Kush e vrau poetin?.....

[email protected] Mon, 23 Jul 2012 13:36:21 -0400 (EDT)
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <[email protected]>

 



Kush e vrau  poetin?  
Ka vdekur Ali Podrimja,  thanë... 
A  vdesë poeti? A vritët poeti? A  ndërrojnë jetë poetët, apo vetem 
hyjnohen në qiell? Ata lindin e vdesin për  çdo varg, pat thënë dikur, një poet 
tjetër.  
Sa  hije i paske ketij qielli o Ali Podrimja. Lum ai qe do ta prekë yllin  
tënd. 
 
Poeti s’vritet as vdes. Ti nuk vdiqe maestro.  Ne jemi orkestra jote që nuk 
shuhet. Ti vetem hyri në një poezi të re. Shkove  të Lumi yt. Shkove në 
dhomën 512, dhomen e dikurshme të Lumit. Ti shkove të  Esad Mekuli, të Azem 
Shkreli, Din Mehmeti, Anton Pashku, Beqir Musliu, Dini…Ti  udhëtove për në 
botën të cilën e preke shumë vite më parë, po aty, në Francë,  më femiun - 
sythin tënd, Lumin. Ti preke skajet e botës, mirëpo nuk vdiqe. Ti  e vrave  
vdekjen heret o arkitekt i fjalës. Sot, ti vetem hyre të Lumi, në  Paris.U dhe 
shqelm njëmijë plagëve….  
Ti jetove midis dy lumenjëve . Njëri rrjedhte  fushave të Dukagjinit e i 
dyti brenda damarëve  tu. Njërin e le buzë Gjakovës tënde të plasaritur, e 
tjetrin në Parisin tonë prej xhami. Qe të  dy, akoma vazhdojnë rrugëtimin, 
njëri nëpër jetën e vargjet tua e tjetri nëpër  arat e kujtimet tona. Ti jetove 
në këtë anë të dheut, midis lumit dhe Lumit. Lumi yt i parë, ishte yt bir, 
të cilin vdekja ta mori filizë të njomë.  Lumi i dytë, ishte Drini, të cilin 
e munde duke kërcyer nga Ura e Shenjtë në  ujin e etshem për dhe. Keshtu na 
mesove të mos i frigohemi lumit, duke u bërë  kampion i kërcimeve mbi Dri. 
Kërcimet dhe zhytjet tua djaloshare nga thepat e  mpreftë si vdekja, bënë një 
legjendë të re për uren. Ti ngrite ura mbi  Lumin tënd të dhëmbjes dhe 
lumin tonë  të frigës. Na mësove si të jetojmë buzë lumit e lumenjëve dhe si ti 
lexojmë rrjedhat e tyre.   
Ti u bëre  Homer i yni i ri , në kohën kur  ne akoma po mësonim 
shkrim-leximin e poezisë..  Nuk kishim shumë mësues para  teje. Të pakten jo si ti. 
Deri dje, ishe poet. Sot, je poezia  vet. Poezi, të cilën do ta lexojmë e 
këndojmë saherë të na merr malli për lot e  lumenj. 
Ti u bëre ambasador i yni , në kohen kur ne  nuk kishim pushtet as shtet. 
Emrin shqiptar, e shpërndave nëpër botë . Poezia jote, ishte pasaporti  ynë 
kulturor, më të cilën udhëtuam e hymë në sallone e ndaluara kulturore,  
festivale, antologji, civilizime. Siç e ke thënë vet, në një poezi, zoti yt  
fliste shumë gjuhë. E kuptonin kudo. Por, edhe zogu yt, këndonte në shumë  gjuhë…
 Dhe të gjitha tingëllonin -  shqip. Pena jote preku edhe atje ku s arrinin 
ëndrrat tona. 
“Të jeshë shqiptar e vdekja të mos të gjegj  edhe në skaj të botës, e 
pamundur është”. Ky ishte një varg i yti Ali Podrimja . E shkrove biografinë 
tënde në  cdo poezi.Tënden e tonën.Ti i shkrove edhe Kosovës biografinë e 
hymnin, para se ajo të lindëte - shtet: ”…Gjaku ynë që nuk  falet.” 
Një shok i yti i penës, po të ishte  gjallë,sot do të pyeste: Në cilin varg 
vdiqe o Ali Podrimja?   
Nga  cili varg do të kethehesh? Dil nga ai varg, ti shpenzojmë thinjat që 
na kanë  mbetur për ditë të reja. Dil te  ngjitemi sëbashku Ç abratit, deri 
në kaltëri… Te piqemi në Mitingun e Poezisë  në Gjakovë, të hidhemi nga Ura e 
Shenjtë mbi etjen e Dukagjinit, të ja prekim ujin Strugës poetike, të ja  
gjelbërojmë Dajtin Tiranës…  
Dil nga ai varg, o Ali Podrimja, ëe lumi yt  kurrë nuk shterret. Kush do ti 
shkruaj poezi  Kosovës së re? Ku do ti gjejmë vargjet për njeqind vjetorin 
e  Shqipërisë. Ku do ta gjejme rimën për kremtet tona…Kush do të na e 
hymnojë të  nesermën pa ty? ... 
Sa të varfër na le o Ali  Podrimja… 
Tri dekada më parë ti na e shkrove poezinë  “Dielli lind në perendim”. Na 
e lexove agimin aq të largët, në atë kohë. Disa  këtë e lexuan vetem si 
poezi, të tjerët si program të zgjimit tonë. Na mësove  të këthehemi kah 
Perendimi. Sepse, shqiptarët, historikisht, saherë shikuan  kah lindja – dolën 
humbës. Si në kohën e Bizantit, në kohën e Perandorisë  Otomane, asajë të Maos, 
të Stalinit, Titos… 
Ti hyre në enigmën – vdekje, e cila viteve të fundit mori disa ikona të  
kulturës shqiptare. Vdekja jote e  errëson edhe më, e bën labirinth atë 
enigmë. Në shpresonim, së kohrat kur  intelektualët shqipëtarë këtheheshin në 
atdhe në arkivole, kanë perenduar. Pse u dashka të gjithë  Gurakuqët tanë të 
vdesin në dhe të huaj? …. 
Kush të vrau Ali Podrimja? Cila fjalë, cila  kohë? Ndoshta, ata që nuk e 
njohin fuqinë e vargut…! Nuk duam të besojme se ke vdekur. Nuk vdes  Ali 
Podrimja... Ai vetem udhëton, nga një kohë në tjetrën, nga një varg në  tjetrin…
Nga një lum në tjetrin. 
Ti  i rrënove muret qe na i ngisnin  të tjerët. Poezija jote, u bë 
frymëmarrja jonë atëherë kur na e zinin diellin  .Ajo na çonte edhe atje ku e kishim 
te  ndaluar. Vargu yt , u bë kandil çajupjan. Dëmbja jote u bë grusht i 
ngjallur  i Migjenit. Më atë grusht, sot, do ta  çajmë tokën për ta mbjellë 
ashtin tënd. Lum ai lis qe do të behet arkivol i  yti . Do të mbinë e blerohet 
çdo  pranverë - mbi kokën tënde. Aty, buzë  lumit e Lumit…Do të bëhet 
kalendar i lindjeve tona të  reja. 
Poezija e jeta jote, ishte plot lum: Dri i  Bardhë, Dri i Zi, i kaltërtë, i 
turbulltë…Lum uji, gjaku, dheu, malli,  dashurije… Ah sa i vogël më duket 
vehtja të shkruaj për te! Po, për poezinë  nuk shkruhet. Poezija, thoje ti, 
nuk lexohet. Ajo jetohet. E ti e jetove  poezinë tënde si një boem i 
plagosur. I lënduar nga dashurija për Lumin, për  lirinë e lumit dhe të lumenjëve  
shqiptarë, të cilët rrjedhnin e nuk gjenin dot det për të u bashkuar. Edhe  
vdekja jote , nese ekgizton, do të jetë plot lum e lumenj. Lumenjë lotësh,  
malli, kujtimesh , kryengritjësh e përplasjesh… 
Ah, Lum lumi…Pse na e more Ali  Podrimjen? 
Hys Shkreli