gjykatat tona janë të korruptuara.

Duhet të jemi të vetëdijshëm se procesi i shqyrtimit të së kaluarës, është 
shumë i vështirë.  Apo mos shumica jonë janë hipokritë, dhe bëjnë sikur duan 
të dinë se ç'ka bërë njëri a tjetri në komunizëm, ndër kohë që në fakt nuk u 
intereson fare, apo ç'është më keq, ju duhet vetëm për presion (trysni), për 
t'i futur ish-spiunët në shërbime të sotme të pista?!


Regjistrat

Në organet e shtetit, ka regjistra ku janë rreshtuar spiunët e sigurimit, 
dëshmitarët e rremë etj.  Këto janë dokumente shumë më të sakta se dosjet, 
pavarësisht se edhe këto nuk është se janë "100%" të sigurta, sepse edhe në 
ata ka fshirje dhe shtesa, por së paku ka shumë herë më pak se tek dosjet. 
Dikur regjistrat ishin futur në kompjuter, dhe mjaftonte të fusje emrin, dhe 
menjëherë dilte "ke qenë apo jo spiun"-shpresojmë se akoma janë aty, në 
kompjuterët e shtetit.  Me këto kompjuterë, në vitin 1996 u patën hequr nga 
listat e deputetëve dhe nga administrata shtetërore, sa e sa njerëz që 
figuronte se kanë nënshkruar për të qenë spiunë.  Por e përsërisim, edhe në 
to ka gabime: dimë njerëz që kanë bërë gjyqe, dhe e kanë vërtetuar "gabimin 
e kompjuterit".  Gjithsesi, nëse insistohet të bëhen publike e kaluara e 
zezë e politikanëve, fundja të "hapen" këto regjistra.

Regjistrat duhet ose të botohen në shtyp, ose të futen në faqe interneti, në 
mënyrë që çdo njeri të mund t'i konsultojë ata, kur të dojë.  Mos të mbahen 
vetëm në duart e qeverisë, sepse ajo do të vazhdojë t'i keqpërdorë: për kë 
do, do t'i bëjë publik emrin, ose tjetrit do t'ia fshehë.  Nuk duhet të 
lejojmë që të instrumentalizohen nga qeveritë në fuqi, informacioni i 
regjistrave.

Por, në asnjë mënyrë nuk duhet të hapen dosjet.  Dihet tashmë, e kemi thënë 
të gjithë ne që jemi marrë konkretisht me dosjet, qofshim të ministrisë së 
Rendit Publik, qofshim të Shërbimit të Informacionit të Shtetit (apo 
Kombëtari), qofshim ekspertë të arshivave: dosjet nuk janë ruajtur si 
dokumente shtetërore të plota, sepse një pjesë e madhe e tyre janë 
asgjësuar.  Bile ka zëra që thonë se edhe mund të jenë falsifikuar disa 
dosje.  Nuk e dimë sesa qëndrojnë këto zëra, por ama jemi të prirë t'i 
besojmë.  Përse?  Sepse dimë gjëra të tjera të ngjashme, që ka bërë mafja 
komuniste dhe jokomuniste, gjitha këto vite, e deri sot.

Ka raste kur falsifikimi nuk është bërë me qëllim të krijimit të lojërave 
komplekse të sigurimit.  Në këto raste, falsifikimi ka ardhur thjeshtë si 
pasojë e mungesës së korrektësisë në punë të oficerit të sigurimit.  Ja një 
shembull.  Një oficer, për të dalë i dalluar në sytë e "kontrollit nga lart", 
kishte regjistruar sikur kishte firmosur për t'u bërë spiun, një viktimë që 
në fakt as kishte firmosur në atë kohë, dhe as firmosi më vonë, duke 
zhgënjyer shpresat dhe ngutin e oficerit.

Gjithsesi, nuk është e drejtë të hapen dosjet.  Si arsye për mos-hapjen e 
tyre, mjafton vetëm fakti që janë zhdukur një pjesë e madhe e tyre.  Pra, 
edhe sikur ato që kanë mbetur, të mos jenë fare të falsifikuara, prapë se 
prapë, nuk duhen hapur.  Kjo sepse nuk është e drejtë që të hapet dosja e 
spiunit A, dhe mos të hapet dosja e spiunit B, sepse këtij të fundit i është 
zhdukur dosja-ata të dy, edhe A-në edhe B-në i kemi në politikën aktive, ata 
janë njësoj të këqij.  Përse duhet të lejojmë sigurimin (zhdukësit e 
dosjeve) të komandojnë akoma edhe sot, duke diferencuar qëndrimin tonë në 
mes A-së dhe B-së?!  Nga ana tjetër, prapë se prapë, shoqëria shqiptare nuk 
do të jetë kurrë e sigurt për pastërtinë e figurave të saj politike.  "Mbase 
ia kanë zhdukur dosjen", do të thonë për këdo.


"Dosjet e gjalla"

Por ka akoma disa dosje të gjalla: njerëzit që kanë jetuar kohën e 
komunizmit, dhe që e dinë se ç'ka ndodhur atëherë.  Pak, shumë pak kanë 
folur dhe shkruar deri tani.  Sa mirë do të ishte që të shkruanin kujtimet 
sa më shumë nga dëshmitarët e së kaluarës-por ama jo vetëm thashetheme 
kafenesh.  Ato gjëra për të cilat ka dëshmitarë që akoma janë gjallë, janë 
shumë më të sigurta, më të besueshme, se ato dosjet e përpiluara nga 
komunizmi.  Është mirë të shkruhet edhe për gjëra "të vogla", që nga 
"demaskimet e armiqve të klasës para kolektivit", e deri tek spiunimet që 
rezultonin me dënimin e viktimës, apo dhe keqtrajtimet e viktimave, nga 
hetuesit e Degës (emri famëkeq i organeve\t lokale të sigurimit komunist).

Natyrisht që dalja publikisht me akuza për njerëz konkretë, aq më tepër kur 
ata sot janë me pushtet, është një çështje me tri vështirësi të mëdha.  E 
para, pushtetarët mund të hakmerren me denoncuesit.  E dyta, akuzuesi mund 
të gabojë, sepse ose interpretimi i tij është i gabuar, ose kujtesa e tij 
është jo e saktë,  E treta, akuzuesi mund të jetë një shpifës, që do të 
njollosë me pa të drejtë një person të caktuar.


A mos është e gjitha Hipokrizi?!

Hapja e së kaluarës komuniste, është "thikë me dy tehe".  Shoqëria jonë 
duhet të përgatitet të përballojë një dramë dhe një rrëmujë të vërtetë. 
Masmedia, por edhe gjykatat, duhet të përveshin mëngët se do të kenë shumë 
punë për të bërë, sidomos në mbrojtje të nderit të atyre që u kanë shpifur 
me pa të drejtë-nuk duhet të kthehemi në kohën e fletë-rrufeve, kur ç'do 
njeri mund t'ia veshte kot, pa u dënuar për pasaktësitë që shpërndante 
publikisht.

Po e zëmë se u hap e kaluara, po pastaj?!  Jemi pesimistë për suksesin e 
këtij procesi!  Na duket se shumica e shoqërisë sonë, nuk kërkon fare të 
dënojë spiunët dhe dëshmitarët e rremë, apo dhe hetuesit etj.  Ka shumë nga 
ata që nuk kanë nevojë fare t'u hapet gjë, sepse njerëzit i dinë bëmat e 
tyre, bile ka që e kanë pranuar vetë publikisht se kanë nënshkruar për 
sigurimin.  E shumica jonë, prapë se prapë i ka votuar, i mban si politikanë 
të njohur e të respektuar.  Bile, shumë nga ish-spiunët dhe ish-hetuesit, 
janë ata që po bërtasin: "të hapen dosjet"!  Ligjin "për personat e 
implikuar" e kishim dhe e shfuqizuam (Ligji nr. 8043, datë 30.11.1995, "Për 
Kontrollin e Figurës së Zyrtarëve dhe Personave të Tjerë që Lidhen me 
Mbrojtjen e Shtetit Demokratik"), përse bëjnë tani sikur vërtetë i ha 
meraku-a mos jemi një çikë hipokritë shumica e jonë, e shqiptarëve të 
sotëm?!  Apo mos kjo është një lojë edhe më e ndyrë: dikush lart, do të 
kërcënojë spiunët, që t'i rekrutojë tani në shërbim të vet, për pisllëqe të 
reja, të sotme?!

Bashkim Kopliku
16.10.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.