[AlbClub] Fw: Ekonomia, ekstrem i majtë
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <005801c812e3$03b8ad90$7301a8c0__21162.6507727944$1192884386$gmane$org@pc> |
*** AlbClub Discussion List *** Ekonomia, ekstrem i majtë [Gazeta Shqiptare, 20.07.2007] Ministria shqiptare e ekonomisë (emërtimi i gjatë: "ministria e ekonomisë, tregtisë dhe energjetikës") duhet të jetë kampionia evropiane e politikave të majta ekstreme. Këto politika gjenerohen nga ministri Genc Ruli, duke marrë bekimin e kryeministrit. Majtizmi ekstremist i tyre, ka një shtrirje të gjerë, që nga mosprivatizimi i elektrikut, tek shtyrja prej dy vjetësh e privatizimit të Telekomit, e deri tek kjo e fundit, mbyllja me mburrje e "54 minierave", duke lënë pa punë me qindra vetë. Nga ky ministër kemi vetëm teori dhe praktika etatiste me theksime merkantiliste, të huazuara nga mesi i shekullit të kaluar (bile dhe më herët, që nga shekujt e XVII e XVIII), që edhe e majta moderne, pra partitë socialiste dhe social demokrate evropiane, ka kohë që i ka hedhur poshtë Ka dhjetëra vjet që është provuar katërçipërisht, se etatizmi merkantilist, nga njëra anë, ka shpënë në mjerimin e vendeve që e adaptuan, dhe nga ana tjetër, ka siguruar pasurimin korruptiv të nëpunësve të shtetit. Shembuj të zbatimit të këtyre teorive, i gjen me shumicë në historinë e politikave të disa vendeve të Amerikës Latine, të para 50 vjetëve. Por sot është zor të gjesh një ministër të dytë, që të ketë këto koncepte-mbase ka akoma ndonjë të ngjashëm, vetëm në Bjellorusi, apo në Korenë e veriut. Tek ne, rezultati i dukshëm lehtë, i këtyre doktrinave dhe praktikave, është lënia pa drita, pa ujë, pa punë, me zhvillim të frenuar, të shtresave të gjera të popullit, e të të gjithë ekonomisë. pa drita U bllokua privatizimi i elektrikut, duke lënë të menaxhojë atë, zyrtarë të shtetit. Sado të punojnë me ndershmëri drejtorët e KESH (Korporata Energjetike Shqiptare), qoftë z. Beli, nga zyra e tij, e qoftë sot z. Bojaxhiu, në terren e me ndershmëri dhe eficiencë të padiskutueshme, nuk ndryshon gjë: dihet se nuk do t'ia dalin dot të bëjnë eficient një gjigant të kalbur nga korrupsioni dhe ineficienca, siç është KESH. Vetëm privatizimi tërësor i elektrikut, do të sigurojë energjinë elektrike, "dritat", në Shqipëri. Natyrisht, fajtori i mosprivatizimit, është politik-bërësi, personi politik në krye të ministrisë nga varet KESH, ministri i ekonomisë. Ai ka një çadër mbi të, kryeministrin, të cilit i duhet KESH shtetëror, ani se shqiptarët rrinë pa drita: aty, në KESH, futen në punë me qindra e mijëra militantë të berishizmit, të cilët janë komandantët dhe ushtarët e skalioneve që i sigurojnë votat kryeministrit. E për votat është i babëzitur kryeministri ynë aktual, siç janë të babëzitur për paratë, të korruptuarit e tjerë. Ky bllokimi i privatizimit, mbështillet me slogane merkantiliste: "ta prodhojmë energjinë në vend, duke shkurtuar importin" (import-substitution policy). celulari, më i shtrenjti U zgjat "edhe dy vjet" futja e operatorit të tretë të telefonisë celulare, e Eagle Mobile (celulari që është pjesë e privatizimit të Telekom). U zgjat, sepse u shty privatizimi i Telekomit. Ajo që ra në sy menjëherë, është fakti se iu dha mundësi administratës shtetërore të lidhur me Telekomin, të abuzojë edhe dy vjet të tjera, me blerjet e saj absurde prej miliona dollarëshe, për të cilat përfliten jo vetëm "10%-shat" e tenderave të kaluar në xhepat e zyrtarëve të shtetit, por një pafundësi abuzimesh të tjera. Pra nuk po hyjmë në hollësitë e abuzimeve në Telekom, as në hollësitë e pagesave marramendëse për "analiza financiare" të firmave audituese "të privatizimit korruptiv të Telekomit nga socialistët", apo të ofertave relativisht më të leverdishme të "një firme gjermane" që donte të blinte Telekomin etj.: për to ka folur mjaft masmedia, dhe thuhet se tani po merret me to edhe prokuroria. Po theksojmë vetëm çështjen e celularit. Kjo zgjatje e privatizimit të Telekomit, lidhet ngushtë me fitimet e tepërta monopolistike, prej miliona dollarësh, të dy kompanive Vodafone dhe AMC, të cilat me "dorëshpuarsinë" e tyre sponsorizuese, nuk do të kenë lënë pa shpërblyer si duhet, edhe ata që ua siguruan "këto dy vjetët monopol". Natyrisht, pagesat korruptive bëhen me paratë tona, që paguajmë tarifat më të larta të celularit, në Botë. Parazitizëm, magazina tregtare shtetërore Ministri akoma po mban shtetërore deri dhe "bazat e Shkozetit Durrës", ca magazina tregtare që të merr vaji t'i shohësh, por që kanë brenda tyre, me qindra vetë që zhvatin rroga e përfitime të majme. Sot, 17 vjet pas komunizmit që i sajoi, ato akoma "janë në pronë shtetërore dhe menaxhohen nga shteti", kur "shoqet" e tyre jashtë tutelës së Ministrisë së dikurshme të tregtisë, u patën privatizuar "brenda dite", që në vitin 1993. Natyrisht, lihen shtetërore për të mbajtur në punë miqtë parazitë të ministrit me shokë-por mos harroni se jemi gjithnjë ne shqipot, që paguajmë për to, jo ministri. rishtetËzime dhe papunËsi U mburr ministri se iu hoqën licencat në bllok, "54 kompanive private të minierave", ndër kohë që pritnim të kundërtën: privatizimin e gjithë minierave të tjera. Kinse iu hoqën licencat, për të ruajtur jetën e minatorëve! Po ku i dërguan këta minatorë, kujt ia lanë në dorë këto miniera? Minatorët i lanë në listat e njerëzve që lëngojnë në asistencë, në papunësi, natyrisht prapë duke marrë nga xhepat tona të shpuara. Minierat i lanë në duar të shtetit, të ministrisë së ekonomisë! Praktikisht ministri po nacionalizon ekonominë, po shtetëzon minierat, gjë që është një politikë tipike majtiste ekstremiste, dhe edhe merkantiliste. Çdo ministër tjetër në Botën e sotme, i djathtë apo edhe i majtë, do të merrte të gjitha masat, jo vetëm që kushtet e sigurisë në punë në këto "54 miniera" të përmirësohen, por edhe që puna në to të ecë përpara, si për të mirën e minatorëve, si dhe për të mirën e pronarëve të tyre. Bile, çdo ministër tjetër, do të punonte gjithë ditën, që të privatizohen të gjitha minierat e tjera, ato që po shkatërrohen prej vitesh, në "konservimet" (bllokimet pa punë) e ministrisë së ekonomisë. Aspak liberalizim Sot, në vitin 2007, nga një ministri ekonomie e Shqipërisë, duhet të kishim dëgjuar vetëm për liberalizim të ekonomisë, për privatizimin e çdo gjëje që diku në Botë është private, për derregullimin (heqjen e rregullimeve shtetërore), për rregullimin jokorruptiv të bizneseve monopolistike, për thjeshtimin e licencimit të aktiviteteve private, për rritjen e eksportit si rezultat i rritjes së cilësisë, për heqjen e barrierave të hyrjes, për globalizmin etj. Por jo, dëgjojmë të kundërtën: vetëm teori e praktika etatiste, përqendrim të çdo gjëje në duart e ministrisë (bile në duart e vetë ministrit personalisht), licenca që kalojnë nëpër duart e ministrit, sorollatje të investitorëve etj. etj. Ministri aktual tani na rezulton më etatisti i historisë post-komuniste shqiptare: edhe teorikisht, edhe praktikisht-në fakt, merkantilizmi i tij, është në koherencë të plotë me populizmin e kryeministrit aktual. Ky realitet na bën shumë pesimistë për të ardhmen e pjesës më të madhe të ekonomisë shqiptare, për mirëqenien tonë. Bashkim Kopliku 19.10.2007 Phone: +355 52 23663 Mob: +355 0682200590 Email: <[email protected]> optional: <[email protected]> Please, send important e-mails on both addresses. ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club