Formalizojeni Ushtrinë e Kosovës

[email protected]
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
 
Formalizojeni Ushtrinë e Kosovës


Uk Lushi* 



Shqiptarët e  Amerikës u treguan edhe njëherë të kohëshëm lidhur me 
Kosovën. Të shqetësuar me  zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe me disa 
pëshpërima mbi planet e  Qeverisë së SHBA-së të tërhiqet ushtarakisht nga Kosova, 
me datën 12 dhjetor  2011, një dërgatë e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane 
(LQSHA) u takua në New  York me kongresistin Buck McKeon. Qëllimi i takimit 
ishte që z. McKeon, i cili  është Kryetar i Komitetit të Shërbimeve të 
Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve,  të informohej mbi përshkallëzimin e 
situatës në veri dhe nevojën për të zgjidhur  problemet atje para se të ndodhë 
reduktimi i planifikuar i trupave amerikane në  Kampin Bondsteel afër Ferizajt.


Sapo u dha lajmi për takimin e  delegacionit të LQSHA-së me kongresistin 
amerikan mediat u mbushën me zallamahi  dhe drojë për fatalitetin që mund ta 
pllakosë Kosovën pas tërheqjes së ushtrisë  amerikane. Mëpastaj, për çështjen 
e nivelit të pranisë ushtarake të huaj, që më  së shumti është e 
rëndësishme për Kosovën, u prononcuan edhe përfaqësues  ndërkombëtarë lloj-lloj 
rangjesh e spaletash. Të vetmit që nuk reaguan ishin  autoritetet e Prishtinës.


Mirëpo janë pikërisht udhëheqësit e Kosovës  që duhet të flasin dhe 
veprojnë sa më shpejt. Tash është koha që Forca e  Sigurisë së Kosovës (FSK) të 
shndërrohet në Ushtri të Kosovës edhe formalisht.  FSK është institucioni me të 
arriturat më krenare dhe me të cilin Kosova mund të  mburret më së shumti. 
Rrënjët e Forcës së Sigurisë shkojnë thellë në fillimin e  shekullit XX, 
kur, pas rënies së Kosovës nën okupimin serb, u organizuan  përpjekjet e para 
kryengritëse, vazhdojnë me rezistencën e armatosur kundër  pushtuesve 
nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dalin mbi tokë me  1998-1999 kur 
UÇK-ja me ndihmën e NATO-s shkatërroi praninë e Serbisë në Kosovë.  
Pasardhësja e UÇK-së dhe pararendësja e FSK-së – Trupat Mbrojtëse të Kosovës  (TMK) – 
po ashtu ishin një histori suksesi e jashtëzakonshme dhe tani ka ardhur  
momenti që FSK, si trashëgimtare e një tradite të lavdishme, të shndërrohet në 
 Ushtri si ushtritë e çdo shteti në botë.


Arsyet për të pagëzuar  Ushtrinë e Kosovës janë të shumta. Sidoqoftë tri 
prej tyre janë kryesore dhe të  tejdukshme si kristali.


E para: ushtarët e FSK-së janë ndër trupat më  të përgatitur në rajonin e 
Ballkanit. Ata janë stërvitur nga kuadrot ushtarake  më të mira të NATO-s dhe 
Amerikës duke ju nënshtruar një dendurie testesh dhe  sprovash nëpër të 
cilat kalojnë vetëm trupat elite ushtarake. Përkundër  rigorozitetit, nuk ka 
ndodhur që pjesëtarët e FSK-së të mos shkëlqejnë. Pra  profesionalisht, FSK 
është e gatshme të qëndrojë krah për krah me çdo ushtri të  KFOR-it në 
mbrojtje të Kosovës dhe bile të marrë pjesë në operacione luftarake  kudo që NATO 
është e angazhuar në rruzullin tokësor. 


E dyta:  ushtarët e FSK-së vijnë nga një sfond multi-etnik. Ata janë sikur 
popullata e  Kosovës – shumica absolute, mbi 90 për qind, shqiptarë, por ka 
edhe boshnjakë,  turq, goranë, romë dhe serbë. Ky mozaik i përkatësisë 
etnike dhe betimi i  secilit ushtar të FSK-së, që, në qoftë se e do nevoja, do të 
sakrifikohet për  qytetarët dhe integritetin e Kosovës, e bëjnë Ushtrinë e 
Kosovës të jetë ushtri  më e pranuar se të gjitha ushtritë që përbëjnë 
KFOR-in në Kosovë.


E  treta: kostoja. Një ushtar i KFOR-it përafërsisht kushton sa dymbëdhjetë 
ushtarë  të Kosovës. Përkthyer numerikisht – me buxhetin për 6000 ushtarët 
e KFOR-it, që  ende janë në Kosovë, do të mund të mbështeteshin 
financiarisht dhe  operacionalisht 72 000 ushtarë të Kosovës. Kosova nuk ka nevojë për 
një armatë  aq të madhe, sepse gjeneratat që dinë të luftojnë janë ende të 
gatshme dhe të  pajisura me aftësi ushtarako-luftarake nga Lufta Çlirimtare 
98-99 dhe do të mund  të mobilizohen brenda 24 orëve po qe se sulmohet 
territori i Republikës. Por,  një pjesë e madhe e buxhetit ushtarak të kursyer nga 
angazhimi i shtrenjtë i  KFOR-it, tani për tani, do to mund të shpenzohej në 
blerjen e helikopterëve,  aeroplanëve dhe armatimit modern adekuat për 
mbrojtjen e plotë të  Kosovës.


Kosova u çlirua prej okupimit serb në qershor të vitit 1999  si rezultat i 
përpjekjeve të popullit të saj dhe ndërhyrjes vendimtare ushtarake  të 
NATO-s të udhëhequr nga Amerika. Republika e re u lind me 17 shkurt 2008 dhe  
filloi hapërimet e saj të para si shtet duke iu falënderuar në masë shumë të  
madhe kontributit euro-atlantik. Për çdo qytetar të Kosovës ndihmesa dhe  
rëndësia e NATO-s dhe Amerikës për Kosovën janë gjëra të qarta dhe të prekshme; 
 porse si qytetarët ashtu edhe udhëheqësit e Kosovës duhet ta kuptojnë që 
Kosova  duhet të mësohet të jetojë e mëvetësishme dhe të jetë në krye të 
vijës së parë  të mbrojtjes në rast kërcënimi.


Amerika është e investuar në shumë  pjesë të planetit ku jep kontributin 
për interesat e saj dhe të paqes botërore.  Shteti më i fuqishëm në botë bën 
shpenzim racional të parave të miliona  taksapaguesve të tij, përfshirë edhe 
taksat e afërsisht gjysmë milioni të  shqiptaro-amerikanëve. Administrata e 
Presidentit Obama për vitin 2012, i cili  është edhe vit i zgjedhjeve 
presidenciale, ka vendosur shkurtime dhe ribalancim  të buxhetit të Departamentit 
të Mbrojtjes dhe ristrukturim të forcave të  armatosura. Kosova nuk duhet të 
frikësohet nga reduktimi i trupave amerikane apo  KFOR-it. Shtetet e 
Bashkuara mund të zvogëlojnë praninë ushtarake në Kosovë,  veçse Amerika do të 
vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës. Në rast tentimi për  invazion nga kushdo 
qoftë në Kosovë, SHBA-ja do të reagojë shpejt dhe me  ashpërsi nga bazat e saj 
në Evropë dhe Azi. Kosova është një lloj Izraeli i  Ballkanit dhe aleate e 
Amerikës, prandaj Amerika nuk do ta lë Kosovën vetëm.  Qytetarët, mediat dhe 
paria e Kosovës e kanë rastin të kontribuojnë për Amerikën  duke i 
mundësuar asaj që të ul shpenzimet ushtarake në atdheun tonë.  Kosova duhet ta 
shfrytëzojë momentin që për interes të saj dhe Amerikës të  zëvendësojë ushtarët 
e larguar të KFOR-it me ushtarë të Kosovës.


Të  gjithë që e duam Kosovën e kemi shansin që të japim pjesën tonë për 
paqen  ballkanike dhe botërore. Ushtria e Kosovës e formalizuar dhe ligjësuar 
edhe de  jure do të ishte faktori kryesor që do ta përmbante Serbinë nga 
tundimi për  aventura militariste. Ç’ është më me rendësi, një Ushtri e 
Republikës së Kosovës  do të ishte një rrethanë détente në marrëdhëniet 
Kosovë-Serbi, çfarë  padyshim do të kontribuonte thelbësisht në forcimin e paqes në 
Ballkan dhe  kontinentin evropian. Prandaj Kosovë – bëje FSK-në Ushtri të 
Kosovës tash –  menjëherë! 




* Uk Lushi është aktivist shqiptaro-amerikan në SHBA  dhe ish-ushtar i 
UÇK-së.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.