[AlbClub] Fw: Mjekësia, po rikthen djathtas

"Bashkim Kopliku--->Infinito Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <013e01c818a1$06cba5f0$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Mjekësia, po rikthen djathtas
[Gazeta Shqiptare, 27.10.2007]

U desh të vinte pikërisht një ministër jo mjek, Nard Ndoka, që të rifillonin 
reformat e djathta në mjekësi.  Kishte vite, që nga 1997-a, që ministrat e 
shëndetësisë merreshin veçse me mbrojtjen dhe konsolidimin e mjekësisë 
shtetërore, ani se çdo vit e më tepër, në të, në mjekësinë shtetërore, veçse 
rritet korrupsioni, makutëria dhe ineficienca.  Po dëgjojmë më së fundi erën 
e privatizimeve, qoftë dhe vetëm në "shërbimit parësor", apo të shërbimeve 
anësore në spitale (pastrimi, ushqimi etj.).  Ministri i shëndetësisë ka 
bërë deklarata të djathta, pro liberalizimit të mjekësisë, duke i artikuluar 
qartë e sipas doktrinave të partive popullore evropiane, dhe praktikave 
anglosaksone.  Por atë, ministrin, duket se po bëjnë çmos që ta frenojnë. 
Ai po has një oponencë të brendshme, si në aparatin e tij të ministrisë, si 
edhe në bazë.  Kemi lexuar në shtyp, qëndrime etatiste, bile dhe të ndonjë 
mjeku të nderuar, të aftë teknikisht, por që nuk ka kulturën e duhur 
politike.  Ministri duhet të mos thyhet: të rrisë shpejtësinë e reformës së 
tij, qoftë edhe duke shkarkuar nga puna ata nëpunës që i kundërvihen 
reformës, si edhe ata që nuk e ndjekin dot atë.  Nuk ka rrugë tjetër për 
rritjen e cilësisë dhe uljen e korrupsionit në mjekësi, veçse privatizimi i 
saj sa më i plotë.

Tashmë nuk ka shqiptar që nuk e di se nuk merr as shërbimin më minimal në 
strukturat tona shëndetësore shtetërore, pa paguar nën-dorë-në fakt 
ashiqare, sepse tani nuk i bën më përshtypje njeriu.

U ndalua një kirurg që u kap në mitmarrje, e shumë mirë u bë.  Për këtë 
duhet përgëzuar policia, dhe edhe pacienti që bashkëpunoi me të.  Por nuk 
është kjo zgjidhja.  Fenomeni është masiv, dhe nuk zgjidhet vetëm me 
ndalimin e të korruptuarve.  Aq masiv është, saqë jemi të bindur se shumica 
e punonjësve të policisë, detyrohen që edhe ata vetë të paguajnë bakshishe, 
kur shpien njerëz të tyre për t'u vizituar në ambulancë, apo i shtrojnë në 
spital etj.

E pra, personeli mjekësor shtetëror paguhet nga shteti për të kryer punën e 
tij, pra paguhet nga taksat që shteti i mban secilit prej nesh.  Asnjë mjek, 
asnjë infermier, asnjë sanitare, asnjë punonjës i shëndetësisë, nuk duhet të 
marrë, asnjë lek nga pacientët: as ta kërkojë, dhe as ta pranojë kur "ia 
japin me zor".  Të gjithë ata që marrin, thyejnë ligjin, dhe mund t'u vëmë 
çdo epitet sharës, sepse e meritojnë.

"Kanë rrogat e ulëta, për punën që bëjnë", thonë shumë vetë.  Ne mendojmë se 
nuk është tamam ashtu: fondi i pagave gjithsej që merr mjekësia nga buxheti, 
nuk është aq i vogël, por është shpërndarja barazitiste, "të gjithë njësoj", 
që sjell problemet.  Mjeku me vjetërsi në punë, që punon në spital, e që 
merr rreth "38 mijë lekë në muaj", do të thoshim se ka një pagë 
padrejtësisht të ulët, nëse ai punon mirë e me vetëmohim.  Por ama, themi që 
shumë e ka, nëse nuk ia ka idenë mjekësisë, apo sillet kot, dhe e mban atë 
vend pune sepse ka miq.  Pra, një mjek i mirë, duhet të kishte mbi 100 mijë 
lekë në muaj, apo dhe 2-, 3-, 4-, 5- qind-mijë në muaj.  Mendoni sikur numri 
i njerëzve, i personelit mjekësor, të zvogëlohej (duke i hequr ata që sillen 
kot), dhe pagat të diferencoheshin dhe të rriteshin!  Me të njëjtin fond 
pagash (pagat gjithsej) do të kishte shtytje shumë pozitive, për një shërbim 
shumë më të mirë-natyrisht, kjo sepse personeli do të kishte paga shumë më 
të larta.  Me pagat e larta, rritet shumë mundësia e uljes së korrupsionit 
në mjekësi: mjeku e personeli tjetër, merr pagën e vet me kryelartësi, pa u 
bërë "legen" që të marrë bakshishe të paligjshme.

Por skenarin që shpjeguam më sipër, në kushtet shqiptare, as që mund të 
imagjinohet që ta realizojë një strukturë shtetërore.  Bile edhe në vende me 
tradita shumë më të mëdha se tonat, dhe paraqet vështirësi të mëdha 
menaxhimi (administrimi) i strukturave mjekësore shëndetësore.  Nejse, nuk 
duam të hyjmë në diskutimin akademik të politikave të djathta, apo të majta. 
Ne mendojmë se në kushtet tona, e vetmja zgjidhje është ajo e djathta: 
privatizimi-nuk ka zgjidhje tjetër eficiente, mos të humbet kohë kot me 
përpjekje dhe eksperimente që dihet se janë të dështuara.

Reforma në mjekësi duhet të vazhdohet me temp shumë më të rritur, dhe duhet 
të ketë vetëm një moto: "PRIVATIZIM i çdo gjëje që diku në botë është 
private".  Kështu, duhet të privatizohet edhe mjeku i lagjes, edhe 
poliklinikat, edhe spitalet etj., të gjitha, duke lënë shtetërore vetëm 
ministrinë e shëndetësisë dhe drejtoritë në bashki etj.  Bile edhe në vetë 
ministri, apo dhe në drejtoritë e saj, duhet të privatizohen shumë 
funksione, që nga pastrimi i zyrave e deri tek kryerja e studimeve dhe 
projekteve komplekse.  Ministria duhet të bëjë politika dhe të organizojë 
kontrollin e cilësisë së shërbimit (bile, edhe kontrollorët mund të jenë 
privatë!), pra duhet të bëjë vetëm ato që privati nuk i bën dot aq mirë sa 
ajo, dhe t'ia lërë të gjitha të tjerat t'i bëjnë privatët.

Në fund, dy fjalë për merakun e drejtë që kanë të gjithë: "mos privatizimi 
do të rrisë çmimet e shërbimit, populli nuk ka të paguajë?"  Po i biem 
shkurt kësaj here: Privatizimi nuk do të thotë se do të paguhet më shtrenjtë 
shërbimi mjekësor nga pacientët.  Jo, bile me privatizim, rritet mundësia që 
pacientët të paguajnë më pak, e jo vetëm sepse ulet korrupsioni, pra jo 
vetëm sepse ulen bakshishet që detyroheshin t'i jepnin mjekëve shtetërorë, 
por sepse i gjithë sistemi privat, është shumë më eficient se ai shtetëror. 
Kështu, nëse shteti ka ndërmend t'ua sigurojë falas  disa shërbime shtetasve 
të tij të sëmurë, këtë e bën më lehtë, më lirë, nëse fondet e nevojshme për 
kryerjen falas të atyre shërbimeve, ua jep strukturave shëndetësore 
private-vepron i njëjti princip, si për ndërtimin e rrugëve, për furnizimin 
me mallra të ndryshëm, etj., ku tashmë shteti prokuron privatët për t'i 
kryer ato punë.  E gjithë kjo, sepse privati kushton më lirë, sepse është më 
eficient.

Ministri Ndoka ka nevojë të përkrahet në përpjekjet e tija për të reformuar 
sistemin tonë shtetëror.  Se paku mos të kursejmë zërin, t'i japim 
përkrahjen duke thënë një fjalë të mirë, i gjithë opinioni ynë shoqëror-nuk 
i kemi të shumtë ministrat me potencial për të bërë punë të mira për ne.


Bashkim Kopliku
24.10.2007

Bashkim Kopliku
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.