Psikologjia e turmave

Hamdi Nuhiju <[email protected]>
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFk=bbH4xT+FE=Qd0jOeEwfK=g9VMisueP4b49kBC72siQ@mail.gmail.com>
*Psikologjia e turmave*

*Hamdi Nuhiju*



Kam pasur fatin qysh në shkollë të mesme të njihem me librin ‘Psikologjia e
turmave’ të Frojdit. Edhe pse koha ka qenë tërësisht tjetër atëherë,
megjithatë, libri shtonte kureshtjen për të kuptuar gjërat që ndodhnin në
rrethin ku jetoja. Nëse do të na lejohej të bënim kombinim mes rreshtash
dhe midis librave, kisha thënë se titulli i librit ‘Psikologjia e turmave’
dhe brendia e librit ‘Mukadima’ të Ibën Haldunit, përshkruajnë shumë bukur
ngjarjet e njëpasnjëshme që po ndodhin dhe që kanë ndodhur në Republikën e
Maqedonisë.

Kur flasim për Republikën e Maqedonisë, e kemi parasysh këtë copë shteti me
kryeqytet të ‘vjedhur’ Shkupin. E asesi shtetin e pretenduar në kuadrin e
‘mileteve’ osmane me kryeqytet Selanikun. Shkupi dhe Selaniku janë dy
qytete të huaja për Maqedoninë dhe maqedonasit, por karrem i mbijetesës
politike dhe sociale në hartën botërore.

Pretendimi për Selanikun, shihet qartas në portën e Gruevskit ‘Maqedonia’
ku është vizatuar një hartë e Maqedonisë madhe. Për atë portë, kalemxhinjtë
shqiptar kanë shkruar shumë. Fjalët e tyre asnjëherë nuk janë marrë
parasysh, dhe nuk pretendojë që fjalët e mia do të merren parasysh. Nëse
Gruevski po tenton që përmes statujave dhe idhujve të ndërtojë historinë e
Maqedonisë, atëherë, i bie që probleme serioze do të ketë me Greqinë edhe
pas pranimit të Maqedonisë në NATO, nëse e mbërrijmë këtë gjë shpejtë, ose
ngadalë. Porta ‘Maqedonia’ që u ndërtua edhe me xhepat e shterur shqiptar,
është sikur statuja e Stalinit në lagjen Kombinat të Tiranës. Mirëpo,
përderisa thuhet se Stalini ndërtoi shumë gjëra në Kombinat, dhe statuja e
tij rrinte arsyeshëm në atë vend, habitem se si nuk mund ta arsyetojë asesi
veten Porta ‘Maqedonia’?

Me ardhjen e demokracisë në Shqipëri, Stalini së bashku me Enverin e
Hrushovin u bënë histori e hidhur e Shqipërisë. Fati i statujave të tyre
ishte sikur fati i statujave të popullit arab në Qabe. Po me shkuarjen në
histori të Nikolla Gruevskit, fati i portës ‘Maqedonia’ nuk e di a do ta
ketë fatin e ‘Latit’ dhe ‘Uzatit’ arab, apo do të mbijetojë edhe në cilën
do garniturë politike që do të udhëheq me këtë shtet. Unë kam frikë, se
paratë e taksapaguesve shqiptar e maqedonas të hedhur në betonizimin e
Shkupit me idhuj e statuja, do ti shkatërrojmë dikur vet me duart tona.

Përderisa në Greqi, po sundon logjika ‘për inat të mushkës ta kallim edhe
Athinën’, Maqedonia po përfiton ende nga lojërat e saj fëmijërore me
ndërmjetësuesin Metju Nimic, kësaj radhe duke e provokuar edhe atë, si një
marionetë të palës greke. Përfundimisht Metju Nimic caktoi një datë për
ardhjen në Shkup si dhe u bë publike agjenda e tij. Kam bindjen, se kur
Metju Nimic-it ia përmendim Maqedoninë, është njëjtë sikur një fëmije të
lazdruar në shkollë fillore t`ia përmendim mësimin. Fytyra i prishet dhe
fillon ‘të thej krande’ vetëm të mos i bëjë detyrat ose të mos mësojë. Edhe
pse e di që mësimi është i dobishëm për të dhe për familjen e tij, prapë se
prapë, atij i vjen mërzi.

Samiti në Çikago a do ta zgjidh problemin e Maqedonisë, apo ende do ta
thellojë krizën politike dhe psikologjike në vend? Përgjigje në këtë gjë
nuk ka as Nikolla Gruevski. Ai vetëm bën plane. Dhe pasi të kryhet plani
thotë:’ U thashë se unë bëj gjëra edhe pa premtuar’. Tash edhe aktivizimi i
BDI, sipas Nikolla Gruevskit do të na del plan i tij. Për të mos mohuar
kontributin e BDI për zgjidhjen e problemit të Maqedonisë me Greqinë dhe
futjen e Maqedonisë në NATO, çdo taktizim i Gruevskit për të kontuar në
xhiro llogarinë e partisë së tij, mundin e BDI është i kot.

Kur para disa viteve, qeveria e Maqedonisë, në krye me ‘gladiatorin’ e saj
Nikolla Gruevski nuk pranonte që të hapet spitali turk në Shkup, tash e
njëjta qeveri, para disa kohësh iku në Stamboll, për të kërkuar pak mëshirë
nga ‘Porta e lartë’. Provuam gjitha dyert anekënd botës, dhe kur askush nuk
na u përgjigj, të shkojmë pak tek ‘myslimanët’, se këto janë të mëshirshëm
dhe human. Njëjtë si në kohën e Perandorisë Osmane kur serbet u bënë bashkë
me ushtrinë e jeniçerëve kundër ushtrisë habsburge.

Interesat turke në Maqedoni, më shumë janë politike sesa ekonomike,
megjithatë, çdo investim turk në këtë vend është i mirëseardhur, sidomos
nga shqiptarët e dërrmuar ekonomikisht. Fatkeqësisht nga flukset e
investimeve dinë të fitojnë shumë mirë vetëm maqedonasit, ndërsa
shqiptarëve nuk iu tregohen as rrugët se si të përfitojnë nga to.
Shqiptarët e Maqedonisë, e sidomos ato të Komunës së Kumanovës dhe Likovës,
lajmin hit e lexuan para disa ditëve vizitën e të nderuarit Nevzat Bejta,
ministër i qeverisë së Maqedonisë, i cili premtoi një investim modest në
këtë komunë. Nevojat në Komunën e Likovës janë aq të mëdha, sa shuma e
përmendur në investim për atë komunë duket qesharake, por megjithatë, gëzon
fakti i interesimit të këtij ministri nga radhët e BDI, për Komunën e
Likovës. Të mos harrojmë, se kur gati të gjitha subjektet politike
shqiptare heshtnin para ngjarjeve në Strugë, ministri nga radhët e BDI,
Nevzat Bejta, kërkoi përgjegjësi nga kryetari i ‘komunës’ së Vevçanit për
fyerjet që u bënë ndaj librit të shenjtë të myslimanëve.

Knut Volebek, një politikan i lartë nga radhët e OSBE në Maqedoni, kishte
vizita të ngjeshura politike në vend. Pas ngjarjeve të fundit të
provokimeve të njëpasnjëshme maqedonase në vend, ai vizitoi subjektet
politike shqiptare, subjektet politike maqedonase, institucionet fetare në
vend, si dhe kërkoi që të qetësohet situata e tensionuar në këtë shtet.
Vizita e tij, ishte e mirëpritur nga shqiptarët e këtushëm, dhe si duket
solli edhe kërkimin falje nga ana e kryetarit të komunës së Vevçanit për
fyerjet e fundit që u bënë në karnevalin e komunës së tij. Ajo që na habit
pak, është orientimi i problemit dhe konceptimi i tij vetëm si ndër etnik e
asesi edhe si ndër fetar. Pse frikësohet një subjekt politik shqiptar që
problemin në Strugë ta konceptojë saktë ashtu si është? Nëse nuk do të
frikësohej, nuk do të kishte nevojë të arsyetojë fjalët e tij me
interpretimin banal të situatës në Bitolë. ‘ Problemi është ndër etnik,
sepse në Xhaminë e Manastirit ( Bitolës) u shkrua ‘smrt za shiptarite’ e jo
‘smrt za muslimanite’. Kështu qe argumentimi i arsyetimit të tij. Pyes,
nëse problemi në Strugë ishte ndër etnik e jo ndër fetar, pse në Xhaminë e
Bitolës u shkrua ‘smrt za shiptarite’, e nuk u shkrua në selinë e partisë
së tij në qendër të Tetovës, ‘smrt za shiptarite’? Shkruesi i këtij teksti
ka respekt për secilën parti shqiptare në vend, e fuqishme e pafuqishme,
por duam ta bëjmë me dije, se nuk hamë kashtë karshi provokimeve dhe
minimizimit të tyre nga ana e subjekteve politike shqiptare. Në vend që të
kërkohet përgjegjësi nga provokuesit në Strugë, u kërkua arsyetim, problemi
na qenka ndër etnik.

Maqedonia, në këtë kohë të dimrit, arsyeshëm po përballet me krizën
energjetike në vend. Banorët e këtij vendi ende nuk e kanë përjetuar në
kurriz të tyre këtë krizë, po kam frikë, se kjo gjë do të lind një rreptësi
nga ana e pushtetarëve të këtij vendi, në kurriz të banorëve të tij.
Shqiptarët janë të durueshëm, dhe nuk bëjnë shumë zë në këto ndryshime.
Por, nëse kriza i kap edhe maqedonasit, kam frikë se do të fillojnë të
kallen lagjet shqiptare në Maqedoninë Lindore, do të tremben qytetet
shqiptare në Maqedoninë Perëndimore dhe do të krijohet një kaos i pa
përshkruar.

Maqedonia, me një LSDM të pa orientuar dhe të humbur në oborrin e saj, po
kërkon ndryshimet strukturore dhe politike nga VMRO-popullore e ish
kryeministrit të këtij vendi. Si duket deklaratat e tij të guximshme, nuk
mund ti mohojë as Nikolla Gruevski dhe ai mund ta mund ish kryeministrin
vetëm në sferën e blerjes së anëtarëve të VMRO-popullore dhe shtimit të
inatit tek popullata maqedonase.

Ndaj rrezikut të vërtet Nikolla Gruevski u kujdes me kohë. Ish
kryeministrin e këtij vendi e paraqiti në opinion si një pro bullgar, i
cili nuk ka aspak ndjenja maqedonase. Por megjithatë, fjalëve të tij të
thjeshta, të ish kryeministrit, pa shumë komplikime e delikatesë, nuk po
arrin që ti përgjigjet. Edhe pse faj, për gjendjen në të cilën gjenden
shqiptarët e Maqedonisë, ka edhe ish kryeministri i cili e favorizoi mjaft
Gruevskin në kohën e tij, por si duket, është kandidati i vetëm serioz për
rrëzimin e Nikolla Gruevskit nga ‘Tulipani’.

Populli i këtushëm, në mënyra të ndryshme, jo të njëjta me kohët e
mëparshme, po shtypet nga ana e udhëheqësit të këtij shteti, Nikolla
Gruevskit. Me pas qenë kohëra tjera, ai me siguri do ta kishte titullin
mbret, dhe shqiptarët e Maqedonisë, do të ishin ‘raja’.

Saadi Shirazi, ndaj udhëheqësit të padrejtë, shkroi poezinë e tij të
famshme ‘E di?’ ku thotë:”E di se ç`i gjeti khosrevët persianë; Që shtypën
llauzin edhe fukaranë?

S`u mbet as shkëlqimi si mbretër krenarë,

As shtypja që bënë këta mbi fshatarë.

E lig’e mizorit të keqen ma mori,

Jo, bota nuk humbi, por humbi mizori.

Po qe se mbi popull sundove si shtypës,

Nga mbret i fuqishëm gremisesh në lypës.

Sy gjumi të ëmbël mos marrtë një mbret,

Po qe se i forti të dobëtin e tret.

Pa mendje jetoi, pa emër mbaron

Kush shtypjen mbi popull e bëri zakon.

Kalon mizoria dhe duf`i harbuar,

Do rrojë në shekuj veç nam`i shëmtuar.”( Gjylistani dhe Bostani, Onurfi,
Tiranë, pa vit botimi, f.177)

Njerëzit jetojnë në turma dhe i përshtaten turmave sipas ‘Psikologjisë së
turmave’ të Frojdit. Por, ato janë të ndarë në shtresa sipas ‘Mukadimës’ së
Ibën Haldunit. Dhe mbretërit, e kryeministrat e padrejtë, nga shkëlqimi i
sundimit të tyre do të shndërrohen në lypës, po qe se sundojnë padrejtë
sipas poetit Saadi Shirazi. Neve, na ngelet shpresa, për të parë,
shndërrimin e ‘mbretërve’ të padrejtë në lypës, dhe sundimin e turmave,
shtresave e popujve me drejtësi nga ‘mbretër’ të drejtë.
lmpx.com only provides a reader for public news (NNTP) servers. It is not affiliated with the servers or forums shown here and is not responsible for the content of articles, which is written by their respective authors.