[AlbClub] Fw: Përse profesoresha falsifikon hi storinë

"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <018901c83bc0$e2c48a30$7301a8c0@pc>
                  *** AlbClub Discussion List ***




Përse profesoresha falsifikon historinë
[Gazeta Shqiptare, 11.12.2007]

U zhgënjyem kur lexuam "historinë" e rrëzimit të komunizmit, tek libri i 
Prof.dr. Valentina Duka, me titull "Histori e Shqipërisë 1912-2000", SHB 
"Kristalina-KH", Tiranë, 2007.  U përqendruam në periudhën 1985 deri 1997. 
Paraqitet sikur qenë vetëm e vetëm "komunistët e ndritur", ata që përmbysën 
enverizmin, e pastaj, meqë i detyruan perëndimorët, vazhduan më tej dhe 
përmbysën edhe komunizmin në përgjithësi-ndër kohë, jokomunistët qenë 
thjesht figurina.  Që të kapërdihet lehtë, e gjithë kjo sajesë vishet me 
retorikë antikomuniste.  Njëkohësisht, autorja ia vesh gjithë të këqijat një 
personi, Enverit, dhe jo komunizmit.  Është po kjo mendësi që bën që ajo, të 
gjitha "meritat" t'ia bëjë homazh një njeriu, p.sh. Saliut, dhe jo një 
grupimi atdhetarësh (pedagogë universiteti, ose jo!) që rrëzuan komunizmin. 
Servilizëm, apo mos ka edhe shkaqe më të thella, ky falsifikim i historisë?!



Paskemi pasur një udhëheqës komunist të ndritur, prandaj rreth tij qenkan 
mbledhur ata politikanët që u gdhinë antikomunistë të nesërmen!

Autorja merret me hyjnizimin e z. Ramiz Alia, kryetari i komunistëve të 
kohës, i cili paskësh qenë, sipas autores, " njeri i qetë", "mjeshtër i 
pajtimit", "njeriu i duhur në çastin e duhur", "skrupoloz", që "nuk përdorte 
metodat e Enverit", që paska bërë çmos për demokratizimin e enverizmit, por 
ah, nuk e linin enveristët.  Përshkruan në detaje romantike "mekanizmin e ri 
ekonomik" të tij, lirinë që paskësh dashur të fuste ai, etj.

Autorja anashkalon shumë fakte të njohura gjerësisht.  Në vijim po theksojmë 
vetëm katër grupe faktesh nga ato që ajo nuk i përmend fare.

E para, në periudhën e z. Alia, u pushkatuan njerëz për arsye politike, 
thjesht për mendimet e tyre, bile edhe poet; u burgosën njerëz për 
"agjitacion e propagandë", u vranë njerëz në kufi, njësoj ose më shumë se në 
kohën e Enverit.  Edhe atë kohë, gjykata komuniste merrte urdhra nga partia!

E dyta, shumë ish-komunistë të kthyer nga internimet e burgjet, që i gënjeu 
hipokrizia e z. Alia, iu drejtuan atij me naivitet, për ndihmë.  Shumica 
përfunduan prapë të internuar apo burgosur.

E treta, ekzekutimin e diktatorit Çaushesku (ekuivalenti rumun i z. Alia) 
dhe të gruas së tij, autorja e zhvendos në vitin 1990, ndër kohë që ngjarja 
është e vitit 1989 (25 dhjetor).  Ishte ky ekzekutim i bërë publik në të 
gjithë botën, që tmerroi edhe udhëheqjen komuniste shqiptare, duke e bërë 
"të zbutesh", dhe jo sepse "nuk përdorte metodat e Enverit".

E katërta, gjatë mekanizmit të "ri ekonomik", u bënë absurde ekonomike 
populiste, që shkatërruan përfundimisht edhe atë çfarë kishte mbetur nga 
ekonomia, duke filluar që nga "prodhimi i të imtave" (ku u shpenzuan miliona 
për instrumente stampa e forma, për prodhimin e budallallëqeve ekonomike që 
veçse shtuan stoqet në magazina), e deri tek prodhimi i "motorit të parë 
shqiptar", e të tjera si ai, që përpinë pa asnjë fryt, fonde financiare 
kolosale.

Ka një shkak "të fortë" që mund ta ketë shtyrë autoren, që ta paraqesë këtë 
falsifikimin me z. Alia.  Ajo synon të justifikojë rrethin e tij, njerëzit 
që ai i kishte si konsulentë dhe emisarë të tij, deri në prag të dhjetorit 
1990, atë pjesë që z. Alia i urdhëroi të kalonin në kampin 
 "antikomunist"-edhe ata, si ai, ishin të mirë: "më thuaj me kë rri, të them 
se kush je".  Këta njerëz të z. Alia, pasi zunë vend mirë në kampin 
kundërshtar të tij, më pas "i dolën krejt doret", dhe edhe e futën në burg 
edhe atë vetë-ç't'i bënin të shkretët "ballistëve dhe legalistëve" që i 
detyruan!  Disa nga ata njerëz të z. Alia, janë sot të fuqishëm, dhe mund ta 
ndihmojnë, apo t'ia punojnë edhe vetë autores, prandaj duket ajo e braktis 
vërtetësinë e historianit, duke iu drejtuar sajimeve dhe sofizmave!



Heshtje tërësore për lëvizjet antikomuniste ku nuk fut dot të vetët

Autorja zmadhon rolin e veprimeve ku mund të bëjë protagonistë njerëz të 
zgjedhur të saj, dhe hesht për disa lëvizje madhore antikomuniste.  Në vijim 
po rreshtojmë  vetëm pesë prej tyre, që Autorja nuk i përmend fare.

E para, rezistenca antikomuniste e Kavajës, ku komunizmi u gjend para një 
populli të tërë që e kundërshtoi (25 mars e deri në fund të vitit 1990). 
Atje komunizmi i z. Alia vrau njerëz (Josif Buda, më 10.7.1990) dhe mbushi 
burgjet me kavajasit e pamposhtur.

E dyta, demonstrata e heshtur në Shkodër (14 janar 1990), para bustit të 
Stalinit.  Shumë nga organizatorët u patën burgosur dhe keqtrajtuar (Gjergj 
Livadhi, Bal Bilali, Dedë Kasneci, Nikolin Thana etj.).

E treta, demonstrata e heshtur e Tiranës (28 janar 1990 mbas dreke).  Bëhen 
arrestime që janë mbajtur të fshehta.

E katërta, ceremonitë fetare për të demonstruar edhe politikisht kundër 
regjimit, në Shkodër (nëntor 1990).  Këto janë, mesha në kishën e varrezave 
katolike (më 11.11.1990, nga Dom Simon Jubani), dhe pastaj ceremonia tek 
Xhamia e Plumbit (më 16.11.1990, nga Hafëz Sabri Koçi).  Të dy objektet e 
kulteve të ndryshme, u riparuan me punë të përbashkët të katolikëve dhe të 
myslimanëve.  Pati me mijëra pjesëmarrës, pa dallim feje: regjimi komunist 
bëri çmos për t'i penguar këto dy aktivitete.

E pesta është negative, por shumë domethënëse: mitingu me "100 
mijë-pjesëmarrës" në sheshin Skënderbeg (15 korrik 1990), i organizuar nga 
regjimi komunist për të dënuar "jashtëqitjen e kombit", apo "plehrat e 
kombit", që në zhargonin letrar të komunistëve të kohës, emërtoheshin ata që 
ishin futur në Ambasadat, në korrik të 1990.  Autorja, po të kishte një 
ndershmëri minimale prej historiani, do të duhej që së paku të paraqiste 
qëndrimet publike të atyre personaliteteve të kohës, pikërisht në atë 
miting, dhe në atë kohë-pastaj fundja edhe t'i justifikonte, kur i duhej t'i 
interpretojë sipas qejfit të saj, veprimet e tyre të pak muajve më pas.



Heshtje tërësore për personalitetet politike jokomuniste të pas vitit 1990

Nga 1985 e deri në 1997, autorja përmend 27 emra komunistësh apo aleatësh të 
tyre në qeverisjet.  E për të njëjtën periudhë, përmend nga kampi 
antikomunist, ai që qeverisi Shqipërinë në hapat e para në demokraci, vetëm 
5 vetë!  Mospërmendja e emrave të drejtuesve të lartë të PD-së, si dhe e 
veprimtarive që lidhen direkt me ta, vjen jo vetëm nga dëshira për t'i 
rritur vlerat njëshave të saj (Sali Berishës e ndonjë tjetri), duke i 
paraqitur si "heronjtë e vetëm", por edhe ngaqë ata "të papërmendurit" kanë 
të përbashkët se asnjëri prej tyre nuk ka qenë anëtar apo kandidat i partisë 
komuniste ("të punës").  Në vijim, kronologjikisht po kujtojmë disa nga të 
papërmendurit, të cilëve as ne nuk po ua përmendim emrat (përveçse atyre që 
nuk jetojnë më): po ua lëmë historianëve të vërtetë që ta bëjnë këtë punë 
(quizi, gjë e gjëza, nuk është fare e vështirë!).

1-Studentët (vetëm një a dy përmenden) që organizuan grevën e urisë dhe bënë 
takimin me qeveritarët, para se z. Alia të dërgonte tek studentët, njerëzit 
e tij, që u morën atyre, studentëve, edhe meritat, edhe vendin në PD.

2-Personat që organizuan rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë: 
nuk e rrezoi as PD-ja, dhe as drejtuesit e saj.

3-Dëshmorët e "2 prill 1991" në Shkodër (Arben Broci, Bujar Bishanaku, 
Besnik Ceka, Nazmi Kryeziu) që dhanë jetën për rrëzimin e komunizmit.

4-Zëvendëskryeministri dhe ministri i bujqësisë (në vitet 1992-93) që ishte 
në krye të reformës së ndarjes së tokës bujqësore tek fshatarët, duke bërë 
rreth 2 milionë pronarë privatë në Shqipëri.

5-Zëvendëskryeministri dhe ministri i rendit publik, (vitin 1992-93), kur 
policia shqiptare u kthye në një institucion të demokracisë, duke u mbushur 
edhe me ish-të përndjekur politikë, edhe me specialistë nga ushtria, e duke 
u përkrahur specialistët e policisë që ishin të gatshëm të ndryshonin me 
kohën, por duke nxjerrë jashtë policisë kundërshtarët e betuar të 
demokracisë.  Rezultati: vendosja e rendit brenda pak muajve.  Ai është 
dekoruar me medaljen më të lartë të kohës, urdhrin e Lirisë të klasit të 
parë (11.1.1993).

6-Zëvendëskryeministri i ngarkuar me reformën ekonomike (në vitet 1993-94). 
Brenda më pak se dy viteve, u privatizuan pothuaj të gjitha ndërmarrjet e 
vogla dhe të mesme (në vend vepronin 37 borde privatizimi me mbi 800 vetë në 
to); drejtimi i investimeve publike u kthye, nga përfundimi i veprave të 
gjiganto-manisë enveriste, në ndërtimin e infrastrukturës fizike (rrugë, 
ujësjellës, elektrik) etj.  Po ky person i kundërvihet i pari piramidave 
mashtruese, edhe brenda PD-së, por edhe publikisht (tashmë si kryetar i 
komisionit parlamentar të ekonomisë, 1996-97).

7-Ministri i mbrojtjes që vuri bazat e lidhjes me NATO-n, që drejtoi 
reformën e parë të zvogëlimit të ushtrisë dhe përqendrimit të saj në 
kazerma, që rezistoi në përdorimin e ushtrisë për shtypjen e demonstratave 
të 1997 etj. (Safet Zhulali).  Ai është dekoruar me medaljen më të lartë të 
kohës, urdhrin e Lirisë të klasit të parë.

8-Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar (SHIK) i cili shndërroi sigurimin 
komunist, në një organ perëndimor (1992-97).

9-Ministri i ndërtimit, që ishte në krye të privatizimit të banesave (vitet 
1993-94), që bëri pronarë të shtëpive të tyre, me qindra mijëra familje. 
Ministri i jashtëm qe reformoi të gjithë diplomacinë komuniste (1992-96). 
Ministri i transportit që privatizoi të gjithë flotën dhe të gjitha parqet e 
autotransportit (1992-96).  Ministri i punës, që organizoi shërbimin e ri të 
asistencës e të punës (1992-94), e shumë e shumë personaliteteve të tjerë të 
qeverisë së parë të PD-së.

Ndërkohë, autorja seç përmend ca emra personash me kontribute "një ditore 
" për demokracinë, që kurrkush veç asaj, nuk ua ka dëgjuar emrin-të gjithë 
ata kanë të përbashkët se ose ishin komunistë, ose kishin poste që 
normalisht rezervoheshin vetëm për komunistët, në regjimin e para 1991-shit.



Falsifikime direkt të fakteve

Ka edhe falsifikime direkt të fakteve.  Po përmendim disa nga ato.  Autorja 
shkruan se "ministri i Ekonomisë dhe Financave i vitit 1993, dha dorëheqjen, 
në një kohë që nuk është e vërtetë: ai u shkarkua.  Apo thotë se z. Berisha 
e detyruan "ballistët dhe legalistët" të radikalizonte PD-në, duke burgosur 
disa anëtarë të byrosë politike, në një kohë që nuk është e vërtetë: kërkesa 
ishte mbarëpopullore, dhe z.Berisha dhe PD-ja thjeshtë po vinte në vend një 
padrejtësi, duke i hapur rrugë drejtësisë të bënte punën e saj.  Apo, thotë 
se mungonin ligjet (në pjesën e dytë të vitit 1996) për të luftuar fenomenin 
e fajdeve, ndër kohë që nuk është e vërtetë: ligjet ishin, dhe sipas ligjit, 
firmat piramidale duhet të mbylleshin, duke u kthyer në banka.



A mos jemi para një antishqiptarizmi të stërholluar?!

Nuk po e vazhdojmë më gjatë kritikën, sepse do të duheshin mbushur faqe të 
tëra me falsifikimin e autores, të kryer nëpërmjet heshtjeve, 
hiperbolizimeve, inkoherencës së saj (ç'thotë në një faqe, e kundërshton në 
tjetrën), si dhe të sa e sa interpretime malinje mbi bazë idesh politike të 
gabuara (si p.sh., "ata janë antikomunistë, pra ata janë të djathtë"), duke 
kopjuar stilin e historiografisë komuniste.

Po e mbyllim duke shprehur edhe një merak më të madh që kemi, të cilin po e 
shtrojmë në vijim.  Sikur ka një gjë të përbashkët tek shkrimi i autores në 
fjalë, me shumë shkrime të tjera që po mbushin ambientin shqiptar këto kohë, 
që bien erë anti-shqiptarizëm.  Këto shkrime burojnë kryesisht po nga një 
rreth i ngushtë me prejardhje "intelektualësh të universitetit, të 
institucioneve të larta apo të shtypit komunist" të Tiranës.  Po vërshon një 
falsifikim i historisë moderne, që si shkak të dukshëm lehtë ka servilizmin 
politik për karriera qofshin dhe akademike (si rektor etj.), siç e analizuam 
më sipër në këtë shkrim.  Por ky falsifikim i modernes, duket sikur bën 
pjesë në një të tërë, ku përfshihet edhe falsifikimi i historisë së lashtë e 
të vjetër, apo edhe filo-shqiptarizmi ekstrem, që natyrisht bën efektin e 
kundërt, duke larguar njerëzit edhe nga ajo që është faktikisht shqiptare. 
"Historisë së falsifikuar", i shtohen edhe ca "përkthime nga bota e 
përparuar", ku për çudi përzgjidhen libra ku nuk përmendet as Skënderbeu; as 
roli i shqiptarëve në Ballkan ndër shekuj; ku myslimanët edhe të Shqipërisë 
paraqiten si terroristë a injorantë; shqiptarët paraqiten si endacakë në 
hapësirat ku jetonin prej mijëra vitesh, nga Durrësi e deri në Odesë etj.

A thua kemi të bëjmë me një orkestrim të stërholluar nga forca okulte 
anti-shqiptare, që i telekomandojnë këto lloj "intelektualësh"?!

Sidoqoftë, duhet që historianët të detyrohen me dhunën e ligjit që të 
shkruajnë faktet historike siç kanë qenë, dhe vetëm pastaj le të bëjnë 
interpretimet e tyre sipas qejfit!


Bashkim Kopliku
7.12.2007


Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>

Please, send important e-mails
on both addresses. 

______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.