[AlbClub] Çmimi elektrikut dhe populizmi i poli tikës

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <094a01c837d6$09039d60$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Çmimi elektrikut dhe populizmi i politikës
[Gazeta Shqiptare, 6.12.2007]

"Kryeministri vuri veton që mos të rritet çmimi i elektrikut", ishte lajmi 
që u përhap këto ditë, në atmosferën e ndërprerjeve të dritave kudo, dhe në 
kuadrin e sulmit frontal kundër institucioneve-kësaj here kundër ERRE (Entit 
Rregullator të Elektrikut), që ka për detyrë përcaktimin e çmimit të 
elektrikut.  "Sa i mirë ky kryeministri ynë: i qan hallin fukarasë," thonë 
naivët dhe militantët e kryeministrit.  Por edhe opozita nuk mbeti mbrapa 
përsa i përket populizmit, edhe ajo ka javë që ulërin: "nuk duhet rritur 
çmimi i elektrikut".  Ne themi se të dyja palët, edhe maxhoranca, edhe 
opozita, po bëjnë gara kush e kush t'u fitojë më tepër zemrën (votat), me 
gënjeshtra, shqiptarëve, këtij populli naiv politik.  Ka vite që na lënë pa 
drita, dhe ne duartrokasim.  Ka vite që na tregohen dorëshpuar me paratë 
tona, nga një anë duke na "e falur elektrikun", e nga ana tjetër duke e 
paguar, po me paratë tona, ato të buxhetit.

Ne themi se nuk duhet të lejojmë politikanët të luajnë rrenash me ne: çmimi 
elektrikut duhet të rritet në vlerën e tij të tregut.  Zgjidhja racionale 
evidente, është rritja e çmimit dhe kompensimi i rritjes për të varfrit. 
Zgjidhja racionale që është jo aq e lehtë të kuptohet, por e cila siguron 
energjinë pa ndërprerje, është privatizimi urgjent i elektrikut (i KESH-it, 
i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare).  Të dyja këto zgjidhjet 
racionale kërkojnë një qëndrim jopopulist, që do t'i shkaktonte qeverisë, 
fillimisht, një rënie popullariteti, por që do t'i siguronte vendit, më së 
fundi, drita pa ndërprerje.  Ne vazhdojmë prej sa e sa vjetësh të kemi 
qeverisje populiste, prandaj edhe vazhdojmë të jemi pa drita-kjo qeverisja 
aktuale, po thyen rekorde të papara të populizmit në ekstrem.  Po le të 
analizojmë pak më në detaje, absurdin ekonomik të mosrritjes artificiale të 
çmimit.


Çmimin e elektrikut e përcakton tregu

Çmimi i energjisë elektrike (i elektrikut), si çmimi i çdo malli, ka një 
vlerë që përcaktohet nga tregu: oferta dhe kërkesa.  Meqë Shqipëria është 
hapur me botën, edhe çmimi i elektrikut lidhet edhe me çmimin e tij në botë. 
Kur ngrihet apo ulet çmimi në botë, edhe çmimi në vendin tonë duhet të 
ndjekë ato ndryshime.  Njësoj xhanëm, si për shumë çmime të tjera, si për 
shembull ai i karburanteve: kur ngrihet "fuçia e naftës në tregun botëror", 
nuk mund të mos ngrihet edhe "litri" (çmimi) i naftës edhe në Shqipëri.

Një ndërhyrje e ashpër e shtetit, në çmimi e një malli të rëndësishëm, sjell 
pasoja katastrofike.  Mendoni se ç'do të ngjiste nëse shteti do të detyronte 
edhe firmat e karburanteve, që ta ulin çmimin e naftës, p.sh. në "55 lek 
litri", siç ka qenë para disa vjetësh.  Menjëherë, të gjithë këto firma do 
të ndërprisnin shitjen, dhe do të falimentonin: vendi do të mbeste pa naftë, 
më keq se ç'është sot pa elektrik: na rroftë çmimi i ulët!  Firmat do të 
mbijetonin, vetëm nëse shteti do t'u falte para nga buxheti, pra nga paratë 
që na merr ne.

Qeveria, duke ndërhyrë në çmimin e elektrikut, duke e mbajtur më të ulët se 
ai i tregut, ka deformuar tregun, ka sjellë një çrregullim shkatërrues, jo 
vetëm për KESH, por për të gjithë ekonominë.  Efekti shkatërrues për KESH, 
është evident, sepse i thuhet, "shite energjinë me 7 lek/kWh, pavarësisht se 
e blen me "11" lek/kWh"!  Një firmë nuk është më e pavarur, nëse e detyron 
të shesë mall me çmim më të ulët se ç'e blen.  Natyrisht që buxheti do t'i 
japë para KESH, sepse përndryshe ajo falimenton si kompani, me çmimin që i 
imponohet.  Por KESH ka mbaruar tashmë si ndërmarrje jobuxhetore, pra që 
mbulon shpenzimet e veta, dhe derdh, dhe jo merr, para në buxhet.  Po 
shkohet 17 vjet mbrapa, duke shkatërruar njëherë e mirë të gjitha teoritë "e 
shndërrimit të KESH në SHA (shoqëri anonime), që të mund të luaj në treg dhe 
të privatizohet më lehtë": për zbatimin e këtyre teorive, shoqëria jonë ka 
shpenzuar miliona euro.

E keqja e çmimit poshtë tregut për ekonominë në tërësi, është si ai virusi 
që përhapet kudo, pa e parë njeri, por duke shkaktuar sëmundje deri 
vdekjeprurëse.  Po japim një shembull konkret, që të kuptojmë fenomenin.


Me se të ngrohemi?!

Keni dëgjuar që na bëhet thirrje ne shqiptarëve që mos të përdorim 
elektrikun për ngrohje, duke na u lutur  që të ngrohemi me naftë, apo gaz, 
apo dru etj., por aman, jo me elektrik?!  Të gjithë "thirrësit" nuk guxojnë 
t'i shtrohen llogaritjeve inxhinierike dhe ekonomike, por i drejtohen 
patriotizmit, moralit apo mashtrimit.  Kjo sepse sipas llogaritjeve për çdo 
rast të shkëputur nga "e gjithë ekonomia e vendit", nga "interesat 
 kolektive"-kështu bëhen llogaritjet e leverdisë personale!-rezulton se 
është më e leverdishme ngrohja me elektrik, për shkak të çmimit absurd, 
jashtë tregut, të elektrikut tonë.

Sot 1 kWh (kilovatorë) elektrik kushton 8,4 lek (përfshirë edhe TVSH-në). 
Nëse do të ngrohemi me pajisje elektrike të thjeshta, si një rezistencë 
elektrike, apo reflektor, apo një radiator me vaj, për çdo kWh ngrohje, 
shpenzohet pothuaj po 8 4 lek, sepse e gjithë energjia kthehet në nxehtësi: 
nuk humbet gjë fare.  Për të qenë më të saktë, do të duhej të merrnim 
parasysh edhe blerjen e pajisjes elektrike, të cilën po e supozojmë se i 
rrit shpenzimet për të marrë 1 kWh ngrohje, me 0,3 lekë, pra arrijmë në 8,7 
lek për 1 kWh ngrohje.  (Atyre që nuk e kanë pasur aq qejf në shkollë 
mësimin e fizikës, u kujtojmë se qoftë energjia elektrike, qoftë ajo termike 
(e ngrohjes) mund të maten me të njëjtën njësi: kWh.  Ju keni dëgjuar të 
përdoren edhe njësi të tjera matjeje të energjisë termike, si kilokalori, 
apo BTU etj., por ato janë njësi të ndryshme për të njëjtën gjë, siç janë 
p.sh. për gjatësinë, njësitë si metri, kuti, pashi, jardi etj..  Njësitë e 
matjes së energjisë, lidhen me njëra tjetrën si vijon: 1kWh=860 
kilokalori=3429 BTU (British Thermal Unit) etj.  Për t'u ngrohur në një masë 
të caktuar, duhet një energji termike, kWh ngrohje, e njëjtë, pavarësisht se 
nga përftohet ajo energji (ngrohtësi), nga elektriku, nga nafta, gazi, druri 
apo çdo lloj karburanti tjetër.  Po këmbëngulim në këtë "qenien e njejtë të 
energjisë termike", sepse për çudi, edhe njerëz të shkencave ekzakte nuk e 
kuptojnë.  Kështu, nëse një dhomë do ta mbajmë p.sh. në 21 gradë celsius për 
një muaj me radhë, do të duhet një sasi kWh ngrohjeje e caktuar, p.sh 500 
kWh ngrohjeje, pavarësisht se nga se përftohet kjo ngohje.  Është si puna që 
për të shkuar nga Tirana në Durrës nëpër autostradë, duhen përshkuar nja 38 
kilometra, pavarësisht nëse i bën me makinë, me biçikletë apo me këmbë. 
Pra, nëse ke përcaktuar ambientin, temperaturën e tij,  kushtet atmosferike 
dhe kohëzgjatjen, ke përcaktuar pa mëdyshje kWh e ngrohjes që duhen për të 
kryer këtë ngrohje.)

T'i kthehemi tani prapë ngrohjes me elektrik.  Nëse për ngrohje përdoren 
pajisjet "me pompë termike", pra në gjuhën e përditshme kondicionerët, për 
të përftuar 1 kWh ngrohje, në klimë relativisht të butë të vendit tonë (jo 
me temperatura shumë më të ulëta se zero gradë celsius), energjia që merret 
nga rrjeti elektrik, është vetëm sa pothuaj 1/3 e kWh të ngrohjes.  Pra me 
kondicioner, çmimi i ngrohjes mund t'i afrohet vlerës minimale prej 2.8 lekë 
për çdo kWh ngrohje.  Kjo sepse pothuaj 2/3 e nxehtësisë merren nga ambienti 
i jashtëm (serpentina e "këlyshit" të jashtëm të kondicionerit, ftohet më 
shumë se ambienti i jashtëm, dhe thith ngrohtësi nga ai!).

Nëse do të ngroheshim me gaz që digjet brenda ambientit që ngrohet (me sobat 
katalitike), çmimi i 1 kWh ngrohjeje, do të ishte rreth 8,7 lekë.  (Për 
qejflinjtë e llogaritjeve: kemi supozuar që 1 kg gaz me bombol, kushton 100 
lek, përmban 13, 7 kWh, 10% e kësaj energjie humbet dhe një 0,3 lek janë 
shtuar për çdo kWh, për të marrë parasysh blerjen e sobës).  Por, nëse do të 
bënim djegie gazi jo brenda ambientit, atëherë 1 kWh ngrohjeje do të 
kushtonte rreth 9,7 lek (për rendiment kaldaje prej 0,9 të djegies direkt në 
ambient etj.).

Për ngrohjen me naftë, mund të themi se i bie për 1 kWh rreth 17 lek (nafta 
me 145 lek/litri, 1 litër=9,5 kWh fuqi kalorifike, rendimenti 0, 86 etj.). 
Për drutë, nuk kemi të dhëna të sakta për çmimin e tyre në treg, por duket 
se është më pak se 2 lek/kWh

Tani çdo lexues do të zgjidhte vetë, pa pyetur fare ata pseudo-specialistët 
e politizuar.  Kështu, nëse është i varfër, dhe ngroh vetëm atë vendin ku 
rri në dhomën e tij, do të zgjedhë ngrohjen me elektrik ose me gaz, edhe 
sepse nuk ka para për të blerë kondicioner, edhe sepse nuk ka para të ngrohë 
të gjithë dhomën, pra do ta drejtojë nxehtësinë aty ku rri.  Kurse ata që 
janë më mirë nga gjendja ekonomike, dhe duan të ngrohin të gjithë dhomën, 
apo aq më tepër, të gjithë shtëpinë, ata do të zgjidhnin ngrohjen me 
elektrik me kondicionerë.  Ata që kanë vila jashtë qytetit, dhe që kanë vend 
ku të stivojnë drutë, mund të kalonin edhe në ngrohje të kombinuar edhe me 
dru.

Po i ndërpresim llogaritjet e ngrohjes, sepse synimi i këtij shkrimi nuk 
është "ngrohja", por vërtetimi se çmimi i gabuar i elektrikut të shpie në 
vendime ekonomike të gabuara, e ku vendimi i ngrohjes me elektrik, ndër kohë 
që ngrohja duhet të ishte me karburante të tjera, është shembulli më tipik i 
këtyre gabimeve.  Elektriku nuk përdoret vetëm për ngrohje.  Por edhe në 
përdorimet e tjera të tij, arsyetimi është i ngjashëm.  Si rezultat i 
përdorimit të çmimeve të elektrikut që janë artificialisht të ulëta, 
vendimet tona ekonomike rezultojnë absurde, sepse na i detyron çmimi i 
gabuar i elektrikut.


Vetëmashtrimi ynë

Mendoni sikur çmimi i elektrikut të rritej relativisht me 50% apo dhe "dy 
herë" (relativisht, do të thotë edhe të ulet çmimi i naftës etj., p.sh. duke 
zvogëluar akcizën marramendëse që i ka vënë qeverisja aktuale).  Nuk do të 
kishte fare nevojë për thirrje patetike, "kurseni elektrikun" etj.  Njerëzit 
automatikisht do të fillonin të përdornin burime të tjera ngrohjeje, dhe jo 
elektrikun.  Do të kishim përfitime të mëdha secili prej nesh, pavarësisht 
se nuk e kemi të lehtë për ta kuptuar.

E përsërisim, edhe kur na duket se e paguajmë lirë elektrikun, në fakt jemi 
duke e paguar me çmimin e vet, por nuk e shohim këtë fakt, sepse na e 
fshehin qeveritarët, meqë një pjesë të kësaj pagese e bën shteti, por ama po 
me paret tona.  Pra ne bëjmë budallain e Evropës: ngrohemi me elektrik, që 
për ne në fakt është ngrohja më e shtrenjtë-në këtë budallallëk na shpien 
politikanët tanë populistë, që mendojnë veçse për votat e tyre, dhe jo për 
atë që është e mira jonë.  Çmimi relativ i elektrikut dhe i karburanteve të 
tjera, ulet duke rritur ekonominë e vendit, duke rritur të ardhurat reale të 
popullit, e jo duke gënjyer me çmimet.

Justifikimi i kryeministrit, por edhe i opozitës, se "KESH nuk paska vjelë 
sa duhet paratë nga bizneset", apo "nuk ka arritur të ulë humbjet joteknike" 
etj., nuk ka të bëjë shumë me çmimin e elektrikut.  Çmimi duhet të jetë ai i 
tregut, sepse ekonomia reagon ndaj çmimit, pavarësisht llafeve dhe sofizmave 
të politikës sonë.  Kudo në botë, çmimi i elektrikut lidhet relativisht edhe 
me çmimet e karburanteve, sepse ato janë produkte zëvendësuese (substitute 
products) të tij.


Bota

Krahasoni në të njëjtin vend të botës, çmimin e elektrikut aty, me atë të 
naftës, apo dhe të produkteve të tjera te saj, po aty, dhe do të bindeni që 
nuk janë këto ndryshime relative si tek ne.  Më thjeshtë: raporti i çmimit 
të 1 kWh, me çmimin e një litri naftë, tek ne është jashtëzakonisht i vogël.

Po ju biem një shembull nga një vend i përparuar i botës, nga Anglia.  Atje 
elektriku kushton rreth 10,63 p/kWh (p është pence, një e qindta e sterlinës 
angleze, afërsisht 1p=2 lekë).  Nafta kushton rreth 35 p/litër.  Pra raporti 
"çmim elektriku me çmim nafte". është rreth 0,3 herë në Angli, kurse është 
0,057 herë në Shqipëri, pra i bie që çmimi relativ i elektrikut, tek ne 
është rreth 5 herë më i lirë.  Po le të krahasojmë edhe çmimet për ngrohjen. 
Ngrohja me elektrik është 10,63 p/kWh, me gaz në bombol është 4,69 p/kWh, me 
gaz nga tubacioni (nga rrejti i gazit) është 2,83 p/kWh, me naftë (vajguri) 
është 3,72 p/kWh, dhe me dru në paleta është 4,02, me dru rifuxhio është 
2,14 p/kWh.  Nuk ka nevojë për komente të gjata: nuk para shkon njeri tek 
elektriku në Angli, ku paguan 10,63 p/kWh, kur ka karburante të tjera shumë 
më të lira, p.sh. gaz nga rrjeti, me 2,83 p/kWh!


Edhe Ne si gjithë të tjerët!

Edhe ne shqipot duhet të punojmë me rregullat e logjikës ekonomike të botës: 
të ngremë çmimin e elektrikut krahasuar me naftën, të kompensojmë 
pensionistët dhe të varfrit (na bie shumë më lirë t'u jepet nja 1 mijë a dy 
mijë lekë në muaj, sesa të mbajmë çmimin e ulët të elektrikut për të 
gjithë), të privatizojmë urgjentisht KESH.  Akoma nuk zumë mend nga 46 vjet 
komunizëm, ku patëm ecur në rrugë "origjinale", "në shtigje të panjohura", 
ndryshe botës.

Bashkim Kopliku
1.12.2007


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.