Teksti video dhe fotot Illyria 20 vjeç are dhe nje feste per te gjithe shqiptar

[email protected]
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
_ILLYRIA - 20  vjetori_ (http://www.illyriapress.com/20/index.html)  
 
 
_http://www.illyriapress.com/20/index.html_ 
(http://www.illyriapress.com/20/index.html) 
 
 
 
     (http://www.illyriapress.com/)                                         
  
Illyria 20 vjeçare dhe një festë për të gjithë  shqiptarët 
Po 20 vjet më parë u rilidhën marrëdhëniet  diplomatike mes Shqipërisë dhe 
Shteteve të Bashkuara të  Amerikës
Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi dekoroi gazetën "Illyria"  me "Medaljen 
e mirënjohjes" me motivacionin "në shenjë nderimi e  mirënjohje të thellë 
për këtë gazetë që ka për ideal të shenjtë në tërë  përmbajtjen dhe 
veprimtarinë e saj shërbimin ndaj çështjes kombëtare,  lirisë, prosperitetit dhe 
përparimit të popullit shqiptar".  

Kongresisti Eliot Engel bëri një deklaratë përshëndetëse për  gazetën 
"Illyria" nga salla e Kongresit amerikan ku u kujtoi kolegëve të  tij rolin e 
shqiptaro-amerikanëve në shoqërinë amerikane, miqësinë e  fuqishme dhe 
tradicionale mes dy kombeve tona dhe rolin e gazetës  "Illyria" për t'i përforcuar 
këto karakteristika. 

Letra  përshëndetëse gazetës i dërguan: shkrimtari i madh Ismail Kadare, 
ish  presidenti amerikan George W. Bush, kryebashkiaku i New York-ut, Michael  
Bloomberg, biznesmeni dhe filantropisti Donald Trump, kryetari i Bronx-it,  
presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga etj.  
Nga Ruben Avxhiu 
Gazeta shqiptaro-amerikane "Illyria" festoi ditën e  dielë, 22 maj, në 
Manhattan festën e 20-vjetorit të saj si edhe të  20-vjetorit të rivendosjes së 
marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shteteve  të Bashkuara të Amerikës dhe 
Shqipërisë.
Darka festive u kthye në një  nga grumbullimet më masive në historinë e 
komunitetit shqiptar të Amerikës  me mbi 800 vetë që mbushën në skaj të 
kapacitetit sallën më të madhe të  mjediseve në përdorim të kompanisë së banketeve 
"Pasha Events" në  Manhattan.
Pjesëmarrja masive ishte një lloj falenderimi i komunitetit  për rolin e 
jashtëzakonshëm dhe unik që ka luajtur gazeta "Illyria" në  jetën e saj. Pa 
qenë nevoja të bëhet një histori e gjatë e këtyre 20  viteve botimi të 
pandërprerë, mjafton që të kujtohet koha kur doli numri i  parë i kësaj gazete. 
Ishte një kohë kur komuniteti shqiptar ishte  përforcuar ekonomikisht, ku 
shqiptarët e Amerikës nuk ishin më një grup  familjarësh hallexhinj që 
përpiqeshin të mbijetonin në dhe të huaj, por  ishin një aradhë individësh të 
suksesshëm që arritjet e tyre personale e  familjare ishin të vendosur që t'i 
kthenin në të mirë të kombit.
Ishte  një kohë kur shqiptarët gjithësesi ishin të shpërndarë në pjesë të  
ndryshme të Amerikës pa lidhje me njëri-tjetrin. Media që ekzistonte ishte  
shpesh lokale pa shpërndarje të mirë e të rregullt. Interneti nuk  
ekzsitonte ndërsa teknologjia telefonike ishte ende me barriera.
Kjo  ishte gjithashtu një kohë kur valë të reja shqiptarësh kishin 
mbërritur  prej disa vitesh nga ish-Jugosllavia dhe të tjerë po bëheshin gati të  
vinin nga Shqipëria paskomuniste. 
Kjo ishte gjithashtu koha kur  shqiptarët po provonin shanset e tyre të 
lobimit në Washington, kur po  përzgjidhnin miqtë dhe kundërshtarët, kuriozët 
dhe indiferentët. 
Ishte  mbi të gjitha, koha kur shqiptarët e Amerikës po zbulonin veteveten. 
Kush  ishin njerëzit më të suksesshëm, më të shquar, më të pasur, më të 
edukuar,  ata që kishin bërë emër në shoqërinë amerikane etj.
"Illyria" krijoi  pikërisht atë rrjetin që nevojitej që ky komunitet të 
ngjizej në një forcë  kompakte e dinamike. Lexuesit e saj zbuluan se nuk ishin 
vetëm, se mund të  takoheshin e komunikonin lehtësisht, e se nëse do të 
aktivizoheshin,  pjesëmarrja e tyre do të shënohej në histori. Nga Florida në 
Alaska, nga  një skaj i Amerikës në tjetrin, "Illyria" i bashkoi të gjithë 
shqiptarët  pa dallim, duke vënë kombin mbi gjithshka. 
Që atëherë kanë kaluar 20  vjet, gjatë të cilave, bota ka ndryshuar shumë, 
kombi shqiptar ka  ndryshuar shumë, komuniteti shqiptar ka ndryshuar shumë e 
bashkë me to  edhe gazeta "Illyria". Sot, roli i gazetës i është përshtatur 
kushteve të  reja, mirëpo ajo përfaqëson të njëjtat parime, standard e 
synime që i kanë  shërbyer aq shumë këtij komuniteti e për të cilat ai ka nevojë 
për  veprimtarinë e saj. 
Një gazetë model
Ishte biznesmeni  dhe aktivisti i njohur i komunitetit Harry Bajraktari ai 
që e nisi këtë  udhëtim duke themeluar gazetën në qershor të vitit 1991 
(festa u organizua  këtë muaj për t'iu përshtatur kalendarit të veprimtarive 
shqiptare të  komunitetit dhe për të qenë disi më afër datës së përvjetorit të  
marrëdhënieve diplomatike me Amerikën).
Krijimi i gazetës gjallëroi  jetën e komunitetit dhe filloi të kanalizonte 
në drejtimet e duhura  energjitë dhe mundësitë e shqiptarëve. Sigurisht që 
ndihmonte fakti që  botuesi i saj Harry Bajraktari ishte edhe vetë një nga 
aktivistët dinamikë  në lobimin për interesa të shqiptarëve. I ardhur nga 
Kosova, kur ishte  vetëm 12 vjeç, suksesin në biznes e përdori për të ndikuar te 
politikanët  amerikanë.
Në atë kohë, shqiptarët në Amerikë ishin sa të entuziasmuar  për mundësitë 
që ofronte rënia e komunizmit në Shqipëri dhe shpërbërja e  Jugosllavisë, aq 
ishin të shqetësuar se keqpërdorimi i shanseve dhe  mungesa e ndihmës nga 
jashtë do të vononin demokracinë në Shqipëri si dhe  se pa ndërkombëtarizimin 
e çështjes, tragjedia që po ndodhte në Kosovë do  të thellohej.
Ekrem Bardha ishte botues i gazetës nga viti 1998 deri në  vitin 2006. Me 
origjinë nga Kolonja, ai ishte arratisur me familjen nga  Shqipëria për t'i 
shpëtuar persekutimit komunist. Ekrem Bardha në vitin  1986, siguroi në 
Kongres një dëshmi për një mërgimtar shqiptar që ishte  arrestuar për motive 
politike gjatë një vizite në Jugosllavi. Kjo bëri që  ai të lirohej, ndërsa 
Jugosllavia për herë të parë në histori mori një  goditje në Washington.
Sot, si Harry Bajraktari ashtu edhe Ekrem  Bardha, janë jo rastësisht, 
investuesit shqiptaro - amerikanë nga më  kryesorët në Kosovë dhe Shqipëri 
respektivisht. 
Të dy këta ish-pronarë  dhe aktivistë u nderuan në darkën e të dielës.
Një falenderim të  veçantë botuesi i tanishëm, Vehbi Bajrami kishte 
rezervuar edhe për mbarë  komunitetin shqiptar të Amerikës.
"Kjo gazetë nuk do të kishte mbushur  sot 20 vjet suksesesh dhe arritjesh 
pa mbështetjen zemërgjerë të  komunitetit shqiptaro-amerikan", tha botuesi 
Bajrami në fjalën kryesore të  mbrëmjes. "Ata na kanë ndihmuar që nga dita e 
parë me reklama, abonime,  ndihma, këshilla, artikuj, reportazhe, kujtime 
personale dhe familjare,  fotografi e dokumente nga arkivat e tyre, të dhëna, 
si dhe me mbështetjen  e tyre morale. Disa nga më të mirët në këtë drejtim 
janë këtu në këtë  sallë. Dhe fjalët nuk mjaftojnë për t'ju falenderuar aq sa 
e meritoni që  keni qenë pjesë e këtij udhëtimi të jashtëzakonshëm".
Vehbi Bajrami e  filloi punën si gazetar në muajt e parë pas hapjes së 
kësaj gazete dhe u  bë redaktor e kryeredaktor i saj. Pas një stazhi rreth 
njëvjeçar si  drejtor i Seksionit Shqip të "Zërit të Amerikës" në Washington, ai 
bleu  gazetën "Illyria" në shtator të vitit 2006. 
Vehbi Bajrami është autor  i librit voluminoz "Shqiptarët e Amerikës" dhe 
librit në gjuhën angleze  "My Trip to Holy Land" (Udhëtimi im në Tokën e 
Shenjtë). 
Imazhi i shqiptarëve
Gazeta  "Illyria" e kishte organizuar darkën e saj festive jo thjesht për 
t'iu  gëzuar 20 vjetëve të saj e për të festuar me komunitetin. Synohej që 
ajo  të shërbente gjithashtu edhe për një nga misionet e gazetës: prezantimin 
e  vlerave dhe kombit shqiptar te të huajt, kryesisht tek amerikanët. 
Për  këtë arsye, në sallë e festës, ditën e dielë, merrnin pjesë edhe një 
numër  shkrimtarësh dhe arstistësh amerikanë, gazetarë nga media amerikane,  
biznesmenë dhe veprimtarë të fushave të ndryshme, të njohur e miq. Për  
shumicën e tyre, kjo ishte hear e parë që prezantoheshin masivisht me  botën 
shqiptare, njerëzit e saj të shquar, kujtimet e të kaluarës dhe  shpresat e të 
ardhmes. Efekti ishte i jashtëzakonshëm. Ndonëse shumë prej  tyre e kishin 
një ide për shqiptarët nga lidhjet personale, përvoja e  mbrëmjes ishte një 
edukim i rëndësishëm për ta.
Në listën e gjatë të të  ftuarve amerikane spikasin sidomos këta emra: 
Francine Prose,  shkrimtare e njohur amerikane dhe presidente e Qendrës PEN 
në SHBA,  organizatës së shquar të shkrimtarëve; Laura Maria Censabella, 
dramaturge  dhe skenariste amerikane që ka fituar dy Çmime Emmy për serialin 
televiziv  "As the World Turns"; Charles Kipps, autor librash, skenarist i 
njohur  televiziv. Lista e tij e gjatë e çmimeve përfshinë edhe një Emmy, një  
Peabody, dhe një Edgar Award; Kirk Semple, gazetar i "The New York Times"  
që nga 2003 (ish-korrespondent në Irak, Afganistan dhe Haiti-aktualisht  
punon për seksionin që mbulon qytetin e New York-ut); Dominic R. Massaro,  
anëtar i Gjykatës Supreme të New York-ut, që nga viti 1987, autor librash  dhe 
fitues çmimesh e medaljesh nga shumë vende të botës; Michael Genet,  
skenarist dhe aktor amerikan etj.
Kjo ishte në përputhje me  veprimtarinë tashmë 20-vjeçare të gazetës 
"Illyria" që përpiqet t'ia  shpjegojë botës amerikane sukseset e shqiptarëve te 
Amerikës. Në mënyrë të  rregullt që prej themelimit, gazeta "Illyria" i është 
dërguar senatorëve  dhe kongresistëve më të shquar amerikanë, zyrtarëve të 
rëndësishëm në  Departamentin e Shtetit, diplomatëve të njohur, 
institucioneve studimore  të njohura si "think tank", departamenteve të universiteteve ku 
studiohen  shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, historia, 
antropologjia dhe  fusha të tjera studimore që mund të lidhen me Shqipërinë. 
Fqinjët tanë  kanë në akademinë amerikane katedra që i sponsorizojnë vetë. Në vite 
janë  botuar libra e referenca që kanë shtrembëruar historinë. Kjo mungesë 
e ky  disavantazh nuk mund të kapërcehet lehtë, mirëpo ndërkohë "Illyria" ka 
 mbushur zbrazëtirën duke ofruar kontributet dhe informacionet që botohen  
në faqet e saj, për të ofruar një burim dhe një realitet tjetër.
Në  kohën kur u themelua "Illyria" Kosova dhe shqiptarët nën Jugosllavi 
kishin  nevojë për ndihmë, ndërkombëtarizim të çështjes së tyre dhe mirëkuptim. 
 Kauza shqiptare është mbrojtur dhe argumentuar në Washington nëpërmjet  
faqeve të gazetës "Illyria". Kjo dëshmohet edhe nga dhjetëra letra që  
personalitete nga më të lartat amerikane i kanë shkruar gazetës, apo  mesazhet që 
ia kanë komunikuar në vite botuesve dhe gazetarëve të  saj.
"Illyria" ka ndihmuar për të identifikuar në Washington ata që na  
përkrahin dhe ata që na dëmtojnë, ata që janë përpjekur të ndihmojnë  shqiptarët e 
Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë si dhe integrimin e  Shqipërisë në BE dhe 
NATO si dhe ata që janë përpjekur të na  dëmtojnë.
"Illyria" ka treguar se cilët janë shqiptarët që po punojnë  më shumë me 
këta politikanë e ekspertë amerikanë, duke ndihmuar që këta  individë të 
komunitetit të lidhen me njëri-tjetrit, të gëzojnë promovimin  dhe nderimin që 
meritojnë, të sigurojnë përkrahje e pasues, si dhe të  nxisin me anë të 
shembullit të tyre, bashkatdhetarë të tjerë. 
James Rubin dhe politika parimore amerikane në  Ballkan
Në planin politik i ftuari më i shquar i mbrëmjes  ishte James Rubin, 
ish-zëdhënës i Departamentit të Shtetit dhe ish  Ndihmëssekretar i Jashtëm nën 
zonjën Madaleine Albright (Madëllejn  Ollbrajt). 
Shtetet e Bashkuara kanë qenë besnikërisht pozitive ndaj  Shqipërisë dhe 
shqiptarëve në këto 20 vjet, sidomos ndaj shqiptarëve të  Kosovës. Aty 
zhvillohej tragjedia më e fortë e kohës dhe aty u përqendruan  edhe përpjekjet 
kryesore të shqiptaro-amerikanëve. 
Të zgjidhje pra një  përfaqësues të kësaj mbështetjeje nuk ishte e lehtë, 
por besuam se asnjë  periudhë tjetër nuk mund të simbolizonte më mirë 
mbështetjen amerikane se  sa ndërhyrja e vitit 1999 në Kosovë që shmangu 
katastrofën humanitare dhe  çliroi Kosovën nga pushtuesi e kolonizatori serb. 
Rimëkëmbja, pavarësimi  dhe etapat që vijnë më pas janë rrjedhime të natyrshme të 
asaj  ndërhyrjeje.
James Rubin ka qenë në atë kohë, fytyra publike dhe zëri i  politikës së 
jashtme amerikane. Ndonëse ishte Presidenti Clinton ai që dha  urdhërin, 
ndonëse ajo njihej si "Lufta e zonjës Albright", ishte James  Rubin ai që mori 
përsipër t'ia shpjegonte këtë luftë opinionit botëror. Në  bashkëpunim me 
Jamie Shea të NATO-s, Rubin sfidoi publikisht argumentet  pro-serbe ruse e 
kineze, apo edhe ato që dilnin nga Perëndimi. Se sa e  vështirë është të fitosh 
opinionin publik e treguan ndërhyrjet e mëvonshme  ushtarake amerikane në 
botë.
James Rubin nuk ishte thjesht një  zëdhënës. Ai ishte edhe një diplomat, 
një zyrtar i lartë (i vetmi zëdhënës  në histori që ka qenë edhe 
NdihmësSekretar i Shtetit, pra pjesëmarrës në  vendimmarrje). Ky personalitet i medias 
dhe politikës amerikane simbolizon  më së miri rritjen e njohjes amerikane të 
çështjeve shqiptare, sepse ka  punuar si ndihmës i Senatorit Joseph Biden 
(Xhozef Bajden), sot  zv-president i Amerikës, në kohën kur Biden u bë një nga 
politikanët e  parë amerikanë që foli hapur dhe qartë për Kosovën dhe 
shqiptarët në  ish-Jugosllavi. Rubin sot është figurë në median amerikane, 
pikërisht në  kohën kur Kosovës dhe shqiptarëve u duhet ndihma në imazhin publik, 
tashmë  që problemin kryesor politik e kanë zgjidhur.
James Rubin, që u nderua,  në darkën e të dielës, me një çmim të veçantë 
nga gazeta "Illyria", u prit  me duartrokitje dhe brohoritje nga shqiptarët 
kur u ngjit në skenë. Çmimi,  një pllakë me një mbishkrim domethënës, iu 
dorëzua personalisht nga  botuesi i gazetës, Vehbi Bajrami. Rubin përfitoi nga 
rasti për të treguar  disa mbresa nga viti 1999 si dhe besimin e tij se 
shqiptarët do të  vazhdojnë të ecin përpara. 
Nderimi që i bëri "Illyria" ishte sigurisht  një shpehje e mirënjohjes të 
të gjithë shqiptarëve dhe një kujtesë se  ndihma që i dha Kosovës i ka 
shërbyer jo vetëm shqiptarëve por mbarë paqes  dhe stabilitetit në rajon si dhe 
imazhit të mirë të vetë Amerikës dhe  politikanëve të saj të asaj kohe.
Vetë kongresisti Engel bëri një  deklaratë përshëndetëse për gazetën 
"Illyria" nga salla e Kongresit  amerikan ku u kujtoi kolegëve të tij rolin e 
shqiptaro-amerikanëve në  shoqërinë amerikane, miqësinë e fuqishme dhe 
tradicionale mes dy kombeve  tona dhe rolin e gazetës "Illyria" për t'i përforcuar 
këto karakteristika.  Në emër të kongresistit, çmimin e gazetës e mori 
këshilltari i tij  politik, Bill White.  
Një miqësi e vjetër dhe e  sinqertë
Historia e lidhjeve shqiptaro-amerikane sigurisht që  nuk fillon me vitet 
90-të. Ajo fillon qysh nga ardhja e shqiptarëve të  parë si mërgimtarë në 
fund të shekullit 19-të, për të vazhduar te krijimi  i "Vatrës" dhe i Kishës 
autoqefale, te roli i Presidentit Wilson në  garantimin e një shteti për 
shqiptarët në Ballkan, te lufta për çlirimin e  Shqipërisë e pastaj në 
rezistencën kundër komunizmit dhe diktaturës që  përfundoi më rënie e kësaj të fundit, 
jo vetëm në Shqipëri por në mbarë  botën.
Sjellja e komunistëve me aleatin tonë të madh është një njollë  turpi në 
historinë e shqiptarëve. Sikur të mos mjaftonte shkatërrimi  material e 
shpirtëror i Shqipërisë, komunistët bënë çmos që të minonin në  mënyrë fatale dhe 
përfundimtare marrëdhëniet me miqtë tanë në Perëndim,  sidomos me Amerikën.
Kjo përpjekje e turpshme përfundoi me rënien e  komunizmit dhe rivendosjen 
e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Shqipërisë  dhe Kosovës. Ky rikthim te 
aleati ynë i vjetër dhe i duruar ishte një  ngjarje që nuk duhej pa iu dhënë 
respekti i duhur dhe i merituar.  Pikërisht për këtë arsye, "Illyria" që 
një nga misionet ka edhe që të jetë  një urë lidhëse e miqësie ndërmjet dy 
kombeve tona, vendosi ta ndajë  festën e saj me kujtimin e kësaj ngjarje.
Në mënyrë kuptimplotë merrte  pjesë në këtë përvjetor ambasadori i parë 
amerikan në Shqipëri pas rënies  së komunizmit. William Ryerson është një 
diplomat i shquar, mik i  shqiptarëve dhe anëtar i hershëm i Bordit të Nderit të 
gazetës "Illyria".  
Tipike në natyrën e tij ishte që refuzoi që "Illyria" t'i paguante  
udhëtimin për në New York dhe qëndrimin në hotel, madje këmbënguli që të  paguante 
edhe çmimin për pjesëmarrjen si çdo anëtar tjetër i komunitetit.  
"Jam betuar që kur u bëra diplomat se nuk do të përfitoja asnjë cent  për 
shkak të detyrës sime", shpjegon ai buzagaz. 
Ryerson kujtoi kohën  kur erdhi për herë të parë në Tiranë nga Ambasada në 
Beograd dhe ndonëse  komunistët ishin ende në pushtet, ndonëse vendi ishte 
në një krizë  ekonomike, atmosfera ishte e mbushur me padurimin dhe dëshirën 
për të ecur  përpara. 
Sot, pas 20 vjetësh, Ryerson mbetet një mik i përkushtuar i  shqiptarëve. 
Ai lexon dhe mund të flasë në gjuhën shqipe. Shpesh na dërgon  reagime ose 
komente për shkrime që i ka lexuar në shqip. Ai merr pjesë  gjithashtu në 
aktivitete lokale të shqiptarëve, në zonën afër  Washington-it.
I pyetur nga "Zëri i Amerikës", Ambasadori Ryerson i  bëri një përshkrim 
gazetës "Illyria" që e nderon shumë atë: "Illyria ka  qenë një zë i arsyes, ka 
raportuar në mënyrë objektive dhe kjo flet shumë  për një gazetë. Eshtë 
shumë e lehtë për një gazetë komuniteti të mbajë  anën e këtij apo të atij. 
Mendoj se "Illyria" ka qenë shumë e matur duke  mbajtur një ekuilibër të 
vështirë dhe duke na dhënë të gjitha aspektet e  një ngjarjeje. Kjo është një gjë 
vërtet e mirë dhe unë i  përgëzoj".
Ashtu siç i takonte një veprimtarie me një temë të tillë,  merrnin pjesë në 
këtë darkë edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës,  zotërinjtë Ferit 
Hoxha dhe Avni Spahiu si edhe konsujt respektivë Dritan  Mishto dhe Arta Rama. 
Ambasadori Hoxha i dorëzoi botuesit të gazetës,  Vehbi Bajrami dekoratën e 
Presidentit të Shqipërisë Bamir Topi per gazetën  "Illyria", "Medaljen e 
mirënjohjes" me motivacionin "në shenjë nderimi e  mirërnjohje të thellë për 
këtë gazetë që ka për ideal të shenjtë në tërë  përmbajtjen dhe veprimtarinë e 
saj shërbimin ndaj çështjes kombëtare,  lirisë, prosperitetit dhe 
përparimit të popullit shqiptar". 
Kreshnik  Spahiu, i cili kishte udhëtuar nga Tirana për të marër pjesë në 
mbrëmje,  është shumë i njohur për lexuesin e gazetës sonë. Ai është vënë në 
krye të  rezistencës shqiptare kundër regjistrimit të popullsisë sipas 
interesave  greke që kërkojnë që njerëzit e thjeshtë ta deklarojnë kombësinë e 
tyre pa  vërtetime, për të fryrë në mënyrë artificiale numrin e pakicës greke 
në  Shqipëri.
Kreshnik Spahiu është një nga organizatorët kryesorë të  referendumit që 
kërkon pastrimin e regjistrimit nga ngarkesa politike dhe  kryerjen e tij 
sipas standardeve kombëtare. Në festën e gazetës ai  lavdëroi 
shqiptaro-amerikanët si një shembull i pashoq i patriotizmit dhe  ruajtjes së traditave 
shqiptare. Ai vlerësoi rolin e gazetës "Illyria" për  bashkimin e shqiptarëve dhe 
për vendosjen e interesave kombëtare mbi  gjithshka tjetër. Fjalimi u prit 
me duartrokitje dhe me mjaft interes nga  aktivistë të shumë e të njohur të 
komunitetit. Një fushatë nënshkrimesh  për referendumin mund të fillojë edhe 
në SHBA.
Në prizmin e kësaj teme  ishte me vend edhe pjesëmarrja e një numri 
shqiptaro-amerikanësh që ishin  ftuar të merrnin pjesë. Ndër ta edhe Bardhyl 
Tirana, avokat i shquar  shqiptaro-amerikan, që ishte Kryetar i Komitetit për 
organizimin e  ceremonisë së betimit të Presidenti Jimmy Carter; 
shqiptaro-amerikani Eddi  Z. Zyko, një Gjeneral Brigade i Ushtrisë së Shteteve të 
Bashkuara; Nijazi  Tonuzi, veteran shqiptaro-amerikan nga Lufta e Vietnamit; Ed 
Rexha,  ish-oficer shqiptaro-amerikan i Flotës Detare Amerikane, gjatë 
Operacionit  Liria e Irakut në 2003 etj. Këta e të tjerë në sallë janë shqiptarë që  
kanë përjetuar ngjarje të historisë amerikane, të lumtura apo të hidhura,  të 
nderuara apo të diskutueshme. Tre vetë nuk mund të ishin aty me ne, tre  
shqiptarët që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit: Mon Gjonbalaj,  Simon 
Dedvukaj e Rrok Camaj.  
Illyria, shqiptarët dhe politika  lokale
Një nga gjërat që e ka karakterizuar punën e gazetës  "Illyria" në këto 
vitet e fundit ka qenë përpjekja e saj për ta angazhuar  komunitetin me 
politikanët lokalë në bashki e në asambletë e kështillat  lokalë. 
Ashtu si u përpoq të edukonte politikanët amerikanë lidhur me  të vërtetat 
shqiptare në vitet 90-të, po ashtu u mundua "Illyria" të  edukonte 
shqiptaro-amerikanët me mundësitë që ekzistonin para tyre për të  ndikuar te 
politikanët në Washington.
Kohët e fundit, një përpjekje e  ngjashme po bëhet nga gazeta për t'i 
shpjeguar komunitetit rëndësinë e  politikanit lokal. Ndërsa politikanët në 
Washington ndikojnë në fatin e  kombit shqiptar, ata të pushtetit lokal ndikojnë 
në jetën e përditshme të  komunitetit. Dhe sigurisht që sa më e mirë të jete 
jeta e  shqiptaro-amerikanëve, aq më shumë mundësi do të kenë ata të 
ndihmojnë në  kauzën kombëtare dhe në çështje të tjera humanitare, shoqërore e 
kulturore  në të cilat janë angazhuar.
Për këtë arsye, përveç kongresistit Engel  dhe ish-NdihmësSekretarit Rubin, 
në festën e të dielës ishin ftuar dhe u  nderuan edhe figura më lokale, si 
Presidenti i Manhattan-it, Scott  Stringer, anëtari i Këshillit Bashkiak të 
New York-ut, James Vacca,  ish-asambleisti Stephen B. Kaufman. Një numër 
figurash të tjera si  kryebashkiaku Michael Bloomberg, ish presidenti George W. 
Bush, biznesmeni  i njohur Donald Trump, shkrimtari i shquar Ismail Kadare 
etj. dërguan  përshëndetje e urime të ngrohta për gazetën dhe komunitetin.
Ndërmjet  shumë kontributeve që kanë dhënë, Presidenti Scott Stringer në 
bashkëpunim  me gazetën "Illyria" dhe Fondacionin e Shoqërisë 
Shqiptaro-Amerikane, të  drejtuar nga Esad Rizai festoi pavarësinë e Kosovës këtë vit me një 
 parrullë gjigande elektronike në Times Square, një nga qendrat më të  
ndjekura të botës. James Vacca po në bashkëpunim me FSHSHA ka siguruar që  një 
rrugë në Bronx të marrë emrin "Nënë Tereza" si dhe po organizon çdo  vit 
festën e pavarësisë së Kosovës në Bashkinë e Qytetit. Avokati Stephen  B. 
Kaufman që ka luajtur dhe luan një rol të dorës së parë në afrimin e  komunitetit 
me përfaqësuesit tanë lokalë, siguroi në vitin 2003 vizitën e  
kryebashkiakut Bloomberg në Kosovë, kur shqiptarët atje kishin nevojë për  vëmendje 
ndërkombëtare. Për këto dhe kontribute të tjera ata merituan  nderimin në darkën 
e gazetës.  
Shqiptarët në median  amerikane
"Illyria" ka shkruar shpesh për brezin e ri të  shqiptarëve që po shkëlqen 
në fusha që nuk kanë qenë tradicionale për  komunitetin tonë këtu në SHBA, 
kryesisht në industrinë bankare dhe  financiare. Mirëpo, kjo festë e gazetës 
së komunitetit ishte një rast i  mirë për të ftuar e nderuar shqiptarët e 
rinj që punojnë sot në median  amerikane, në gazeta e televizione.
Vetë bashkëdrejtuesja e programit,  Lidia Ujkaj është një reportere 
shqiptaro-amerikane për kanalin televiziv  News 12 Westchester. Shpesh aktivizohet 
si korrespondente speciale për Fox  News, CNN dhe Court TV, kur ka tema nga 
Westchester që kanë interes më të  gjerë. Ajo është fituese e një çmimi 
Emmy. 
Një çmim i veçantë ishte  ruajtur për Tara Nicajn, producente e shfaqjes 
Hannity Show në kanalin Fox  News, që është emisioni i dytë më ndjekur i 
lajmeve në mbarë rrjetet  televizive amerikane, për gati 10 vjet tashmë. 
Gazetarja  shqiptaro-amerikane ka mbuluar ngjarje si 11 Shtatori, Lufta në Irak,  
Uraganin Katrina, dy zgjedhjet e fundit presidenciale, tërmetin dhe  cunamin 
në Japoni, etj
Një tjetër pjesëmarrëse ishte Marina Vataj,  ish-reportere 
shqiptaro-amerikane e "New York Post" dhe redaktorja aktuale  e versionit në internet të 
revistës "Wine Enthusiast Magazine" si dhe  producente në kanalin video "Wine 
Enthusiast TV"
Nga ana tjetër ishte  një kënaqësi që Rose Dosti, ish-gazetarja e "The Los 
Angeles Times", një  nga katër gazetat më të shquara amerikane dhe autore 
librash mundi të  merrte pjesë dhe "Illyria" pati kënaqësinë që ta nderonte me 
një çmim për  rolin e saj shumë të rëndësishëm në procesin e ruajtjes së 
kujtimeve të  viktimave të komunizmit në Shqipëri dhe nxjerrjes përpara gjyqit 
të  historisë të krimeve të tmerrshme të diktaturës së kuqe në vendin  
tonë. 
Shqiptarët e artit, kulturës dhe  spektaklit
Kjo mbrëmje do të ishte e mangët pa shqiptarët që  këtu në SHBA dhe në botë 
janë përfshirë në botën e artit, kulturës dhe  spektaklit. Një tërheqje të 
jashtëzakonshme ka nga industria e filmit. Ka  shumë më tepër shqiptarë që 
aspirojnë Hollywood-in sesa ç'kujtojmë  ne.
Po një pjesëmarrje fare e veçantë rastisi në këtë darkë. Ajo vinte  vetëm 
pak javë pasi një kineast shqiptar, Andamion Murataj kishte fituar  çmimin 
prestigjioz Ariu i Argjendtë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit  në Berlin 
për vitin 2011. Berlinalja siç e njohin disa, është një nga  festivalet më të 
shquar të botës dhe mbase më i madhi për nga pjesëmarrja.  Vjen direkt mbas 
Kanës dhe Venecies, me ambicjen në rritje për t'i  konkurruar ato.
Andamioni ka fituar si Skenaristi Më i Mirë, çmim që e  ndau me kolegun e 
tij amerikan Joshua Marston. Ndonëse fitoi për skenarin,  Andamioni është një 
nga kineastët më të kompletuar që kanë pasur  ndonjëherë shqiptarët, me 
aftësinë për të marrë përsipër çdo proces të  realizimit të një filmi si dhe që 
ka pasion t'i japë emër Shqipërisë dhe  shqiptarëve në botën e filmit. Ai 
ka themeluar edhe një firmë produksioni  filmash "Lissus". Marston ka bërë 
emër si regjizor me filmin "Maria Full  of Grace". Kësaj here, të dy këta 
artistë bashkuan forcat për të realizuar  filmin "The Forgivness of Blood" 
(Falja e Gjakut) që e merr temën nga  dukuria e rëndë sociale e gjakmarrjes në 
Shqipëri. 
Të gjitha filmimet  u bën në Shqipëri, me aktorë shqiptarë dhe mjete 
shqiptare, në film flitej  shqip dhe Shqipëria është ngjitur më në fund në skenën 
e një festivali të  famshëm. Për Andamionin ky është vetëm fillimi. Të dy 
ata pranuan ftesën  dhe çmimin që u ndau "Illyria" për kontributin që po bëjnë 
për të ndihmuar  që trojet shqiptare të afrojnë më shumë interes nga 
industria  shumëmiliadëshe e industrisë së filmave. 
Një artist me emër të madh që  ka bërë shumë që të ndihmojë njohjen në botë 
të talenteve shqiptare është  edhe Fadil Berisha. I njohur si fotograf i 
shquar i modës, fotografitë e  Fadilit janë botuar e botohen në disa nga 
revistat më të famshme të botës.  Ai është edhe fotografi zyrtar i "Miss 
Universe", ku ndihmoi që Kosova e  sapopavarësuar të ngjitej për herë të parë në një 
skenë ndërkombëtare si  shtet më vete. Studioja e tij në Manhattan ka qenë 
për shumë vite tashmë  foleja e shumë shqiptarëve të talentuar, bazë për 
hapje ekspozitash, për  mbrëmje tematike e muzikore për të prezantuar artistët 
shqiptarë tek bota  e artdashësit amerikan. Çmimin nga gazeta "Illyria" ia 
dhuroi fotomodelja  më e shquar shqiptare, Emina Çunmulaj.
Ndër njerëzit e shumtë të lidhur  me filmin, artin dhe median që merrnin 
pjesë ishin edhe Stan Dragoti,  shqiptaro-amerikan, regjizor i njohur filmash, 
fitues çmimesh dhe autori i  fushatës së famshme publicitare "I Love New 
York" që lavdërohet se nxorri  New York City-n nga depresioni i viteve 70-të; 
Mike Dusi, aktor, producent  dhe menaxher produksioni shqiptaro-amerikan. 
Firma e tij vepron në Los  Angeles, California; Luan Bexheti, aktor 
shqiptaro-amerikan për filma,  teatër dhe dokumentarë, komik në klubet e humorit të 
New York-ut e shumë  të tjerë. 
Shqiptarët janë bijtë e shqipeve po askush nuk  ka fluturuar kaq lart
Një nga vlerat më të rëndësishme të  gazetës "Illyria" në vite ka qenë pa 
dyshim zbulimi i figurave të shquara  shqiptare, të cilët kanë arritur 
suksese në drejtime të ndryshme, mirëpo  duke qenë të shkëputur nga komuniteti apo 
mërgimtarë të brezit të dytë apo  të tretë i kanë humbur lidhjet me botën 
shqiptare. Ishte diçka e natyrshme  që festa e të dielës të kishte më shumë 
njerëz të tillë se sa politikanë.  
Dy njerëz që bënë përshtypje të jashtëzakonshme ishin të lidhur me  
fluturimin në Kozmos, arritjen më të madhe teknologjike të njeriut.  William 
Gregory ishte shqiptari i parë që ka fluturuar në hapësirë. I  lindur në New York, 
ai ishte fillimisht pilot avionësh luftarakë derisa  NASA e zgjodhi si 
astronaut. Fluturimi i tij më i famshëm zgjati për më  shumë se 16 ditë në 
bordin e anijes së famshme kozmike Space Shuttle  Endeavour. Shqiptarët e kanë 
njohur së pari publikisht nëpërmjet gazetës  "Illyria".
Në pllakën që i dhuroi gazeta "Illyria" për ta nderuar për  arritjet e tij 
në jetë, për shembullin që përfaqëson, për aktivitetet  humanitare ku është 
përfshirë dhe për krenarinë që u jep shqiptarëve në  Amerikë e kudo, 
shkruhet veç të tjerash: "Shqiptarët janë bijtë e shqipeve  po askush nuk ka 
fluturuar kaq lart".
Një tjetër personazh më i  tërhequr por njësoj mahnitës është Wilson 
Kokalari, inxhinieri me prindër  nga Gjirokastra që që luajti një rol kyç në 
udhëtimin e parë të njeriut në  hënë. Ai hartoi programin final inxhinierik në 
bazë të të cilit u lejua  nisja e fluturimeve në hapësirë të misioneve Apollo 
11, 12 dhe 13. Misioni  Apollo 11 dërgoi njeriun e parë në hënë.
Wilson Kokalari nuk e priste  nderimin që iu bë. Ky hero i heshtur i një 
arritjeje të jashtëzakonshme  njerëzore, u përlot ndërsa përpiqej të tregonte 
historinë e angazhimit të  tij me ekipin që bëri bujë në të gjithë botën.
Nëse nesër ju pyet  dikush po çfarë keni bërë ju shqiptarët për Amerikën, 
një përgjigje e mirë  mund të jetë: "Ja, ju ndihmuam të shkoni në Hënë! 
Ç'mund të bëjmë më  shumë".
Po kur flitet për çështjet qiellore, jo gjithmonë na vjen në  mendje 
Kozmosi. Ndonëse komunizmi u përpoq që ta kthejë Shqipërinë në të  vetmin vend 
ateist në botë, shqiptarët mbetën kombi që më së miri di të  respektojë fenë. 
Në një kohë pasionesh të mbrapshta e esktremizmash  fetare, shqiptarët i 
ofrojnë botës një shembull të bukur civilizimi dhe  harmonie ndërfetare. 
Përcjellin mesazhin se besimi duhet të konsistojë në  dashuri për Zotin e jo në 
urrejtje për njeriun. 
Një nga shembujt më të  mirë të kësaj harmonie fetare përfaqëson kleriku që 
u nderua në këtë  mbrëmje, Dom Pjetër Popaj, udhëheqësi shpirtëror i 
komunitetit katolik të  Kishës "Zoja e Shkodrës" në Hartsdale, New York. Ata 
mijëra shqiptarë,  jeta e të cilëve rrotullohet rreth kësaj kishe, janë pa dyshim 
segmenti më  kompakt dhe më vibrant i komunitetit shqiptaro-amerikan. 
Natyrisht që  meritën më të madhe në këtë drejtim e ka pikërisht famullitari i 
shquar  Dom Pjetër Popaj që kohët e fundit mbushi 25 vjet që prej shugurimit 
të  tij, një çerekshekulli në shërbim të Zotit, të Kishës, të komunitetit dhe 
 kombit shqiptar.
Në kohët tona, ne kemi pikërisht nevojë për këta  udhëheqës që frymëzojnë 
idealet më të mira njerëzore, të gërshetuara me  mësimet më të mira të fesë. 
Çmimin me të cilin e nderoi gazeta "Illyria"  iu dhurua nga aktivisti i 
njohur i komunitetit, Lekë Gojçaj, i cili bashkë  me vëllain e tij Pashkun kanë 
mbështetur për disa dekada nismat më të  nderuara shqiptare, veprimtaritë 
patriotike, humanitare dhe kulturore. Ata  janë bërë të njohur me punën e tyre 
për të përjetësuar figurën e Nënë  Terezës në trojet shqiptare me statujat 
e saj. Një e tillë ndodhet edhe  pranë Kishës Katolike Shqiptare në 
Hartsdale, New York, aty ku çdo të  dielë, por edhe gjatë javës sipas kalendarit 
fetar, Dom Pjetër Popaj u  ofron besimtarëve udhëheqje e orientim, këshilla e 
qortime, u jep shpresë  dhe guxim për të ruajtur zakonet tona, traditat më të 
mira dhe emrin e  shqiptarit.
Figurat shqiptare që u ngjitën në skenën e "Illyria"-s, në  atë darkë, kanë 
merituar e meritojnë shkrime më vete, e jo një përmendje  kalimtare si kjo 
këtu, mirëpo kufizimi i hapësirës bën të vetën. Një prej  tyre ishte edhe 
Skënder Ghilaga, President i Services Group International,  Inc. dhe Kryetar i 
Dhomës Tregtare Shqiptaro Amerikane. Ka shumë ndërtesa  të famshme në New 
York City ku ai ka lënë gjurmët e punës së tij të  talentuar, që nga Javits 
Convention Center, Lincoln Center for the  Performing Arts, Mt Sinai and New 
York Hospitals, Madison Square Garden  etc. Lista e ndërtesave monumentale 
nëpër botë është shumë e gjatë. Ka  qenë ndër të parët që ka investuar në 
Kosovën e lirë duke ndërtuar Fshatin  Ndëkombëtar, bashkë me Dino Asanajn, sot 
një nga lagjet më luksoze të  Prishtinës. 
Një tjetër personazh që shqiptarët e kanë njohur për herë  të parë 
nëpërmjet gazetës "Illyria" është Bashkim Dibra, stërvitësi më i  famshëm i qenve në 
botë, këshillues për kafshët shtëpiake në Shtëpinë e  Bardhë dhe për shumë 
yje të Manhattan-it. Librat e tij janë ndër më të  shiturat sipas "The New 
York Times". Ndonëse nuk pati rast të ngjitej në  skenën e festës, vështirë 
të gjesh një shqiptar tjetër që njeh aq shumë  nga afër personalitete të 
politikës, artit dhe spektaklit se sa ai. 
Yje të biznesit, të bujarisë dhe  patriotizmit
Shumë nga aktivitetet e botës shqiptare, duke  përfshirë edhe ato këtu në 
diasporë, do të ishin të pamundura pa bujarinë  dhe patriotizmin e 
biznesmenëve shqiptarë, që në vend që të blejnë një  jaht më shumë, apo një shtëpi më 
shumë, apo një makinë luksoze më shumë,  preferojnë që të dhurojnë për 
çështjen shqiptare, për zhvillimin kulturor  dhe shpirtëror të bashkatdhetarëve 
të tyre dhe për të ndihmuar të vobektit  e njerëzit me problem të 
pazgjidhshme shëndetësore.
Nuk është e lehtë  të zgjedhësh mes tyre se janë kaq shumë që kanë ndihmuar 
në vite lobizmin  e komunitetit në Washington, politikanët që na përkrahin, 
shoqatat  shqiptare e sigurisht edhe gazetën "Illyria", me reklama, me 
urime në  numrat specialë të 28 Nëntorit etj. Për këtë rast u vendos që nderimi 
të  kufizohej te dy prej tyre, kredencialet e të cilëve janë tashmë të  
padiskutueshme.
Jim Xhema është një biznesmen i suksesshëm  shqiptaro-amerikan, aktivist i 
shquar i komunitetit dhe filantropist i  njohur. Ai u shmanget skenave me 
modesti, mirëpo roli i tij në mbështetje  të veprimtarisë shqiptare në 
Washington është i pakrahasueshëm. Shqiptarët  e njohin më shumë si njeriu që afroi 
senatorin Bob Dole (Bob Doll) me  çështjen shqiptare, por vështirë se ka 
një politikan pro-shqiptar në SHBA  që nuk është ndihmuar prej tij.
I ardhur nga trojet e vetme të  populluara nga shqiptarë e që kanë mbetur 
nën Serbi, Jim Xhema ia doli  mbanë që të bëhet një biznesmen i suksesshëm 
dhe qysh atëhere nuk ka  rreshtur së ndihmuar çështjen kombëtare. Ai dhuroi 
100,000 dollarë për  Katedralen Nënë Tereza në Prishtinë, duke dhënë një 
shembull të paparë të  harmonisë ndërfetare shqiptare. 
Biznesmeni tjetër vinte nga Europa.  Lazim Destani është biznesmen i shquar 
nga Tetova, por me banim në  Dyseldorf të Gjermanisë. Ai është filantropst, 
ideator dhe themelues i  biznesit të udhëtimeve, president i kompanisë 
ECOLOG, me një shtrirje  ndërkombëtare, qytetar nderi i Tetovës. Mjetet e 
tonelatave të rënda të  udhëtimit që përdor NATO-ja sot në Afganistan janë të 
gjitha nga kompania  e tij. 
Destani është gjithashtu një njeri modest, që ka bërë shumë  veprimtari 
humanitare pa iu ndjerë zëri e që ka punësuar mijera shqiptarë  duke ua 
ndryshuar përgjithmonë situatën ekonomike. Kjo nuk është hear e  parë që ai viziton 
New York-un dhe që ka shprehur konsideratë të lartë për  gazetën "Illyria". 
Suksesi i Lazim Destanit është një shembull zemërdhënës  dhe frymëzues për 
të gjithë shqiptarët që jetojnë përtej Oqeanit.
Ai  erdhi në New York i shoqëruar nga Emin Azemi, një nga gazetarët më të  
njohur në Maqedoni, që hapi rrugën për median e pavarur shqiptare edhe në  
këtë republikë ish-jugosllave duke botuar të mirënjohurin "Fakti". Emin  
Azemi është gjithashtu edhe shkrimtar dhe analist i njohur i çështjeve  
shqiptare, ballkanike dhe ndërkombëtare. 
Shqiptarët e komunitetit
Nëse do të  ndaloje tavolinë më tavolinë, në darkën e festës do të gjeje 
histori pas  historie, personazh pas personazhi, të gjithë aq interesantë sa 
për t'i  përshkruar e prezantuar në gazetë, për t'u kushtuar libra e filma. 
Ky  komunitet është një mori historish të jashtëzakonshme personale. Kjo 
është  e natyrshme për një bashkësi njerëzish që lanë pas vuajtje e fatkeqësi e  
erdhën në një vend ku ekzistonin mundësi të pafundme. 
"Illyria" kishte  ftuar dy figura të dy brezave të ndryshme që kanë 
shkëlqyer e po  shkëlqejnë në fushën e sportit: Fortuna Velaj, që është shpallur si 
 Futbollistja më e Mirë e Vitit për Moshën nën 19 vjeç në SHBA, erdhi si  
refugjate e luftës nga Kosova dhe u bë e famshme duke luajtur me skuadrën  
"Connecticut Passion", ndërkohë që vazhdonte studimet  universitare.
Mergin Sina – ish bashketbollist i njohur  shqiptaro-amerikan (ka luajtur 
në NCA, NBA, Itali, Izrael etj), tani  trajner basketbolli për të rinjtë në 
New Jersey.
Po sa talente të  shquara ndodhesin në atë sallë që do t'ia kishin vlejtur 
programe të tëra  festive. Shumë prej tyre i njohim, të tjerë presin që të 
zbulohen.  
Pastaj aktivistë shoqatash politike e patriotike, të organizuara në  
tavolina apo sipas shoqërive e familjeve. Që nga "Këshilli Kombëtar  Shqiptaro 
Amerikan" e "Vatra", nga "Rrjeti i Profesionistëve dhe  Biznesmenëve të 
Pavarur" te "Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane", nga  "Fondacioni i Shoqërisë 
Shqiptaro-Amerikane" te Shoqata "Besa" nga  Massachusetts e kështu me radhë. 
Ajo që dallonte ishte pjesëmarrja nga  të gjitha trojet, shteti i 
Shqipërisë, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,  Lugina e Preshevës dhe Çamëria. 
Gjithshka reflektonte vijën e njohur  të gazetës "Illyria", një gazetë 
mbarëkombëtare për të gjithë shqiptarët,  nga të gjitha trojet që dikur mbulon 
pjesën më të madhe të Ballkanit, në  mbarë Ilirinë.     
(http://www.illyriapress.com/20/index_en.html)
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.