Ahmed Jesevi

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Wed, 6 Feb 2013 14:45:40 +0100
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUFkOwFfDL_t0L=Yt9-tfhWBgri=bZfrDqPyjWDarGwkSZg@mail.gmail.com>
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 01

http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=a6d132c4-7759-42f0-b321-f2b820b2d911
Në pjesën e parë të programit do të njohim së bashku mësuesin e madh të
Ushtarëve të Horasanit, mësuesin e mësuesve Ahmed Jesevi, i cili ndezi
zjarrin e urtësisë në Anadoll...
[image: Deti i diturisë së Anadollit 01]
                 Postuar më 17.01.2013 08:21:48 UTC
 Përditësuar më 17.01.2013 11:42:36 UTC

Të gjitha urtësitë dhe dituritë antike kërkojnë të panjohurat e të
vërtetës. Rrugëtimi i jetës, profesioneve, udhëtimeve dhe bisedave tona
rrjedh gjithnjë drejt këtyre pyetjeve. Madje për të tërë ne jeta kalon duke
vrapuar pas të njëjtës përgjigjeje.

Megjithatë për shumicën tonë shpejtësia e këtij vrapimi është e ngadaltë,
me shumë ndalesa, plot moskokëçarje dhe druajtje. Por ekziston gjithmonë
një grusht njerëzish, që ia kushtojnë jetën këtij udhëtimi dhe nuk zgjaten
drejt një qëllimi tjetër. Veshët e tyre kumbojnë nga të njëjtat pyetje,
sytë e tyre shikojnë gjithnjë vegimin e të njëjtave përgjigje. Ata e
kalojnë jetën në rrugë të gjata, në ujëra të thella, në gjethet e pemëve,
në rërën e shkretëtirave... Presin që t’u shfaqen para syve të vërtetat e
tyre, dëshirojnë që marrin qoftë edhe një pikë nga deti i shkencës së të
vërtetës...

[image: Tyrbja e Ahmed Jeseviut]Kështu burimi i njohurive, që rrjedhë nga
përvoja e tyre në këtë rrugëtim, bëhet një ilaç për gjithë njerëzimin ende
shumë pak të informuar rreth tij. Vjershat dhe thëniet e këtyre dijetarëve
janë më freskuese dhe gjallëruese së të gjitha burimet ujore e çezmat për
shpirtin e vyshkur të njerëzimit. Dijetarët në fjalë gëzojnë respekt të
jashtëzakonshëm anembanë botës, madje ata pranohen si ndërgjegjja e
njerëzimit. Sepse rrugëtimi i tyre nuk është vetëm për të kënaqur egon e
tyre, por njëkohësisht edhe për të thelluar sa më shumë të jetë e mundur
njohuritë mbi realitetin e njerëzimit dhe jetës.

Në vende të ndryshme të botës këta njerëz respektohen si kërkues të së
vërtetës. Kur të panjohurat e jetës na rrethojnë si një det i madh e i
pakapërcyeshëm, thëniet e njerëzve të ditur e të mençur na shërbejnë si një
port strehimi. Çdonjëri prej tyre është një yll polar, që ndriçon errësirën
në rrugët gjarpëruese dhe labirintet e vetmisë.

Platoni, Maistër Ekhart, Muhjidin Ibni Arabi, Laozi apo Gautama Buda, të
gjithë këta emra të shquar ishin yje në kërkim të së vërtetës, që edhe sot
e kësaj dite hedhin dritë mbi anë të ndryshme të saj.

Tokat e begata të Anadollit janë pa pikë dyshimi një nga qendrat më të
rëndësishme, ku janë mbledhur përgjatë gjithë historisë dijetarët, që
ndriçojnë të vërtetën duke iu përgjigjur pyetjes: “Me çfarë jeton njeriu?”

Anadolli gjendet në një hapësirë gjeografike, ku rriten gradualisht e
zhvillohen filozofia, besimet antike dhe fetë monoteiste. Ai gjithashtu
mbart në vetvete shumë qendra fetare. Dijetarët, që kanë ardhur në Anadoll
veçanërisht pas shekullit të 13-të nga qendra kulturore të rëndësishme si
Buharaja e Samarkanda dhe që ndryshe njihen si “Ushtarët e Horasanit”, e
kanë përzierë edhe një herë brumin kulturor të Anadollit. Kështu ata kanë
ndërtuar një strukturë elegante plot dituri mbi një themel, që edhe më parë
ishte shumë solid. Kjo ndërtesë elegante është një qytetërim shpirtëror me
ndjeshmëri të lartë. Ndërsa ndjeshmëria e lartë e qytetërimit në fjalë
është mishëruar në trupat e Mevlana Xhelaledin Rumiut, Junus Emresë, Hoxhë
Nastradinit dhe Haxhi Bektash Veliut.

Ja pra, programi ynë radiofonik me titull “Deti i diturisë së Anadollit” do
t’ju ofrojë juve përgjigjet, që dijetarët e Anadollit u kanë dhënë pyetjeve
në lidhje jetën. Përgjatë këtij viti, çdo javë një diell i të vërtetës do
të na ndriçojë rrugën me anë të thënieve dhe thellësisë së tij.

Nëse dëshironi, në pjesën e parë të programit le të njohim së bashku
mësuesin e madh të Ushtarëve të Horasanit, mësuesin e mësuesve Ahmed
Jesevi, i cili ndezi këtë zjarr të urtësisë në Anadoll...

[image: Tyrbja e Hoxhë Ahmed Jeseviut]Përfytyroni një njeri të thjeshtë, që
e siguronte jetesën duke bërë lugë dhe garuzhde prej druri, por edhe
qindra-mijëra njerëz, që përuleshin nga respekti përpara këtij njeriu.
Çfarë prisnin këta njerëz? Mos vallë ishin kureshtarë për profesionin e
lugëtarit? Apo kishin nevojë për luhare druri? Jo, jo, asnjëra prej tyre.
Ata nuk kishin nevojë për lugë apo qepshe druri, por ishin të etur për
dituri, për njohuri të vërteta rreth vetes e jetës së tyre. Dhe ai, që do
t’u jepte atyre këto njohuri, ishte mjeshtri lugëtar, mësuesi i mësuesve
Hoxhë Ahmed Jesevi.

Ai u lind në shekullin e 11-të në një qytezë të vogël, që sot ndodhet
brenda kufijve administrativë të Kazakistanit. Në moshë fare të vogël Ahmed
Jeseviu humbi të atin dhe filloi të jetonte me motrën e tij madhe. Mësimet
e para i mori nga Baba Arsllani. Më pas edhe nga Jusuf Hamedani. Ndërkaq ai
nisi të japë edhe vet mësime, madje pa kaluar shumë themeloi edhe shkollën
ose rrymën e njohur me emrin e tij si “Jesevizëm” apo Tarikati Jesevi. Kjo
rrymë, që fillimisht kishte ndikim vetëm në zonat përreth vendit, ku
banonte vet Hoxhë Ahmed Jeseviu, me kalimin e kohës u përhapë deri në
Horasan e Iran. Ndërsa pas shekullit të 13-të Jesevizmi do të kthehej në
një prej rrymave kryesore të filozofisë, që i kanë dhënë trajtë jetës dhe
fuqisë së mendimit në Anadoll.

Esenca e Jesevizmit përmblidhet në librin e Ahmed Jeseviut me titull
“Divan-i Hikmet”. Sot e kësaj dite, qindra vjet pas derdhjes në letër,
efekti i këtij libri nuk e ka humbur aspak fuqinë e tij. Aktualisht ai
përdoret si referencë në shumë hulumtime akademike dhe qarkullon dora-dorës
në hapësira të ndryshme gjeografike të botës si një burim frymëzimi dhe
studimi. Edhe shpallja e vitit 1993 si “Viti i Hoxhë Ahmed Jeseviut” me anë
të një vendimi të posaçëm të UNESCO-s buron nga vlera e këtij libri dhe
fuqia e mendimit të autorit.

Edhe pse Divan-i Hikmet formohet nga vjersha, që shpjegojnë madhështinë e
Krijuesit, dashurinë hyjnore dhe rrugët e jetesës me mençuri e urtësi,
Ahmed Jeseviu nuk e vlerëson kurrë veten si një poet. Sipas tij, ai është
një këshilltar dhe paralajmërues për njerëzimin. Ai kërkon nga njerëzit që
të çlirojnë shpirtrat duke pastruar egot e tyre dhe tregon rrugët se si
mund të realizohet kjo.

Si shembull për këtë mund të themi se Jeseviu i kushton rëndësi të madhe
kënaqësisë dhe durimit, të cilat njeriu duhet t’i ruajë me çdo kusht
pavarësisht situatës në të cilën ai gjendet. “*Kur janë të ngopur dinë të
kënaqen edhe qentë e Horasanit, e rëndësishme është të dish të kënaqesh e
falënderosh edhe kur je i uritur!*”, thotë ai. E si mund ta shprehte më
mirë se kështu mësuesi i mësuesve që jeta nuk pranon ankime dhe se në çdo
kusht duhet shfaqur një pjekuri optimiste?

Hoxhë Ahmed Jeseviu, i cili është i lidhur ngushtë pas mendimit “*Të
paaftët nuk mund të bëjnë profeci *”, gjatë gjithë jetës së tij i ka
këshilluar dhe orientuar nxënësit dhe ndjekësit e tij që të mësojnë të
paktën një profesion. “*Njeriu duhet të mësojë një profesion që të fitojë
respektin ndaj vetes*”, thekson Jeseviu, ndërsa të menduarit dhe të
punuarit i cilëson si mënyrë adhurimi.

[image: Tyrbja e Hoxhë Ahmed Jeseviut]Ai gjithashtu tërheq vëmendjen se
themeli i të gjithë diturisë, mençurisë e urtësisë është dashuria për
njeriun. Megjithëse ishte një besimtar shumë i devotshëm, Hoxhë Ahmed
Jeseviu shprehej me këto fjalë: “*Mos ia thyej zemrën askujt, edhe nëse ai
nuk beson në asnjë fe! Sepse të thyesh një zemër do të thotë të lëndosh
Krijuesin. Prandaj, nëse ti shikon dikë me zemër të thyer, përpiqu ta
shërosh atë.*”

Në esencën e filozofisë së tij Hoxhë Ahmed Jeseviu kishte vendosur
dashurinë. Dashurinë ndaj Perëndisë dhe njohjen e kufijve, pra modestinë:
Edukimi i egos me thjeshtësi e duke njohur kufijtë e vetvetes. Dhe për ta
bërë këtë ai këshillon që të gjithë të sillen mirë me të gjitha krijesat e
Zotit. Mësuesi i mësuesve kundërshton mbylljen në vetvete dhe rekomandon
thellimin e zgjerimin drejt botës së hapur.

Pas shekullit të 13-të shumica e nxënësve/ndjekësve të Ahmed Jeseviut kanë
ardhur në Anadoll dhe kanë bërë të mundur që filozofia, mendimi e thëniet e
tij të urta të përhapen në të gjithë Anadollin,madje edhe në Ballkan. Baba
Iliasi, Haxhi Bektash Veliu, Musa Abdalli, Baba Gejikliu dhe Sari Salltëku
janë vetëm disa nga nxënësit dhe ndjekësit e tij.