Re: [AlbClub] Duhet te jete e padurueshme

"Pellumb Kulla" <[email protected]>
Newsgroups gmane.recreation.alb-club
Message-ID <[email protected]>
                  *** AlbClub Discussion List ***



Problemi që ngre Dashi është një problem mediopsiqik.

Nuk jam fare i shqetësuar e nuk besoj se dikush vërtet do të çmëndet,
do të bjerë në depresion të përgjithshëm kombëtar, apo do të shtyjë
pushimet në vendlindje. Dhe i burgosuri qe mezi ka pritur mund te dale
pa frike nga qelite e burgut. Gazetat në mëmëdheun tonë të shtrenjtë
janë totalisht pa kredibilitet. Unë habitem se sa lirshëm shpifet
atje. Aty që nga maja e piramidës qeveritare, deri te sportelët e
kioskave, gënjejnë pa skrupull me një lirshmëri mbresëlënëse.
Gazetapregatitësit dhe gazetakollofitësit jetojnë në një harmoni të
përkryer.

Unë kam patur më shumë ambicje skenike, se sa shqetësim publik kur kam
nisur të mbledh titujt e tillë, sensacionalë. Nuk hyj në garë me ty,
se kushtet janë fare të pabarabarta. Të shtrirë në kohë gjatë këtyre 5
vjetëve, titujt e veçuar nga unë mund të jenë më goditës. Kurse ti i
ke vetëm të një dite dhe bile vetëm prej njërës nga gazetat e
kryeqytetit tonë të dashur. Pra je i fituar që në nisje. Megjithatë,
si ata maratonistët e devotshëm, unë garën edhe sikur të rrezikoj të
dal i fundit, nuk e braktis.

Po rreshtoj ca prej titujve:
"Tenton të helmohet. Helmi ish i skaduar". Kjo tregon që, lavdi Zotit,
skaduesi nuk ka vdekur. Bile, nuk ka sepse të bëhet një lajm me këtë
fakt. Njësoj sikur të thuash "Ai fjeti deri në mëngjes dhe pa u zgjuar
fjeti deri në drekë!" Unë mund ta kem veçuar këtë titull, ngaqë atë
ditë gazetat nuk kanë patur asnje vetvrasje, vetëtherje, apo vetëvarje
dhe ato deshin të paktën të tregonin se për t'u degdisur në botën
tjetër, përpjekje të sinqerta jane bërë.

Një titull tjetër mjaft interesant: "E ngrenë mbi supe për të bërtitur
 "Nano ik" i heqin nga xhepi 20 mijë euro"! Por në gazetë nuk thuhej
kush, nga ta që e ngritën mbi supe, i vodhi eurot, të majtët apo të
djathtët? Nuk kuptohej nëse hajduti ish me ata që thoshin "Nano ik",
apo ata që thoshin "Nano rri"?!

 "Mishi i prishur i dërgon tërë dasmorët në spital. Dhëndri në koma"
Ky është titull i denjë për ato që ke zgjedhur ti, bile, fare mirë,
kryetitull për Korrierin tend, se kandidatët për arkivolë kanë qenë me
dhjetra.

"Ju rrëfej si i kam ndezur cigaren Enver Hoxhës". Ja një titull me
kriminelë. Duket thjesht si titull memorialistik nga ato shënime që
gazetat tona janë gati t'i paguajnë me flori. Por në të vërtetë edhe
ky titull është për kronikën e zezë, (që atëhere nuk botohej kurrë).
Në ato ditë të ndezjes së cigares, Enver Hoxha pushkatoi katër
komunistë nga stani i tij.

 "Vriten për një lëmë. Në atë lëmë varrosen të dy".  Duket që ka qenë
truall që këshilli i fshatit e kish caktuar për varrezë.

"Bëhet tapë me vjehrrin dhe përdhunon vjehrrën". Pastaj:  "Gruaja dhe
dashnori varrosin të gjallë burrin e kurrorës". Këto nuk kanë nevojë
për komente e hollësira, se unë ruhem nga pornot.

 "E vrau me thikën e bukës".  Vrasja del në plan të dytë. Në të parin
është mjeti, me të cilin u krye. Gazeta këtu ndihmon familjat e
varfëra, që nuk blejnë dot as helm as armë.

"Grushta në parlament". E kam veçuar, me qënë se aty nisin të tëra vrasjet.

"Pronarët e vjetër ndeshen me pronarët e rinj" Kuptohet që këtë nuk e
kam nxjerrë nga ndonjë gazetë sportive dhe ndeshja për të cilën flitet
në titull, nuk ishte në fushën e futbollit. Ky titull, i vetëm, i
thatë, flet për mijëra vrasje. Me sopatë e me kazmë. Me helm e pa
helm. Me thikën e bukës dhe me gjembin e plehut!…

Mua më tërheqin jashtë mase titujt që parathonë vrasje me bollëk, si
këta më poshtë: "Kapet i kërkuari, por arratisen nga burgu tre të
kapur më parë" dhe një tjetër me arratisje: "Arratiset nga burgu i
Londrës, ngjall tmerr në Milano".

Ja dhe ca tituj pa komente, nga këta që kam mbledhur lart e poshtë:
"Biznesmeni turk: qysh e korruptova ministrin shqiptar". "Maska vret
vëllanë. Nuk e njohu, se dhe ai ish me maskë".  "Deh të vjehrrin dhe i
përdhunon të shoqen". Ky i fundit nuk është lajm i përsëritur më lart,
pra, nuk është lajthitje nga ana ime! Jo,jo! Ky është dhëndër tjetër,
me vjehërr tjetër, në një vend tjetër dhe ka ndodhur pesë muaj më
vonë! Albclubasit nuk duhet të tronditen, se të themi të drejtën,
është një episod më pak dramatik se i pari. Titulli tani nuk shënon
"përdhunon vjehrrën", por "të shoqen e vjehrrit" gjë që tregon se
femra e përdhunuar nuk ishte mamaja e gruas së tij. Është një grua
tjetër, që vjehrri do ta ketë marrë pas vdekjes së vjehrrës së
përdhunuesit. Sado ngjarje e rëndë, prapë ka hapësirë për të
buzëqeshur. Por ne, albclubasit, duke i marrë të dy lajmet së bashku,
duhet të tronditemi thellë se përse ngjasin këto fenomene me dhëndurë
të rinj, që joshen pas gjahut të moshuar. Vërtet ka femra të reja të
larguara nga vendi për aventura semaforiale, por kaqë shumë qënkan
ato?!!!

Sidoqoftë, i dashur DK, titujt e sotëm, dhe sidomos, vetëm në një
gazetë, flasin më shumë. E pranoj: e fitove garën!
______________________________________________________________
If you wish to unsubscribe, send a blank message to:
[email protected] , or visit Alb-Club's page at:
http://www.alb-net.com/mailman/listinfo/alb-club
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.