[AlbClub] Posta, kundër rrymës botërore
"Bashkim Kopliku--->Gmail Home" <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.recreation.alb-club |
|---|---|
| Message-ID | <05ae01c83eed$8baab190$7301a8c0@pc> |
*** AlbClub Discussion List ***
Posta, kundër rrymës botërore
[Sot, 15.12.2007]
Para disa ditësh, me rastin e 95-vjetorit të Postës Shqiptare, pamë paradën
"madhështore" të parakalimit të Postës, si dhe paradën e sukseseve të saj,
nëpërmjet "Intervistës" me drejtorin e përgjithshëm, që e kishin botuar
pothuaj të gjitha gazetat. Po këto ditë, na qëlloi të shkonim për të
tërhequr një pako të ardhur nga jashtë shteti, në zyrën përkatëse të Postës
shqiptare, në qytetin e Durrësit: një zyrë skandaloze, si nga pamja, si dhe
nga funksionimi plot burokraci. Po nuk janë vetëm ambientet keq, janë të
gjitha keq, që nga tarifa postare marramendëse. Këtë realitet nuk e
mbulojnë dot ato postieret simpatike që mbushën bulevardin e Tiranës atë
paradë, nuk e mbulojnë as kritikat e drejtorit "për ca ministra", dhe as
lëvdatat e tij për kryeministrin. Gjendja është pesimiste edhe për të
ardhmen: si drejtori, por edhe kryeministri, janë euforikë, dhe e shohin
zgjidhjen në "konsolidimin e pronës shtetërore mbi Postën Shqiptare", si dhe
në forcimin e monopolit shtetëror të saj. Kësaj i thonë ecje kundër rrymës,
kundër rrymës së ecjes së të gjitha postave të vendeve të botës: rryma e
liberalizimit dhe e privatizimit të postave. "Dokumenti Themelor i
Zhvillimit të Postës Shqiptare", ai i para nja dy vjetëve, vazhdon të jetë i
pandryshuar, i kundërt me çdo program të postave të botës perëndimore.
"Te Dafina", kështu quhet zyra ku tërhiqen pakot në Durrës, në qytetin e
dytë të vendit, që ka një popullsi prej rreth 200 mijë banorë. Në atë zyrë
hyhet nëpërmjet një labirinti pis, ku çdo çast mund të copëtosh kokën në
trarët e godinës, nëse je më i gjatë se nja 160 cm. Një zyrë e shkatërruar,
që të kujton zyrat e Shqipërisë komuniste: me siguri që zyrat postare të
para 95 vjetëve, në kohën e qeverisë së Ismail Qemalit, kanë qenë shumë më
të mira se kjo. E vetmja gjë pozitive, është sjellja e qytetëruar e
nëpunëses, znj. Dafina, sepse çdo gjë tjetër është si mos më keq. Edhe
burokracia është prezent, edhe në atë farë zyre. Pakon (një libër në rastin
konkret) e kishim porositur me një klikim në internet, kurse për ta tërhequr
në zyrat e Postës sonë, na u desh edhe të shkonim atje, por edhe të firmosim
me emër e mbiemër, edhe në një regjistër, e pastaj edhe në një mandat
arkëtimi (për nja 50 lekë!), në po atë zyrë, e tek po e njëjta nëpunëse. E
pyesim: "Përse duhet të firmos në dy vende; përse nuk i unifikoni
dokumentet?" Nëpunësja na thotë se kështu e ka rregulloren nga drejtoria.
Nuk e zgjasim me të, se ajo e shkreta mirë që të jep përgjigje: jeton në
mjerimin e një rroge më pak se 15 mijë lekë në muaj. Nuk ka asnjë shans të
ndërrohet kjo gjendje, po nuk u bë një ndryshim me themel: privatizimi.
Bëni krahasimin e zyrave të privatëve, me këto zyra shteti, pa hyrë në
sofizma dhe krahasime të tjera.
Marrim listën e tarifave tona postare, dhe na rezultojnë më të larta se të
shumë vendeve me të ardhura kombëtare mbi dhjetëfishin tonë. Letra, dhe
rekomande bile, që ngatërrohen me ditë të tëra, në zyrat e shtetit, që
shkojnë p.sh. "tek Gjykata", në vend që të shkojnë tek Prokuroria etj. Nga
ana tjetër, zyrtarë që mburren për suksese. Krahasohen me para "15-17
vjetësh", me fillimin e viteve '90, kur pakot në postë hapeshin dhe
vidheshin. Pra vazhdojmë të matemi me të keqen, siç mateshim në komunizëm,
para 1991-shit, me vite të largëta, me cilat t'u tekej enveristëve të asaj
kohe. Sot duhet të krahasohemi me sot, me vitin 2007, me vendet e tjera, me
ato të përparuarat-a duam të bashkohemi me ta?!
Fatkeqësisht, në të gjithë intervistën, atë të fundit prej katër faqesh të
drejtorit të Postës, fjalët "liberalizim", "derregullim" apo "privatizim",
asnjëra nuk figuronte gjëkundi! Vetëm një herë haset fjala "privat", por
për keq, në togfjalëshin "privatët, piratët e Postës". Përse kjo fobi
("urrejtje") ndaj tregut të lirë, kur ka edhe një kërkesë evropiane për
liberalizimin dhe privatizimin e postave?! Mendësi etatiste të trashëguara
nga komunizmi, apo leverdi ta mbash shtet sepse e vjel disi?! Nuk po
shkojmë me hamendje, por vetëm po ju tregojmë se ç'bën ndër kohë bota.
Njëzet vjetët e fundit karakterizohen nga zhdukja e monopolit shtetëror të
postave, që në shumë vende kishte rrënjë historike. Vendet evropiane kanë
lënë prej vitesh monopolin shtetëror: p.sh. Suedia ka liberalizuar postën,
që në vitin 1983. Liberalizim (apo dhe demonopolizim, në këtë rast) i
postës, do të thotë që të lejohen të bëjnë punën e postës shtetërore, edhe
bizneset private, pra të ketë edhe posta private-ama të jenë njësoj në garë,
privatja me shtetëroren; jo ajo shtetërorja e subvencionuar nga buxheti i
shtetit, qoftë edhe fshehtas, dhe privates t'i marrësh frymën në çdo hap.
Tani nuk po mbetet vend pa e kryer liberalizimin, sidoqoftë, janë vënë edhe
afate të detyruara nga BE (Bashkimi Evropian) për kryerjen e liberalizimit:
ai duhet të jetë kryer brenda vitit 2009. Qeverisja jonë as që e ka vënë
ujin në zjarr!
Në shumë vende po kryhet edhe privatizimi i postave. Kjo do të thotë që
pronarët e postës të mos jenë më vetëm shteti, por edhe privatët. Në këtë
drejtim, ka qëndrime nga më të ndryshmet: që nga 100% privat (si p.sh. në
Gjermani), e deri në pjesërisht privat e pjesërisht shtetërore.
Në botë tashmë ka vite që vlojnë diskutimet për metodat më optimale për
liberalizimin dhe privatizimin e postave. Edhe SHBA, një vend që e ka pasur
historikisht Postën si një kompani shtetërore, të siguruar me ligj që në
shekullin e XIX, tani, në vitin 2007, po mendohet të privatizohet: që në
vitin 2001, drejtori i përgjithshëm i postave (Postmaster General) William
J. Henderson rekomandoi privatizimin duke u dhënë aksione edhe punonjësve.
Edhe Japonia të njëjtën gjë po bën.
Nuk është qëllimi i këtij shkrimi, që të tregojmë historinë e liberalizimit
dhe privatizimit të postave në vende të ndryshme. E kemi fjalën që ky
proces është "në rend të ditës" në të gjithë vendet, dhe nuk ka vend që të
ketë heshtje si jona për këtë problem. Është faj i qeverisjeve tona të
këtyre 10 vjetëve të fundit, që nuk e kanë vënë ujin në zjarr për
liberalizimin dhe privatizimin e postave. Por faji është edhe më i madh,
për qeverisjen aktuale, për faktin e thjeshtë se kjo është më e vonë: edhe
dihen gabimet dhe dështimet e kaluara, edhe koha ecën, po i afrohemi afateve
të vendosura me direktivat e BE.
Në rastin e Shqipërisë zgjidhja duhet të jetë privatizimi i menjëhershëm i
Postës, me 100% pronësi private. Kjo pasi kemi korrupsion proverbial të
nëpunësit shtetëror. Nganjëherë, një nëpunës shtetëror jo hajdut si yni,
edhe rregullon punë, prandaj edhe vrasin mendjen bota, sa t'ia lënë shtetit,
e sa privatit. Por për ne vendimi është "fare i thjeshtë": nuk i duhet lënë
të përzihet fare nëpunësit shtetëror tek posta e privatizuar, sepse ai veçse
prish punë. Sidoqoftë, diskutimi duhet bërë i gjerë, dhe nuk duhet evituar
pas zhurmës tip enveriste, të ecjes "nga fitorjet në fitorje".
Jemi mësuar tashmë të themi "jemi vonë me filan reformë", duke mos i vënë
gishtin fajtorit konkret për vonesat tona. Në rastin e postave, faji
kryesor i mosliberalizimit dhe mosprivatizimit të Postës, bie mbi qeverisjen
aktuale, e më konkretisht mbi drejtorin e postës, dhe mbi kryeministrin.
Por nuk mbeten pa faj edhe specialistët e postës, që duhet të ishin më të
azhurnuar (më të përditësuar) me rrymën botërore të zhvillimit të postave,
dhe duhet të ishin ata që të dilnin para opinionit publik, edhe para
qeverisjes, dhe të kërkonin që edhe ne të mos mbeteshim mbrapa botës-një
çikë guxim, se fundja nuk i hanë dot më, si dikur në kohën e Enverit!
Bashkim Kopliku
12.12.2007
Phone: +355 52 23663
Mob: +355 0682200590
Email: <[email protected]>
optional: <[email protected]>
Please, send important e-mails
on both addresses.
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club