[AlbClub] Gijotinë politike, apo shtet ligjor ?!

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <013e01c8331e$71fde800$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Gijotinë politike, apo shtet ligjor?!
[Gazeta Shqiptare, 30.11.2007]

"Do të shpërndaj Kuvendin, nëse ai nuk amendon ligjin për të zvogëluar 
imunitetin e deputetëve", kjo ishte afërsisht ajo që pati deklaruar me 
prepotencë kryeministri, në prag të heqjes së prokurorit/zgjedhjes së 
prokurores.  Ndërkohë u hoq kryeprokurori që nuk e desh kryeministri, dhe u 
vu një tjetër, që nuk po e dimë tamam fare a e desh, apo bën sikur e desh! 
Gjithsesi, tani duket se gijotina politike e kryeministrit u krijua: 
gjykatë, prokurori, qeveri janë në xhep të një njeriu.  Vetëm Kuvendi ka 
mbetur pak si jashtë sundimit direkt.  Po tani, a vërtetë do të do 
shpërndahet Kuvendi, po nuk ua hoqi imunitetin të gjithë deputetëve, pra 
"një heqje imuniteti me ligj"?!  Për Shqipërinë, do të ishte mirë të 
shpërndahej ky kuvend, dhe të kalohej në zgjedhje të parakohshme, por kjo 
nuk duket se ka gjasa të ngjasë.  Atëherë, a do të fillojë veprimin gijotina 
politike e krijuar me aq mund nga kryeministri?!  Apo ka ndodhur çudia: kemi 
një prokurore që do të zbatojë ligjin, dhe vetëm ligjin?!  Po presidenti?!

Hajde arsyetojmë një çikë me mendjen tonë.  Sipas asaj që deklaronte 
kryeministri, i bie se paskemi një kryeministër që do të luftojë 
korrupsionin i cili qenka përqendruar në Kuvend.  Deputetët qenkan aq të 
korruptuar, saqë edhe kur u vjen kërkesë nga prokuroria për t'i hequr 
imunitetin një kolegu të tyre deputet, ata u lidhkan "me krimin" dhe e 
mbrojtkan kolegun e tyre të korruptuar, duke mos miratuar, pra duke rrëzuar 
kërkesën e prokurorit.  Kjo është edhe arsyeja e vetme që mbetet të jetë 
shkaku i kërkesës së kryeministrit-natyrisht duke arsyetuar me logjikën 
formale.  Po të mos pandeheshin si të korruptuar shumica e deputetëve, nuk 
do të ishte fare e nevojshme "heqja me ligj e imunitetit", sepse imuniteti 
do t'i hiqesh rast pas rasti çdo deputeti për të cilin bën kërkesë 
prokuroria.  Kjo sepse një Kuvend i pa korruptuar, apo me shumicën e 
deputetëve të pakorruptuar, do të miratonte menjëherë heqjen e imunitetit të 
kërkuar nga prokuroria.  Natyrisht, kjo logjikë, nuk ecën fare në këtë 
zullumhanen të shoqërisë sonë aktuale.

Gjithsesi, në një pikë jemi dakord me kryeministrin, se ky Kuvend është i 
korruptuar.  Por ama ne nisemi nga një logjikë tjetër, nga një këndvështrim 
tjetër.  Ne e kemi fjalën për korrupsion politik, pra ku ajo që merret në 
mënyrë të paligjshme dhe të pamoralshme, është pushteti politik, dhe jo 
thjeshtë paratë, siç është rasti në korrupsionin ekonomik.  Nuk ka sesi të 
shpjegohen tjetërsoj votimet e këtij Kuvendi, ku arrihen shumica me blerje 
deputetësh nga krahu tjetër, duke marrë vendime që në radhë të parë 
drejtohen kundër Lirisë, nga e cila duhet të përfitonin edhe vetë deputetët 
e blerë.  Natyrisht, një kuvend që korruptohet politikisht, pra blihet nga 
kryeministri, nuk ka sepse mos të korruptohet edhe ekonomikisht, duke u 
blerë nga mafja ekonomike.  Prandaj dhe do të ishte mirë që ky kuvend të 
shpërndahet.

Po sikur jemi pak kontradiktor në të gjitha sa rreshtuam: edhe Kuvend i 
korruptuar, i manipulueshëm nga kryeministri, dhe nga ana tjetër, vetë 
kryeministri kërkon ta shpërndajë!  Jo nuk jemi kontradiktorë, por puna 
është që nuk i dihet kurrë se ku e ka hallin ky kryeministër, sepse ky ta 
fut ujin nën rrogoz.  Logjika realiste është si vijon.  Ai nuk ka hiç ndër 
mend ta shpërndajë Kuvendin, por u bën presion deputetëve, që të mos bëjnë 
zë, kur i duhet të kalojë ndonjë hall që ka: më i fundit ishte heqja e 
prokurorit, ku votimi për prokuroren lidhej jo personalisht me atë zonjën e 
re, Rama, por me heqjen e atij zotërisë së vjetër, Sollakut.  Sepse 
mosvotimi i prokurores, e fuste lojën e heqjes së prokurorit në qorrsokak: 
prokurori i shkarkuar nga Presidenti, e vendi pa prokuror; Evropa dhe 
Perëndimi të mashtruar nga Shqipëria, se gjoja do të zbatojë rregullat e 
lojës, duke pritur së paku formalisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese (për 
drejtësinë e ngritjes së komisionit hetimor parlamentar, që i rihapi 
 "varrin" prokurorit, pasi ia kishte mbyllur presidenti Moisiu) etj.  Duket 
se presioni i kryeministrit dha efektin e vet tek deputetët: fët e fët u 
sajuan votat, dhe u zgjodh prokurorja, pra u shkarkua përfundimisht 
prokurori.  Sidoqoftë, për kryeministrin, nuk do të ishte keq edhe t'ua 
hiqte atë "imunitetin ligjor" që kanë këta deputetët, se edhe nuk lodhesh 
kaq shumë me ta xhanëm: do ta kishte më të lehtë t'i urdhëronte e t'i 
komandonte, kur i ka edhe pa imunitet.

Imuniteti i deputetëve ia vlen të mbrohet, në radhë të parë për ata deputetë 
të pakorruptuar politikisht, të cilët kanë qytetarinë t'i kundërvihen 
uzurpimit të shtetit.  Janë këta deputetë që Shqipëria u ka borxhe shumë, që 
e kanë të domosdoshme atë imunitet ligjor, qofshin nga e djathta, qofshin 
nga e majta.  Po t'u hiqet edhe ajo "copë imuniteti ligjor", atëherë ata 
deputetë ose duhet të kthehen edhe ata në vegla të kryeministrit, apo siç i 
thonë amerikanët, yes-men, ose duhet të arratisen sa më parë nga vendi, 
sepse i pret ajo gijotina politike që thamë më lart.  Çdo moment mund t'u 
sajohet ndonjë gjë, që t'i rrasin brenda, në duar të prokurorisë së re.

Por ia vlen të mbrohet imuniteti, edhe për ata deputetë që sot për sot janë 
të korruptuar politikisht.  Shqipërisë i duhet të bëjë stan me lepuj: këta 
njerëz ka, këta deputetë, sepse "këtë popull ka"!  Duhen mbrojtur edhe ata 
deputetë "nga heqja e imunitetit me ligj", që t'u jepet mundësi të bëjnë 
edhe ata, ndonjë gjë të mirë.  Po ua hoqën me ligj imunitetin, është 
zvogëluar shumë shansi që ata të mund të bëjnë ndonjë të mirë për ne, për 
secilin nga ne, për Shqipërinë, por edhe për Kosovën.  Nganjëherë, veprimi 
kolektiv jep rezultate pozitive, edhe kur shumë nga anëtarët e kolektivit 
janë negativë!

E fundit, por mbase më e rëndësishmja: thuhet se zonja Rama, prokurorja e 
re, është person me integritet moral, një zbatuese e pakorruptuar e ligjit. 
Në qoftë kështu, i bie që një forcë e panjohur ta ketë detyruar 
kryeministrin "të gabojë në përzgjedhje", pra që të mos arrijë dot të bëjë 
zgjidhjet që jemi mësuar të presim prej tij.  Mos kjo forcë është presidenti 
Topi?!  Në qoftë kështu-dhëntë zoti të bëhet zhgjëndërr-i bie që për çudi të 
kemi shpëtuar: gijotina politike të mos funksionojë, dhe në Shqipëri të kemi 
shanse të vendosim shtetin ligjor dhe të ecim realisht drejt Lirisë dhe 
Demokracisë.

Të shohim!


Bashkim Kopliku
24.11.2007
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.