Vera e nxehtë politike

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Mon, 18 Jun 2012 16:55:43 +0200
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUF=yUZJ5H6JXuD8LfmyCKoO_OiJq4KmsCB=54yvztL24ew@mail.gmail.com>
Vera e nxehtë politike

http://zhurnal.mk/content/?id=1261812191727
  <http://zhurnal.mk/image.aspx?img=hamdi-nuhiu-210x210_14.jpg>
Hamdi Nuhiju

Vera gjithmonë ka qenë e nxehtë. Nxehtësinë e saj e kanë hetuar sidomos
njerëzit që kanë pak më tepër kilogram sesa duhet. Kjo trashje, nuk ka
ndodhur me dëshirën e njerëzve, po me mënyrën e ushqimit, me dembelizmin e
nxitur prej sistemit, me metodat e reja teknologjike që shtojnë dembelizmin
tek njerëzit, me zbulimin dhe marrjen hov të rrjeteve sociale, me
papunësinë, me stresin, me pa perspektivën, me pritjen gjithmonë prej
tjetrit, dhe mungesën e hapësirës për aksionin vullnetar etj. Verën nuk e
bën të nxehtë vetëm dielli, e as vetëm kushtet klimatike. Atë e nxehtësojnë
edhe vet politikanët që lozin në kartën e fateve të njerëzve. Profitimi në
këtë kartë është i lehtë dhe i harxhueshëm shpejtë. Humbja nga kjo kartë le
pasoja të rënda sociale, psikologjike, ekonomike e politike. Në spektrin
politik, Republika e Maqedonisë, ka konsumuar një mori garniturash
politike, ka zhbërë, ka ngritur, ka ulur, po asnjëherë nuk ka prodhuar
garnitura të reja, me ide të reja, që do ti sfidojnë të vjetrat me projekte
konkrete. Rokada është e qartë për të gjithë. Po mos qe Nikolla Gruevski,
do të jetë Branko Cërvenkovski. Kjo mënyrë e të logjikuarit është
permanente tek popullata maqedonase, ndërsa shqiptarët veçse janë bërë imun
ndaj këtyre proceseve të ‘bajatizimit’ politik. Njeriu shqiptar i
Maqedonisë, gërditet nga lajmet e përditshme kur për të flitet në numra.
Këto janë kaq për qind, po qe se një parti politike maqedonase do me rrëzua
një parti tjetër, patjetër duhet që të bashkëpunoj me një parti shqiptare,
ose po qe se një parti shqiptare dëshiron që ti fitoj zgjedhjet lokale në
Tetovë, Gostivar, Strugë e Shkup, patjetër duhet që të bashkëpunoj me
ndonjë parti politike maqedonase. Kjo mënyrë e të vepruarit dhe të
logjikuarit është jashtë mode dhe e papranueshme. Nuk vlen për sistemet
demokratike. Logjika e varësisë së partive më të vogla ndaj më të mëdhave,
ose e partive shqiptare që duan të fitojnë në vendet ku ka shumicë
shqiptarë ndaj partive maqedonase është logjikë fashiste. Maqedonasit edhe
njëherë po e hedhin topin në truallin e shqiptarëve. Goditjet nga kjo
hedhje po i përjetojmë ne si shqiptarë. Dhimbjet, nuk guxojmë që ti
shprehim, e as që të ankohemi për goditjen. Detyrohemi vetëm të pranojmë në
heshtje dhe të pajtohemi me faktin e kryer. E gjithë kjo lojë me neve,
bëhet ngaqë jemi shndërruar në përqindje, numra të pavlerë. Këto ditë
lexuam deklaratat e Nikolla Gruevskit për zgjedhjet lokale që do të mbahen
në fillim të vitit tjetër, ose edhe para fillimit të vitit tjetër. Ai,
ishte i bindur se në këto zgjedhje do të fitoj. Normal, kjo bindje i
krijohet ngaqë është pozitë, tërë garniturën shtetërore e ka nën kontroll,
dhe thjeshtë, po bën me këtë shtet çka po dëshiron. Me tri gjëra po
manipulohet në këtë periudhë parazgjedhore: Mediat, Masat ekonomike të
qeverisë, dhe formula e koalicioneve.

A) Mediat:

Qeveria e R.M. para shumë kohësh mbylli televizionin më të shikuar në
Maqedoni, ndoshta edhe në Ballkan, A1. Bashkë me këtë televizion mbylli
edhe gazetat ditore Vreme, Shpic dhe Koha e Re, censuroi shumë gazeta, duke
i detyruar për ta ndryshuar formatin e gazetës, si dhe kryen presion të
vazhdueshëm ndaj gazetave dhe televizioneve maqedonase e shqiptare. Tashmë
së fundmi, në mënyrë selektive u mbyll edhe dritarja e vetme e shpresës në
pellgun mediatik maqedonas A2, me arsyetime banale, duke gjetur lëvozhga në
programet skematike. Marrëveshja midis Qeverisë dhe Shoqatës së Gazetarëve
të Maqedonisë, për c`kriminalizimin e shpifjes, qëllimisht u zvarrit me
muaj të tërë. Edhe nëse kanë arritur deri tek konkluza të caktuara, prapë
se prapë gazetarët janë në pozitë shumë të pafavorshme me frikën dhe
presionin që bën Qeveria duke mbyllur mediume gjigante në vend. Kjo mënyrë
e qëndrimit në skenë të kriminalizimit të shpifjes, i jep hapësirë Qeverisë
së R.M. që të gjithë kundërshtarët politikë, po edhe qytetarët e thjeshtë
të Maqedonisë që nuk kanë mendim të njëjtë me Qeverinë, të rrezikohen me
gjoba të larta dhe të rënda, si dhe të jetë në pikëpyetje siguria e tyre,
ngaqë nuk i dihet se kur mund të futet polica në shtëpinë tënde për të të
burgosur. Kjo situatë e çoroditur në sferën mediatike, shton pasiguri në
mesin e popullatës shqiptare. Askush nuk i del në krah popullatës së
thjeshtë, ngaqë mediumet janë të shtypura dhe nën presion, gazetarët nuk
guxojnë ta flasin realitetin se do të dënohen për shpifje, ndërsa në skenë
do të dal huliganizmi maqedonas, me masat e saja destruktive. Shqiptari
Musli Ahmetov nga Velesi i Maqedonisë, kërcënohet së bashku me familjen e
tij nga huliganët maqedonas. Këto huligan i thuan këtij njeriu të shkretë
se do t`ia djegin shtëpinë, dhe shtojnë frikën e vazhdueshme ndaj këtij dhe
familjes së tij. Kjo situatë e kërcënimeve të këtilla, nuk ka ndodhur as në
kohën e luftës, e të mos flasim për dhjetë vite pas kalimit të luftës.
Presioni që Qeveria bën ndaj mediumeve, po edhe ndaj popullatës së
thjeshtë, ka sjell që viktima të janë shqiptarët e thjeshtë, e assesi
maqedonasit.

B) Masat ekonomike:

Situata ekonomike në Republikën e Maqedonisë është katastrofike. Nëse i
analizojmë shifrat e rritjes ekonomike në Ballkan të gjitha shteteve të
Ballkanit, do të shohim se edhe Bosnja dhe Hercegovina, një shtet jo stabil
politikë, ka standard më të lartë jetese dhe papunësi më të ulët, sesa
Maqedonia. Kur jemi tek sfera e ekonomisë duhet që të përcjellim dy viza të
kundërta. Rritja e vazhdueshme e numrit të papunësisë tek popullata
shqiptare dhe popullsitë tjera jo maqedonase, dhe partizimi i vazhdueshëm i
punësimeve maqedonase. Si është e mundur që një qytet si Kocani, që ka më
pak banor se Komuna e Likovës, të ketë gati 9000 mijë të punësuar, ndërsa
Komuna Likovës as në ëndërr nuk mund t`i shoh kaq shumë punësime? Është e
saktë, se ka rënie ekonomike edhe tek popullata maqedonase, por jo në atë
masë sa tek popullata shqiptare. Ndërsa, gjeneratori i ekonomisë,
infrastrukturës, e politikës janë shqiptarët e këtushëm, ngaqë ato kanë
numër më të madh të rinjsh, janë popullatë me natalitet të lartë, si dhe
nuk kanë logjike koprracie. Qeveria e R.M. në kohën e privatizimit të EVN,
Maqedoni, ka pasur marrëveshje me këtë firmë, që çmimet e energjisë
elektrike për çdo vit, deri në vitin 2015 të hipin nga 18 % me qëllim që të
arrihet standardi i çmimeve që ekzistojnë në Bashkimin Evropian. Po, nuk e
di, Qeveria e R.M. a ka bërë marrëveshje të këtilla edhe me ndonjë subjekt
biznesi, që çmimet e punëtorëve të hipin nga 18% për çdo vit, deri në vitin
2015 me qëllim që të arrihet standardi i rrogave që paguhen në Bashkimin
Evropian? Kjo situatë e krizës ekonomike dhe masat që po ndërmerr qeveria
për zbutjen e kësaj krize, na sjellin në pah skena shumë komike. Për
bizneset e mëdha dhe të vogla është akorduar një fond prej 100 milion euro
në formë të kredisë me kamata të subvencionuara. 30 milion euro janë për
bizneset e mëdha, ndërsa 70 milion euro dedikohen për bizneset e vogla dhe
të mesme. Logjika e shpërndarjes së kësaj kredie është shumë e thjeshtë.
Jepen 1000 euro për person, për ato firma që punësojnë një punëtor, ndërsa
për më shumë, për kokë punëtori jepen kredi nga 1000 euro. Në këtë mënyrë
Qeveria tenton të punësoj 2000 veta. Ky hap është në kohën e sezonës
ekonomike, kur si bëri, si nuk bëri hapa të këtillë Qeveria, bizneset
gulçojnë nga puna dhe qarkullojnë kapitalin e tyre. Hapi i dytë, për
zbutjen e papunësisë në R.M., qeveria ka ndarë një fond prej 15 milion
denarë, për shëtitjen e 3000 fëmijëve prej familjeve të rasteve sociale, në
periudhën e dimrit ose të verës. Nëse e krahasojmë, ndërtimin e busteve në
qendër të Shkupit, me shëtitjen e fëmijëve të rasteve sociale, normal që ky
hap është shumë më i logjikshëm dhe më i pranueshëm. Por, përderisa atyre
fëmijëve i mungojnë kushtet elementare për jetesë, dhe në këtë mënyrë
pretendohet që të zbutet papunësia, përmes shëtitjeve, kjo gjë është
thjeshtë hedhje e pluhurit syve të votuesve.

C) Formula e koalicioneve:

Para zgjedhjeve lokale në vend, po përmenden shumë versione, konkluza,
analiza, të daljes së partive politike në zgjedhje. U përmend edhe bashkimi
i bllokut opozitar shqiptarë, pa PDSH, e iniciuar dhe e mbështetur nga
Xhozef Diogardi. Po, ashtu edhe mbështetja që dhanë një grup i profesorëve
të USHT, për nobelistin Ferid Murati, për president të Maqedonisë, ishte
një ide,ndoshta utopike për kushtet dhe rrethanat e tanishme, por e
pranueshme dhe e realët për sistemet demokratike. LSDM-ja me çdo kusht
dëshiron që ta rrëzoj VMRO-DPMNE-në. Ndërsa lotët prej krokodili të Branko
Cërvenkovskit në disa media, nuk i ndihmojnë këtij subjekti politik për të
arritur qëllimin e saj final, rrëzimin e Nikolla Gruevskit nga pushteti.
Sipas logjikës së Branko Cërvenkovskit, atij i vjen keq për të gjitha
gjërat që kanë kaluar në të kaluarën, dhe tash, dëshiron që ti përsërisë të
njëjtat. Ato vuajtje, ato vrasje, ato persekutime mbi shqiptarët e
pafajshëm të Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kumanovës, nuk shlyhen vetëm me
fjalën më vjen keq. Shpejt mund të ndryshojnë rrjedhat politike në vend,
dhe Nikolla Gruevski të dal dhe të thotë, sinqerisht me vjen keq për
vrasjen e Harun Aliut, më vjen keq për burgosjen e shqiptarëve të pafajshëm
nga Sopoti, për burgosjen dhe maltretimin e vajzave shqiptare për rastin e
Smillkovcit, për kishat e kryqet e ndërtuara në secilin skaj të Maqedonisë.
A do ta përpijmë kaq lehtë këtë keqardhje të Gruevskit, kur ai do të jetë
histori për skenën politike të Maqedonisë? Formula e vetme e koalicioneve
politike në Republikën e Maqedonisë, është shndërrimi i partive politike
maqedonase dhe shqiptare në parti politike qytetare e jo parti politike
nacionale. Përderisa këto parti, kanë këtë konstrukt, pa ndryshuar aspak
nga qëndrimet dhe versionet e politikbërjes së tyre, atëherë çdo lloj
koalicioni do të ishte i dëmshëm për shqiptarët e këtushëm. Në këtë mënyrë,
gjithmonë do të duhej që maqedonasit të amnistoheshin nga shqiptarët gjatë
periudhës së zgjedhjeve parlamentare e lokale, ndërsa shqiptarët të
qëndrojnë të viktimizuar e persekutuar. Regjimi ndërrohet, ndërsa dajaku
mbi shpinën e shqiptarit të thjeshtë, ngelet i njëjtë.