Biseda fetare-70 ( shkruar me 08.11.2011)
Hamdi Nuhiju <[email protected]>
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUFmYryBEKpO_O2=9oYa3M=7uzg0qScMefwFPVKHhGnFi0w@mail.gmail.com> |
*Biseda fetare-70* *Hamdi Nuhiju* * * *141* Njeriu në këtë botë ka shumë dëshira. Aq shumë janë në numër, saqë duket sikur ato nuk kanë fund. Njeriu kërkon horizontin, por nuk mund të arrijë as deri në breg. Ai gjurmon pas të tashmes, edhe pse e mendon të ardhmen sikur të ishte pjesë e përditshmërisë së tij. Thjeshtë, njeriu është rrëfim i vetvetes në vetvete. Të njohësh botën në prizmin e njeriut, d.m.th të njohësh njeriun. Njohja me vetveten është gjëja më e bukur, më e dashur dhe më e lartësishme. Bisedat nisin dhe përfundojnë në skaje. Ti gjunjëzohesh karshi mëkateve të cilat të rrethojnë dhe stilizojnë mendjen, shpirtin dhe trupin. Ti kthehesh nefsit dhe ta qortosh atë si një prind i mllefosur është më mirë sesa të udhëtosh nëpër shkallët e ngritjes medituese. Shpirti dhe meditimi edhe pse ndaras jetojnë, ato kanë një prehje, zemrën. Ti përfundimisht mund të bësh gjumë rehat në dhomat e thella dhe të shtrira me kalldërma. Dhomë prej kalldrëme, apo shpirt prej sufiu? Zgjedhja është e thjeshtë. Nuk mund të jetosh në shpellën e meditimit, pa kryer adhurimet e Allahut xh.sh., farzet e tij. Nuk mund të ngrohesh në shpellën e meditimit, pa respektuar sunnetet e Pejgamberit më të dashur yllit ndriçues, Hënës Vezulluese, Muhammed Mustafasë alejhi selam. Bota e ashkut ngrohtësisht na pret, para këmbëve të të Dashurit të Allahut. Edhe pse Pejgamberi Ibrahim a.s. ishte i mbushur me epitete një ndër një, ashku, frymëzimi dhe respekti nuk mungon as tek Pejgamberi i Fundit, vula e Pejgamberisë, Imami i Pejgamberëve, Muhammedi alejhi selam. Qortimi për punën e lënë në gjysmë na vjen nga prapa si një hije trishtuese. Ne nuk e ruajtëm mesazhin e Pejgamberit alejhi selam. Oh Zot, ne jemi të keqët e vetvetes. Nderi, morali dhe respekti janë shuar nga përditshmëria, edhe pse përditshmëria ende rron. Pejgamberi alejhi selam lutej në përgjërim:” Të përgjigjem me gëzim o Zot! Prej Teje pritet vetëm e mira, ndërkohë që e liga nuk e ka burimin prej Teje!” E keqja vjen nga vet ne, njerëzit. Murteza Mutahhari thotë:” Vetëm lidhja e tij me Zotin mund ta kënaqë plotësisht njeriun.” Sikur e keqja të kishte erë do të mbulonte katër skajet e shoqërisë sonë. Ne duam të jetojmë të lirë, nën Mëshirën e Mëshiruesit, ndërsa të tjerët, duan të garojnë në zëvendësimin e vetvetes me pozitën e ‘zotit’. Perëndimi, po edhe Lindja materialiste duan që ta zëvendësojnë ‘zotin’ me sukseset e tyre. Ata gjithçka ia përshkruajnë mundit, ndërsa fillimin dhe përfundimin e mundit nuk e njohin. Krijuesin e mundit, njeriut, dhe universit, sipas tyre, nuk ka nevojë të njihet. Pse disa e fillojnë ditën me disa gllënjka alkool, ndërsa disa të tjerë e fillojnë ditën në dehjen shpirtërore në sexhde, dhikër, lexim Kur`ani? Lexuesi, simpatizant i Islamit, dhe jo praktikant i tij, nuk mund ta kuptojë asnjëherë dehjen shpirtërore. Pozita kur të vlon shpirti nga ashku, të derdhen lotët pa i thirrur, të pëshpërit zemra emrin Allah, është pjesë e dehjes shpirtërore, po nuk është tërë dehja. Pse nuk vendosim prej sot, të bëhemi praktikant të Islamit dhe jo vetëm simpatizues të tij? Më e vështirë është të falësh pesë kohë të namazit, të agjërosh Ramazanin, të shkosh në haxh, të bësh punë të mira, apo kohën ta kalosh duke bërë gjëra të këqija? Këto gjëra, nuk të ndalin nga jeta, nga puna, nga suksesi, nga dija, nga shkenca, nga hulumtimi, nga lumturia, nga pasuria. Këto vetëm se ti zbukurojnë të gjitha këto pjesë të jetës tënde. Pse prej sot nuk vendosim që të jetojmë me Allahun dhe për Allahun? A aq vështirë e kemi të mos vjedhim në peshë, të mos gënjejmë, të mos ofendojmë, të mos lëndojmë? Apo ndoshta nuk mundemi të largohemi prej shikimit të filmave të ndotur, ndoshta nuk mundemi të largohemi nga ushqimi i pashfrenuar i epsheve tona? Pse prej sot nuk vendosim që të bëhemi robër të Allahut dhe jo robër të epshit? E nëse i vendosim këto gjëra, ne kemi bërë zgjedhjen e duhur.