Elegji per Pano Tacin, "vagabondin" e diktatures

[email protected] Sat, 16 Jun 2012 08:20:44 -0400 (EDT)
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>
 
_http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=20&id=172568_ 
(http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=20&id=172568) 

_Elegji  për Pano Taçin, "vagabondin" e diktaturës - Opinione - Bota Sot_ 
(http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=20&id=172568)  

Elegji për Pano Taçin, "vagabondin" e diktaturës
 
 
Miranda HAXHIA
 
 
Për ç'hoqi e vuajti bardi Pano Taçi 
Iku poeti, hokatari, kryeneçi, i mvrejturi dhe shpirtzjarri. Iku, u fik ai  
"vagabondi" i diktaturës, poeti i burgjeve që e deshi aq shumë dashurinë. U 
fik  bohemi i shumë vjershave të mrekullueshme. Ndoshta sendi për të cilin 
ka patur  mall ta ketë në botën tjetër është çibuku dhe helmi i pafikur 
përgjithmonë i  duhanit. Pikërisht, aty në djegësirën e atij helmi buroi gjithë 
poezia e Pano  Taçit. Ndoshta një varg nga ato të burgut do të donte ta 
mbante në shpirt për  matanë. Për të kuptuar se sa e vështirë është liria. Dhe 
sa e bukur! Po ikën i  pasur sa vetë bota. I ndjekur nga dhjetëra e qindra 
lexues që kanë librin e tij  diku, poshtë ndonjë rafti, apo ndonjë flete 
çarçafi. Po ikën të takojë shpirtin  e nënës, për të cilën ai fliste aq shumë. I 
pasur, edhe pse nën këtë qiell një  shtëpi nuk e pati dot. I mbetur jashtë 
si një shpend i hallakatur, shtegtonjës i  stinëve të gabuara, Pano Taçi, 
tashmë do qetësohet nën një peshë dheu, duke u  lënë lexonjësve, atyre që e 
deshën poezinë e tij, trazimin, shqetësimin, ankthin  se mos ajo derë ku sot po 
shkon pa fjalë, nuk do të hapet, në një ditë, kur të  vijë sahati si për 
çdo qenie njerëzore. Ajo karrige falas që ishte caktuar për  bardin Pano Taçi 
në kafe Europa, jo gotë rakije te orët trallisëse te "Guva" apo  ato dy 
vargjet e para të shkruara në ndonjë cep rruge do qajnë ca pika loti për  
poetin. Asgjë më shumë, askush më shumë se kaq. Fjalët do derdhen lumë, por  varri 
i poetit nuk i nxë, nuk i mbart dot. I duhet peshë më e rëndë për këtë  
ditë, e asnjë fjalë nuk do peshonte aq shumë sa peshoi vuajtja, vetmia, dhimbja 
 dhe dashuria e poetit Pano Taçi.
Ishte dhe tani mbetet vetëm një shënim  përmbi faqe librash, shije 
intervistash të rralla, miq të heshtur e të pafjalë,  të gjitha këto, sa pak janë 
për një ikje poeti.
Qendroi në këtë botë për të  provuar të gjithë shijen që të jep dhimbja, 
vetmia, burgu, liria. Qendroi mes  njerëzve për të njohur më mirë si dinë të 
duan njerëzit, për të kuptuar sa shumë  dinë të urrejnë disa të tjerë, për të 
gulçuar për sa dhunë mëson të ushtrojë  njeriu kundër njeriut.
Po ikën, e di, s'kthehet më, nga jeta një të mirë  s'pa. U lodh e lodhi të 
tjerë duke trokitur, iu dogj fjala nga brenga se nuk e  dëgjuan kur deshte 
ta dëgjonin.
E gjitha ajo që lë pas është malli i tij për  një fjalë të çiltër kur e 
tha, aq rrallë sa fliste, aq thellë sa ndjente, aq  fortë sa çdo hekur burgu do 
thyente.
Po ikën ku ikin të gjithë, papritur e  pakujtuar. Me botën e përtejshme e 
lidh një mall që i dogji thellë në kraharuar.  Po ikën dhe pse shumë gjëra pa 
bërë nga pas do t'i lejë. Dëgjoi nga qielli shumë  zëra, të nënës e dalloi 
mbi çdo zë. Do ikë siç ikën çdo shpirt, siç i iku edhe  shpirti i nënës. Çdo 
natë do dalë t'ia shohë sytë, në mes të syve që i vijnë  rrotull Hënës. Po 
ikën nuk ka më se ç'të presë. Për ç'hoqi e vuajti, i qetë po  ikën, aty mes 
resë. Ai ik e jak, i'u gjakos udha. I bërë hi për ç'ishte shpuzë,  me ballin 
mbuluar me rudha, me mërmërimë honesh mbi buzë.
Nuk di sepse më  mbetën në mendje vargjet e Pano Taçit. Pikërisht këto, 
sikur të jenë shkruar për  ditën e fundit të tij.
Ju them: me ç'di, unë kam vdekur,
Po që të vij  te ju kam frikë,
Se do më tallni për ç'jam përpjekur
Që të gjallin,  Lëkurëdjallin
S'e bëra mik. 
Jam lodhur kot me dashuri
Ta bëja zap botën e prapë,
Te buzë e varrit  ku bëj të hyj
Këmba më shtang, pas kthehem  vrap.