[AlbClub] Fw: Korrupsioni me ofertën "anomal isht" të ulët
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <008001c81b8e$1b864730$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Korrupsioni me ofertën "anomalisht" të ulët
[Gazeta Shqiptare, 31.10.2007]
Duke diskutuar shumë për korrupsionin me tenderimin e investimit gjigant,
atij të rrugës së Kosovës (Rrëshen-Morinë), po lihen në harresë me qindra
raste korrupsionesh në tendera "të vegjël", për gjëra punë "10 deri 100
milionë" lekësh (rreth 0,1 deri 1 milionë dollarë), ata që bëhen "përditë".
E pra, po të mblidhen këta, arrijnë t'ia kalojnë atij të madhit, duke
arritur në vlera gjithsej, prej qindra milionë dollarë (apo euro, deri sa
flasim me afërsi). Duke parë procedurat e tenderave, si dhe praktikën e
zbatimit të tyre, njeriu has në absurde të tilla, saqë i duket vetja në
ëndërr: si ka mundësi që një shtet t'i mbajë ato në dokumentet e veta. Do
të përqendrohemi në një kërkesë procedurale konkrete, "formula e ofertës
anomalisht të ulët", duke shpjeguar sesi ajo është kthyer në një armë për
korrupsion.
Do të na duhet të hyjmë në disa veprime matematikore të bezdisshme, por që
nuk i shmangim dot, sepse pa to, nuk kuptohet absurdi për të cilin bëjmë
fjalë.
Ka raste që ofertuesi, me qëllim mashtrimi, paraqet një ofertë tepër të
ulët: synon që të fitojë garën, dhe pastaj, ose ta rregullojë që të rritet
pagesa e marrë nga shteti, ose punimin ta kryejë me mangësi, duke mos
zbatuar kërkesat e tenderit, e projektit etj. Ofertuesit janë "personat
fizikë a juridikë që paraqesin ofertë" (përcaktimi në Ligj), apo ndryshe,
"operatorët ekonomikë", apo në zhargonin më praktik, janë firmat, personat
fizikë etj., që paraqesin oferta për të kryer objektin e tenderit. Këtyre
lloj ofertave tepër të ulëta, vërtetë që qeveria duhet t'u kundërvihet.
Por, për t'iu kundërvënë këtij fenomeni, qeveria (Këshilli i Ministrave), ka
shpikur dhe ka futur në një rregullore të saj (një VKM), një zgjidhje
mjerane: "formulën e ofertës anomalisht të ulët"-duroni i nderuari lexues,
mos u shqetësoni me shqipen e çuditshme të akteve aktuale ligjore. Në vijim
po jua shpjegojmë këtë formulë.
Fondi limit, është vlera maksimale për të kryer me siguri sa kërkohet në
tender. Fondi limit shpallet me gjithë kërkesat e tjera të tenderit.
Llogaritja e tij bëhet nga "enti prokurues", pra nga organi shtetëror
përkatës, që ka të drejtën të shpenzojë paratë tona ("që i vihen ne
dispozicion fonde publike për prokurim", shkruhet në ligjin përkatës).
Ofertuesit duhet të japin oferta me vlerë më të ulët se ky fond limit.
Pasi janë paraqitur të gjithë ofertat, enti prokurues ("komisioni i
vlerësimit" të ofertave) llogarit disa madhësi (parametra): vlerën mesatare
të ofertave, uljen mesatare, dhe pastaj uljen maksimale të lejuar. Këto
madhësi llogariten si vijon.
Vlera mesatare e ofertës. Llogaritet shuma e të gjitha vlerave të ofertave
të paraqitura, dhe kjo shumë pjesëtohet me numrin e ofertave. Ja një
shembull. E zëmë se fondi limit i një tenderi, është 100 milionë lekë.
Janë paraqitur këto oferta: 80, 95, 70, 88 dhe 60 milionë. Pas
llogaritjeve, del se vlera mesatare e ofertave është 74,32 milionë lekë.
Ulja mesatare. Nga fondi limit, hiqet vlera mesatare e ofertave. Në
shembullin tonë, ulja mesatare del 21,4 milionë lekë.
Ulja më e madhe e lejuar ("pragu aritmetik i ulët", apo "zbritja e
mundshme"). Rritet 20% ulja mesatare. Në shembullin tonë del 25,68
milionë lekë.
Oferta më e ulët e lejuar. Nga fondi limit hiqet "ulja më e madhe e lejuar".
Në shembullin tonë del 74,32 milionë.
Në rastin e shembullit tonë, i bie të përjashtohen si "oferta anomalisht të
ulëta", ofertat 70 dhe 60 milionë lekëshe.
Ja, kjo që shpjeguam, është Formula.
Një lexues i vëmendshëm, dhe me kujtesë normale, do të hidhet me të drejtë
dhe të thotë: "Po kryeministri na u pat mburrur, se ofertat tona kanë vlera
40% më të ulta se tenderat "e Nanos". Atëherë, ofertat e pranuara "nga
Berisha", paskan qenë oferta "anomalisht të ulëta"?!" Formalisht, lexuesi
ka të drejtë, por nuk do të merremi direkt, as me kryeministrin aktual, dhe
as me atë që shkoi, sepse nuk duam të dalim nga tema kryesore e këtij
shkrimi.
Që mos t'ju futim në përgjithësime matematikore të bezdisshme, po mbetemi
tek shembujt konkretë. Mendoni sikur ofertat në shembullin tonë, të ishin
jo ato që morëm si shembull më lart, por këto që vijojnë: 99, 99, 99, 99 dhe
98 milionë lekë. Në këtë rast, rezulton se "oferta më e ulët e lejuar,
është 98,68 milionë, kështu që oferta 98,5 milionëshe, rezulton "anomalisht"
e ulët, prandaj mund të përjashtohet! Me të drejtë do të thoni, po kjo
ofertë ndryshon vetëm 0,5 % me ofertat e tjera, dhe vetëm 1,5 % me fondin
limit! Kush ka nerva, të ulet e të bëjë llogaritjet, por formula e shtetit
shqiptar, këto absurde nxjerr.
Ndonjë hazër-xhevap do të kërcejë: "kështu e nxjerr tregu". Jo, kështu e
nxjerr korrupsioni, sepse në Shqipëri, edhe ofertat që paraqiten, bëhen
qëllimisht të tilla, që formula të nxjerrë absurde-mos të hyjmë pastaj në
faktin se nuk pasqyrojnë tregun, ato fare pak oferta, rast pas rasti.
E pra, matematika e përdorur nuk është fare e nivelit të inxhinierisë, apo
të ekonomisë, por e nivelit të klasës së katërt të shkollës fillore. Si ka
mundësi të kenë kaluar me qindra tendera, dhe qeveria të vazhdojë ta
paraqesë në dokumentet e saj një formulë kaq absurde, dhe pastaj gjithë ata
intelektualë të administratës, të mos ta kenë hequr, si një fyerje për
intelektin e tyre? Sidoqoftë, për ta zbutur pak absurdin, qeveria ia ka
lënë në dorë enteve prokuruese ("komisioneve të tenderave" etj.), që ta
përdorin apo jo, sipas rastit, këtë formulë idiote.
Po pikërisht kjo lënie në dorë të "enteve prokuruese", e kthen automatikisht
Formulën, në një armë për korrupsion. Nëpunësit e shtetit, tani e kanë në
dorë, "me ligj", që kur duan, sipas leverdisë së tyre, ta përdorin formulën
për të eliminuar ofertuesin e padëshiruar-hajde nder hajde, për konkurruesin
që do të fitojë tenderin: i kanë hallall ryshfetet ata "formulaxhinjtë"!
Pra e gjitha kjo, nuk është vetëm punë budallenjsh, por është kryesisht punë
të korruptuarish. Ka pafund tendera që janë fituar duke përjashtuar
konkurrentët, duke përdorur këtë formulë-a thua do ta mbajë shënim këtë
informacion, "auditi i brendshëm" i Kryeministrit?
Natyrisht, problemi i dhënies së ofertave mashtruese tepër të ulëta,
qëndron, por nuk është zgjidhja kjo formula mashtruese dhe e turpshme.
Zgjidhje ka shumë, nga të cilat po rreshtojmë disa. Ja tri nga zgjidhjet.
E para, mbajtja e parapagimeve, e shumave të sigurisë së realizimit të
punimeve si dhe ato të garancisë (këto shuma nuk i kthehen më firmës
mashtruese, nëse e dredh me ofertën e saj të ulët). E dyta, kontrollet e
vazhdueshme të cilësisë së kryerjes së punimeve (këto kontrolle, nuk do të
lejonin moszbatimin e kërkesave të tenderit). E treta, moslejimi i rritjes
së çmimeve të projektit gjatë zbatimit të tij, pa kaluar në procedura
miratimi të ndryshimeve, shumë të rrepta, transparente dhe jashtë entit
prokurues.
Bashkim Kopliku
29.10.2007
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club