[AlbClub] Fw: Kritikë, kundër kritikës p ër universitetet private:

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <0ed501c828ec$abf2d430$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Kritikë, kundër kritikës për universitetet private:

Universitetet, Shoqëria dhe Shteti

[Gazeta Shqiptare, 17.11.2007]

Me këtë shkrim, do të kundërshtojmë dy grupet e fundit të akuzave të bëra 
nga kritikët e universiteteve private (shih ciklin "Kritikë, kundër kritikës 
për universitetet private, Gazeta Shqiptare, datë 9.11.2007 dhe 13.11.2007). 
Këto grupe janë:

5-Me UPF-të (universitetet private për fitim) përfitojnë vetëm fëmijët e të 
pasurve, ata që janë edhe nxënës të dobët.

6-MASH (Ministria e Arsimit) nuk i kontrollon UP-të.

Do të analizojmë implikimet shoqërore dhe ndërhyrjet e nevojshme shtetërore, 
për ta përmirësuar situatën konkret.


Liri shoqërore më e plotë, me UPF-të

"Tek UPF-të shkojnë vetëm fëmijët e pasanikëve, që janë të llastuar dhe 
nxënës të dobët," hidhen gjithë mllef kundër "kapitalistëve", shumë nga 
kritikuesit e UP-ve (të universiteteve private).  Do t'i kundërshtojmë në 
tri linja.

 E para, shumë mirë që të pasurit i shpien fëmijët e tyre në 
universitete-shumë më mirë se t'u japin para e t'i lëshonin vetëm "për të 
bërë qejfe".

E dyta.  për thënien se "Ata që hyjnë në UP-të, janë edhe të dobët si 
nxënës!".  Ne mendojmë se një nxënës që ka mbaruar arsimin e mesëm, nuk ka 
sepse të kualifikohet absolutisht, si i "dobët për në universitet".  Nëse do 
të realizohej premtimi elektoral për "universitete me dyer të hapura për të 
gjithë",  nuk do të kishte fare nxënës "të dobët", sepse të gjithë do të 
mund të regjistroheshin në universitete-fundja UP-të po e afrojnë realizimin 
e këtij premtimi, pa ndihmën e shtetit, prandaj nuk ka shkak për të ankuar. 
Pra, edhe vetë "dobësia e lejuar", ajo se deri ku duhet të pranohet nxënësi 
në universitet, nuk është një madhësi absolute, por është relative: varet 
nga sa para ka shteti.  Ajo është në përpjesëtim të zhdrejtë me paratë që 
shteti ka vendosur të shpenzojë për USH-tët: sa më pak para, aq më e lartë 
është kërkesa e pranimit në USH-të, pra aq më shumë nxënës mbesin jashtë 
USH-ve, si "të dobët".  Për ta kuptuar më lehtë, mendoni sikur nga listat e 
përfundimit të konkurrimit për t'u futur në USH, do të hynin vetëm "100 të 
parët" e listave.  Nëse shteti do të vendoste të shtonte paratë për USH-të, 
do të shtoheshin vendet në USH, dhe për rrjedhojë, do të pranoheshin më 
shumë nxënës.  Pra, nga ato listat, do të futeshin p.sh. "150 të parët", e 
jo vetëm "100 të parët".  Pra do të shtoheshin edhe "50 vetë" të tjerë për 
secilën listë, të cilët do të merreshin nga ata nxënësit që nuk kishin 
fituar, pra që quheshin "të dobët" para se shteti të shtonte paratë për 
USH-të, e që nuk quhen më "të dobët".  Pra, nuk duhet të ankojmë që po futen 
më tepër nxënës në universitete, qoftë me paratë e tyre.

E treta, duhet që shteti t'u japë mundësinë që "edhe të varfrit të 
përfitojnë nga universitetet private".  Shteti duhet të ndërhyjë që të 
sigurojë shanse të barabarta arsimimi-hyn në të drejtat bazë të njeriut. 
Por kjo e drejtë, veçse kufizohet nëse kemi vetëm USH-të (universitetet 
shtetërore), ose u japim bursa etj. studenteve të varfër për të frekuentuar 
vetëm USH-të.  Shanse të barabarta do të thotë që studenti të ketë akses (t'i 
arrijë) edhe në UPF-të, që të mund të gëzojë edhe të mirat e tyre.  Le t'ia 
lëmë në dorë të vendosë tregu, le të vendoset sipas dëshirës së studentëve 
dhe prindërve, siç bëhet në shumë vende të botës.  Të zbatohet principi: 
"funds follow the student" (fondet shteti t'i japë aty ku zgjedh për të 
shkruar vetë studenti dhe prindërit e tij).

Këtij arsyetimi duhet t'i shtojmë edhe faktin që UPF-të janë më eficiente, 
sidomos tek ne, kështu që shoqërisë (shtetit) do t'i kushtonte më lirë, të 
shpinte studentë "të varfër në UPF-të", sepse edhe paguan më pak për ta. 
Fundja, atë kosto që paguan për të mbajtur një student në USH-të, shteti t'ua 
japë si bursë të pjesshme studentëve, që ata të mund ta përdorin për të 
frekuentuar UPF-të-do të paguanin një pjesë të tarifës së tyre-e përsërisim: 
nëse studenti dhe prindërit e tij vendosin ashtu!

Pra, derisa shteti ka vendosur të subvencionojë USH-të, përse mos të 
subvencionojë edhe UPF-të?!


MASH, në rrugën e zgjidhjeve

Natyrisht që arsimi ynë ka probleme shumë, pavarësisht se ai privati është 
më mirë se ai shtetërori.  Natyrisht që MASH duhet të ketë në fokus 
politikat për të përmirësuar standardet, apo në përgjithësi cilësinë e 
universiteteve tona.  Por gjykimi do bërë duke pasur parasysh një MASH që i 
ka njësoj, si universitetet private, si edhe ato shtetërore.

MASH ka dy vjet që e ka nisur punën në drejtimin doktrinar e praktik të 
duhur, duke ecur në të kundërtën e MASH-it të përparshëm, i cili ishte 
thellësisht i centralizuar, thellësisht jotransparent, thellësisht 
joliberal.  Me politikat e tij, MASH-i duhet të shtojë vëmendjen në 
drejtimet që vijojnë, për ta bërë arsimin si në "botën e përparuar":

·                     Të rrisë punën për transparencën e politikave të MASH, 
e sidomos për një licencim dhe akreditim me nivel dhe pa sorollatje të 
universiteteve, si privatet, si shtetëroret (të japë shkaqe të qarta të 
refuzimeve, si dhe ç'duhet përmirësuar që të arrihet aprovimi).

·                     Të rrisë kontrollet për sigurimin e cilësisë së 
arsimim etj. (karta e Bolonjës etj., që nga raportet pedagog/student apo 
sipërfaqe/student, dhe deri tek kurrikulat etj.), për të gjitha llojet e 
universiteteve, si për USH-të, si dhe për UP-të, si edhe për universitetet e 
huaja (!).

·                     Të synojë që të gjithë bordet, komisionet etj., që 
vendosin për licencim- akreditimin, për standardet etj., të krijohen nga 
vetë profesoriati dhe mësuesit, pa ndërhyrje politike të qeverisë së kohës: 
të mos emërohen direkt e vetëm nga MASH, si tani.  Të trajtohet arsimi i 
lartë, si një pushtet i katërt, veç nga ekzekutivit, legjislativit dhe 
gjyqësorit.

·                     Të promovojë hapjen e universiteteve të reja private, 
duke zvogëluar gradualisht ato shtetëroret.  Të synohet që me kohë të 
kalojnë në vetëfinancim edhe USH-të.  Të synohet që financimi nga shteti të 
jetë njësoj, si për USH-të edhe për UP-të.  Të zbatohet principi: edhe nëse 
arsimimi universitar do të mbetet një "e mirë publike" ("public good"), në 
kuptimin që studentët nuk do të paguajnë për të, atë mund ta sigurojnë si 
universitetet private si edhe ato publiket.

·                     Të promovojë hapjen e universiteteve të huaja, duke i 
konsideruar si investime të huaja-mos harrojmë se ka edhe kërkesa nga GATS 
(General Agreement on Trade in Services [Marrëveshja e Përgjithshme për 
Tregtinë në Shërbimet]), për liberalizimin e arsimit, kërkesa që herët a 
vonë, do të duhet t'i plotësojmë edhe ne, prandaj është mirë të jemi të 
përgatitur.

·                     Të promovojë vajtjen e pedagogëve tanë për të dhënë 
mësim në institucionet e huaja, sidomos ato ku ne mund të jemi konkurrues; 
hapjen e degëve të universiteteve tona në vendet e huaja; dërgimin e 
studentëve tanë për studime jashtë shteti.  (Shih GATS)

·                     Të gjejë metoda tregu për përballimin e shpenzimeve 
për mbajtjen e studentëve (huat e studentëve etj.), duke lehtësuar buxhetin 
e shtetit-nuk ka sepse doemos të paguajnë për fëmijët tanë që vazhdojnë 
universitetin, prindërit e tjerë.

·                     Të promovojë krijimin e fondacioneve, qoftë fetare, 
qoftë dhe laike, për të mbledhur fonde filantropike, për të dhënë bursa për 
studentët e mirë dhe të varfër; këto fondacione zakonisht janë në botë OJF 
(organizata jo me qëllim fitimi), sepse këtu është fusha ku OJF-të janë të 
pazëvendësueshme.  Njerëzit, sa t'u japin lekë lypësve në rrugë (që shpesh 
nuk i dinë fare ç'janë, nevojtarë apo "zanatçinj të lypjes"), më mirë atë që 
kanë për ta falur, t'ua japim këtyre fondacioneve se mund ta administrojnë 
më mirë.

·                     MASH të japë rekomandime se ku duhet të drejtohen më 
tepër studentët, cilat janë tendencat e zhvillimit, të bëjë prognoza që të 
orientohet shoqëria (prindërit, nxënësit) se në cilat degë duhet të shkojnë 
për të studiuar.  Por në asnjë mënyrë nuk duhet të aplikohen sanksione tip 
"kaq studentë në stomatologji, kaq në inxhinieri, kaq në ekonomi etj."-këto 
i përcakton vetë tregu, më mirë se MASH e se çdo lloj super-truri etatist, 
qoftë i tipit komunist të "byrosë politike", "komisionit të planit të 
shtetit", qoftë dhe ato "modernet", që s'janë gjë tjetër veçse kopje të 
ëmbëlsuara të atyre të përparshmëve.


Bashkim Kopliku
16.11.2007



Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.