Harresa e “Monstrës”
Hamdi Nuhiju <[email protected]> Mon, 25 Jun 2012 15:10:21 +0200
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUFkygzusxwU6EUZd0rjMf1Cdk4WFL7LyE88d-rs_yVgLYg@mail.gmail.com> |
Harresa e “Monstrës” Hamdi Nuhiju http://zhurnal.mk/content/?id=1262514264027 Në politikë dhe gjithkund, ka tendenca për krijimin e sajesave. Ato shërbejnë si kurthe në të cilat duhet që të futen grupe të caktuara, individ, popuj, shtete, kontinente. Përmes tyre shumë ekonomi botërore janë gjunjëzuar, dhe sot e kësaj dite nuk po shohin dritën në fundin e tunelit. Sajesat i përdorin të gjithë, madje edhe në jetën familjare, bashkëshorti ndaj bashkëshortes, fëmiu ndaj prindit, prindi ndaj fëmiut, vëllai ndaj vëllait etj. Sikur të ishin të mira, do të ishin edhe të preferuara. Por, pasi që përmes tyre krijohet vetëm sherr e aspak dobi, vetëm lot e aspak gëzim, vetëm hidhërim e aspak buzëqeshje, vetëm zënka e aspak rregullim, vetëm prishje e aspak qetësi, vetëm nervozë e aspak relaksim, ato totalisht bien ndesh me logjikën e njeriut. Arsyetime për përdorimin e tyre ekzistojnë vetëm për sfera të caktuara të shoqërisë dhe shtetit, pasi që shteti nuk mund të funksionojë pa pasur si mekanizëm sajesën. Njerëzit duhet që të kuptojnë sajesën. Kur përmes mënyrave legale ti nuk mund të arrish ndonjë qëllim të caktuar, atëherë përdor metoda të ndryshme, për ta arritur atë qëllim. Për shembull, fëmiu nuk arrin ta bind babain e tij, për disa shpenzime që ai dëshiron ti kryej, dhe në këtë mënyrë detyrohet të përdor metoda të ndryshme për të arritur deri tek qëllimi i tij. Monstra nuk është vetëm sajesë. Ai është edhe sulm i qenies shqiptare në Republikën e Maqedonisë. Elementet e monstrës përshtaten shumë me elemente të sulmit terrorist të “Izraelit” ndaj anijes Mavi Marmara. Kjo anije e paqes, ishte e dërguar nga Turqia me qëllim zhbllokimin e rripit të Gazës, nga ana e “Izraelit”. Qëllimi ishte totalisht humanitar. Ndërsa, monstra është krijim në vetvete, për të demonstruar forcë dhe për të nëpërkëmbur nderin e shqiptarëve e shqiptareve myslimane që jetojnë paqësisht në këtë shtet. Pesë të vrarët e Smillkovcit janë kurbanet më të dhimbshëm që shteti i Maqedonisë, i përdori për të treguar dhëmbët, mëngët e boksat, karshi shqiptarëve të pambrojtur të këtij shteti. Qëllimet e monstrës u interpretuan në mënyra të ndryshme. U tha se monstra u bë për të kryer presion ndaj NATO-s. Efekti i kundërt. “Terroristët” turq në Samitin e Çikagos, ishin të vetmit që lobuan për Republikën e Maqedonisë për futjen e saj në NATO. U mendua se monstra u bë për ti hidhëruar dy shtetet shqiptare në Ballkan. Efekti i kundërt fatkeqësisht. Shqipëria, ishte e vetmja nga shtetet e vogla, e cila në Samitin e NATO-s në Çikago, ngriti zërin për ta futur Maqedoninë në këtë aleancë. Sulmi klasik i qenies shqiptar-myslimane në rastin e fundit është tmerrues. Gra të moshuara e vajza të reja të marra nga policia e Maqedonisë, sikur të kishin qen terrorist, ose edhe kriminel që kanë kryer akte dhune ndaj njerëzve të pafajshëm. Etiketa e radikalizmit nuk është e butë. Bota perëndimore përmes asaj etikete, pas vitit 2001, po gjunjëzon gati secilin shtet mysliman. Edhe pse në gjithë këtë turbullirë etiketimesh, e vrasjesh, ka diçka e dal jashtë planit të SHBA, e ajo është pranvera arabe, ose rizgjimi i rinisë myslimane në atë botë që gulçon nga nafta dhe pasuritë e shumta nëntokësore. “Monstra” u harrua. Normalisht që duhej harruar, përndryshe nuk do ta arrinte efektin e saj. Terroristët u kapën, u keqtrajtuan nëpër burgjet e Manastirit, duke qenë ende nën mbrojtjen juridike dhe ligjore. Po, ligjin këtu e bën Gruevski dhe jo Maliqi. Aq lehtë e pranuam suspendimin nga puna të dy gardianëve të policisë në burgun e Manastirit. Me këtë gjë, sikur duheshe t`i jepej një mesazh popullatës së këtushme shqiptare që të mos ngremë zë për të çuar drejtësinë deri në vend. Paramendoni, menjëherë pas Monstrës, në Veles të Maqedonisë, para syve të policisë keqtrajtohet një familje e tërë shqiptare. Askush nuk ndërmori asgjë. Familja jeton nën kërcënime të vazhdueshme sikur të ishin kanibal të ardhur prej Karpateve, e jo njerëz që me shekuj e kanë populluar këtë vend. Dy gardianët e policisë së burgut të Manastirit, nuk duhej vetëm të suspendoheshin. Me fjalën suspendim nënkuptojmë qëndrim në shtëpi, dhe marrje rrogë gjashtë muaj rend, pa punuar në punë, e pas gjashtë muajsh, këto persona kanë të drejtë të punojnë diku tjetër. Kështu, gardianët e burgut të Manastirit që keqtrajtuan shqiptarët e pafajshëm për rastin Monstër, ende të pa gjykuar, pa fakte, pa argumente, u shpërblyen nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Së bashku me gardianët e burgut të Manstirit, duhej që edhe drejtori i burgut të: 1. të suspendohej 2. të dënoheshin materialisht 3. të mos kanë të drejtë punësimi në asnjë institucion shtetëror 4. të burgoseshin në afat të shkurtër 5. t`i dëmshpërblinin të dëmtuarit me nga 100.000 euro për person. Po qe se do të veprohej në këtë mënyrë, mund të besonim se drejtësia në Republikën e Maqedonisë, është në funksion të qytetarëve të saj, e jo në funksion të VMRO-DPMNE. Ato vajza dhe gra të pafajshme që u kapën dhe u lëshuan nga burgu, në mungesë të fakteve dhe argumenteve, kush do t`i zhdëmtoj? Shteti funksional ato i dëmshpërblen, për nëpërkëmbjen e imazhit të tyre, dhe marrjen para kamerave nga ana e policëve maqedonas. Me lëshimin e tyre nga burgu, drejtësia nuk shkon në vend. Dëmtimi nuk mbulohet duke të thënë, të dëmtuam që të mbajtëm në burg, tash ik te shtëpia. Por, për të gjitha këto që po shkruaj, për tu realizuar në praktikë, duhet që subjektet politike shqiptare të kryejnë luftë të tmerrshme. Paramendoni, Turqia prishi raportet e saj politike me “Izraelin” për shkak të dëshmorëve të rënë në anijen Mavi Marmara, anije e paqes. Ende sot e kësaj dite, raportet politike midis këtyre dy shteteve varen direkt prej këtij sulmi terrorist të izraelitëve ndaj anijes Mavi Marmara. Armenia një shtet i krijuar artificialisht, sot e kësaj dite, po keqpërdor të drejtën ndërkombëtare në favorin e saj, për ta dëmtuar Turqinë, për të ashtuquajturin gjenocid të kryer mbi armenët nga ana e Perandorisë Osmane në vitin 1915. Serbia po bën luftë të ashpër diplomatike, dhe ka vendosur në funksion të kësaj lufte të gjitha garniturat shtetërore, vetëm për ta penguar shtetësinë e Kosovës, të Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe Vojvodinën. Vetëm ne shqiptarët e Maqedonisë, duhet të heshtim, ta mbyllim gojën, sepse ne jemi gabim e të tjerët janë mirë. Mbyllja e gojës tek shqiptarët e Maqedonisë, po ndodh si në kohën e Jugosllavisë, kur elitat jugosllave, ua mbyllnin gojën shqiptarëve të Kosovës, e të Maqedonisë, përmes vet udhëheqësve politik shqiptar. Kur ato udhëheqës filluan që të kthehen në krahun e popullit, dhe të bëjnë luftë së bashku me popullin, atëherë shteti jugosllav nuk i njihte si valid. I shantazhonte, i burgoste, i maltretonte, por kur të jesh në anën e popullit, gjithçka do të duket e lezetshme. Si rezultat i asaj lufte të pa kompromis të popullit të Kosovës, më në fund erdhëm deri tek ky rezultat i brishtë, po rezultat. Paramendoni, shqiptarët e Maqedonisë, që tërë terrenin ia kemi lënë hapur Nikolla Gruevskit, dhe nuk po pranojmë t`ia qesim përpara asnjë për ta penguar. Çfarë rezultate do të presim prej kësaj gjendjeje? Në gjendjen në të cilën janë shqiptarët e Maqedonisë, nuk kanë qenë as francezët në vitin 1917 në kohën e luftës, kur humbën mbi 1 milion njerëz. Ai tmerr, i paparashikuar, ku burrat shkonin në luftë, ndërsa gratë punonin nga toka, e deri tek fabrikat e armatimeve, përsëri ishte më i butë, sepse dha rezultatet e saja, sot Franca kollitet për Evropën, ndërsa ne as që po arrijmë deri tek formula e zgjidhjes. Shqiptarët mysliman të Maqedonisë, si duket ende nuk janë të bindur, se furnizimi vjen vetëm prej Zotit. As Gruevski nuk ka dorë në furnizimin tënd, e as dikush tjetër. Po të ishte ai, pra furnizimi në duart e njeriut, sa shumë padrejtësi do të bëheshin në rruzullin tokësor. Është turp për shqiptarët mysliman të Maqedonisë, që rastin monstër nuk e përdorim për luftë politike. Në Serbi, Myftiu Zukorliq ka përgjigje për secilën gjendje politike. Ai për Nikoliqin tha:” Zgjedhja e tij për president të Serbisë është më e mirë, sesa e të tjerëve, pasi që e dimë saktë se ai është çetnik. E dimë më kënd kemi punë”. Ndjekësi i Zukorliqit, ndjehet i sigurt edhe në atë copë shteti të pa sigurt. Sepse ka një përfaqësues i cili e di saktë se furnizimi nuk vjen nga Nikoliqi, po nga Zoti. Tek ne, në Maqedoni, janë ngatërruar shumë kabllo. Nëse ekziston logjika, se pas ngatërrimit vjen deri tek zgjidhja, atëherë shpresën nuk duhet humbur.