A kemi ne zemer?

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Wed, 1 Aug 2012 00:59:57 +0200
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFnUbfSwgwHWhL-fr-J+PJoPNEDC=RGEv+oMboxX4uZxaA@mail.gmail.com>
A kemi ne zemër?
http://zhurnal.mk/content/?id=1273112551027
  <http://zhurnal.mk/image.aspx?img=hamdi-nuhiu-210x210_20.jpg>
*Hamdi Nuhiju*

Shoqëria shqiptare në Republikën e Maqedonisë është katandisur. Ditët e
bardha nuk po shihen në horizont. Egoizmi, shfrytëzimi i resurseve
natyrore, të mirave materiale, korrupsioni, pakujdesia dhe mospërfillja
është gjella kryesore e cila po mbretëron në këtë vend. Shoqëria
thellësisht e tendosur dhe e ndarë në klasa, ndërsa rrugët e lypsarëve nuk
dominohen më vetëm nga ngjyra e zezë, siç ishim të mësuar t`i shikonim
romët. Tashmë edhe shqiptar e shqiptare shohim rrugëve duke kërkuar lëmoshë
e mëshirë nga kalimtarët e rastit.

Rendi i lypsarëve karshi dyerve të xhamive e rrugëve është i mbushur plot e
përplot. Tmerri është shumë i madh, kur dëgjon nga brenda xhamisë, duke
përzënë e përjashtuar këto të mjerë që nuk shohin rrugë zgjidhje tjetër. As
muaji Ramazan, nuk arriti që të zbut zemrat e këtyre njerëzve të cilët lënë
vetëm bukën dhe pijen gjatë ditës, por nuk janë duke agjëruar.

Agjërimi nuk është në trup, por në zemër. Dhe në emër të lypsarëve të
shumtë po pyes e po ripërsërisë pyetjen: a kemi ne zemër? Apo ndoshta e
kemi shitur në ankandin e tenderëve politik?  Familja (x) nga fshati Mateç
i Kumanovës, familje shtatë anëtarësh, pyet politikanët tanë, po edhe
shoqërinë shqiptare në përgjithësi a kemi ne zemër? Ky kryefamiljar i cili
me vështirësi e siguron ekzistencën, jeton në varfri të skajshme. Djali i
tij, detyrohet t`i lë studimet, pasi që shoqëria shqiptarë në këto rrethe
nuk kanë sy të shohin e zemër të ndjejnë. Nuk e kam besuar se gjenden raste
të këtilla në këto anë. Shpesh herë kam dëgjuar se Komuna e Likovës është
lënë tërësisht anash nga politikanët tanë, si nga ato të pozitës, si ato të
opozitës, por gjithmonë në veti jam munduar të gjej ndonjë arsye ndoshta të
paarsyeshme. Po familja x, nga Mateçi i Kumanovës e cila nuk merr as ndihma
sociale, ndërsa në të përfshihen shtatë anëtarë, është edhe një dëshmi plus
se arsyetimi im për kujdesin ose moskujdesin e politikanëve tanë për
Komunën e Likovës është i kotë.

Familja (y) nga fshati Likovë, familje gjashtë anëtarësh e cila jeton me
ndihma sociale, dhe ku në të gjendet një i sëmurë kronik, është simbioza e
trishtë e kësaj ane. Kryefamiljari i saj, punon çdo gjë, vetëm për të
mbijetuar, po prapë nuk arrin që të siguroje ekzistencën për familjen e
tij. Paramendoni të keni një të sëmurë kronik në shtëpi, dhe katër fëmijë
tjerë në shkollë, ndërsa ju të jetoni me ndihma sociale. Dilni pak në
lëkurën e këtyre njerëzve. Ndoshta për të gjithë ne, vlen shembull i djalit
të Sulltanit i cili deshi të bëhej dijetar. Mësuesi i tij, mësimin e parë
dhe më të rëndësishëm që ia dha, ishte: për një periudhë të gjatë kohore e
detyroi që t`i ndërroje rrobat sulltanore, dhe të dal në rrugën më
qarkulluese e të kërkojë lëmoshë. Të njëjtin mësim të jetës duhet që ta
marrin edhe politikanët tanë, intelektualët tanë, shoqëria shqiptare në
përgjithësi e cila jeton në bollëkun e skajshëm dhe ka harruar të mendoj
për të tjerët.
Ka njerëz, fëmijë, të cilët zgjedhin ujin gjatë iftarit, dhe nuk pinë ujë
të thjeshtë. Bëjnë shumë zhurmë për të arritur deri tek uji mineral, ndërsa
në anën tjetër ka fëmijë të cilët nuk kanë mundësi as të shkollohen.

Familja (z) nga Sopoti i Kumanovës, me një nënë të vejë dhe tre djem të ri
e të papunësuar, të papërfillur nga askush, pyet shoqërinë shqiptare në
Maqedoni e më gjerë: a kemi ne zemër? Apo ndoshta arsyetohemi se ata janë
të shëndosh e munden të punojnë. Njeriu kërkon punë dhe nuk gjen askund. I
mbështetur për muri, detyrohet të dal rrugëve dhe të lyp. Apo ndoshta edhe
t`i duhet të mbështetesh për muri për të kuptuar brengën e tyre?

Dalim para mediumeve të buzëqeshur e duke kënduar, ndërsa kemi marr mbi
supe përgjegjësinë për t`u kujdesur për këtë popull. Çfarë kujdesi ne i
ofrojmë këtyre njerëzve ku varfëria ka trokitur në palcën e tyre? Asnjë të
punësuar, dhe ditë e përditë rritet numri i tyre. Për një vend të thjeshtë
pune, po duhet shitur nderi, krenaria, morali, duke i korruptuar të
pangopurit egoist.

A kemi ne zemër, kur shohim karvanin e të varfërve, ndërsa ne jepemi
skajshmërish pas lukseve tona? A kemi ne zemër, kur shohim familje që nuk
kanë mundësi të sigurojnë ekzistencën e tyre, ndërsa ne garojmë me
njëri-tjetrin se kush po i blen rrobat më të shtrenjta, kush po viziton
vende më shumë, ose edhe kush po përgatit darkë e drekë më të mirë?

Lista e familjeve nevojtare të Komunës së Likovës dhe të Kumanovës është
shumë e gjatë. Të interesuarit për emrat konkret të tyre, mund të drejtohen
tek zyrat e Qendrës së Solidaritetit dhe Avancimit, Kumanovë, po edhe t`i
shkruajnë redaksisë.