[AlbClub] Tregimi "Presja"
PERPARIM KAPLLANI <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
*** AlbClub Discussion List *** (For alb-club only. P. Kapllani) Tregimi Presja Nga Përparim Kapllani Ministri i Mbrojtjes Alfred Koka shtrëngoi dhëmbët dhe mbylli fort kapakët e syve në shenjë stërmundimi. Dikush po trokiste në derë për afro 40 sekonda me një këmbëngulje të admirueshme dhe njëkohësisht bezdisëse. Ministri Koka mendoi një herë që të mos kthente fare përgjigje, por kur i hodhi një sy shkresës që kishte mbi tavolinë u fut në mëdyshje. Pritej që nga çasti në çast të vinte në zyrë me kërkesën e tij Robert Kreshpa, redaktori i gazetës Ylli i kuq, organ i Ministrisë së Mbrojtjes. Ministri Koka kishte krijuar një farë lidhjeje pune me gazetarin Kreshpa. Ishte pikërisht gazetari Kreshpa ai që i përgatiste fjalimet pompoze para familjeve të oficerëve të vrarë në kufi me Greqinë. Ishte pikërisht Kreshpa ai që i përkthente, kur i vinin në zyrë oficerët e NATO-s. Ishte po Kreshpa i vetmi person, të cilit mund t i besoheshin pasqyrimet e vizitave më të rëndësishme në dikasterin e Mbrojtjes. Kjo miqësi latente tashmë kishte marrë fund. Gazetari Kreshpa kishte filluar të hidhte romuze lartë e poshtë korridoreve të Ministrisë së Mbrojtjes se Ministri Koka ishte një idiot i lindur, që nuk dinte të lidhte dy fjalë, se bënte gafa të njëpashnjëshme para ushtarëve, se gënjente papushim oficerët, që në fund të vitit të gjithë do të pajiseshin me shtëpi. Ministri Koka ia kishte falur të gjitha këto. Të vetmen gjë që nuk ia falte dot vartësit të tij të bindur ishte pikërisht një gabim i tij i vogël, një presje, të cilën Ministri Koka nuk e kishte vënë në vendin e duhur, ndërsa gazetari Kreshpa kishte shfrytëzuar rastin për ta tallur paq në sy të të gjithë anëtarëve të tjerë të redaksisë së gazetës së Ushtrisë Ylli i Kuq. Me mua të tallet ai? Qindin do t i punoj, vazhdoi monologun e tij hakërryes Ministri Koka, ndërsa shrëngohej e përpëlitej, sikur ta kishte zënë tartakuti. Ta hap derën apo mos ta hap? Oh, sa kënaqësi, që ndiej! mërmëriti ëmbël Ministri i Mbrojtjes, ndërsa dera u hap ngadalë dhe në të u shfaq koka rrumbullake e gazetarit Kreshpa. Gazetari Kreshpa mbante një tufë letrash në dorë, ndërsa me sytë e tij tinëzarë përpiqej të deshifronte lëvizjet e pakuptimta që po bënte shefi i tij në tavolinën e punës. Ministri Koka kishte mbyllur sytë, ndërsa gojën e mbante gjysëm të hapur dhe lëshonte herë pas here pasthirrma kënaqësie. Në një delir ekstaze e çmendurie Ministri Koka ende nuk e kishte vënë re që dera e zyrës së tij tashmë ishte e hapur plotësisht dhe brenda në zyrën e tij ndodhej një njeri. Trupi i ministrit Koka vazhdonte të lëkundej në një ritëm të lehtë. Për një çast gazetari Kreshpa mendoi se ndoshta Ministri vuante nga ndonjë sëmundje e tokës. Shpesh i kishte qëlluar rasti, që të shihte në rrugë njerëz që vuanin nga epilepsia dhe plaseshin në dysheme pa frymë. Në të tilla raste, ai gjithmonë kishte ofruar një stilolaps, që i sëmuri ta mbante në mes të dhëmbëve. Mundësisht një stilolaps prej hekuri. Ndrojtja se kjo shprehje e gatishmërisë për ndihmë mund të keqinterpretohej ia zbehu paksa dëshirën e fillimit. Më mirë të pres, të marr vesh se çfarë po ndodh në të vërtetë, mërmëriti gazetari Kreshpa, ndërsa shtangu në mes të zyrës së madhe në formë ovale. Në krye të zyrës valëvitej një flamur shqiptar dhe një flamur amerikan, të kryqëzuar si vëllezër binjakë me njëri-tjetrin. Në tavolinën e ministrit qëndronte një bust i Nënë Terezës, si dhe një bust i Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve. Megjithëse kishte krijuar një farë lidhjeje pune, ishte hera e parë që gazetari Kreshpa vinte në zyrën e Ministrit. Gjithmonë i ishte ruajtur afrimitetit të tepërt. Afrimiteti i tepërt në punë i tingëllonte një lloj kompromentimi. Ai ishte gazetar dhe duhej të mbetej gazetar. Misioni i tij ishte e vërteta dhe jo miqësitë fiktive. Nuk e kuptonte, nuk e kishte idenë, përse duhej ta kishte thirrur Ministri i Mbrojtjes, dora vetë! Përse më ka thirrrur?! Mos ndoshta do që të më japë ndonjë udhëzim për ndonjë kryeartikull? Sma ha mendja që më ka thirrur për këtë. Për këto punë përdor atë servilin e poshtër me njëqind fytyra, Mehdi Strakoshën! Mos e ka fjalën për atë fjalimin që duhet të mbajë me rastin e vrasjes së oficerit Kerri nga banditët grekë?! Dreeq o punë! Zot më trego, për çfarë më ka thirrur! Ndërsa vriste mendjen se për çfarë e kishte thirrrur më i madhi i Ministrisë së Mbrojtjes, Kreshpa hapi sytë nga habia. Lëvizjet e pakuptimta të Ministrit të Mbrojtjes pas tavolinës së tij të punës po e futnin në një qorrsokak misterioz. Sapo kam zbuluar një fakt të tmerrshëm: Ministri ynë nuk ndjehet mirë, tha gazetari Kreshpa me vete, ndërsa bëri edhe një hap tjetër drejt ministrit. Zoti Ministër! Ndoshta nuk ndjeheni mirë? A mund t ju thërres ndonjë ambulancë? Zërit të tij të zvargur iu përgjigj menjëherë fantazma e ministrit. Ministri Koka hapi sytë dhe ndali vështrimin e tij të kuqerremtë mbi fytyrën rrumbullake të gazetarit Kreshpa. Sa i zgjuar ishte ai njeri! Sa i urryer njëkohësisht! Po të ishte ndonjë kohë tjetër, do ta kisha varur me duart e mia! tha nëpër dhëmbë Ministri Alfred Koka, ndërsa në miniaturë vazhdonte ta linte trupin e tij të lëkundej nën ritmin e padukshëm. Gazetari Kreshpa nuk ia vuri veshin se çfarë i tha Ministri i Mbrojtjes në fakt. E gjithë vëmendja e tij ishte përqëndruar në lëvizjet e dyshimta të Ministrit nën tavolinë. Po çfarë po ndodhte në të vërtetë? A ishte i sëmurë ministri i nderuar nga epilepsia? Mos vallë, larg qoftë e kishin kapur peng? Dihej shumë mirë, që shërbimet sekrete greke dhe serbe ishin ulur këmbëkryq në mes të Tiranës për shtatë palë qejfe dhe askush se çante kokën. Nuk dihej se nga vuante, por një gjë ishte e sigurtë: Ministri nuk ndjehej mirë. Një fytyrë i ikte dhe një tjetër i vinte. Herë zverdhej e herë skuqej, ndërsa vazhdonte ta linte trupin ti epej nën goditjet ritmike të atyre etheve të panjohura nën tavolinë. Ju lutem, zoti ministër! Me se mund t ju ndihmoj? ulëriti i alarmuar gazetari Kreshpa, ndërsa bëri edhe një hap përpara drejt atij trupi amorf që kishte emrin ministër. Ministri Koka hapi sytë me zor dhe i hodhi një vështrim të tërbuar gazetarit Kreshpa. Lëshoi një klithmë si padashur dhe u përpoq të lidhte fjalët. Më kishe bërë helaq për një presje! Je i pushuar nga puna! Ministri i Mbrojtjes lëshoi një pasthirrmë tjetër në ekstazë dhe uli sytë poshtë në dysheme, aty ku duhej të shtrihej diçka e panjohur . Gazetari Kreshpa solli në mendje të gjitha detajet e vogla të ngjarjeve si në një film bardhë e zi: shkresën e shkruar me dhjetra gabime nga daktilografistja e ministrit, romuzet dhe të qeshurat e kolegëve të tjerë gazetarë në zyrën e ngushtë të redaksisë dhe një fytyrë të panjohur, të ngrirë, që ndoshta mund të ishte fytyra e ndonjë agjenti të Shërbimit Sekret Shqiptar. Divizioni 15 të lëvizet drejt veriut ska mundësi, të dislokohet në kufi me Greqinë! Kjo ishte shprehja që ju më vutë në lojë. Duhej të ishte shkruar: Divizioni 15 të lëvizet drejt veriut, ska mundësi të dislokohet në kufi me Greqinë. Unë e kuptoj rëndësinë e presjes në këtë moment, por fakti që nuk ma thatë mua menjëherë, më bën të mendoj se ju shfrytëzuat rastin për të ulur figurën time si politikan dhe këtë nuk mund tjua lejoj. Jeni i pushuar nga puna! Ministri Koka i bëri me dorë që të largohej, ndërsa gazetari Kreshpa vazhdonte të qëndronte ende atje, në mes të dhomës, i shqetësuar gjer në rrëzë të veshit për fatin e ministrit. Mos më vdes para syve, or aman! Imagjino, sikur të më vdesë përpara syve! Oh zot! Oh zot! Oh zot! belbëzoi në gjendje çmendurie Kreshpa. Nuk po e vriste më mendjen për pushimin e tij nga puna. Rëndësi në atë moment kishte vetëm shëndeti i Ministrit. Imagjino, Ministria e Mbrojtjes Shqiptare pa një ministër? U afrua edhe më dhe hodhi sytë poshtë tavolinës. Për çudinë e tij vuri re një tufë flokësh kaçurrelë pis të zes dhe pantallonat e zbërthyera të ministrit. Në fillim nuk deshi t i besojë syve. Ai imazh femëror që dergjej përdhunshëm nën këmbët e ministrit i përgjasonte pakashumë me Brikenën! Brikena ishte sekretarja bukuroshe e Ministrit, e cila kishte filluar punë në Ministri afro tre javë më parë. Nuk deshi t u besojë syve! U afrua edhe më, por një britmë e fuqishme e bëri të ndalej. Një roje ushtarake u shfaq në derën kryesore të zyrës. Dilni jashtë, zotëri! urdhëroi roja, ndërsa gazetari Kreshpa vazhdonte të qëndronte i shtangur në mes të dhomës. Po e hiqte nga puna për një presje, pikërisht ai që abuzonte sa të mundte me pushtetin! Psherëtiu thellë e ndoqi lëvizjet e ftohta të rojes ushtarake drejt daljes. Fund ______________________________________________________________ If you wish to unsubscribe, send a blank message to: [email protected] , or visit Alb-Club's page at: http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club