[AlbClub] Bërthamori: pas pranimit tonë në BE

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <016d01c82b90$6b6a6940$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***

Bërthamori: pas pranimit tonë në BE
[Gazeta Shqiptare e Veriut, 20.11.2007]

"Do të ndërtojmë centrale bërthamore [CB] në Shqipëri", kumtoi kryeministri. 
"Nuk kemi para për t'i bërë ato", apo "dëmtojnë ambientin", u përgjigjën 
flakë për flakë nga opozita, dhe edhe nga disa analistë.  Të gjitha palët i 
janë shmangur dy çështjeve kryesore.  E para, këto investime prodhuese duhet 
t'ia lëmë t'i bëjë i zoti i parave, pra privati, e jo menaxhuesi i parave 
tona, shteti.  Nuk duhet lejuar më asnjë investim shtetëror në burimet e 
energjisë elektrike, dhe edhe çdo gjë e KESH (e Korporatës 
Elektroenergjetike Shqiptare) duhet privatizuar-kjo, dhe vetëm kjo është 
zgjidhja njëherë e mirë, si për investime eficiente, si dhe për sigurimin e 
energjisë elektrike.  E dyta, shteti duhet të lejojë ndërtimin e një CB-je, 
vetëm pasi të jetë bindur që qytetarët tanë, shoqëria jonë, kanë arritur një 
nivel të caktuar të respektimit dhe të zbatimit të ligjeve dhe rregullave. 
Aktualisht, ky nivel është skandaloz.  Me këtë nivel të ulët, lidhet dhe 
mospranimi ynë në BE (Bashkimin Evropian), prandaj shteti ynë duhet të 
refuzojë çdo aventurë bërthamore, pa u pranuar ne në BE.


Privati

Është naive që analistë apo politikanë, t'i futen llogarive "ekonomike", të 
miliarda dollarëve që duhen për të bërë një CB.  Ne thjeshtë duhet të 
ndërgjegjësohemi politikisht, se investime të tilla prodhuese, i duhet lënë 
t'i bëjnë vetëm e vetëm privatët, kompanitë që kanë paratë dhe ekspertizën 
për ndërmarrje të tilla.  Ata do të dinë t'i shpenzojnë paratë e veta, me 
eficiencë me qindra herë më të madhe se nëpunësit e shtetit, qofshin 
ministra, deputetë apo edhe njerëz "nga shoqëria civile".  Duket se edhe 
kryeministrin më vonë diçka e kthjelloi, u shkëput nga qëndrimi fillestar 
dhe pranoi se një investimi i tillë është absurde të bëhet me paratë e 
buxhetit-shyqyr, më mirë vonë se kurrë.

Ka ardhur koha që ta mbledhim mendjen njëherë e mirë, edhe kryeministri, 
edhe kushdo tjetër.  Kuvendi duhet të miratojë një ligj me fare pak fjalë, 
afërsisht si vijon: "Ndalohet që shteti të bëjë ndonjë investim të ri në 
burimet e energjisë elektrike; ato duhet t' bëjnë vetëm privatët".  Ky ligj 
duhet bërë menjëherë, sepse privatizimi i KESH-it po bëhet tërkuzë, dhe as 
që pritet të konkludohet nga kjo qeverisje.  Natyrisht, nuk ka zgjidhje 
tjetër për sigurimin e energjisë elektrike për "24 orë pa ndërprerje", 
përveçse privatizimit të të gjithë KESH-it, të tre sektorëve të tij: të 
shpërndarjes, të burimeve dhe edhe të transmetimit.

CB-të janë thjeshtë një variant prodhimi i energjisë elektrike, e nuk është 
e thënë se do të jenë vetëm ato që "do të na sigurojnë energjinë 
 elektrike"-le t'ia lëmë tregut të vendosë formën konkrete të burimeve, ku 
shteti veçse jep ose jo, lejet.


Shteti

Edhe duke e bërë privatët CB-në, dhe jo shteti, është prapë shteti shqiptar 
që duhet ta lejojë apo jo këtë investim.  Punimi i një CB-je lidhet me 
rreziqe të mëdha për jetën e njerëzve, kudo në botë.  Rreziqet, kudo në 
botë, ulen duke vepruar njëherësh tre faktorë të veçantë: investitori privat 
(kompania që e ndërton, dhe ajo që e operon CB-në), institucionet 
ndërkombëtare të kontrollit (Agjencitë e OKB-së etj), dhe shteti i vendit ku 
ndërtohet CB-ja (Shqipëria, në rastin tonë).  Në këtë shkrim, ne do të 
ndalojmë në rolin e shtetit tonë, duke i pranuar të zgjidhura shumë mirë të 
dy faktorët e parë.

I del detyrë shtetit shqiptar, qeverisjes shqiptare (Qeveri, Kuvend), si 
edhe shoqërisë shqiptare, të ndjekë mirë-ndërtimin, mirëmbajtjen dhe 
mirëfunksionimin e CB-ve, nëpërmjet detyrimit të investitorit privat, që të 
zbatojë një "pafundësi" ligjesh e rregulloresh.  Kjo detyrë e shtetit 
mbetet, edhe nëse vjen një firmë super e madhe, super e sigurt, edhe më e 
sigurt se Bechtel (ajo amerikania e rrugës së Kosovës), qoftë edhe e 
famshmja "Westinghause", a cilado tjetër.

Sot për sot, qeverisja jonë nuk mund t'i lejojë vetes naivitetin, por edhe 
krimin, që t'u japë në dorë "mbikëqyrjen e CB-ve", nëpunësve tanë 
shtetërorë.  Kushdo e sheh se tek ne nuk po janë në gjendje të zbatojnë 
ligjin më të thjeshtë në botë, atë të ndalimit të pirjes së duhanit në 
lokale, e jo më të mëtosh zbatimin e legjislacionit kompleks që është i 
domosdoshëm për mbikëqyrjen e CB-ve.  Mos po e bëjmë si ai gomari, që e 
shihte që po vinte ujku, dhe thoshte "bëje zot ëndërr"?!  E "ujku", në 
rastin e CB-ve, është shumë i rrezikshëm.  Ai mund të ketë formën e një 
"Çernobili" [?????????] që i duket sovjetik ndonjërit, apo të një "Three 
Mile Island Harrisburg-Pennsylvania" në SHBA, që çdonjëri e pranon se nuk 
është fare sovjetike, siç nuk janë fare "bolshevike" as edhe aksidentet në 
Windscale (Angli), Saint-Laurent (France), Tokai-mura (Japoni), Vandellos 
(Spanjë) etj.

Ka mjaft të dhëna për të qenë e sigurt se nuk mund t'i lihet në dorë një CB, 
shoqërisë sonë.  Mendoni sikur do ta lejonim një CB.  Do të duhej që 
nëpunësi ynë shtetëror, p.sh. t'u thotë pronarëve të CB-së: "duhet marrë kjo 
masë sigurie, që kushton kaq qindra milionë euro"-këto janë shifrat që 
dëgjojmë nëpër botë, për shpenzimet modernizuese të këtyre lloj centralesh 
Besoj se e merrni me mend sesi do të përfundonte kjo punë me nëpunësit tanë: 
pronari i CB-së, do t'u jepte disa milionë euro në xhep, që ata "të mos e 
shihnin atë nevojën për atë masën e sigurisë".  Natyrisht, krahas Vodaphone, 
AMC etj., do të na shtohesh edhe një gjigant tjetër "filantropik", ndonjë 
"Nuclear SHPK" (ndonjë CB) që do sponsorizonte ku duhet e si duhet, që 
shqiptarët e varfër të harronin "bombën atomike" që do të kishin mbi kokë, 
apo helmimin e vazhdueshëm me radioaktivitet (rrezatim), siç kanë "10 vjet" 
që po harrojnë çmimet monopol të dy kompanive të celularit.


pranimi në Be

Na kujtohen demonstratat popullore, në shumë vende me nëpunës shtetërorë nja 
një mijë herë më të aftë dhe më të ndershëm se tanët.  Shumë nga ato vende u 
tërhoqën para rrezikut të pasjes në vendin e tyre, të një centrali të tillë, 
apo vendosën moratoriume (mos lejime për një periudhë të caktuar, siç qe ai 
mbi 20 vjeçar i SHBA-së, apo refuzimi i Italisë në 1987 etj.).

Edhe ne nuk mund t'i pranojmë CB-të "që sot", sa "të bëjmë shpejt e shpejt 
ca ligje për bërthamorët"?!  Nuk është aq punë "ambientalistësh" apo punë 
"shkencëtarësh të institutit bërthamor", apo punë "juristësh": është punë 
politikanësh, që kanë për detyrë të vlerësojnë nivelin e përgatitjes së 
shoqërisë sonë për të pranuar një rrezik të tillë, siç është një CB.

Ne nuk e kemi akoma klasën politike që mund të hyjë në analizat e 
domosdoshme, prandaj duhet ta zgjidhim dilemën (mëdyshjen) tonë indirekt. 
Ta lidhim dhënien e lejes së një CB-je, me plotësimin e kushteve që 
Shqipëria të pranohet në BE.  Le të jetë ky plotësim kushtesh, pra le të 
jetë pranimi në BE, edhe "e drejta që të kemi të drejtë" të mendojmë për 
lejimin e një CB-je në Shqipëri.  Do të jemi shumë më të sigurt për aftësitë 
e politikanëve tanë, natyrisht edhe të shoqërisë sonë, kur të kemi hyrë në 
BE.  Kjo siguri rritet edhe më shumë, sepse diagnozën që shoqëria jonë është 
shëruar nga shumë sëmundje të saj, do ta japë BE-ja, dhe jo ne vetë.

E fundit, por jo për t'u bërë kjo kryesorja: ndërtimin e një CB-je tek ne, 
besojmë se nuk do ta lejojë as vetë Evropa.  Nuk do të na lejojnë, jo vetëm 
se rrezikohet jeta jonë, por edhe sepse rrezikohet edhe jeta e atyre vetë, e 
evropianëve, se janë fare afër me ne-apo nuk janë edhe aq afër, dhe nuk e 
pësojnë edhe ata nga ne?!


Bashkim Kopliku
18.11.2007


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses.

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.