Monumentet, destinacionet joshëse turistike të Durrësit
[email protected] Fri, 17 Aug 2012 18:23:57 -0400 (EDT)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
_ADRESA_ (http://www.rilindjademokratike.com/RD%2018%20gusht/aktualitet.htm) _http://www.rilindjademokratike.com/RD%2018%20gusht/aktualitet.htm_ (http://www.rilindjademokratike.com/RD%2018%20gusht/aktualitet.htm) _ADRESA_ (http://www.rilindjademokratike.com/RD%2018%20gusht/aktualitet.htm) Aktualitet Turistët vendas dhe të huaj më së shumti preferojnë të shëtisin, duke shfrytëzuar guidat e shkruara Intervistoi: Halil RAMA Monumentet, destinacionet joshëse turistike të Durrësit Monumentet arkeologjike të qendrës historike të Durrësit mbeten destinacionet më të vizituara të qytetit antik. Pranë Bulevardit "Epidamn", siç është emmërtuar kohët e fundit rruuga "Tregtare" ndodhen disa nga dëshmitë më të rëndëisshme të historisë së qytetit gjatë antikitetit dhe mesjetës. Turistët vendas dhe të huaj që mbërrijnë në Durrës më së shumti preferojnë të shëtisin, duke shfrytëzuar guidat e shkruara ose fletëpalosjet që shpërndahen në kioskat e librave. Itinerari arkeologjik që nis pranë Torrës veneciane vijon në muret mesjetare dhe në Amfiteatrin 1900-vjeçar për të vijuar më pas pranë forumit rrethor dhe termave antike. Pusi i Tophanes, Xhamia Fatih dhe Hamami Mesjetar, janë disa nga monumentet e periudhës së vonë të mesjetës, të cilat së bashku me Muzeun Etnografik plotësojnë mozaikun e trashgëgimisë kulturore të qytetit më të lashtë që vazhdon të mbijetojë në brigjet e Adriatikut nga Vlora deri në Trieste. Torra veneciane Torra veneciane është ndërtuar në shekullin e 15-të dhe është një nga monumentet arkeologjike të ruajtura më mirë në qytetin 3000-vjeçar. Ajo ka një lartësi prej 9 metrash dhe një diametër prej 16 metrash, duke u bërë qendra e një sheshi të vogël, pranë të cilit janë ngritur edhe bustet kushtuar dom Nikoll Kaçorrit, Mujo Ulqinakut dhe kolonelit Tomson. Kulla është e pajisur me frëngji të ngushta, me dritare të mbyllura me zgara hekuri. Kalaja mesjetare Muret e kalasë mesjetare janë ruajtur pjesërisht dhe janë rindërtuar disa herë që prej më shumë se 2000 vjetësh. Punimet për ngritjen e mureve kanë qenë të lidhura edhe me tërmetet që kanë goditur disa herë qytetin. Tashmë mund të shihen vetëm 250 metra trakte nga muret e ringritura, veçanërisht në kohën e sundimit të perandorit Anastas, me origjinë nga Durrësi. Mjaft interesante janë edhe portat e kalasë, nga të cilat kanë mbetur të plota vetëm dy prej tyre, që vazhdojnë të shfrytëzohen edhe sot nga banorët. Amfiteatri antik Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga arkeologu i njohur Vangjel Toçi. Ai është monumenti më i madh i antikitetit që është gjetur në vendin tonë. Amfiteatri është ndërtuar nga ndërtuesit ilirë në kohën e perandorit romak Adrian. Deri tani është zbuluar më shumë se gjysma e sipërfaqes së tij si dhe galeritë dhe shkallaret. Duke shfrytëzuar terrenin, ndërtuesit gjysmën e tij e kanë ngritur në kodër dhe gjysmën në pjesën fushore. Në shekullin e 5-të, kur u vendos ndërprerja e ndeshjeve mes gladiatorëve, përfundoi edhe shkëlqimi i Amfiteatrit, në të cilin u ngritën edhe kishëza të periudhës bizantine. Forumi rrethor Sheshi me diametër rreth 40 metra rrethohet pjesërisht nga portiku, që është dëmtuar në pjesën e tij më të madhe. Arkeologët dhe studiuesit ende nuk kanë përcaktuar destinacionin e monumentit, që mendohet se ka shërbyer si treg ose si vendtakimi i banorëve. Termat antike Termat e periudhës antike ndodhen pranë forumit rrethor, në të njëjtën zonë ku është ngritur në vitin 1964 Teatri "Aleksandër Moisiu". Nga pjesa e tyre e ruajtur dallohen "caldariumi" (salla me ujë të nxehtë), e cila është e shtruar me pllaka mermeri të zi dhe të bardhë të kombinuara në formë gurësh shahu. Termat kanë pasur edhe ambiente të tjera si "tepidariumi" (salla me ujë të vakët), "frigidariumi" (salla me ujë të ftohtë), etj. Hamami mesjetar Monumenti i shekullit të 18-të ndodhet pranë Bulevardit "Epidamnus". Ai është restauruar në mesin e viteve '80 të shekullit të kaluar. Përbëhet prej tre mjedisesh. Në qendër ndodhet mjedisi i zhveshjes dhe dhoma mbulohet nga nje kupolë sferike (origjinalja është prishur), e cila ka lartësi 5.80 metra nga dyshemeja. Në mesin e gjysëmsferës janë vendosur 12 dritare shumë të vogla. Dyshemetë e dhomave të tjera ngroheshin me avull nëpërmjet tubacionesh që dilnin nga furra, që ndodhet në anën e prapme të banjës. Xhamia Fatih Xhamia është ndërtuar në rrënojat e një bazilike mesjetare. Portiku dhe minarja datojnë të një periudhe më të vonë. Xhamia Fatih që nga banorët quhet ndryshe edhe xhamia e vogël mendohet të jetë ndërtuar në vitet 1502-1503, si një nga ndërtimet e para pas pushtimit osman. Rikonstruksioni i fundit i saj është realizuar në vitin 2010. Pusi i Tophanes Pusi mesjetar ndohet 300 metra larg qendrës së qytetit dhe është restauruar nga Atelieja e monumenteve në vitin 2005. Monumenti mesjetar, i cili për disa shekuj me radhë kishte shërbyer si burim uji për lagjet qendrore të Durrësit, ka rimarrë pamjen që ka sot, duke kopjuar një kartolinë të vitit 1916. Kollonat dhe pjesët e pusit janë rivendosur në hapsirën prej 25 metra katrore, së bashku me disa objekte të tjera me interes historik. Muzeu Etnografik Muzeu është vendosur në ambientet e shtëpisë karakteristike durrsake, aty ku ndodhet shtëpia muze e Aleksandër Moisiut, e gjysmës së dytë te shek.XIX. Në mjediset e saj janë ekspozuar objekte origjinale të mjeshtrisë artizanale të banorëve të Durrësit e të rrethinave të tij. Përmban koleksion të pasur të veshjeve popullore të trevës etnografike të kësaj zone të Shqipërisë së Mesme, si dhe punime artizanale në material leshi, mëndafshi, pambuki, briri, bakri e guri. Në rrethin e Durrësit përfshihet një pjesë e krahinës së madhe etnografike të Shqipërisë së Mesme. Ka tradita për poçerinë, peshkimin, ndërtimin e anijeve etj. Gëzim KABASHI Festivali Ndërkombëtar Veror i filmit starton më 26 gusht Edicioni i 5-të i Festivalit Ndërkombëtar veror të filmit përveç Durrësit do të "ndalojë" edhe në qytetet e Tiranës, Vlorës, Pogradecit dhe Sarandës. Anila Varfi, organizatore e këtij Festivali të njohur, tha për ATSH-në se, ky edicion do të zhvillohet nga 26-30 gusht, kryesisht në qytetin bregdetar, dhe është organizuar në bashkëpunim me festivale të tjerë në SHBA, Bullgari, Rumani, Egjipt, Itali dhe Portugali, me të cilët ka themeluar organizmin "Festival network". Sipas organizatores Varfi, filmat fitues të festivaleve të Durrësit do të shfaqen edhe në edicionet pasardhës të këtij networku. Mbrëmjet e këtij festivali do t'i kushtohen jo vetëm filmave konkurues, por edhe "Mikut të Nderit", kinemasë dhe kulturës frankofone. Filmi që do të ngrejë siparin e festivalin në Amfiteatrin e Durrësit do të jetë "Les Bien -Aimes" nga Christophe Honore, tha më tej Anila Varfi, drejtore e Festivalit. Një program me tre filma të tjerë do të përcjellë kulturën kinematografike franceze edhe në ditët e tjera të këtij edicioni. Gjashtë filma, produksione evropiane të viteve të fundit, do të konkurojnë në seksionin "Vizione Bashkëkohore", duke synuar "Gladiatorin e artë" për filmin më të mirë si dhe çmimet për regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë. Presidente e Jurisë do të jetë Alison Frank, kritike e njohur britanike. Nuk do të mungojnë edhe në këtë edicion konkurimet për Filmin më të mirë ballkanik, Çmimi i Publikut dhe Çmimi i Kritikës (FIPRESCI). Amfiteatri i hapur romak, 2800-vjeçar, i rrethuar nga Deti Adriatik, është një sfond spektakolar për ceremonitë magjepëse të Çmimeve të Argjendta të Durrësit, të cilat nderojnë regjisorë, aktorë aktore, figura në zë të artit kinematografik, të cilët kanë dhënë kontribute të rëndësishme për kinemanë. Çmimi është krijuar nga skulptori i famshëm shqiptar Prof. Sadik Spahia dhe prodhuar ne Itali nga "Argenti Preciozi". Pjesëmarrja në edicionet e kaluara e yjeve dhe legjendave të kinemasë botërore si, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Fanny Ardant, Nik Powell, Rade Serbedzija, Lech Majewski, Kryzstof Zanussi, Jiri Menzel, Jan Harlan, Enrico Lo Verso, Maia Morgenstern, Paolo Sorrentino, etj., e kanë bërë mjaft popullor Festivalin Ndërkombëtar të filmit që organizohet në Durrës për të pestin vit radhazi. Kukës, vendburimet minerare si mall pa zot Në Qarkun e Kukësit shumë prej galerive nëntokësore u mbyllën dhe u taposën nga specialistët, jo vetëm për të mbrojtur pasurinë minerare nga shpërdorimet, por për të mbrojtur edhe jetën e banorëve përreth. Por, me rritjen e kërkesës për kromin, ato u rihapën nga persona privatë, kryesisht banorë të fshatrave afër që u "vetemëruan" edhe pronarë të këtyre vendburimeve minerare, aq sa nisën të punësonin punëtorë nga fshatra të tjerë aty pranë. Kjo "lukuni" pronarësh në përpjekje për të fituar sa më shumë i kthyen galeritë e kromit në miniera fitimi, paçka edhe me pasoja të rënda për jetën e njeriut. Mjafton të përmendim faktin se, vetëm gjatë vitit të kaluar humbën jetën në këto galeri të Qarkut të Kukësit 11 persona, mes të cilave një grua, në Kam Tropojë. "Gjatë këtij viti nuk kemi aksidente, ndërsa ato që kanë ndodhur janë në galeri që nuk shfrytëzohen nga firma të licencuara", thotë përgjegjësi i zyrës Rajonale të Kontrollit shtetëror, Sokol Bela. Në këto kushte, kur mungon plotësisht kontrolli në këtë pasuri kombëtare është e pakuptueshmë neglizhenca e kontrollit të galerive të rivëna në punë nga persona privatë e të paautorizuar, apo nga persona që vetëquhen pronarë e punësojnë në nëntokë punëtorë krejt të pakualifikuar. Ky realitet është i njohur, ndërsa neglizhohet nga strukturat kontrolluese të shtetit. Një gjë e tillë u jep me tepër siguri të ashtuquajturve pronarë, të cilët as nuk të lënë t'u afrohesh galerive ku punojnë punëtorët që kanë pajtuar. Në Qarkun e Kukësit, numri i firmave që punojnë për shfrytëzimin e mineraleve është 74, por akoma më i madh është numri i firmave të palicencuara, të të ashtuquajturve pronarë të tokës, ku ndodhen galeritë, që grumbullojnë kromin dhe ua shesin firmave të licencuara. Për eliminimin e kësaj dukurie mjaft negative dhe me pasoja për jetën e njeriut është e domosdoshme forcimi i zbatimit të rregullave nga biznesi privat dhe kontrolli i vazhdueshëm i shfrytëzimit të të gjitha gelerive nëntokësore. Elbasan, kampet verore, mbresëlënëse për fëmijët Fëmijë të shtresave të ndryshme në qytet, për të pestin vit radhazi kanë pasur mundësinë që të njihen me njëri-tjetrin në kampe verore ngritur nga Bashkia e Elbasanit në bashkëpunim me OJQ të ndryshme si, "Terre des Homes", "UNDP", "Qendra për Bashkëpunim Ndërkombëtar", etj. Edhe këtë javë të tretë të muajit gusht, fëmijët vazhdojnë të shkojnë dhe të argëtohen në kampet verore ngritur për ta, të quajtur "Sot për të ardhmen". "Aktivitetet ndërgjegjësuese, të zgjedhura me kujdes, i dhanë mundësinë fëmijëve të mësonin më shumë rreth të drejtave të tyre, sigurisë vetiake, rreziqeve dhe kërcënimeve të mundshme si edhe rreth rëndësisë për të ndihmuar njëri-tjetrin. Kampi veror ofroi një atmosferë zbavitëse për fëmijët, për të luajtur, për t'u takuar me miqtë e vjetër dhe për të bërë miq të rinj, për të zhvilluar përvoja të reja etj", thotë Nadire Kreka, koordinatore e kampit veror. Nëpërmjet aktiviteteve të tilla si, lojëra psiko-sociale dhe orë edukuese, fëmijëve i është dhënë mundësia të përparojnë në mënyrë të qenësishme si nga ana sociale, ashtu edhe nga ajo akademike. "Më pëlqeu shumë kampi, mësuam gjëra të reja, lojëra të reja", thotë Alisa, e cila u largua nga kampi në datë 15 gusht, duke i lënë radhën fëmijëve të tjerë të argëtohen në këtë aktivitet. Sipas kreut të Bashkisë, Qazim Sejdini, "aktivitetet verore përbëjnë një mundësi për të ndërtuar një sistem mbështetje për fëmijët në mënyrë që ata të kuptojnë se nuk janë vetëm". Kampi veror në qytetin e Elbasanit u quajt "Ylli i Dëshirave" dhe përcjell mesazhin se aktivitetet verore janë një qasje gjithpërfshirëse, duke mësuar rreth shpresave, pritshmërive, kulturave dhe traditave, rreth ndryshimeve dhe të përbashkëtave. Agjencia Publike e Akreditimit, promovuese dhe garantuese e cilësisë në Arsimin e Lartë Në universitetet shqiptare, 155 programe të akredituara Drejtori i Agjencicë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, Prof.Dr.Avni Meshi, shprehet për rolin e kësaj agjencie si promovuese dhe garantuese e cilësisë në Arsimin e Lartë. Ai bën të ditur se, procesi i akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqipëri ka një ecuri normale. -Procesi i akreditimit të universiteteve dhe shkollave të larta universitare është një domosdoshmëri. Cila është ecuria e këtij procesi në vendin tonë? Shqipëria ka bërë një hap të rëndësishëm në aspktin e masivizimit të Arsimit të Lartë që do të thotë se 70-80% e maturantëve tashmë kanë mundësi të shkollohen në auditorët e institucioneve të Arsimit të Lartë (Universitete, Akademi, Shkolla të larta, Kolegje). Të rinjve shqiptarë tashma u ofrohen 950 programe mësimore në nivelet bachelor, master profesional, master shkencor dhe doktorata, programe këto që kanë detyrimin ligjor për t'u hapur dhe zbatuar, duke respektuar me rigorizitet kërkesat e kartës së Bolonjës. Kjo arritje, përkundër me kontestimet e disa kritizerëve dhe skeptikëve, përbën zhvillim pozitiv për Arsimin e Lartë në Shqipëri për t'ju qasur eksperiencave më të mira të vendeve të Bashkimit Europian ku ne po përpiqemi që me dinjitet të realizojmë ëndrrën e kahershme të shqiptarëve që jo vetëm gjeografikisht, por edhe politikisht dhe ekonomikisht të jemi pjesë e integruar e saj. Tashma, sfida që kanë përpara institucionet e Arsimit të Lartë, është cilsia. Kjo sfidë lidhet me të kaluaren, kërkon angazhim maksimal të përditshëm dhe platformë vizionare për të ardhmen. Për kushtet e masivizimit të përmendur më lart, e rëndësishme është që ne duhet të sigurojmë jo vetëm rritje të cilësisë, por edhe që grafiku i kësaj rritje të ketë pjerrësi sa më të madhe. Janë institucionet e Arsimit të Lartë ato që prodhojnë cilësi, por janë po ato të cilat duhet të jenë të interesuara të ballafaqojnë vazhdimisht performancën e tyre me standartet cilësore që edhe këto vetë ndjekin trajektore dinamike. Eshtë qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës që me aktet ligjore dhe nënligjore krijojnë hapësira, frymëzojnë dhe nxisin cilësinë në arsimimin e rinisë shqiptare. Eshtë Agjencia e Akreditimit të Arsimit Lartë që nëpërmjet procedurave ligjore mundëson garantimin e cilësisë në Arsimin e Lartë. Janë "miniagjencitë" e ngritura në institucionet e Arsimit të Lartë që ndjekin ecurinë e parametrave dhe standardeve cilësore. Ndër të gjitha këto subjekte, janë institucionet e Arsimit të Lartë përgjegjësit kryesor dhe direkt të produktit cilësor, pra të studentëve cilësorë, të gatshëm për të hyrë me dinjitet në tregun e punës. Kështu institucionet e Arsimit të Lartë kanë jo vetëm detyrim ligjor, por edhe moral e shoqëror që të jenë pjesë e procesit të akreditimit të tyre, proces ky i cili ka synim vlerësimin e cilësisë dhe përshpejtimin e rritjes së saj. Procesi i akreditimit të Arsimit të Lartë në Shqiperi ka një ecuri normale. Janë akredituar 155 programe (87 bachellor, 22 master profesional dhe 46 master shkencor). Janë në proces akreditimi 45 programe. Ndërsa me akreditimin institucional janë ballafaquar me këtë proces 25 institucione të Arsimit të Lartë. 602 programe të Arsimit të Larte publik kanë detyrin ligjor të fillojnë procedurat për vlerësim e akreditim në vitin 2013. Duhet të shpreh konsideratën më të lartë për Universitetin Politeknik, i cili ka filluar procedurat për akreditimin institucional dhe të programeve dhe me fillimin e vitit të ri akademik, ekspertët e caktuar nga agjencia jonë do të vizitojnë këtë institucion dhe pastaj do të përpilojnë raportet përkatëse për instutucionin dhe për çdo program për të vijuar më tej me procedurat e tjera të akreditimit. Ndërsa, bazuar në procedurat e akreditimit, programet e licencuara 2-3 vitet e fundit i nënshtrohen këtij procesi në fund të implementimit të tyre, pra para se të lëshohen diplomat e para përkatëse. - Si funksionon dhe cili është roli i Agjencisë së Akreditimit në procesin e akreditimit? Agjencia e Akreditimit është promovuese dhe garantuese e cilësisë në Arsimin e Lartë. Ajo bazohet në parimet e pavarësisë, të paanshmërisë dhe të transparencës. Ajo është anëtare e asociuar e "The European Association for Quality Assurance in Higher Education (ENQA)", anëtare me të drejta të plota te "The International Network for Quality Assurance Agencies in Higher Education (INQAAHE), anëtare me të drejta të plota e "Central and Eastern European Network of Quality Assurance Agencies in Higher Education (CEENQA)". Në 2 vitet e fundit, kjo agjenci ka kryer reforma thelbsore për të garantuar misionin e saj. Në mars të 2011, u miratuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkences standardet shtetërore të cilësisë, të cilat janë një gërshetim i përvojave të agjencive, pjesë të rrjetit europian të sigurimit të cilësisë (ENQA) dhe eksperiencave të këtij sistemi në vendin tonë. Ato janë standarde që kanë për bazë arritjet në sistemin tonë të Arsimit të Lartë, por edhe vizionin dhe objektivat ambicioze për të ardhmen e këtij sistemi. Një reformë tjetër e rëndësishme është përfshirja e detyrueshme në grupin e vlerësimit institucional të ekspertëve më të mirë të universiteteve europiane që ka filluar të implementohet këtë vit. Po kështu, tashma në Këshillin e Akreditimit janë emruar nga ministri i Arsimit dhe Shkences, me propozim të agjencive pjesë të rrjetit ENQA, dy personalitete të spikatura të sistemit të sigurimit të cilësisë në Europë, njëri drejtor i Agjencisë së Akredtimit të Austrisë dhe tjetri drejtor i Agjencisë gjermane ASIIN (të dyja këto, jane agjenci anëtare me të dretjta të plota në ENQA. Këta anëtarë të huaj të Këshillit të Akreditimit kanë të drejtën e vetos në çdo vendim të këshillit, si edhe nuk mund të zhvillohet mbledhje pa pjesëmarrjen e të dyve. Tjetër risi në kuadër të përmbushjes së misionit të Agjencisë së Akreditimit është publikimi në faqen saj të internetit e raporteve të vlerësimit të hartuar nga ekspertët vendas dhe të huaj. Raporti i vlerësimit paraqet pikat e forta të institucionit apo programit të vlerësuar, pikat e dobëta të institucionit apo programit të vlerësuar, dhe rekomandimet për rritjen e cilësisë në të ardhmen. Ekspertiza dhe ekspertët janë institucion kyç në këtë proces dhe duhet të jenë personalitete të pavarur, me integritet, me profil të spikatur akademik dhe shkencor dhe jashtë çdo konflikti interesi. Ekspertët vendas propozohen nga institucionet e Arsimit të Lartë, nga drejtori i Agjencisë së Akreditimit dhe miratohen nga Këshilli i Akreditimit. -Problematika e evidentuar kohët e fundit dikton kritere më të rrepta në akreditimin e universiteteve dhe shkollave të larta universitare. Sipas jush ku duhet të konsistojnë këto kritere? Nëse pyetja juaj lidhet me SHLUP "Universiteti Kristal", pra për rastin e diplomës Bosi, dihet që këtij institucioni i është pezulluar licenca për një vit nga organi që ka dhëne këtë licencë. Ne aspektin ligjor lëshimi i një diploma falco përbën shkelje të rëndë dhe përgjegjësit duhet të ndëshkohen. Mesa di, drejtësia akoma nuk e ka dhënë verdiktin e vet. SHLUP "Universiteti Kristal" tashmë nga Këshilli i Ministrave e ka marrë penalitetin administrativ (heqje liçence për një vit). Po kështu, ai po paguan penalietin moral që është më i rëndë dhe që do i kushtojë shumë kë tij institucioni në perceptimin lidhur me imazhin e tij. Të shpresojmë që ky rast të jetë i izoluar. Nga kontrolli i MASH, bërë në këtë institucion dhe institucione të tjera private, mesa di unë nuk janë konstatuar raste të tilla, ndoshta ka shumë vështirësi në evidentimin e tyre. Precedente të tilla mund të pamundësohen tashmë nga masat që ka marrë MASH për kontrollin rigoroz të gjithë sistemit të regjistrimeve dhe transferimeve të studentëve, masë kjo që do të fillojë zbatimin e saj në vitin akademik 2012-2013. Ky rast, apo raste të tilla si ky, mund të krijojnë një perceptim për cilësinë, por unë mendoj se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejt me të. Mund të jetë një universitet cilësor, por kjo nuk e imunizon atë nga raste të tilla. E rëndësishme është të gjenden mekanizma që pamundësojnë fenomene të tilla, të cilat janë të paprecedent në universitetet serioze. Duhet thënë se ka patur edhe një tepri dhe mjegullim mediatik për rastin në fjalë dhe dihet që objektet në mjergull duken më të zmadhuara. E kam thënë diku tjetër se diplomat janë formate kartone shpesh të konfiguruara bukur që mbeten të vdekura nëse nuk jetëzohen dhe jetëzimi i tyre është përdorimi i dijeve të marra në universitete për jetë normale dhe dinjitoze, në radhë të parë, të atij që zotëron këtë diplomë. Shoqëria duhet të ndërgjegjësohet për këtë që sapo përmenda dhe nuk duhet të kërkojë as diploma falco, as gjasme diploma. Theksoj edhe një herë, se qëllimi dhe misioni i akreditimit është evidentimi i përmbushjes së standardeve cilësore në institucionet e Arsimit të Lartë. Por jo vetëm të Arsimit Lartë. Studentët që do të ulen në auditore këtë vit, e kanë filluar shkollën 12 vjet më parë, pra në vitin 2000. Ata që fillojnë shkollën sivjet, do të ulen në auditoret universitare në vitin 2024. Ata që ulen sivjet në auditoret universitarë, përformanca e tyre, minimalisht do të përballet me tregun e punës, në vitin 2020. Pra, cilësia në Arsimin e Lartë, është e lidhur me paraarsimin e lartë dhe me pasarsimin e lartë. -Si e konsideroni ju rritjen e numrit të universiteteve dhe shkollave të larta universitare dhe a i përgjigjen ato stadit aktual të zhvillimit të vendit? Universitetet e krijojnë profilin e tyre përmes produktit cilësor që prodhojnë, pra studentët cilësorë. Në Shqipëri akoma nuk kemi një shtresëzim të qartë të institucioneve të Arsimit të Lartë. Ka 3 universitete publike me një historik modest 60-vjeçar krahasuar me universitete të huaja me histori mbi 600-vjeçare. Ka disa ish-institute të larta që u konvertuan në universitete publike, ka universitete publike të reja, ka dhe universitete dhe institucione të reja private me histori rreth maksimumi 10-vjeçare. Thashë që, masivizimi i universiteteve krijoi, përveç të tjerash, një mundësi për shtim të institucioneve të Arsimit të Lartë. Sistemi preference - meritë, për të hyrë në universitet publike, krijoi një hapë sirë për hapjen e universiteteve private. Maturantë që nuk e gjenin veten në listat e shpallura për regjistrim në universitete publike, apo që e gjenin emrin e tyre në programe që nuk i preferonin, krijo i një mundësi për hapje institucionesh private të Arsimit të Lartë. Kjo tashme krijoi një treg të ri kunkurues që besoj se shërben dhe do të shërbejë në shëndoshjen e këtij sistemi. Ato shërbejnë edhe si valvë shkarkuese në fillesat e masivizimit në Arsimin e Lartë dhe solli një impakt pozitiv, pasi shumë asete financiare të sipërmarrësve privatë u kanalizuan në ngritjen e infrastrukturës së universiteteve private. Duhet thënë se, disa institucione private të Arsimit të Lartë kanë kapacitete infrastrukturore shumë të mira. Sigurisht, që ka patur tepri në stadet fillestare, për shembull, në 2009 u hapën mbi 10 institucione të tilla, por që ky fluks ka rënie dhe aktualisht konkurenca ka filluar të fshijë nga kjo hartë disa nga këto institucione. Politika e qeverisë që solli shtimin e numrit të studentëve të pranuar në universitetet publike, i ka frenuar tashma kërkesat për hapje institucionesh të reja dhe po i vë në vështirësi ato që janë licencuar. Forcimi i kërkesave për përmbushjen e standardeve cilësorë në institucionet e Arsimit të Lartë si edhe, politikat qeveritare lidhur me: përmirësimin e raportit pedagog-student; fuqizimin e kapaciteteve infrastrukturore-laboratorike si edhe; rritjen e eficensës së kërkimit shkencor, do të jenë në të ardhmen shinat mbi të cilat do të lëvizin institucionet e Arsimit të Lartë privat apo publik, në një garë të shëndetshme që do të prodhojnë vetëm progres në treguesit cilësorë të Arsimit të Lartë në Shqipëri. Intervistoi: Halil RAMA