fotoreportazh 50 Vjetori i i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane

[email protected] Wed, 13 Jun 2012 10:10:25 -0400 (EDT)
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>

 




50-VJETORI I LIDHJES KATOLIKE SHQIPTARO-AMERIKANE
 
 
(http://revistakuvendi.org/wp-content/uploads/2012/06/Kisha-Zoja-Shkodres-New-York.jpg)  
Fjalim nga Frank Shkreli* 
(Salla Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 
10 Qershor, 2012 
“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do  
bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’   
Dom Zef Oroshi, New York, 1962 
Të dashur e të nderuar klerikë, Shkelqësi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i 
 Tiranë-Durrësit Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan… të nderuar zonja e 
zotëri,  anëtarë të vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miqë e 
dashamirë. Si  njëri që ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike 
Shqiptaro-Amerikane  (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në 
fillim të  1970-ave, e ndjejë veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri 
fjalë dhe i  privilegjuar që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike — 
jo vetëm për  Kishën Katolike Shqiptare në mërgim, por edhe për Kishën e 
shumë vuajtur në  Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare — për të shënuar 
50-Vjetorin e  themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 
16 Qershor,  1962. 
Është këjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e 
 parë katolike shqiptare në Amerikë, Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në  
Hartsdale të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një  
veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për  
komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes  Katolike 
Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit  katolik, Dom 
Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i  vogël por 
entuziast bashkpuntorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të pakën  një e di se 
është këtu, Z. Tonin Mirakaj. 
Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të 
 përgjithëshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i 
parë  prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, 
Tonin  Mirakaj, Sekretar, Loro Stajka Arkatar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark 
Bajraktari,  Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të 
falenderoj njërin  prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. 
Tonin Mirakaj  për ndihmën që më dha — me dokumentacion dhe dëshmi personale, 
me burime të  dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së 
Lidhjes Katolike  gjatë 50-vjetëve të kaluara, veprimtari këjo në të cilën, 
në një mënyrë ose në  një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejtë për 
drejtë. 
 
Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, u lëshohej një librezë  
(si këjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar me 8 Mars, 1971), me 
një  kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes  
Katolike me qëllimin përpara, me moton e punës për objektivin e rëndësishëm 
në  të ardhëmen ‘’Për Fe e Atdhe’’, të lidhura e të bashkuara me unazën ’’
  Përparim’’, trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë, — 
 çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, 
 vullnetarisht i vënte vetes detyrë për të qenë: a) ‘’Katolik i mirë,  
praktikues i fesë; b) Shqiptar Amerikan i ndershëm; c) Vijues i Traditave të  
mira Kombëtare, të gërshetueme me kulturën e shëndoshë  perëndimore-amerikane.
’’ Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më  urgjent, po të 
merrej parasyshë në atë kohë politika e regjimit komunist të  Tiranës kundër 
Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë,  por sidomos e 
kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e  burgosi 
dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë  shtet 
tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen  e 
Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të  Madhin 
Zot. Themelimi i LKSHAs u bë me vetdije të plotë nga klerikët Dom Zef  Oroshi 
dhe At Nargaj me bashkpuntorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At  
Shtjefën Gjeçovit, ‘’Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa  
besim të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i  
madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta haje, e 
 vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuzë besimin, i del i pabesë 
si  besimit si atdheut…pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije 
as për  njënin as për tjetrin….’’ 
Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa  
qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të  
bashkpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të  Atdheut 
dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo fillimisht përbëhej  nga 
anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të  
shpëtuar nga këthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga  
trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore,  
por dhe njerëz të shkollës. Vështirsitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më  
energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më  
1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine a 
ideje  që të përkrahnin krijimin e një qëndre fetaro-kombëtare. Kësaj 
thirrrjeje iu  përgjigjën shqiptarët katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma 
morale dhe  materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete  
tolerance, bashkpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve. 
Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef  
Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më 
parë  dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se nëqoftse komuniteti shqiptar 
në  Amerikë nuk duhej të shkrihej — duke humbur gjuhë, kulturë e tradita — 
atëherë  ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo 
sfidë e çdo  pengesë për themelimin e qëndrës katolike. 
Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate  
që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për 
blerjen  e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjetë më vonë u pasua me botimin e 
 rëvistës Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane, pasi Lidhja Katolike kishte 
nevojë  për një botim zëdhënës, por për më tepër këjo ishte edhe revista e 
vetme  katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me 
të  afërm dhe me të largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta 
Katolike,  popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte 
marrë  përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari 
i  Lirë. Kështuqë në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe gazetat 
Shqiptari  i Lirë dhe Dielli ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare 
dhe  patriotike të Lidhjes së re Katolike. 
Megjithëse gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik  
shqiptar bëheshin nepër kisha të ndryshme amerikane, puna e rëndë e Kryetarit 
 Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane si 
dhe  serioziteti i kësaj nisme të komunitetit të vogël katolik, 50-vjetë më 
parë, u  kurorëzua natën e Krishtlindjes të Dhjetorit 1969, kur u tha mesha e 
parë në  Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue të lagjës Bronks. 
Kryetari i  Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast 
përshëndeti  grigjën e tij duke u thënë: ‘’Mirë se u pruni Zoti në 
shtëpinë tuej. Siç pat  thenë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike me 1962, 
Dom Zefi rithkesoi  edhe me ketë rast se ‘’Këjo sot është një shkëndi e 
vogël që me ndihmë të  Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndritë edhe 
votrat e errësueme në  Atdhe’’ – duke shtuar se ‘’Rruga e jonë është dhe 
mbetet ajo e Krishtit:  drejtësi, dashuni e paqë për  gjithkënd dhe me  
gjithkënd.’’ 
Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të 
 atëhershëm të Nju Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu 
njohën  të gjitha të drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit 
famulli,  përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në Qëndër, si dhe të 
drejtën  për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet 
fetare si  pagëzime, kurorëzime dhe funeralet. 
Akordimi nga Kardinali Terence Cooke Qendrës Katolike Shqiptare, i të  
drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i  
rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të  
detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre  
shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons. Zef Oroshin Administrator të Qëndrës  dhe 
bashkpuntor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arqipeshkvia e Tivarit,  
i cili me entuziazmin e tij sjellë një bashkpunim të zellëshëm e të 
frutshëm  duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në 
Amerikë.  Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej 
gjatë viteve,  nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente. Nga 
shënimet historike  mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike 
Shqiptaro-Amerikane del se  meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i 
lëshojnë një  thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan 
për një ndihmë  të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, 
më të madhe,  pasi numëri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre 
nga trojet tona  në ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme 
nga autoritetet  shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 Shtator, 1978 bëhet 
inaugurimi i  kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe 
 bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqsues 
të  të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte këjo një 
ndërmarrje  aspak e lehtë. Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, 
Kryeredaktori  Xhevat Kalljaxhiu përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në 
Bronks, si  ’’një vepër me të vërtetë të madhe’’, dhe uron e përgëzon ‘’
iniciatorin e  vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok 
Mirditën,  këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, 
ndihmën morale  dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si 
“ndërgjegjës  të misjonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, 
por edhe si  predikues të Shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve
’’, përfundoi  editorialin ish-gazetari i njohur i Zërit të Amerikës Xhevat 
Kallajxhiu. 
Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një  
shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e 
meshtarit  Dom Lazër Shëldija, e cila në Shkurt të vitit 1987, me miratimin e 
këshillave  dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andrew Nargaj 
ndërmorën  vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar 
Pajtores  së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin përpjekje të vështira këto 
për të  bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në 
shtete të  tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të 
mëdha që  vetëm pjesmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë, 
Komisioni  fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen  
kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në fund  
objektivit të lartë fetar e kombëtar. 
Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e  
gjysëm, në 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, këtu ku jemi sot.  
Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e 
avoketënve  ‘’Piro & Mansell’’ në White Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati 
George  A. Phillips i firmës ‘’Cusack & Styles’’, në emër të cilës, kontrata 
u  nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të  
komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, 
 Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala. 
E gjithë këjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët 
 dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë, përfundon më në fund në  
kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale.  Por 
është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas  blerjes 
së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i  Nju 
Jorkut njoftoi themelimin e ‘’Famullisë së parë Katolike Shqiptare në  
Amerikë me emërin e bukur ‘’Zoja e Shkodrës’’, dhe emëroi famullitar të  
Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër  
Popaj. Në vend që të pushonte krahët mbas një pune jashtzakonisht të rëndë,  
Dom Rroku, merr thirrjen e shëjntë për tu këthyer dhe për të ndezur në Atdhe  
atë ‘’shkëndinë e vogël’’ nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom 
Zef  Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe 
sakrificave të  vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot 
‘’është  bërë dritë e madhe, që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe’’ nga 
dekadat e  ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me 
shpalljen  absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë. Emërimi dhe 
shugurimi i  Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e 
tij Papa Gjon  Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në 
Atdhe, duke pranuar  kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë 
ta vazhdonte në  Atdhe, — për të filluar atë që gazeta New York Catholic e 
cilësoi si ‘’A New  Dawn for Albania’’ (Një Agim i Ri për Shqipërinë)–për 
hir të dashurisë për të  Madhin Zot dhe Kombin e tij, si edhe për hir të 
dinjitetit dhe në falënderim  të përjetëshëm të para-ardhësve të mëdhej të 
klerit katolik shqiptar të  përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist 
i Enver Hoxhës. 
Por barra e rëndë për shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të  
kishës së re, ra mbi krahët e të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të  
ri e energjetik, i edukuar dhe i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës 
 dhe i cili me përpjekje të palodhëshme njerëzore, me dedikim, sakrifica 
dhe  vetmohim iu përvesh punës për të realizuar objektivin madhor të filluar  
50-vjet më parë, dmth, të realizimit të misjonit të lartë fetar e kombëtar, 
që  sot është famullia ‘’Zoja e Shkodrës’’. Dom Pjetri iu përvesh punës me 
vrull e  vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe mbarimin e këtij objekti 
fetar e  kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e pat quajtur një gur i 
çmueshëm,  një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me të vërtetë një 
vepër  madhështore, pat thënë ai – dhe që sot – fal aktivitetit të saj fetar e 
 kombëtar — është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik por e mbarë  
komunitetit shqiptaro-amerikan. 
Me datën 3 dhjetor, 1995 bekohet guri i parë i themelit të kishës së re, në 
 prani të një numëri të madh besimtarësh dhe udhëheqsish nga tri besimet.  
Ndërtimi dhe inaugurimi i kishës ‘’Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e 
një  kapitulli të lavdishëm të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e 
Bashkuara  dhe fillimin e një veprimtarie të gjithanëshme aktivitetesh fetare, 
kombëtare  e kulturore, jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë 
komunitetin  shqiptaro-amerikan, pa marrë parasyshë përkatësinë fetare. 
Arqipeshkvi i Nju Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i  
shqiptarëve, me rastin e shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thashë më  
lartë e quajti një diamant i çmueshëm, tha se konsekrimi i kishës ‘’Zoja e  
Shkodrës’’ ishtë me të vërtetë një celebrim e gëzim po të marrim parasyshë  
historinë e kombit shqiptar dhe dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu  
lutur Perendisë. 
Është e pamundur që mbrenda një kohe të shkurtë prej disa minutash të  
përfshihet një historik aq i pasur siç është veprimtaria e Lidhjes Katolike  
Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-vjetëve të fundit, e sidomos e 20-vjetëve të  
fundit nën udhëheqejn e Dom Pjetër Popaj dhe bashkpuntorëve të shumtë. Por do  
të përpiqem që në pika kryesore dhe shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete  
fetare, kombëtare e kulturore që e kanë dalluar dhe e dallojnë Famullinë 
Zoja  e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut. Një Qëndër këjo, me 
veprimtari të  larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe thellohet besimi në të 
Madhin Zot,  por në të njëjtën kohë e si gjithmonë — dhe në traditën më të 
mirë të  klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që gjatë të gjithë 
historisë  së kombit tonë ka vazhduar të ruaj dhe të promovojë zakonet dhe 
traditat tona  si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në botën 
amerikane në të  cilën jetojmë. Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë Katolike 
Shqiptare në  Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i 
cili në revistën  ‘’Shëjzat’’ pat shkruar me atë rast se përveç dobisë 
shpirtërore, ‘’Na tue u  nisë nga pikëpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë 
këtu, vlerën e një  organizimi i cili në flakë e në dritë të fesë – nevojë 
urdhnore e njerëzve  sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të 
mërguemit – synon të  mbajë gjallë zakone e doke thjeshtë kombtare, dmth të 
ruaj në vend të huaj  pasuninë ethnike të trashigueme nga të parët, pasuni që 
na lejon m’u quejtë  Shqiptarë në botë.’’ 
Përveç shërbimeve fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të 
 rolit që Kisha Katolike Shqiptare ka luajtë gjatë shekujve, në mbrojtjen 
dhe  në kultivimin e vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, 
folklorit  dhe të traditave tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqsit 
e saj  klerikë dhe laikë vazhdimisht, kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme 
duke  organizuar folklore, seminare e akademi. Kështuqë, këjo kishë e ka 
bërë këtë  qëndër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve 
tona  zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe kulturor me qëllim të 
ruajtjes dhe të  zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare 
të fisit  shqiptar. 
Është me vend që të përmenden disa prej tyre –më të rëndësishmet — siç  
ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit,  
kur u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Këjo ishte vizita e  
parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e 
 Keshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që 
ai  të ketë filluar karjerën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë 
si  udhëheqsin e Kosovës që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes  
Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi. 
Ndër të tjera, janë organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At  
Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës. Çdo vit me 28 Nëntor, Ditën e 
Pavarësisë  së Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të  
përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perendisë për një të ardhme  
më të mirë për shqiptarët. ‘’Dita e trashëgimisë shqiptare’’, edhe këjo 
një  nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha ‘’Zoja e 
Shkodrës,  është këthyer tashti në një aktivitet masiv që synon të mbaj gjallë 
traditat  kulturore dhe të forcojë lidhjet e miqësisë midis gjithë 
shqiptarëve dhe t’i  bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre. 
Pasi Shqipëria nën regjimin komunist kishte marrë një emër të keq në  
Amerikë, ishte gjithmonë qëllimi i klerikëve katolikë, që botës amerikane t’i  
paraqiteshin vlerat pozitive të kombit shqiptar duke paraqitur kulturën,  
kostumet dhe traditat më të mira, duke filluar me pjesëmarrjen e komunitetit  në 
Festivalin e Arteve të Ballkanit në mesin e 1970-ave. Festivali muzikor që  
kisha organizon për çdo vit, nën drejtimin e të palodhëshmit Mark  
Koliqit-Shkreli është bërë si të thuash një institucion kulturor e kombëtar—në  të 
cilin marrin pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë komuniteti, por edhe më  gjërë, 
pa dallim feje, krahine apo ideologjie – e që mbulohet jo vetëm nga  media 
shqiptare, por edhe nga ajo amerikane, përfshirë, ndër të tjera edhe  
gazetën me famë botërore Nju Jork Tajms. Grupi Rozafati që ekziston pranë  kishës 
për më shumë se 30-vjetë ka përfaqsuar komunitetin shqiptar në  organizime e 
çfaqje të ndryshme artistike e kulturore të komuniteteve etnike  në 
Amerikë. Folklori i Kishës Zoja e Shkodrës ka zbukuruar paradat vjetore në  
bulevardet e Nju Jork si edhe darkat e festimet kombëtare të komunitetit  
shqiptaro-amerikan, siç ishte kohët e fundit festimi i 100-vjetorit  tëthemelimit të 
organizatës mbarëshqiptare Vatra. Dom Rroku e Dom Pjetri, mbi  të gjithë 
angazhimet që kishin mbi supet e tyre, disi kishin gjetur kohë që të  
përgatisnin dhe të drejtonin edhe radio programin ‘’Zëri Katolik Shqiptar’’,  që 
transmetohej çdo të shtunë në mengjes. 
Aktiviteti i gjithanshëm i famullisë ka përfshirë edhe organizimin e  
udhëtimeve ose shtegtarive me karakter fetar, si për shembull vizita në  Vatikan 
dhe Gennacano, ku grupi nga Zoja e Shkodrës u prit në audiencë nga vet  Papa 
Gjon Pali i dytë. Të rëndësishëm ishin shtegtimi në Tokën e Shenjtë dhe  
udhëtimi në Shqipëri me rastin e vizitës historike të Papës Gjon Palit të  
dytë, me ç’rast ai shuguroi katër ipeshkvijë, përfshirë edhe ish famullitarin  
e kishës tonë, tashti Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i  
Tiranë-Durresit duke e ringjallur kështu hierarkinë e Kishës Katolike  Shqiptare, 
e cila ishte zhdukur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. 
Përveç veprimtarive fetare, ekumenike, kulturore dhe atdhetare, komuniteti  
katolik shqiptar nepërmjet kishës, e me ndihmën e klerikëve dhe të 
këshillave  të ndryshme drejtuese, shpesh është marrë edhe me veprimtari humanitare 
në  shërbim të bashk-atdhetarëve tanë në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera. 
Vlenë  të përmendet se gjatë 1990-ave, Kisha Katolike Shqiptare ka organizuar 
 gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me  
qindëra mijera dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët  
shqiptarë nga Kosova. Megjithëse larg nga atdheu dhe trojet tona në 
Ballkan,  besimtarët katolikë të kësaj famullie– gjatë këtyre 50-vjetëve histori të 
 Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane — nuk kursyen kurrë dhe asgjë për  
bashk-atdhetarët tanë në vendlindje duke dërguar, sipas mundësive këtu dhe  
nevojave atje, ndihma për ndërtimin e rrugëve, shkollave e qendrave fetare e  
kulturore, përfshirë edhe ndihmën e konsiderueshme dhënë për ndërtimin e  
Katedralës ‘’Nënë Tereza’’ në kryeqytetin e shtetit sovran e të lirë të  
Kosovës – dhe kur thirri Atdheu për mbrotjen e interesave kombëtare nuk  
munguan as ndihmat materiale e madje-madje as ato njerëzore. 
Përveç veprimtarisë kombëtare, fetare e kulturore, Kisha Katolike nga koha  
në kohë organizonte, me ndihmën e mjekëve shqiptarë të kryesuar nga Dr. 
Agim  Leka, edhe përkujdesje shëndetsore për fëmijtë e emigrantëve të ri të çdo 
feje  e krahine, duke hapur hapësirat e kishës për imunizime dhe nevoja të 
tjera  shëndetsore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse sot ka 
lloj lloj  orgnaizatash politike e kulturore të komunitetit, ishte Lidhja 
Katolike  Shqiptaro-Amerikane, ajo që u parapriu këtyre kur në fillim të 70-ave 
mori  iniciativën, që së bashku me qëndrat si motra myslimane dhe ortodokse 
të  formohej Organizata ethnike shqiptaro- amerikane që do të përfaqsonte  
interesat e komunitetit pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut. 
Nuk është pra këjo një ‘’mërgatë qyqesh’’, siç i cilësonin apologjetët e  
regjimit të Enver Hoxhës, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, që shumë prej 
të  cilëve patën fatin të shpëtonin nga terrori i egër i stalinistëve të 
Tiranës  komuniste, e që disa prej të cilëve, 50-vjetë më parë morën guximin dhe 
 themeluan këtë Lidhje Katolike Shqiptaro-Amerikane. Ky pra, është një  
komunitet i cili shpirtërisht dhe fizikisht, gjithmonë ka qenë dhe është afër  
dhe i gatëshëm të mbrojë interesat kombëtare dhe të punojë për ‘’Fe e Atdhe
’’.  Është ky komunitet i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, me Kishën ‘’
Zoja e  Shkodrës’’ — i cili pa marrë parasyshë se ç’thanë kritikët 
dashakeqës atëherë,  e ndoshta edhe sot — ai që po shkruan historinë e diasporës 
shqiptare në  Amerikë dhe që është bërë pjesë e pa-ndashme edhe e historisë 
së Kishës  Shqiptare në Atdhe. Si i tillë, ky komunitet meriton një kapitull 
të denjë  edhe në historinë e kombit shqiptar, ashtu siç zë vend edhe 
historia e  arbëreshve të Italisë, të cilët gjatë 500-vjetëve ç’prej largimit të 
tyre nga  Atdheu për të shpëtuar nga otomanët, ruajtën fenë, dashurinë për 
Atdheun,  traditat, gjuhën shqipe dhe kulturën. Ashtu si edhe arberëshët e 
Italisë, edhe  komuniteti shqiptaro-amerikan, pjesë përbërse dhe e rëndësishme 
e të cilit  është edhe komuniteti katolik i Nju Jorkut me rrethe, me 
aktivitetin e tij të  palodhshëm 50-vjeçar, të udhëhequr nga klerikët tanë që kemi 
privilegjin t’i  kemi këtu sot, si dhe ata që kanë shkuar në atë jetë –
vazhdon të jetë  flamurtar i përhapjes dhe i forcimit të idesë kombëtare, i 
ruajtjes së vlerave  fetare e morale si edhe i kulturës dhe traditave të bukura 
shqiptare, e që  nepërmjet shembullit të Nënë Terezës e kanë bërë kombin 
tonë të njohur anë e  mbanë botës. 
Roli i famullisë Zoja e Shkodrës në jetën fetare, kulturore, shoqërore,  
humanitare dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo dhe pa dallim  
është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë edhe udhëheqsit politikë dhe  
diplomatë nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare, të cilët e kanë  bërë 
vizitën në këtë qendër si një ndalesë të doemosdoshme gjatë qendrimit të  
tyre në Amerikë. Famullia Zoja e Shkodrës është shpesh edhe në qëndër të  
aktiviteteve ekumenike duke marrë iniciativën dhe duke organizuar lutje  
ndërfetare me udhëheqës të besimeve të tjera për qëllime mbarëkombëtare, si  për 
shëmbull lutjet që mbaheshin për pavarësinë e Kosovës, dhe për fatin e  
shqiptarëve në përgjithësi. Një ndër ndërmarrjet më me rëndësi të kësaj  qendre, 
siç thashë edhe më përpara, ka qenë botimi i revistës Jeta Katolike ku  
shkruanin e vazhdojnë të shkruajnë jo vetëm intelektualë e shkrimtarë të  
famullisë, por ajo është e hapur për të gjithë, dhe e cila ka siguruar  respektin 
e meritueshëm, përmbajten e së cilës e ka vlerësuar edhe shkrimtari  Ismail 
Kadare. Këshilli redaktues nën drejtimin e Dom Pjetrit dhe të Mark  Koliqit 
meriton lëvdata për një punë të mbrekullueshme edhe në fushën  gazetareske. 
Rëndësia e këtij përvjetori, e vërteta është, qendron në faktin se  
themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane 50-vjetë më parë, kur të  shikohet 
nga këndveshtrimi i sotëm, ishte gur themeli, ishte hyll i dritës dhe  
agimi i parë i mengjezit që zbardhi ditën dhe të ardhmen e Kishës Katolike  
Shqiptare në përgjithësi. Kur të marrim parasyshë historinë e vuajtjeve e të  
mundimeve të klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë diktaturës  
hoxhiste komuniste, është e qartë se Shpirti Shënjtë kishte dorë të drejtë për  
drejtë në këtë krijesë të re, në këtë vend të madh të lirisë e demokracisë, 
me  qëllim jo vetëm për të mirën e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan , 
por  edhe për fatin e Kishës në Shqipëri dhe për të mirën e mbarë kombit 
shqiptar.  I Madhi Zot vepron në mënyra misterioze. Siç thashë lartë, nga kjo 
famulli  doli një arqipeshkëv, në personin e Imzot Rrok Mirditës, dy meshtarë 
Dom  Pjetri e Dom Nikolin Përgjini, si dhe diakoni Marash Shkreli të cilët 
shërbyen  për disa vjetë në këtë famulli. 
Historia 50-vjeçare e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është një  
periudhë evenimentesh historike siç ishte, ndër të tjera, edhe organizimi i  
meshës solemne në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork më 1997 në kujtim të  
Nënë Terezës, bijës që Kombi shqiptar i ka dhuruar njerëzimit, e ku mori 
pjesë  një mori e madhe shqiptarësh dhe të huajsh, pa dallim. Me ç’rast Profesor 
Sami  Repishti, i emociounar nga këjo çfaqje fetare e kombëtare e 
organizuar nga  Kisha Zoja e Shkodrës, e përmblodhi më së miri misjonin dhe 
aktivitetin e  kësaj veprimtarie duke shkruar me atë rast: ‘’Këtu në Katedralën e 
Shën  Patrikut u duk fëtyra pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u 
duk i  qartë besimi jonë në vetvehten, besnikëria ndaj traditave tona 
kombëtare,  dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, toleranca jonë fetare 
(i cili  popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedralës) dhe 
vendosmëria  jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep 
emërin  shqiptar….Megjithë sakrificat e shumëta që keni bërë, o vëllëzër e 
motra  shqiptarë katolikë, për fe e atdhe’’ vazhdon Profesor Repishti, ”ju 
jeni një  grup fetar e kombëtar që do të mbijetoni çdo provë e vështirsi në 
të ardhmen…  dhe në këtë rrugë ju keni përkrahjen e miljona shqiptarëve 
myslimanë e  ortodoksë që ju kuptojnë dhe ju duan’’, përfundoi artikullin e tij 
Profesor  Sami Repishti. 
50-vjetori i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është pra, një kurorëzim  
i denjë dhe i mbrekullueshëm i një veprimtarie në fushën e fesë dhe të  
shqiptarizmit. Me urimet e mia i lutëm të Madhit që Qëndra Nënë Tereza dhe  
famullia e Zojës së Shkodrës, nën drejtimin e famullitarit Dom Pjetër Popaj,  
të vazhdojë punën e saj frymëzuese bazuar në binomin Fe e Atdhe me Përparim,  
të trashëguara nga parardhësit kishtarë shqiptarë, në misjonin e saj për të 
 ndihmuar Kishën e shumë vuajtur dhe institucionet fetare të cilat 
gjithmonë  kanë qenë qendra, jo vetëm e vlerave fetare por edhe vatër e promovimit 
të  patriotizmit të pastër, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare 
këtu  në Amerikë dhe në të gjitha trojet tona shqiptare në Ballkan. 
Ju falenderoj për durimin, 
Frank Shkreli* 
*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe  
ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare’’
, për  periudhën  1971-1974.
DSC_0025.jpg (image/jpeg, 40.3 KB) - not displayed
DSC_0040.jpg (image/jpeg, 36.2 KB) - not displayed
DSC_0042.jpg (image/jpeg, 38.1 KB) - not displayed
DSC_0005.jpg (image/jpeg, 31.9 KB) - not displayed
DSC_0012.jpg (image/jpeg, 32.1 KB) - not displayed
DSC_0015.jpg (image/jpeg, 36.2 KB) - not displayed