Dimensioni tejkohor dhe tejvendor i Sheriatit (I)
ajni sinani <[email protected]> Tue, 5 Feb 2013 06:58:25 -0800 (PST)
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <[email protected]> |
Dimensioni tejkohor dhe tejvendor i Sheriatit (I) Ajni Sinani Me këtë punim përpiqem,të paktën në formë të përmbledhur, të hedh dritë mbi marrëdhëniet mes Sheriatit dhe Fikhut dhe të shqyrtoj burimet e të Drejtës Islame. Duke pasur parasysh se një analizë e tillë kërkon më shumë hapësirë jam munduar që lexuesit t’ia bëj me dije se ka ngjashmëri dhe divergjenca mes Sheriatit dhe Fikhut. Kjo për faktin se shumë njerëz mendojnë që Fikhu dhe Sheriati janë sinonime dhe, për rrjedhojë, vijnë nëpërfundime të gabuara. Më është dashur të sqaroj edhe faktin se Islami është më shumë se religjion. Nëfund kam shqyrtuar disa nga veçoritë e së Drejtës islame si dhe qëllimet e saj, duke venë theksin mbi atë se Sheriati, si Ligj i Allahut, është tejkohor dhe tejvendor, po megjithëkëtë ai nuk është teokraci. Burimet e së Drejtës islame Kur flasim për të Drejtën islame, duhet të kuptojmë se ekzistojnë burime kryesore dhe sekondare. Të gjitha burimet kryesore nuk janë të një rangu, sepse disa prej tyre kanë më shumë përparësi se të tjerat. Juristët e Sheriatit i kanë renditur burimet kryesore sipas rangut, vlerës dhe rëndësisë së tyre juridike: 1. Kur’ani i shenjtë, 2. Sunneti, 3. Ixhmai dhe 4. Kijasi (Ixhtihadi). Kur’ani fisnik Kur’ani është Fjalë e Allahut që iu shpall Pejgamberit, Muhammedit a.s., gjatë njëzet e tre vjetëve të fundit të jetë së tij (vdiq në vitin 632), një periudhë gjatë së cilës ai jetoi në dy qytete: në Mekë dhe në Medine. Në Kur’an Zoti e thotë qartë: “Ndërsa ty (o Muhammmed) të zbritëm përkujtesën (Kur’anin) me qëllim që t’u sqarosh njerëzve atë që u është shpallur dhe mbase ata do të mendojnë.” (En Nahl, 44).Vërtetësia e tekstit të shkruar të Kur’anit është jashtë çdo dyshimi.[1] Kur’ani është burimi i parë i Jurisprudencës islame. Është i shpallur në arabishte dhe konsiderohet mrekulli e paarritshme për njerëzit. Leximi i tij është adhurim. Na është përcjell si libër (i shkruar në mus’haf) dhe është i ruajtur në mendjet dhe gjokset e besimtarëve.[2] Ai është i ndarë në njëqind e katërmbëdhjetë sure – kaptina, që përfshijnë më tepër se gjashtë mijë ajete – vargje. Sipas mendimit të juristëve muslimanë, numri i ajeteve që i përkasin të drejtës, që kanë karakter legjislativ, ose të asaj që në Perëndim e quajnë ‘juris corpus’, në mënyrë direkte ose indirekte është 500 deri 600. Sipas autorit egjiptian Abdulveh’hab Hal’laf, së drejtës familjare i përkasin 70 ajete, së drejtës civile 70, së drejtës penale 30, gjyqësisë dhe procedurës gjyqësore 13, së drejtës kushtetuese 10, marrëdhënieve ndërkombëtare 25, ekonomisë dhe financave 10[3] etj. Për sa i përket parimeve të përgjithshme, Kur’ani i përmban në tërësi. Prandaj nga ky aspekt, Kur’ani është kushtetuta dhe ligji bazë në të Drejtën islame. Në bazë të tij ndërtohen të gjitha dispozitat një nga një të së drejtës, sikurse edhe në legjislacionet shekullare, ku ekziston kushtetuta e parimeve bazë të të drejtave themelore, të cilat nuk ndryshohen, po pastaj ka edhe dispozita të veçanta të së drejtës zakonore, të cilat aplikohen në kuadër të parimeve të përgjithshme kushtetuese. Prandaj, asnjë nga të gjitha parimet e përgjithshme, që janë precizuar në Kur’anin fisnik dhe në Sunnet, nuk mund të ndryshohen. Kur’ani tregon qartë se, për zhvillim të drejtë të një shoqërie, duhet të forcohet besimi dhe morali, dhe jo vetëm të nxirren dispozita juridike, të cilat, pa besim, nuk do të kishin vlerë dhe rëndësi, dhe as domethënie për përparimin e shoqërisë.[4] Sunneti Sunneti nënkupton të gjitha shënimet e mirëfillta të thënieve dhe veprimeve të të Dërguarit a.s., ose të atyre veprimeve dhe thënieve të njerëzve të tjerë besimtarë që kanë fituar miratimin e tij të qartë. Muslimanët besojnë se Sunneti është frymëzuar hyjnisht, më tepër në domethënie sesa tekstualisht.[5] Autoriteti i Sunnetit nxirret nga pejgamberllëku i Muhammedit a.s. Zoti në Kur’an thotë: “Shoku juaj nuk e ka lëshuar rrugën e drejtë dhe nuk është i humbur. Ai nuk flet me hamendje. Ai (Kur’ani) nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet.” (En Nexhm, 2-4). Askush prej muslimanëve nuk e vë në pikëpyetje autoritetin e sunnetit si burim i dytë i Sheriatit[6] duke vepruar sipas fjalëve të të Madhërishmit: “...Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj...”(El Hashr: 7); “Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit dhe kini kujdes!”(El Maide: 92). Allahu na ka tërhequr vërejtjen për kundërshtimin e Pejgamberit a.s.: “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrij ndonjë sprovë, ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.”(En Nur: 63). Pra, Sunneti është një burim plotësues juridik dhe si i tillë ai është: - ose pjesë integrale e Librit të shenjtë; - ose sqaron dhe detajizon ato që janë thënë në mënyrë të përgjithësuar dhe të thukët; - ose përcakton rregulla të përgjithshme të përfituara nga tekstet kur’anore.[7] Ixhma’i Ixhma’ido të thotë thjeshtë ‘konsensus’.Ai është vendim unik i të gjithë juristëve e dijetarëve autoritativë muslimanë të një epoke rreth një çështjeje të caktuar. Ai përkufizohet edhe si pajtim i muxhtehidëve, d.m.th. i atyre që kanë të drejtë, që duke u mbështetur në dijen e vet dhe në frymën e Kur’anit e të Hadithit, të marrin gjykime (qëndrime), pas vdekjes së Muhammedit a.s. në çdo kohë, për të gjitha çështjet e fesë. Zgjidhjet e tyre duhet të jenë të mbështetura doemos në ajet apo hadith. Ixhma’i është njëlloj kuvendi apo aforumi për komentimin autoritativ të parimeve dhe normave.[8] Nëse paraqitet ndonjë çështje, për të cilën nuk ka ndonjë qëndrim të detajuar në Kur’an dhe Sunnet, atëherë zbatohet ixhma’i. Kur’ani dhe Sunneti nuk i kanë përfshirë në mënyrë të hollësishme dhe të detajuar dispozitat. Kjo, sepse hollësitë dhe detajet mund të ndryshojnë sipas vendit a kohës.[9] Ixhma’i ka fuqi juridike sikurse edhe Kur’ani dhe Sunneti, ndonëse jo të një rangu. E drejta për të dhënë mendim nëpërmjet ixhtihadit, për ndonjë çështje, iu është njohur në fillim vetëm shokëve të të Dërguarit a.s. Por më vonë, iu njoh edhe nxënësve të tyre (tabiinëve) dhe më pas të gjithë dijetarëve eminentë muslimanë, sepse, sipas fjalëve të Muhammedit a.s.: “Dijetarët janë pasardhës dhe trashëgues të të dërguarve të Zotit.” Autoriteti i institucionit të ixhmait, sipas disa juristëve, del nga ky ajet kur’anor: “Le të jetë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi dhe të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara. Ata do të jenë të shpëtuarit.” (Al’ Imran, 104); dhe nga fjalët e Muhammedit a.s. i cili thotë: “Bashkësia ime (Ummeti) kurrë nuk do të pajtohet në lajthitje”. Kijasi: Analogjia Kijas, veç të tjerash, domethënë: “krahasim, barazim, analogji”, konkluzion sipas analogjisë. Sipas komentimit të juristëve muslimanë do të thotë: gjykim në bazë të analogjisë, respektivisht, konkludim në bazë të parimit të dhënë në Kur’an, Sunnet ose Ixhma, ku një rast i ri, i mishëruar me shembullin paraprak, përfshihet nën parimin e njëjtë, ose, për shkak të karakteristikës së përgjithshme thelbësore të quajtur shkak (il-le), është i ngjashëm me shembullin paraprak,.[10] Autoriteti i institucionit të kijasit del nga një ngjarje me interes në kohën e Muhammedit a.s. Muadh Ibn Xhebel, pasi ishte emëruar nga i Dërguari a.s. gjykatës në Jemen, shkoi tek ai që të përshëndetej me të. Pejgamberi a.s. e pyeti: Në çfarë baze do t’i zgjidhësh kontestet?Sipas dispozitave të Kur’anit – tha ai. E nëse aty nuk gjen qëndrime të qarta?– i tha Pejgamberi a.s. - Atëherë sipas sjelljes së Pejgamberit të All-llahut – iu përgjigj Muadhi. E nëse edhe aty nuk gjen qëndrime të qarta?– e pyeti i Dërguari i All-llahut? - Atëherë do të përdor arsyen time të shëndoshë – tha Muadhi. Kurse Muhammedi a.s., pas kësaj përgjigje, tha: “Falënderimi i takon Allahut i Cili të dërguarin e Pejgamberit e udhëzoi në atë mënyrë e cila i pëlqen Pejgamberit të Allahut’!”[11] Ixhtihadi nënkupton vlerësimin individual nga ana e muxhtehidit me qëllim të njohjes së domethënies së tekstit të Kur’anit dhe të Sunnetit, ose konkretizim të normës së përgjithshme të Sheriatit në rastin konkret.[12] Muxhtehidi është i obliguar që, për dhënien e mendimit rreth një çështje të caktuar atëherë, kur nuk ka tekst të qartë në Kur’an a Sunnet ose, vendim të Ixhmait, ta studiojë me themel çështjen në fjalë, të shohë ngjashmëritë dhe kundërshtitë, pastaj të bëjë krahasim dhe, më pas të japë mendimin – fetvanë e tij rreth saj, duke pasur parasysh frymën dhe qëllimet e përgjithshme të drejtës islame, se: - qëllimi i së Drejtës islame është interesi i përgjithshëm; - aty ku është interesi i përgjithshëm, është edhe ligji hyjnor; - qëndrimi, i cili nga drejtësia kalon në dhunë, nga mirësia në urrejtje, nga dobia në dëm, nga urtësia në çmenduri, -nuk është qëndrim i Sheriatit. Prandaj, nga kjo del se, ixhtihadi ndihmon që të plotësohen të gjitha zbrazëtitë dhe mungesat juridike, dhe në të gjitha kohët dhe në të gjitha hapësirat të gjenden zgjidhje adekuate për problemet aktuale për të cilat nuk ka zgjidhje tekstore në tri burimet e para. Ixhtihadi zhvillohet sipas masës dhe dimensioneve të nevojshme për evoluimin e vazhdueshëm të jetës.[13] Numri relativisht i vogël i normave juridike, nga njëra anë, dhe nevoja për rregullim më të hollësishëm të raporteve të ndryshme dhe zgjidhja e rasteve të reja juridike, nga ana tjetër, i ka shtyrë as’habët eminentë, ekspert të së drejtës së sheriatit, që të fillojnë t’i mbulojnë zbrazëtitë juridike me ixhtihadin e tyre. Kjo do të thotë se, në bazë të të menduarit juridik kompetent, ata gjenin zgjidhje në bazë të deduksionit personal, të cilat është dashur të jenë në përputhje me qëllimet dhe synimet e përgjithshme kur’ano-sunnetike (mekasidu-sh- sheri’a).[14] Në Islam, dijetarët-muxhtehidët nuk krijojnë ligje, por zbulojnë dispozitat hyjnore. Prandaj, nxjerrja e ligjeve nga parlamenti konsiderohet e lejueshme, nëse këto ligje nuk bien ndesh me të Drejtën islame.[15] Analogjia, në realitet, nuk mund të merret si burim i veçantë i drejtësisë. Ajo më tepër është si një lloj komentimi a metodë, me ndihmën e së cilës rastet e paparapara futen nën rregullat që ekzistojnë. Juristët analogjinë e kanë quajtur burim, sepse në këso rastesh më shumë kanë marrë parasysh rezultatet e arritura se sa vetë veprimin. Prandaj analogjia mund të konsiderohet si burim indirekt i Sheriatit.[16] Si përmbledhje, themi se Kur’ani i shenjtë dhe Sunneti, përfundimi analogjik, konsensusi shoqëror dhe nxjerrja individuale e të drejtave, së bashku përbëjnë legjislacionin islam, përmbledhjen e normave juridike, të cilat vlejnë për të gjithë muslimanët.[17] Religjioni dhe feja Që në fillim, është me rëndësi të theksohet se shprehja ‘religjion’ (religio) e cila përdorët tek perëndimorët, dallon nga ajo që kuptojnë muslimanët me fjalën ‘fe’. Islami është jo vetëm ligj hyjnor, po edhe ideal dhe teori, një sistem të menduari dhe një sistem jetese, që është jetuar dhe praktikuar nga miliona njerëz, qysh prej 14 shekujsh dhe kështu do të vazhdojë edhe në të ardhmen, deri sa të jetë jeta. Në mësimet e Islamit merren parasysh të gjitha nevojat e njeriut dhe jepen udhëzime të shumta e të përsosura për secilin rast. Islami nuk është vetëm një trup i një doktrine metafizike, ai nuk është vetëm një kapicë ritualesh, apo, thënë thjesht vetëm një vendosje e rregullave të sjelljes individuale. Islami është mënyrë e jetës dhe themelet e tij mbështetën në rrënjët e Shpalljes Hyjnore, mënyrë e jetesës e lejuar nga vetëdija për Zotin dhe e orientuar nga Vullneti i Zotit, që e aktualizon të mirën dhe drejtësinë e jetës së njeriut. Muslimani e ka për detyrë që ta ndjekë mënyrën e këtillë të jetës, ta dëshmojë atë me fjalë e me vepra dhe të përpiqet që ajo të mbizotërojë në këtë botë.[18] Islami bazohet në dy principe bazë: Principi i parëështë ai i monoteizmit. Ai mohon adhurimin e tjetërkujt, përveç Krijuesit – Allahut, shkatërron çdo gjurmë të politeizmit, pastron shoqërinë nga idhujt e fuqisë e të pasurisë, hedh poshtë vlerat djallëzore, është besim në përtej-jetën dhe i bën thirrje shoqërisë për vlerave hyjnore. Principi i dytëështë Respektimi/nderimi i njeriut dhe trajtimi i tij si mëkëmbës i Zotit në tokë. Respekti që i jepet njeriut, duhet të jetë i vërtetë dhe i ndjeshëm, dhe jo një slogan i thjeshtë. Ai duhet lejuar të zgjedhë për veten e tij se si ta ndërtojë jetën e tij individuale e shoqërore, në dritën e udhëheqjes që ka siguruar i Gjithëfuqishmi për të.[19] Pra, feja, sipas Kur’anit, është ajo që pajtohet me dijen, arsyen dhe të menduarit. Se parimet e fesë duhet të jenë kërkimore e jo të detyruara a imituese, kjo është në të vërtetë një tezë të cilën Islami e përkrahfuqimisht, përkundrejt Krishterizmit, i cili parimet e fesë i ka shpallur të ndaluara për mendjen.[20] Madje, sikur pranimi i fesë të mos bazohej në arsyen, atëherë ai do të ishte subjektiv, arbitrar dhe ekscentrik. Të theksuarit e tepruar të intuitës në llogari të arsyes, pa dashje i hap dyert korruptimit të fesë. Mosdallimi i gjërave të trilluara dhe absurde, në mënyrë racionale, mund të sjellë deri tek ajo që besëtytnitë dhe përrallat të maskohen si të vërteta dhe ta përshkojnë fenë, sikurse ka ndodhur mjerisht me religjionet e ndryshme në botë. Po ashtu, theksimi i tepërt i ‘arsyes’ në llogari të besimit intuitiv, korrupton (prish) ‘jetën e arsyes’, duke e reduktuar atë në: materializëm, utilitarizëm, mekanizëm dhe në pakuptimësi.[21] Sipas Islamit, muslimanëve nuk mund t’ua shpjegojë fenë askush tjetër përveç njerëzve të ditur dhe të mençur. Për këtë, kemi shumë vargje kur’anore: “Andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini (këtë).”(En Nahl: 43). Duke pasur parasysh këto fakte të përmendura, insistimi i muslimanëve që legjislacioni i tyre të bazohet në Kur’an nuk duhet të duket i çuditshëm. Dijetarët muslimanë janë unik lidhur me çështjen se legjislacioni islam, i cili vlen për të gjitha kohët dhe brezat, në dritën e interesit të përgjithshëm, mund t’u përgjigjet çështjeve të parimeve kushtetuese, të kodit civil, të kodit penal dhe të drejtës familjare, duke qenë në hap me të gjitha proceset e zhvillimit të gjithëmbarshëm. ________________________________ [1]Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt Një Teorie Islame për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, f. 75. Botues Logos-A, Shkup 1419\1998, & Nexhat Ibrahimi, Shkolla Juridike Hanefite dhe Karakteristikat Themelore të Doktrinës të saj, Botues Zëri Islam, Prizren 2000/ 1421, f. 21 [2]Muhamed Jusri Ibrahim, Tarih Et Teshri, botoi Darul Endelus El hadra, Xhide, 2005, f. 62. [3]Fikret Karcic, Historia e së drejtës së Sheriatit, Prizren, 1994, f. 32. [4]Hutbe dhe Vaze të zgjedhura, vëll. I, Muftinia BI Tetovë, 1997, f. 70 [5]Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt Një Teorie Islame për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, op. cit., f. 75-76 [6]Muhamed Jusri Ibrahim, Tarih Et Teshri, op. cit., f. 82. [7]Dijalog Islamskih i Evropskih Ucenjaka, Sarajevë, 1979, f. 64 [8]Nexhat Ibrahimi, Shkolla Juridike Hanefite, op. cit., f. 72. [9]Muhamed Jusri Ibrahim, Tarih Et Teshri, op. cit., f. 98. [10]Nexhat Ibrahimi, Shkolla Juridike Hanefite, op. cit, f. 74-75. [11]Dr. Muhammed Hamidullah, Hyrje në Islam, Tiranë, 1993, f. 144-145. [12]Fikret Karcic, Historia e së drejtës së Sheriatit, op. cit., f. 41. [13]Dijalog Islamiskih i Evropskih Ucenjaka, op. cit., f. 65. [14]Mr. Ibrahim Dzananovic, Hudud i Tazir- Krivicna Djela i Prekersaju u seriatskom Pravu, Zbornik Radova 2, Islamski Teoloski Fakultet u Sarajevu, 1987, f. 119. [15]Dr. Vehbe Ez Zuhejli, Hakul Hurrijeti fil Alem, Damask, 1421/2000, f. 66. [16]Hutbe dhe Vaze të zgjedhura, op. cit., f. 83. [17]Christian H. Hoffman, I shtrirë nga të gjitha anët, Asr, Tetovë, 2003, f. 186. [18]Ebul Ala El Mevdudi, Të Drejtat e Njeriut në Islam, Shkup, 1413/1992, f. 6 [19]Beheshti & Bahonar, Filozofia Islame, pa vend dhe vit botimi, f. 8. [20]Murteza Mutahhhari, Shkaqet e Animit nga Materializmi, Tiranë, 2003, f. 64. [21]Ismail Faruki, Islamizimi i Diturisë, Shkup, 1999/1420, f. 55.