Sejid Muhamed bin Sejid Ibrahim Ata
Hamdi Nuhiju <[email protected]> Wed, 6 Feb 2013 14:49:26 +0100
| Newsgroups | gmane.politics.region.albania.shqiperia |
|---|---|
| Message-ID | <CABPCUFmRWmmdY14NnX-suJoF95-sv2rhOAx2mFrr6Mvv7qyQ2g@mail.gmail.com> |
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 02
http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=47276207-6c36-4b4b-98b6-ba488a8efc1c
Në pjesën e dytë të programit do të flasim për Sejid Muhamed bin Sejid
Ibrahim Ata, i njohur më shumë si Haxhi Bektash Veliu, famën e të cilit nuk
ka mbetur pa e dëgjuar asnjë njeri, që nga Azia deri në Ballkan...
[image: Deti i diturisë së Anadollit 02]
Postuar më 17.01.2013 09:02:38 UTC
Përditësuar më 17.01.2013 11:43:01 UTC
* **Nuk shkrin dëbora në male këtë vit,*
* Fryn me acar era e mëngjesit.*
* Nuk ngrihet turkmeni në pllajë të shkojë,*
* Fiset, shteti janë kthyer në rrënojë...*
Me shumë mundësi asnjë vjershë tjetër nuk mund ta shpjegonte më mirë se kjo
Anadollin e shekullin të 13-të. Njerëzit e kësaj hapësire gjeografike, ku
mbizotëronin dyndjet mongole, emigrimet, persekutimet, vdekja dhe uria,
kërkonin një port për t’u strehuar, por nuk e gjenin dot. Atyre u nevojitej
një dritë shprese në mbretërinë e errët të kaosit dhe sëmundjeve
epidemike... Dhe pikërisht në këtë çast historik, ushtarët e shpresës dalin
papritmas nga stepat e Azisë dhe vijnë në Anadoll; ata që vijnë janë
Ushtarët e Horasanit...
Rrugën e Anadollit e marrin shumë dervishë, që kishin kaluar nga bankat e
shkollave të dijetarëve të mëdhenj, si Hoxhë Ahmed Jeseviu, në qendrat
gjigante të shkencës, besimit dhe moralit, siç ishin asokohe Samarkanda dhe
Buharaja. Madje duke lidhur në brez shpata të drunjta, që simbolizonin
ngadhënjimet shpirtërore të realizuara prej tyre deri në atë kohë...
[image: Tyrbja e Haxhi Bektash Veliut]Midis dervishëve në fjalë renditej
edhe një i tillë, famën e të cilit brenda disa shekujsh nuk do të mbetej pa
e dëgjuar asnjë qytet që nga Azia deri në Ballkan: Emri i tij ishte Sejid
Muhamed bin Sejid Ibrahim Ata, por i njohur më shumë si Haxhi Bektash
Veliu...
Ardhja e tij në Anadoll tregohet si një legjendë edhe sot e kësaj dite. Ja
se si e imagjinon populli ardhjen e tij në Anadoll: Përpara se të nisej për
këtë udhëtim të gjatë, Haxhi Bektashi shndërrohet në një pëllumb dhe pastaj
fillon të rrahë krahët nga Nishapuri drejt qiellit të Anadollit. Këtë
pëllumb, përfaqësues dhe zëdhënës të paqes, me të mbërritur në qiellin e
Anadollit e presin me dhjetëra shqiponja dhe e përshëndesin atë me kthetrat
e tyre grabitqare. Padyshim që shqiponjat e prisnin atë për ta shoqëruar
gjatë rrugës, por për mos t’i lejuar hyrjen në Anadoll. Pavarësisht të
gjitha përpjekjeve të shqiponjave, Haxhi Bektashi e gjen një rrugë dhe
shkon në Kërshehir, ku sot gjendet tyrbja e tij.
I ndihmuar nga ndjekësit e tij, Haxhi Bektashi ndërtoi në Kërshehir një
jetesë të bazuar mbi virtyte si drejtësia, dashuria hyjnore, toleranca dhe
solidariteti. Ai zgjidhte problemet e njerëzve, i ftonte ata në drejtësi
dhe moral, por mbi të gjitha që ta donin njëri-tjetrin pa bërë dallim
identiteti dhe shtrese...
Shumë pranë qytezës ku u vendos ai, saktësisht në Yrgyp (Prokopi), jetonte
një popullatë e madhe e krishtere dhe Haxhi Bektashi ndërtoi marrëdhënie
mjaft të mira me këtë komunitet. Personaliteti, karakteri dhe humanizmi i
tij monumental kishte ndikuar jashtë mase edhe të krishterët. Prandaj Haxhi
Bektashin, i cili është një njeri i shenjtë (veli) edhe për fenë islame, të
krishterët e përmendin si *Shën Harallambi*, pra e shikojnë atë si një
shenjtor.
Por si arrinte Haxhi Bektashi t’i bënte për vete edhe këta të krishterë?
Çfarë vlerësonin të krishterët tek ai? Së pari atyre u pëlqente
thjeshtësia, zelli dhe toleranca e tij e pamasë, por për ata më e
rëndësishmja ishte kjo e fundit. Në një epokë, kur luftërat ndërfetare
kishin arritur kulmin në të katër anët e botës, ajo që ngrohu zemrat e të
krishterëve në Yrgyp ishte padyshim mënyra njerëzore dhe vëllazërore, me të
cilën Haxhi Bektashi iu afrohej atyre... Sipas tij, njeriu i mirë është i
mirë, këtë nuk mund ta ndryshojë as gjaku që rrjedh në venat e tij, as
ngjyra e lëkurës së tij dhe as gjuha, që ai flet. Prandaj Haxhi Bektashi
dhe ndjekësit e tij nuk i fajësonin e as poshtëronin kurrsesi njerëzit për
shkak të racës, kombit, fesë apo sektit të tyre. Madje kjo është një nga
arsyet më të forta të respektit të madh, që të krishterët ushqejnë edhe sot
e kësaj dite për teqetë bektashiane në Ballkan.
Haxhi Bektashi ka jetuar në një kohë, kur të gjithë e prisnin mirësinë nga
të tjerët, por ai vet nuk ishte kurrsesi njeri i asaj periudhe. Sepse ai e
kishte kuptuar shumë më herët se kushti i vetëm për të pritur mirësi nga të
tjerët është që njeriu të jetë vetë i mirë. Çfarë mendjelehtësie është të
vësh në dukje gabimet e të tjerëve pa ndrequr së pari tonat?! Fillimisht
njerëz duhet të bëhet vetë bijtë e Ademit!
*“Mos i kujto për njerëz të gjithë ata që i ngjajnë Ademit, nuk janë!”*,
thotë Haxhi Bektashi. Gjatë jetës së tij në kushte tepër të vështira,
themeluesi i tarikatit bektashian duhet ta ketë vërejtur shumë mirë se sa
ego të tërbuar ka njeriu dhe se si ai mund ta humbasë esencën njerëzore
brenda rrjedhës së ngjarjeve. Megjithatë ai sërish nuk zgjedh si rrugëdalje
mbajtjen e njerëzve larg vetes. Përkundrazi, ai ndjek rrugën e të madhit
Hz. Ali, për të cilin ushqente një dashuri të veçantë, dhe i fton njerëzit
në bashkim: *“Të njësohemi, të shtohemi, të gjallërohemi.”*
[image: Tyrbja e Haxhi Bektash Veliut]Përgjigjja e parë, që Haxhi Bektashi
u jepte injorantëve dhe arrogantëve, ishte heshtja. Pastaj ai ua pushtonte
zemrat me anë të tolerancës dhe zemërbutësisë së tij të jashtëzakonshme. Ai
depërton shumë thellë në zemrat e tyre. Ja se si Haxhi Bektashi e shpreh
këtë me fjalët e tij të urta:*“... tashmë në fronin e zemrës së tyre ulemi
ne, madje edhe në gjuhën e tyre flasim ne.”*
Kjo duhet të jetë edhe arsyeja përse Haxhi Bektashi i zgjidhte me kujdes
maksimal fjalët, që fliste gjatë kumtesave të tij. Ai e dinte shumë mirë se
fjala ishte më e mprehtë se ushta dhe shkaktonte plagë tepër të thella.
Njeriu, në vend që të udhëtojë nëpër rrugë të gjata duhet të shëtisë në
shtigjet e zemrës së tij, në vend që të ngasë pas pasurive duhet të dallojë
thesaret brenda vetes, përpara se të shkojë në vendet e shenjta duhet
fillimisht të zbulojë shenjtërinë e zemrës dhe shpirtit të tij. Ja se si
Haxhi Bektashi e shpreh këtë në disa vargje:
*Nxehtësinë e prodhon zjarri, jo saçi,*
* Mrekullinë e ka njeriu, jo kurora.*
* Çfarëdo që kërkon, kërkoje në vete,*
* Ajo nuk është në haxh, Jerusalem apo Meke. *
*“Katër porta, dyzetë virtyte”,* thoshte Haxhi Bektashi në veprën e tij
madhështore *“Makalat”.* Njeriu duhet të hyjë tek të gjitha këto porta dhe
duhet t’i përvetësojë të tëra këto virtyte. Sipas themeluesit të tarikatit
bektashian, njeriu nuk mund ta njohë veten dhe e vërteta nuk përmbushet
deri sa mungon qoftë edhe një prej tyre. Disa nga virtytet që rendit Haxhi
Bektashi janë: Të edukohesh, të arsimohesh, të jesh i thjeshtë si toka, të
ruash sekrete, të njohësh veten etj... Kjo është një filozofi e kulluar nga
traditat e urtësive madhështore dhe e brumosur tek Haxhi Bektashi.
Ndërkohë që të gjithë prisnin mrekulli prej tij, ai u këshillonte njerëzve
vetëm këto virtyte dhe të bëheshin të zellshëm. *“Mrekullia më e madhe
është puna!”,* thoshte ai.
Dhe në fakt, krahas fuqisë së tij shpirtërore, aspekti, që e bën Haxhi
Bektash Veliun të dallohet nga portretet e dijetarëve të zakonshëm, është
se ai ka arritur me plot kuptimin e fjalës t’i japë hakën botës konkrete,
në të cilën ka jetuar. Ai nuk është mbyllur në një dhomë apo faltore, por
ka punuar bashkë me fshatarët dhe bujqit në arrat e Kërshehirit. Haxhi
Bektashi jo vetëm që nuk e ka margjinalizuar veten nga bota, por nuk i
lejuar as t’i qasen njerëzit përtacë, ata që nuk punojnë për bukën e gojës,
apo edhe ata që jetojnë në kurriz të të tjerëve. Sepse ai e di shumë mirë
se njeriu, që nuk arrin ta bëjë këtë hap të parë në shkallët e jetës, nuk
do të mund të ngjitet në asnjë tjetër nivel të pjekurisë.
[image: Ushtria osmane në shekullin e 13-të, jeniçerët në vijën e parë të
frontit.]Kjo veçori e tij, që anon nga dituria shpirtërore në diturinë e
jetës, ka qenë gjithnjë shumë efektive. Aq sa poemat e tij epike, që
asokohe recitoheshin në të katër anët e Anadollit, morën nën ndikim edhe
autoritetet drejtuese të Perandorisë Osmane, e cila gjatë atyre viteve
ishte ende në fazën e themelimit, ndërsa Haxhi Bektash Veliu u pranua si
“Pir” nga jeniçerët, që përbënin shtresën ushtarake të perandorisë.
Përgjatë të gjithë historisë së tyre, në fund të çdo ceremonie jeniçerët i
mbyllnin lutjet e tyre duke përmendur emrin e tij: *“Të themi hu, hu, për
kohën dhe thellësinë e Pirit tonë, Hynqar Haxhi Bektash Veliut!”*
Madhështia shpirtërore e tij është pranuar gjithmonë nga populli dhe
shteti, nga miqtë dhe armiqtë. Madje edhe sot e kësaj dite thuajse nuk
ekzistojnë njerëz që të mos i pranojnë dhe përvetësojnë personalitetin,
karakterin, njerëzillëkun dhe filozofinë e tij. Tyrbja e Haxhi Bektash
Veliut mbetet gjithnjë një portë miku dhe miqësie. Këtë e mundësojnë
thëniet e tij të urta, që të pushtojnë menjëherë zemrën, por edhe udhëtimi
i tij gjithnjë në rrugëtimin e të vërtetës. A nuk e kishte thënë këtë vet
ai qindra vite më parë? *“E vërteta është portë miqësie.”*