Hoxhe Nasradini

Hamdi Nuhiju <[email protected]> Wed, 6 Feb 2013 14:54:55 +0100
Newsgroups gmane.politics.region.albania.shqiperia
Message-ID <CABPCUF=jeKpXSfPH81TT_qK7EMLsFABVxYyg-ZRARhd0=9BqSQ@mail.gmail.com>
DETI I DITURISË SË ANADOLLIT 04

http://www.trtalbanian.com/trtworld/al/newsDetail.aspx?HaberKodu=a98b37ef-c842-416c-bc0f-6db87140e598
Hoxhë Nastradini, dijetari fetar që i bëri njerëzit për vete me lojëra
fjalësh dhe ndjenjën e tij unike të humorit.
[image: Deti i diturisë së Anadollit 04]
                 Postuar më 04.02.2013 10:34:30 UTC
 Përditësuar më 04.02.2013 10:58:47 UTC

Të vraposh pas arsyes, mistereve dhe filozofisë nuk është aspak një punë e
thjeshtë. Jo çdokush mund ta bëjë një gjë të tillë. Është një udhëtim i
vështirë dhe i lodhshëm, gjatë të cilit duhen kapërcyer pengesa të
panumërta. Shumë pak burra të mençur, të fuqishëm dhe të devotshëm arrijnë
t'i kapërcejnë këto pengesa të mundimshme dhe t'i vihen rrugës për t'u bërë
njerëz të përkryer.

Historia është e mbushur plot me tregime të këtyre njerëzve, që janë për
t'u marrë shembull. Që ne t'i lexojmë dhe të nxjerrim mësime për veten tonë.

Situata nuk ishte ndryshe as në Anadollin e shekullit të 13-të. Trazirat
dhe dëmet e mëdha, që kishin sjellë me vete luftërat në atë periudhë të
errët të historisë, i kishin shndërruar në rrënoja të gjitha qytetet e
gadishullit. Por udhëtarët e arsyes, mistereve dhe filozofisë, që
përparonin në rrugën për t'u bërë njerëz të përkryer, ecnin tutje-tëhu duke
matur me hap udhët e Anadollit pa u thyer përballë këtyre zhvillime
negative. Nga njëra anë ata vazhdonin të zgjeronin diapazonin e tyre si
dijetarë dhe filozofë, kurse nga ana tjerët përpiqeshin t'i dhuronin hare,
shpresë dhe forcë popullit në gjendje të mjeruar materiale dhe shpirtërore.

Këta udhëtarë të së vërtetës ishin të mësuar me vështirësi dhe pengesa. Ata
dinin si t'i vilnin frytet e diturisë madje edhe në kushtet më të vështira.
Por ata ishin të vetëdijshëm se kjo është një punë, që nuk mund të pritet
ta bënte populli i thjeshtë. Prandaj esencën e diturisë ata ia përcollën
popullit dalëngadalë, pika-pika, secili prej tyre me një metodë dhe stil të
veçantë.

Për shembull: Ahmed Jeseviu dhe nxënësit e tij kishin zgjedhur fjalët e
urta për t'iu afruar popullit; Mevlana Xhelaledin Rumiu në plan të parë
kishte vallet mistike; kurse Junus Emreja i pushtonte zemrat me anë të
vjershave.

Në anën tjetër kemi të bëjmë me një evlia, që ndiqte rrugën më të veçantë
të mundshme. Emri i tij ishte Hoxhë Nastradini dhe megjithëse ishte një
dijetar fetar, ai i bëri njerëzit për vete me lojëra fjalësh dhe ndjenjën e
tij unike të humorit. Nastradini qëllonte gjithnjë në shënjestër me
anekdota. Ky stil i tij shkaktoi një efekt aq të madh, sa që atë nuk mbeti
pa e njohur asnjë vend nga Azia Qendrore deri në Ballkan.

Ja pra, sot do t'ju prezantojmë këtë dijetar fytyrëqeshur. Do të flasim për
mjeshtrin më të madh të humorit turk, dijetarin fetar dhe misticistin Hoxhë
Nastradin.

Shumë njerëz e njohin atë si një tip absurd, që i hipën gomarit së prapthi
apo që përpiqet të zërë kos liqenin. Shumë të tjerë e shikojnë Hoxhë
Nastradinin si një personazh të thjeshtë historik, që imitohet për të
zbavitur fëmijët.

Por në fakt Nastradini ishte një dijetar fetar i mençur i Anadollit të
shekullit të 13-të. Edhe pse është emëruar hoxhë (mësues) në moshë fare të
re, ai në vend të ofiqeve dhe karrierës ka preferuar të udhëtojë për të
perfeksionuar diturinë.

Lidhur me jetën e Hoxhë Nastradinit nuk ka të dhëna të mjaftueshme dhe të
sakta. Sipas burimeve ai ka lindur në krahinën Hortu, e varur nga
nënprefektura Sivrihisar e Eskishehirit. Duke qenë se i ati ishte imami i
fshatit, ai kishte mësuar prej tij arabisht dhe kishte marrë mësimet e para
fetare. Për një fare kohe ai e kishte zëvendësuar të atin si imam i
fshatit. Hoxhë Nastradini kishte mësuar nëpër medresetë e Sivrihisarit dhe
të Konjës. Pasi lidhet me Sejid Mahmud Hajranin, ai vendoset së bashku me
këtë të fundit në Akşehir, ku jeton deri sa vdes.

Sipas një gojëdhëne, Hoxhë Nastradini kishte dhënë mësim edhe në medrese
dhe kishte ushtruar profesionin e kadiut. Thuhet se për arsye të kësaj
detyre Nastradini ka marrë edhe titullin Hoxhë. Për sa u përket të dhënave
mbi jetën e Nastradinit, si rrjedhojë e dashurisë së madhe që populli
ushqente për të, në to janë përzierë gojëdhëna, dhe herë-herë këto
gojëdhëna kanë fituar cilësi të jashtëzakonshme. Midis këtyre gojëdhënave
janë edhe ato që bëjnë fjalë për njohjen e tij me sulltanët selxhukas dhe
që ka qenë mik i ngushtë me Mevlana Xhelaledin Rumiun, apo që ka folur me
Timurlengun, i cili pati jetuar të paktën 70 vjet pas tij, ose është parë
njëkohësisht në disa vende etj.

Në fakt vlera e Hoxhë Nastradinit nuk matet me ngjarjet që ka jetuar ai
vet, por me elementët e hollë të kuptimit, satirës dhe përqeshjes, që
rrëfehen ose nga vet ai ose nga goja e popullit. Nga studimi i anekdotave,
që pretendohet se janë të tijat dhe nga sqarimi i fjalëve të përdorura, del
se ai nuk ka trajtuar vetëm një periudhë, por ka shprehur mënyrën e jetesës
së popullit të Anadollit, ka nxjerrë në pah elementin humoristik, llojin
shpotitës dhe argëtues, aftësinë e popullit për të lavdëruar dhe
satirizuar. Në temat kryesore të anekdotave, që kanë të bëjnë me të, ka një
prirje drejt dashurisë, satirës, lëvdatës, përqeshjes, talljes,
parodizimit, shkuarjes në kontradiktë me vetveten, një butësie me një
rrëfim shumë të hollë dhe shpotitës kundër rregullave të ngurta të sheriatit

Tek i thotë mendimet e tij, ai fshihet pas një identiteti me cilësi
kontradiktore të larmishme si dijetar, injorant, ambicioz, i butë, i
sjellshëm, i turpshëm, i shkathët, i hutuar, dinak, frikacak etj. Elementi
mbizotërues në anekdotat e tij është të ndodhurit e tij në një situatë të
kundërt me personazhin që ka përballë. Këta elementë përbëjnë produktet e
reflektimit të qëndrimit të njeriut të Anadollit ndaj ngjarjeve dhe
fenomeneve të ndryshme.

Hoxhë Nastradini shfaqet si një figurë qendrore, që reflekton ndjenjat e
popullit, si qendër humori. Ai që kërkon të shprehë diçka, të japë një
mesazh, përdor gojën e atij që flet, në këtë mënyrë populli zërin e tij e
përhap përmes gjuhës së Nastradinit. Në të gjitha anekdotat e tij, Hoxhë
Nastradini shfaqet jo si një qenie abstrakte, por me një formë që ka lidhje
me një ngjarje të jetuar, me një faktor. Reagimin ose miratimin, që ndjen
ndaj një ngjarjeje, ai e shpreh me njërën nga llojet e humorit që përdor.
Ngjarjet ku ai është dëshmitar në përgjithësi janë ngjarje që kanë ndodhur
në popull. Nastradini nëpër pallate mbretërore apo saraje ose futet rrallë,
ose nuk hynë fare. Për shembull nuk ekzistojnë anekdota në lidhje me
sulltanët selxhukas, me të cilët thuhet se është takuar. Kurse ato me
Timurin, i cili ka jetuar pas tij, duhet të jenë sajuar më vonë. Një tjetër
veçori që zë vend në anekdotat e Hoxhë Nastradini, që reflekton ndjenjat e
popullit në karakterin e tij, është edhe vendi që zë gomari. Nastradini nuk
mund të mendohet pa gomarin. Gomari, që është transportuesi i tij, në të
vërtetë është elementi i satirës dhe ironisë. Ndërsa kali tek populli i
Anadollit nuk është përdorur pothuajse fare si element humori. Gomari është
simboli më i përhapur i qenies që duron dhimbjen, vështirësitë, dajakun,
urinë. Ndërkohë që kali zë një vend të gjerë nëpër anekdotat e sajuara
nëpër saraje, gomari nuk përmendet. Ndikimi i Nastradinit ka qenë i
përhapur në të gjitha shtresat e shoqërisë. Ai është bërë burim frymëzimi
për daljen në skenë e mjeshtërve të humorit si “Inxhili Çavuş”, “Mustafa
Pijaneci” apo “Bektashiu”. Dy të parat pëlqeheshin shumë nëpër saraje,
kurse karakteri i tretë shpreh reagimin e popullit ndaj ligjeve të rënda të
sheriatit.

Nastradini ka jetuar në kohën e selxhukëve të Anadollit. Kjo është një nga
periudhat më të trazuara të Anadollit, kur populli është varfëruar më shumë
për shkak të dyndjeve mongole, dobësisë së shtetit dhe grindjeve për të
marrë fronin. Hoxhë Nastradini ka qenë një simbol i fuqisë krijuese dhe
konceptit për humor të popullit, që ndodhej brenda një situate të vështirë
si në këtë periudhë, ashtu edhe në shekujt e mëvonshëm të mbushur me kriza.
Numri i anekdotave të Nastradinit, që kanë mbërritur deri në ditët tona,
është mjaft i madh, por në të vërtetë ato duhen pranuar si një produkt
anonim i popullit. Nga këto anekdota kuptohet që karakteri i Hoxhë
Nastradinit është trajtuar vazhdimisht dhe është bashkuar madje edhe me
personazhe që kanë jetuar pas vdekjes së tij.

Shembulli më i bukur i kësaj janë anekdotat, që flasin për Hoxhë
Nastradinin dhe Timurin, i cili e ka pushtuar Anadollin në fillim të
shekullit të 15-të. Vetëm se po të krahasojmë shkrimet e vjetra ku janë
përmbledhur anekdotat e Nastradinit me librat e anekdotave të tij, që janë
botuar në ditët e sotme, vihet re se shumë anekdota janë krijuar me kalimin
e kohës.

Vepra më e vjetër, që flet për karakterin e pasur me humor të Hoxhë
Nastradinit, është libri me titull “Saltukname” i Ebul-Hajr Rumiut. Dhe nga
kjo vepër kuptojmë që karakteri me humor i Nastradinit është shfaqur qartë
në shekullin e 15-të. Anekdotat e Hoxhë Nastradinit janë mbledhur në
gazetat “Letaif”, që në atë kohë janë botuar me shkrim dore. Më e vjetra
prej tyre është “Haza Hikayet-i Kitab-ı Nasreddin”, që është shkruar në
vitin 1571. Kurse libri më i vjetër i botuar me anekdotat e Nastradinit
është “Letaif”, i shtypur në vitin 1837. Punimi më i gjerë dhe më i vjetër,
që është bërë mbi karakterin dhe anekdotat e Hoxhë Nastradinit, është një
libër me dy vëllime i Alber Veselskit me titull “Der Hodscha Nastreddin”, i
botuar në vitin 1911. Më vonë për Nastradinin kanë botuar libra shumë
studiues dhe autorë turq e të huaj.

Ai është një simbol i diturisë, që kapërcen kufijtë dhe vendet.